Po botoj ktu versionin e plote te shkrimit tim mbi fillimin e masakrimit te tekstit te Martin Camajt qe doli ne suplementin kulturor te gazetes MAPO.
“U”-ja e vogël e pësores dhe si po e pëson Camaj nga “zbardhuesit” filologë
U bâ nji çerek shekulli qyshkur se Camaj e filloi zbarkimin e tij triumfal në atdheun e mohuem. Ai iku si nji i ri me frika e andrra dhe erdhi mbrapsht në formë librash e fryme, tashma i sublimuem prej shpirtit të artit dhe të poezisë. Ardhja e tij ka qenë e vështirë dhe e mundimshme. Ai i përkiste nji shkolle tjetër të shkrimeve dhe në kushtet e nji lirie të vetkuptueshme vazhdoi të jetë pjesë e traditës së madhe letrare të veriut shqiptar. Liria dhe ngjyresa e traditës do të ktheheshin në bumerang për autorin. Mes tij dhe shestimeve letrare ktu ndër ne do të hapej nji plasë e thellë prej atyne sizmikeve dhe kjo do t’ia vështirësonte rrugëtimin në kthimin e tij posthum. Edhe pse shkolla letrare që u zhvillue mbrenda vendit të tij kishte ra dhe ishte ronitë mbrenda nji nate – ramja e sistemit kishte marrë me vete të gjitha sajesat e veta – “armata” e madhe e shkrimtarëve të realizmit socialist që kishin lanë rininë e tyne, kohën e bukur, frymëzimin, andrrat dhe dashuninë e tyne në karabinanë e ksaj metode, u ndie shum keq para veprës së thjeshtë e monumentalisht modeste të Martin Camajt, i cili po vinte në shtëpinë e vet si frymë dhe si landë shpirtnore, tue shkaktue krizën e veprave dhe të mundit të humbun të ktyne të fundit. Por nuk ishte vetëm kjo. Gjatë mungesës së tij dhe jo për shkak të saj, shqiptarët e ngujuem në istikamet e besnikërisë ideologjike të nji diktature të pakundshoqe, kishin vu dorë edhe mbi gjuhën, tue pretendue se shqiptarëve i duhej nji gjuhë letrare dhe se gjuha letrare ishte ajo që propozohej nga shteti i asaj kohe. Problemi i gjuhës lidhej intimisht e dinakërisht me hegjemonitë krahinore dhe me mitin e ngadhënjyesit. Meqë shprehja gjuhësore e M. Camajt ishte koine-ja veriore e lavrueme prej nji gjysëmmijëvjeçari dhe e potencueme me traditën e madhe rilindase të epigonëve epokalë si Fishta, Migjeni e Koliqi, ardhja e Martinit ishte disi e komprometueme. Ashtu sikurse e kam theksue edhe në studimin tim mbi Martin Camajn “Nji Uliks që nuk mbrriti kurr në Itakë” (Shtëpia Botuese “Gj. Fishta”, 2005), qarqet akademike dhe universitare shqiptare mbrenda vendit u gjetën gjallë e ngusht. Në pamundësi për ta pengue ma ardhjen e tij dhe depërtimin e veprës së tij, ata duhet t’i jepnin nji vend, dhe kjo kryesisht nën trysninë e madhe të lexuesit të etun shqiptar që e priti dhe e lexoi me nji kureshtje të jashtëzakonshme. Shqiptarët për herë të parë po lexonin nji letërsi shqipe të krijueme gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, e cila nuk ishte e prekun nga lëngata skorbutike e realizmit socialist. Ndërkaq Martini kishte ndrrue jetë dhe vepra e tij ishte në dorën e shqiptarëve, si për lexim ashtu edhe për studim. Dhe vërtet pati vullnete të mira e me rezultat që u fokusuen mbi këtë fenomen letrar e kulturor që na ra në oborrin tonë të shtëpisë si nji meteor, por si meteor i randë që shkaktoi tërmet.
