ATA QË PO E RISHKRUAJNË HISTORINË KOMBËTARE JANË SHËRBYES TË POLITIKËS KOMUNISTE-STALINISTE-ENVERISTE
-Historiani Arben Llalla flet për Diellin e Vatrës në New York./
Historiani Arben Llalla është shprehur kundër rishikimit apo rishkrimit të historisë sonë kombëtare duke e quajtur një projekt që i shërben të kaluarës komuniste të Shqipërisë. Njerëzit që kanë mare përsipër kundrejt një pagese të majme, sipas Llallës janë po ata që i kanë shërbyer diktaturës komuniste, historianë komunist-politikanë. Sipas Historianit Llalla qeveritë shqiptare janë të nënshtruara përballë Greqisë. Jeta politike, shoqërore, mediatike, fetare dhe ekonomike kontrollohet nga Athina. Historiani Arben Llalla akuzon edhe përçarësit e Vatrës, degën e jashtëligjshme dhe të përjashtuar nga Vatra, atë të Uashingtonit e cila i ka vjedhur librin dhe lexuar kumtesën e tij edhe pse ai ishte tërhequr nga një aktivitet jo produktiv mbi Arvanitasit. Me historianin Arben Llalla bisedoi gazetari i Diellit Sokol Paja
Akademia e Shkencave të Shqipërisë akordoi një projekt 300 milionësh për rishkrimin e historisë kombëtare, si e gjykoni këtë nismë?
Nëse vëreni me kujdes janë po ata historian shtetëror, që nuk thonë historinë e vërtetë por e përziejnë një shumicë gënjeshtre me një pakicë të vërtetë dhe ua ofrojnë lexuesve si histori e vërtetë. Dua të them se ata që po përgatisin rishikim apo rishkrim të historisë sonë janë veç shërbyes të politikës komuniste-staliniste-enveriste. Besoj se historiografia që po rishkruhet nuk do zbulojë mitet e historiografisë komuniste, por do na krijojë mite të reja. Njerëzit që kanë marrë përsipër kundrejt një pagese të majme janë po ata që i kanë shërbyer diktaturës komuniste, historianë komunist-politikanë. Nga kryetari i Kuvendit, kryetari i Akademisë, etj., janë komunistë të dëshmuar, ish ministra të qeverive komuniste. Siç del nga konstatimet e shumë studiuesve, historianëve, publicistëve, gazetarëve shqiptar e të huaj, por edhe i imi, pjesa më e madhe e historiografisë shqiptare, e cila aty ku e sheh se kriteri antikomunistë-kombëtar nuk i leverdis, e fsheh ose e fshin, për të ndërtuar pa kritere “rrëfimin komunistë-kombëtar” që më shumë nuk i ka shërbyer të ardhmes afatgjatë të Shqipërisë. Kuptohet që projektet për një interpretim të ri të historisë, të shkruar shkencërisht, janë të vështira e të rënda, sepse ato nuk i shërbejnë mitologjisë popullore, dhe, si rrjedhim, as klasës politike –komuniste-majtiste. Historia ka një rol të rëndësishëm sepse ajo është përdorur e duhet të përdoret si një disiplinë e cila mund t’i formësojë kushtet mbështetëse dhe pranimit në bazë të një mirëkuptimi të përbashkët të së kaluarës. Për këtë kanë më shumë nevojë vendet e Ballkanit, historitë e të cilave janë të mbingarkuara me legjenda e mite. Përse në debate nuk ftohen historianët zëri kundër? Përse historianët e pavarur që nuk punojnë nëpër institucione shtetërore nuk ftohen të kontribuojnë?
Pse drejtësia ndërkombëtare ka heshtur përballë genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë? Si mendoni se do të zgjidhet çështja Çame? Pse shteti shqiptar asnjëherë nuk është angazhuar seriozisht për të zgjidhur këtë çështje? Si e gjykoni, çfarë fshihet pas përfitimit politik të politikës shqiptare me çështjen e Çamërisë?