Me fillimin e studimeve të ktij autori e me drejtimet standarde të hulumtimeve standarde të kritikës sonë letrare, u banë disa përpjekje klasifikuese të tipologjive e të formës, si dhe disa qasje simbas klisheve të kohës, gjithsesi formale, të ndrojtuna dhe të pasigurta. Ndërkaq fama e Camajt rritej në botën letrare shqiptare dhe, si popull mitoman që jemi, fama e tij arriti pika kulmore të paimagjinueshme që, ma së shumëti, tregonin sesa pak qe kuptue thalbi i ktij autori.
Fama e rritun dhe diskutimi mbrenda rretheve zyrtare por edhe të lira letrare arriti me nji mijë halle ta vêjë në vigjilencë dhe ma vonë në lëvizje zyrtaritetin tonë akademik lidhë me çka do të bahej me Camajn.
I pari rast që di unë kur establishmenti zyrtar u shfaq hapun dhe solemnisht për Martinin ishte dokumentari i Tefta Radit “Camaj i pakrahasueshëm”. Ky qe nji eveniment i bukur me pjesëmarrje dhe me shum kualitet pjesëmarrësish. Ishte edhe zonja Erika Camaj, e cila megjithë moshën dhe telashet e shëndetit, përpiqet të mos mungojë në atdheun e bashkëshortit. Gjithçka filloi gjatë shfaqjes së dokumentarit ku unë vuna re se, megjithse Martini ulej e çohej si “i pakrahasueshëm”, gjatë komenteve për të e rreth tij përdorej me bollëk fjala “poet i diasporës” ose edhe “ një ndër poetët më të shquar të mërgatës”. Mbeta i përshtypun keq nga përdorimi “i papritun” i termave historiografikë “mërgatë” dhe “diasporë”. Pse mbeta i përshtypun keq? Në radhë të parë fjala “mërgatë”, edhe pse nji leksemë e bukur shqipe, ishte e ndotun ideologjikisht për shkak të romanit të famshëm të N. Jorgaqit “Mërgata e qyqeve”. Meqë fjala mërgatë ndër ne në ato vite ishte njilloj “neologjizme” e paprovueme, sepse qëllimisht asokohe kalohej me heshtje se ne kishim nji mërgatë në Europë dhe Amerikë. Por lidhja e fortë stigmatizuese mbrenda togfjalëshit e fjalës mërgatë me qyqe, e bante të pahijshme për mue karakterizimin e Camajt me fjalë të drejtpërdrejta ose të përafërta që mund t’ia ulnin pahun atij. Të them të drejtën u revoltova. Me të mbarue dokumentari, vrapova tek z. Erika Camaj, i shpreha shqetësimin tim dhe ajo thirri Bardhyl Demirajn që të fliste me mue. Mbasi e pohoi se teksti dhe skenari i dokumentarit ishte shkrue prej tij, e pyeta se nga dolën tashti këto fjalë diasporë dhe mërgatë Ai m’u përgjigj : Pse a nuk është e vërtetë se Camaj ka jetuar rreth 45 vjet jashtë. Atëherë unë i thashë: Po pse nuk thuhet e njajta gja për Naimin, Çajupin, Z. Jubanin, Pashko Vasën, Nolin ? M’u përgjigj se Shqipëria në kohën e Naimit ishte pjesë e perandorisë osmane dhe shqiptarët e Naimi jetonin në të njëjtin shtet. I bindun se ai po fliste pa përgjegjësie pyeta edhe nji herë: – Po Kadarenë shkrimtar të diasporës e queni ju? Bardhyl Demiraj u largue dukshëm i shqetësuem nga pyetjet e mia.
Në të gjithë kohën mbas mundohesha të gjej shkaqet përse Bardhyl Demiraj kishte aktivizue këtë lloj terminologjie, e cila, për fat keq, po sprovohej në këtë stil të gjanë vetëm mbi lëkurën e Martin Camajt. Hapa enciklopedinë frënge dhe pashë se ç’thuhej aty për Chateaubriand-in, Hugo-in, Camus-n, André Gide-in. Asgja. I pari plot dhjetë vjet në Angli, Hugo-i disa herësh mërgimtar në Belgjikë. Gide-i dhe Camus-ja të lindun në Algjeri, por shkrimtar francezë. Ah, thashë me vete këta francezët i duen shum shkrimtarët e shtëpisë së vet.