U deshën 15 vite që të rikthehen eshtrat e shqiptarëve, të vërtetohej se ishin shqiptar dhe jo ushtar grekë. Si pas viteve 1945 e në vazhdim, qeveritë shqiptare kanë qenë të nënshtruar para Greqisë. Qeveria diktatoriale e Enver Hoxhës nuk e ngriti zërin për çamët, genocidin, por i persekutoi çamët për ti bërë qejfin Greqisë. Po kështu edhe pas vitit 1990 qeveritë shqiptare kanë qenë vasal të Greqisë, duke realizuar me zell çdo kërkesë greke. Për fatin e keq asnjë qeveri shqiptare se kanë patur në programin e saj çështjen çame, kjo është një fatkeqësi e madhe të mohohet ekzistenca e një pjesë të kombit tënd. Nuk mundet që drejtësia ndërkombëtare të flasë kur vetë shteti shqiptar heshtë, nuk ka asnjë kërkesë apo denoncim nga qeveritë shqiptare që nga vitet 1950 e deri më sot. Duhet të themi se Greqia ka patur njerëzit e sajë të fuqishëm në çdo kabinet qeveritar të cilët me veprimet e tyre kanë punuar në dëm të Shqipërisë. Është tragjike t’ju them se Greqia u ka kërkuar qeverive shqiptare të mos ketë asnjë shqiptar nga Çamëria ministër. Edhe kur z.Idrizi u bë nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë pati reagime zyrtare nga Athina. Pra duket qartë se qeveritë shqiptare janë të nënshtruara përballë Greqisë. Jeta politike, shoqërore, mediatike, fetare dhe ekonomike kontrollohet nga Athina.
Duke iu referuar dy studimeve tuaja shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve, doja të na shpjegoje për lexuesit cili ka qenë roli i Arvanitasve në themelimin e Greqisë së re? Po në luftën italo-greke, me kë bashkëpunuan çamët? A ishte gjoja bashkëpunimi si preteks për spastrim etnik dhe genocid?
Arvanitasit në shekullin 19 dhe fillim shekullit 20 kanë patur ndërgjegje shqiptare, janë sulmuar keq nga shteti dhe kisha greke dhe si rrjedhojë kemi asimilimin e dhunshëm të tyre. Grekët e rinj thonë se arvanitasit janë ardhës në Greqi, por e vërteta është se arvanitasit-pra shqiptarët janë vendas të tjerët, janë ardhacak. Libri im për Arvanitasit Themelues të Greqisë së Re, sjell të dhëna të reja që 1821 nuk ishte revolucion për pavarësinë e Greqisë por kryengritje për të grabitur pasurinë të pasurve. Pra kaçakët shqiptar të nxitur nga Rusia, Britania dhe Franca vrisnin dhe grabisnin karvanet e perandorisë osmane. Ku shumë herë shqiptarët u vranë me njeri-tjetrin. Qëllimi i Rusisë, Britanisë dhe Francës ishte shkatërrimi i Perandorisë Osmane në Ballkan si rrjedhojë kemi dhurimin e tokave shqiptare Serbisë dhe Greqisë. Shqiptarët e Çamërisë nuk kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por bashkëpunim zyrtar kishin qeveritë greke dhe batalionet e vllahëve për të themeluar Principatën e Vllahëve. Ka patur individë shqiptar diku 200 veta si bashkëpunëtorë, por shumica e çamëve ishin partizanë në ushtrinë EAM-ELAS. Ka patur rreth 3000 çamë partizanë. Deri më sot historianë dhe studiuesit grekë nuk na kanë ofruar asnjë foto apo dokument zyrtar të bashkëpunimit të çamëve me pushtuesit italian dhe gjermanë. Por qeveria e Enver Hoxhës e dëmtoi rëndë çështjen çame, deri aty sa çamët në Shqipëri quheshin të huaj, jo shqiptar, nënçmoheshin. Këto bëheshin me direktiva direkt nga Enver Hoxha. Përse Hoxha nuk përmendi asnjëherë çamët por përmendte vetëm Kosovën?
Një degë e përjashtuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, një degë e jashtëligjshme dhe që ndodhet në proces gjyqësor me Vatrën mëmë, ju kishte ftuar në një simpozium, ju e refuzuat, çfarë ndodhi dhe pse u tërhoqët?
Është për të ardhur keq se si Federata Vatra që ka një kontribut të madh në çështjet kombëtare është përçarë. Shqiptarët në SHBA duhet të kapërcejnë vetveten e të bashkohen sepse janë shtylla e politikës së jashtme të shqiptarëve në botë. Nuk dua të besoj se grekët dhe serbët në SHBA kanë gisht në përçarjen e Vatrës. Sa për atë Simpoziumin për të cilin unë kam rezervat e mia si historian, vetëm simpozium nuk ishte. Aty pashë emra që nuk ishin profesionistë apo të kishin njohuritë e duhura për Temën e ARVANITASVE që do diskutonin. Kur mu bë ftesa nga organizatorët ua tërhoqa vëmendjen se nëse keni të ftuar jo profesionistë për temën unë nuk marr pjesë, më tej më nënçmuan duke më paraqitur si gazetar dhe jo historian. Duke kuptuar se kisha të bëja me një aktivitet jo zhvillues, që nuk do sillte gjëra serioze, u tërhoqa. Për fat të keq aty u lexuan punimet e mia, libri im sikur të ishin të tyre. Pra një kopje e shëmtuar nga ligjëruesit.