Në Parathënien e vëllimit me korpusin poetik të Camajt, botue tashti shpejt nga Shtëpia Botuese “Onufri”, Camaj shprehet kshtu : “S’do qitë mendësh se afër një e tretë e njerëzimit sot janë të ikun a të shpërngulun nga vendlindja.” A thue do ta ketë parandie Camaj se zavendësii tij në katedrën e Universitetit elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut, në shenj mirënjoftjeje për katedrën që ai gëzon sot, do të nxirrte për të nga arsenali fjalët “mërgimtar” e “diasporak”, që ai vetë i shifte si me konotacione tëhuejtjeje dhe përkeqësimi? Unë si lexues, pra, shquej mirëfilli se Camaj e ka pikë të dobët qenien e tij si mërgimtar, jo aq për sa ajo fjalë mund t’i thuhet dikujt që ikë për arsye ekonomike, por për faktin se ai e dëshiroi atdheun e vet ma shum se kurr, kur ai u ba i vlefshëm për të dhe nuk i solli pak lavdi. Mos vallë i duhet thanë Bardhyl Demirajt si vetëm gjuhtar që asht, se poetët qofshin mbrenda atdheut, qofshin jashtë tij janë e mbeten mërgimtarë, sepse atdheu i tyne asht diçka ideale që ata e ushqejnë me disforinë e tyne të përhershme? Ky studiues e gjuejti Camajn atje ku atij i dhimbte ma fort. I fortë si nishanxhi!
Ndeshja e dytë e imja me B. Demirjan ku unë e kritikova atë haptas në sallën kryesore të Universitetit të Shkodrës ka qenë me rastin e 90-vjetorit të Camajt më 15 tetor 2015. M’u dha fjala (sepse organizatore e eventit ishte shoqata “Dukagjini) dhe në fjalën time shpreha së pari mospëlqimin tim për karakterizimin e Camajt nga ana e Kadaresë si “poet i lartësive”. Pastaj po nominalisht u mundova t’i shpjegoj audiencës se Pr. dr. B. Demiraj e kishte ambalazhue Camajn mbrenda termit “poet i diasporës ose i mërgatës” dhe se ky trajtim ishte dashakeqës nga ana e tij sepse e paraqiste poetin në fjalë si “ të huej, të largët, të pakuptueshëm dhe si të çuditshëm për shkak të gjuhës kryesisht” për lexuesin.
Dhe e gjithë kjo odise ku unë po i delja zot Camajt për të drejtën e shenjtë që ka ai me iu respektue dëshirat për së vdekuni, së paku, kulmoi më datën 9 mars 2017, ora 18.00, kur Shtëpia Botuese “Onufri” me z. Bujar Hudhri në krye të saj, organizonte nji mbramje përkujtimore me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së M. Camajt. Kisha edhe unë nji ftesë. Mbramja përkujtimore ishte organizue në nji format të ri, udhëhiqte z. Matteo Mandalà. Edhe pse ishte nji përvjetor vdekjeje e rasti ishte për ma solemnitet dhe depërtim në ato prumje eventuale të kritikës rreth këtij poeti, eventi ishte përqendrue në aspekte anekdotike nga jeta e poetit.
Kur e mori fjalën Bardhyl Demiraj, i cili, i vetmi, shpalosi erudicion e latinologji, megjithë vemendjen që kishim për të ndigjue ndonji zbulim të ri si njeri i afërt i katedrës dhe i studimeve camajane që ai asht, doli se i vetmi qëllim që ai kishte pasë atë natë ishte të ngrehalucej në foltore, të më gjente me sy në vendin ku po rrija dhe dy herë radhazi, me nji ndërkohë 2-3 minutash, të drejtohej nga ana ime dhe të më tundte dorën dhe të më tregonte kërcnueshëm, aq sa mund t’ia mbante atij në nji sallë plot me të ftuem të spikatun. Ky gjest i pacipë dhe balosh prej shkencëtari që gëzon privilegje të trashigueme dhe siguri a priori mbrenda establishmentit zyrtar akademik – këtë po e avancoj me hamendje, por jo pa bindje – ishte ai i njeriut që ka marrë përsipër të “zmerilojë” figurën dhe veprën e M. Camajt. Si studiues i Camajt dhe si dashamirës pa kushte i ktij poeti mendoj se duhet të thirresha për t’i thanë dy fjalë, kuptohet, jo anekdota dhe llogje pa bereqet, por diçka tjetër, për shembull, lidhun me marrëdhaniet e tij me shkrimtarët e tij bashkëkohës dhe realizmin socialist, të cilit ai i ka ba kundërmajë me të gjithë qenien dhe ndjeshmëninë e tij. Jo vetëm që nuk na u dha fjala, por Bardhyl Demiraj, më kërcnoi me gisht dy herash dhe përsëriti plot mllef fjalën “mërgatë”. Ky shkencëtar që punon e jeton prej vjetësh në Bavari guxoi të më kërcnonte aty ku isha i ulun dhe po e ndigjoja – me vemendje bile – në nji kohë që kisha në xhep ftesën e mikut tim e të familjes time, Bujar Hudhrit ; pra isha mysafiri i tij e ai ishte ai që kishte hjekë të gjitha shpenzimet e mbramjes, kryekreje vëllimin me poezinë totale të M. Camajt. Ky “bavarez” i supozuem e tregoi se nuk njef as kanunet ma elementare të mikpritjes e të galateos gjermane jo se jo, por ato të asaj shqiptare. Ai u tregue arrogant me gjestet e tij sa shqetësoi edhe ish-presidentin Moisiu që ndodhej dy radhë para meje. E çfarë mendonte ai ? Se gjestit të tij do t’i përgjigjesha me të njajtin gjest ? Duert e gishtat nuk i kam për me i tundë në shenj kërcnimi. I kam për me shkrue dhe këtë po baj tashti.
Bardhyl Demiraj i përket asaj çete shkencëtarësh që janë rritë pa rival dhe gjithnji me direktivë mbi kokë. Ai nuk e njef dhe nuk e përfill lirinë e fjalës dhe ndihet i predestinuem për pozicionin që ka. Megjithse jeton në nji vend kulturalisht e intelektualisht nga ma të kulturuemit e Europës e të Prendimit, ai nuk e njef pluralizmin kulturor, nuk e pranon polemikën se ka frikë argumentet dhe versionet. Vazhdon të merret me nji punë rutinë qëmtuese prej çikrrimtari pa spikamë dhe gjithnji në surdinë. Puna e tij kjo. Kur s’ka të tjerë, nuk ka. Shqipnia emeton mediokritet. Puna e saj edhe kjo. Por duhet ta dijë B. Demiraj se në Shqipni punët filologjike e kritike letrare ma të mira i kanë ba ata që nuk paguheshin për këto punë.