Cila është rëndësia specifike e regjistrimit të popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
Është hera e dytë që regjistrimi në Maqedoninë e Veriut dështoi, kjo për shkaqe politike. Nuk është gjë e mirë që Maqedonia si anëtare e NATO-s dhe me pretendimet për tu anëtarësuar sa më shpejtë në BE, të dështojnë në regjistrimin e popullsisë. Regjistrimi i fundit në Maqedoni është kryer në 2002, fill pas krizës së luftës së 2001, një regjistrim që u krye në kushtet e urrejtjes midis etnive, presionet e pushtetit sllavo-maqedonas dhe ku popullsia ishte e frikësuar nga armët ilegale që dispononin. Regjistrimi i popullsisë së një vendi ka rëndësi të madhe sepse lidhet direkt me jetën politike, ekonomike e shoqërore. Pra, çdo vend e kryen regjistrimin normalisht çdo 10 vite dhe në bazë të shifrave të popullsisë së saj bën projektet e së ardhmes që lidhen me konsumimin ushqimor, rezervat e shtetit, vendet e punës, me pranimin e numrit të refugjatëve të kategorive të ndryshme, numrin e pakicave kombëtare, besimet fetare , etj.
Kush është historiani Arben Llalla?
Arben Llalla ka lindur më 17 janar 1972 në qytetin e Elbasanit nga prindërit Pajtim Maliq Llalla dhe Matjane Nuseret Ligu. Nga babai ka origjinë nga qyteti i Gramshit dhe rrjedh nga një familje e madhe patriotike të cilët janë emra të ndritura të qytetit të këtij qyteti, stërgjyshi i tij quhej Beqir Llalla. Ndërsa familja e mëmës është nga Prongjia e Gjirokastrës dhe stërgjyshi i tij quhej Bajram Ligu. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje. Nga viti 1993 e deri 2004, ka jetuar dhe punuar në Greqi. Që nga viti 1997 ka punuar gazetar duke bashkëpunuar me shumë gazeta dhe revista shqiptare në botë. Në 1998 ka filluar të bashkëpunojë me Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë për studime historike dhe ka patur një bashkëpunim të ngushtë me studiuesin dhe shkrimtarin e njohur Aristidh Kola. Në vitin 2000 filloi të botonte studimet e para për jetën dhe kulturën e arvanitasve të Greqisë. Deri më sot ka botuar në disa revista dhe gazeta shqiptare mbi 50 punime shkencore historike që kanë të bëjnë në veçanti me arvanitasit që nga themelimi i shtetit grek 1821-2006. Në dhjetor të viti 1998 është themelues i “Forumit të Emigrantëve shqiptar”- dega Selanik, dhe deri më tetor 1999 ishte kryetar i saj. Në shkurt të vitit 2000 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”, ishte në këtë post deri më shtator 2000. Është i diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës në degën Histori me notë mesatare 8, 2006. Ka njohuri për gjuhën italiane dhe flet shumë mirë gjuhën greke. Që nga viti 2004, jeton në qytetin e Tetovës duke u marrë i pavarur me studime historike. Është i martuar me Teuta Kamberi dhe kanë një djalë. Më 2004 ishte përfaqësues Ekzekutiv në Maqedoni i Lobit shqiptaro-amerikan, në fushatën “PAVARËSIA E KOSOVËS TANI”, në mbështetje të rezolutës së Kongresit amerikan. Që nga viti 2010-2013, Arben Llalla ishte koordinator i zyrës së binjakëzimit të Bashkisë së Elbasanit dhe të Bashkisë së Tetovës. Më 2013, ishte kandidat për deputet në Qarkun e Elbasanit me partinë PDIU, çame. Nga viti 2013, e në vazhdim punon i pavarur si publicist. Është autor i librave: 1.) “Gjurmë të letërsisë së vjetër të shqiptarëve të Greqisë 1860-1889”, 2006, Tetovë, 2.) “Aristidh Kola dhe shtypi shqiptar”, 2007, Tetovë, 3.)“Demokrafia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriut”, botuar më 2013, Tetovë, 4.) “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocitit në Çamëri”, botuar më 2016, Tetovë, më 2017 në Tiranë nga UETiranë, 2017, anglisht, 2018, Tetovë. Pra ribotuar 4 herë, me tirazh 5 mijë kopje, 5.) Arvanitët-Themeluesit e Greqisë së Re, botuar në 2020-2021 me tirazh 8 mijë kopje në gjuhën shqipe-anglisht-greqisht.