Kur mora në dorë vëllimin me poezinë totale të M. Camajt Vepra poetike (2017) që u promovue po atë natë, konstatova se sa po avancon Demiraj në mbajtjen për vete të burimeve dhe të referencave. Në këtë vëllim Demiraj ka vu nji parathanie të Camajt, të cilën nuk e shënon se ku e ka marrë. Ajo del që nga botimi 10vëllimësh por nuk jepet se nga cili dorëshkrim apo tekst e ka marrë. Pastaj ka një përdorim tekstesh pararendës pa kritere kronologjike dhe që nuk respektojnë variantin e fundëm të redaktuem prej autorit si vullnet i patundshëm dhe i patjetërsueshëm që hyn në të pacënueshmen e copy right-it. Herë ka marrë për bazë botimin e 1967, herë atë të 1991. Ka jokonseguenca në dhanien e pashquesit “një” që herë e mban si të të tillë, herë e kthen në “nji”. Madje në një poezi kjo nyje pashquese në titull del “një” dhe në trup të poezisë të së njajtës poezi del si “nji”. Ma e pakta që mund të thuhet asht se ai nuk ka transparencë referencash. Vallë të jenë gabime të rastit ? Demiraj ka problem me gjuhën e Camajt. Ai ka hjedhë në piacë teorinë e tij të “përditësimit”. Pra ai do që ta përditësojë Camajn, çka do të thotë se nuk ka mbarue punë me të, mbasi ditët janë të panumurta dhe ai andrron “përditësime” të panumurta mbi indin tekstor të poetit. Mos vallë më kto “gabime” ai po krijon rastin për nji përditësim (lexo : sakatim) tjetër. E bukur besa ! E ulim e e çojmë gjuhëtar dhe vetëm mbas një çerek shekulli i “përditësojmë” tekstin, gjuhën, shprehjen dhe idiomën. Dhe cili asht preteksti? Nuk kuptohet, thonë. Forconi shkollën, zotnij, mos krasitni gjuhën. Dante-ja jepet në shkollat e mesme italiane me aparat gjuhësor por askush nuk mund të guxojë ta prekë tekstin e tij 800vjeçar. Janë shkrimtarë e poetët që krijojnë gjuhën letrare e jo gjuha poetët. kshtu ka ndodhë e kshtu do të ndodhë edhe ndër ne se nuk jemi përjashtim antropologjik na shqiptarët.
B. Demiraj “shpalos” kriteret e veta të punës në përgatitjen e ktij botimi voluminoz dhe delikat. Ai flet për “akribi”, fjalë diturore kjo që do të thotë “saktësi”, “rreptësi”, “disiplinë e hekurt në dhanien e autentikes” etj. Megjithatë, tashti që shembujt po bahen shum dhe shum pika formojnë drejtëzën dhe drejtëza shënon edhe drejtimin, nuk mund ta akuzojmë krejt ashtu, fare-fare, Demirajn për mungesë “akribie”. Ai asht në përputhje të plotë dhe shum i saktë në planin e tij okult për krasitjen hap pas hapi të Camajt, për kthimin e ktij lisi të vetëquejtun – dhe i tillë asht – në nji pemë dekorative të qethun e të rrumbullakosun diku në nji cep të kopshtit letrar të shqipes. Ai paska kohë që vazhdon me përvijimësi nji plan të kjartë e afatgjatë për çmontimin kapilar të Camajt, për prishjen e prozodisë së tij përmes prekjes së gjuhës, prishjes së imazherisë së tij poetike, reduktimin e tij në nji produkt të rëndomtë OMG, tue thye me qëllim të gjitha rregullat e të drejtës së autorit, të autenticitetit dhe të paprekshmënisë së tekstit letrar. Ai vazhdon të pajisë tekstet e tij – simbas traditës së Camajt, thotë ai dhe ktu ka të drejtë – me fjalortha shpjegues, por, çudi e madhe, e ka rritë numrin e leksemave “të vështira” deri aty sa me shënue edhe fjalën asht se nuk qenka e zakonshme në tosknisht, por që në fjalorin e shqipes ndodhet së bashku me shumësin e saj eshtra-t. Nëë fjalorthat e tij ka shpjegime të pasakta, ravguese dhe që krijojnë pshtjellim si amë-a që jepet si erë e mirë, aromë, por që nuk asht kshtu. Amë-a asht shije dhe as e mirë as e keqe por neutrale.Vazhdon Demiraj të hedhë gurë ndër rrotat e Camajt dhe të letërsisë së tij, tue i dhanë përmasa statistikore false elementit të tij kinse të pakuptueshëm.
Por ende nuk kemi folë për kulmin e ndërhymjes së tij në kto tekste. Ai e ka rrethanën lehtësuese sepse nuk e njeh gegnishtën, asht rishtar në të. S’ka sesi me e njoftë, kur nuk e do. Tek Palimpsest që unë e kam quejtë kanga e tij e mjellmës dhe që, me fjalë të tjera, do të thotë se asht testamenti i tij poetik dhe ekzistencial, kur, me ndjenjën e vdekjes së shpejtë, por edhe me entuziazmin e shembjes së komunizmit në rang kontinental, ai ka vendosë të dalë nga “hermetizmi” i tij dhe t’i thotë mendimet , sidomos për kolegët e tij të Shqipnisë që, simbas tij, kishin qenë bashkëpuntorë në diktaturë dhe që e kishin sjellë “mortjen lumit përpjetë në plang” (Palimpsest i rrëfyem, fq. 56, Palimpsest, Munich & New York, 1991)
Demiraj ka ndryshue me qëllim vargun ma akut dhe ma djegës të ksaj poezie, ku, me nji prekje tejet të hollë dhe “të padukshme”, ka eliminue “u”-në e pjesores së aoristit dhe ka fillue gjymtimin e vargut e, për rrjedhojë, të mendimit. Vargu në origjinalin e botimit të 1991 asht kshtu : “Pati edhè asish ndër né / që nuk u zu vendi vend e u banë drû lundre / e sollën mortjen lumit përpjetë në plang”. Kurse tek kolana 10vëllimëshe dhe tek Vepra poetike (2017) Demiraj ka heqë me marifet nji “u” të vogël atje dhe ia ka topitë krejtësisht kuptimin vargut. Tek Palimsest (1991) bashkangjitun ka edhe përkthimin e Leonard Fox-it, i cili e ka kuptue mirë “u”-në e vogël të shqipes dhe e ka përkthye korrekt, me “akribi”: “they did not hold their ground and became ship timbers.”
Çfarë e shqetëson vallë B. Demirajn tek ky varg që i lindi detyrimi me e hjekë “u”-në e pësores? Pa atë “u” vargu merr një kuptim të hallakatun që nuk asht aspak kuptimi që ka në kokë Camaj. Kush vallë t’ia ketë ngarkue Demirajt detyrën për t’i pajtue pa polemikë e pa diatribë shkrimtarët shërbestarë të realsoc-it me vetë atë që kta shkrimtarë i quen “parka”, pra ftyra të shëmtueta të Hadesit? Kjo asht e vërteta. Kshtu ka thanë ai dhe ka nënshkrue. Hajdeni ta diskutojmë dhe, poqese nuk ka të drejtë, ta censurojmë për hatër të vllaznimit dhe të pajtimit kombtar.
Gjithë kto ndryshime dhe prekje të pahirta e shkatërruese të B. Demirajt duhen denoncue dhe duhen ba nji debat publik i atyne që u dhemb letërsia dhe që zbrazëtinë që la shembja e realsocit e shikojnë me ankth e me rrezik. Vallë ku e merr Demiraj gjithë këtë kurajë për të ba operime kaq të thella dhe tjetërsuese në tekstet e Camajt ? Di gja Akademia e Shkencave apo… po parafrazoj nji varg të Çajupit : “…Akademia që më shukon,/ të më bëjë gjë s’guxon,/ se ka mejtime të tjera…”
Po katedra albanologjike në Mynih, po katedrat e shqipes e letërsisë në universitetet ktej e andej Drinit? Po, Erika Camaj asht në dijeni për këtë fillim masakre mbi veprën e të shoqit, që mban edhe të drejtën e copy right-it ? Po dashamirët e Camajt që e mbajnë majë koke dhe e ulin e e çojnë për të madh ?
Dy rrugë janë : Ose Demiraj asht nji “i pavetdijshëm i gjorë” dhe aq di e aq ban, ose asht i porositun të hartojë nji teori “përditësimi” mbi poetin Martin Camaj dhe ato që ne sapo vumë re në këtë shkrim janë fillimi i fushatës së tij për t’i caktue Camajt nji fat dytësor letrar përmes shkatërrimit të mediumit gjuhë, në të cilin, për çdo lexim, ndodh edhe mrekullia e poezisë së tij.
Po e mbyll me kto fjalë të Platonit : « Lehtas ia falim nji fmije frikën që ka nga terri. Por Tragjedia e jetës asht atëherë kur njeriu ka frikë nga drita. »
Tiranë, 29 mars 2017 P.Shllaku