…Nëse cdo luftë ka korrespondentët e vet të luftës, Naxhi Bakalli ka të drejtën të mburret se është korrespondenti i luftrave epike të bashkëpatriotëve të tij shqiptarë kundër osmanllinjve. Çdo përsonalitet i madh historik ka pasur “këngëtarin” e vet: Agamemnoni – Homerin; Aleksandri i Madh – Lisipin; Justiniani – autorin e mozaikut të Ravenës, dhe Gergj Kastrioti Skenderbeu, pati Naxhi Bakallin…
Nga Blerim LUZHA/Prishtinë/
Naxhi Bakalli veprimtarinë e vet artistike e ka krijuar duke i dhënë kuptimin e “identitetit vizuel” artit shqiptar të dy dekadave të fundit, për tu shkëputur tërësisht e për tu liruar nga nënshtrimi skllavëror i artit të realizmit socialist, pra “… erdhi në historinë e artit tonë si një substancë e prirur prej kohësh dhe si një zgjim plotë shëndet nga përgjumja letargjike e shekullit XX, në Shqipëri”… (Dr.Lulëzim Mema, studius, piktor). Andaj ky artist, në artin figurativ e krijon një botë origjinale, duke arrijtur vlera estetike, për të zënë vend të rëndësishëm në pikturën bashkëkohre shqiptare.
“Bakalli është piktor i jashtëzakonshëm, i pajisur me prirje dhe aftësi teknike të mahnitshme, me shije të hollë, me dell të ndjeshëm dhe me fantazi të pashtershme. Ai përthithi mençurisht ajkën e përvojës kombëtare e ndërkombëtare dhe çau përmes vështirësish të shumta duke u ngjitur pareshtur në majat më të larta të artit bashkëkohor, duke shqyer kufijtë… është artist i brumosur me vetëdije e karakter kombëtar dhe ka lëvruar e krijuar me mjeshtri të rrallë në të gjitha rrafshet e pikturës, ku ka arritur pika kulmore të virtuozitetit mjeshtëror”. (Prof. Ramadan Sokoli, muziktar, etnolog, estet, kulturolog).
Piktori, skulptori,esteti dhe filozofi Naxhi Bakali lindi në Tiranë, më 4 Gusht 1937. Më 1953 në qytetin e lindjes regjistrohet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku tregoi që në fillim se ishte i talentuar. Ai si nxënës i kësaj shkolle shkëlqeu,madje arrijti që për herë të parë në moshën shtatëmbëdhjetvjeçe t’i paraqitet publikut me veprat “Autoportreti”edhe “ Portreti i Motrës”, në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, në vitin 1955. Me sukses e kryen Liceun Artistik me 1957.
Në vitin 1958 Bakalli i ri e merr “Shpërblimin e Parë” në pikturë, me portretin e “Kajo Karafilit” në Konkursin Kombëtar për Ushtrinë.
Më 1961 fiton konkursin për tu pranuar në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), ku diplomon për pikturë murale te profesori Ksenofon Dilo më 1965. Po në këte vit emrohet si profesor i pikturës, vizatimit edhe arteve të aplikuara në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ka punuar si profesor i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1989-1992). Ndërkaq më vonë ishte profesionist i lirë i atashuar në Galerinë e Arteve.
Vepra “Kur yjet mbushin qiellin”, të cilën autori e kishte realizuar (1969) si reaksion kur në Shqipëri u rrënuan kishat dhe xhamiat, nga pushteti komunist për të asgjësuar botëkuptimin fetar. Kjo vepër, do të konsiderohet nga kritika zyrtare si e papranueshme, ndërkaq autorit të saj do ti rrezikohet liria.
Pas një periudhe të gjatë (prej afro dy dekadash) heshtjeje dhe bojkoti, Bakalli me l978 merr pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve, që u organizua me rastin e kremtimit të 100- vjetorit të Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit, ku paraqiti vepren “Luftëtarët e lirisë”. Një vit më vonë do ekspozoi tablon “Vajza tiranase” në Ekspozitën vjetore Kombëtare të Arteve Figurative.
Ekspozitën e parë përsonale e ka realizuar në vitin 1991, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, (pas ndryshimeve social- politike në Shqipëri), ku ka ekspozuar 170 vepra në gjininë e pikturës, grafikës dhe skulpturës. Në këte kohë me veprat e veta, do të merr pjesë në shumë ekspozita të përbashkëta, poashtu do te realizoj edhe disa ekspozita vetjake, si janë: Më 1994, Ekspozitë personale në Galerinë “Te&xhi”- Tiranë, ku ekspozoi 97 vepra;Në vitin 1996, Ekspozitë personale në Hotel “Rogner” – Tiranë, ku ekspozoi 55 tablo; Më 2008, Ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve – Tiranë, ku kishte 92 vepra në gjininë e piktures dhe skulptures;Në vitin 2010, realizon një Ekspozitë përsonale në Galerinë Kombëtare të Arteve – Prishtinë, ekspozitë kjo që bëri jehonë të madhe dhe u vlerësua nga publiku dhe kritika.
Nga viti 1971 merret me ilustrime. Është autor i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdëekur” të Ismail Kadares, “Nënë Shqipëri” dhe ”Përse mendohen këto male” të Dritëro Agollit. Pastaj më vonë do të ilustron librin e Ramadan Sokolit “Organografia shqipëtare” (1973); vëllimet mbi “Vallet popullore shqiptare” të koreograafit Ramazan Bogdanit; Monografinë e Ferid Hudhrit “Shqipëria dhe shqipëtarët në artin botëror”(l988), etj.
Artisti Bakalli ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i revistes ”Shqipëria e Re” që botohej në tetë gjuhë dhe shpërndahej në botë. Në këte revistë ai realizoi një galeri vizatimesh maestrale, që paraqitnin tema dhe ngjarje nga më të ndryshme, si dhe përsonazhe të rëndësishme të historisë e kulturës kombëtare. Për tu përmendur janë portretet e shkrimtarëve dhe artistëve si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Fan Noli, Janaq Paço, Lazar Nikolla, Kel Kodheli etj. Mjaft me interes janë edhe vizatimet për legjendat dhe gojëdhënat tona, si ato që paraqesin “Gjergj Elez Alin”, “Kështjellën e Rozafës”, “Tomorri dhe Spiragu”, “Sopoti” e të tjera. Vizatimet për vallet shqiptare piktori i ka realizuar me ndjeshmëri e në mënyrë ekspresive, si janë ajo e Tiranës, Kosovës, Devollit, Kuksit, Dropullit etj.
U botuan libra me vizatime të Naxhi Bakallit, që paraqesin Shqipërinë dhe traditën e pashterëshme të saj kulturore, në Suedi (l980), Norvegji e Francë (1981), ku janë mirëpritur.
Naxhi Bakalli është vizatues maestral. Kur i kam parë vizatimet e tij për herë të parë, në vitet e shtatëdhjeta jam magjepsur dhe kam mbetur gojëhapur. Mu pat kujtuar piktori klasicist Jean Dominique Ingres (1780-1867), që thoshte se: “piktor i mirë ëshë ai që mund të vizatoj njeriun duke kërcy nga kati i katërtë”. Andaj mendoj se kjo vlen për artistin tonë, sepse vizatimet e tij janë realizime të shpejta, krokizime te theksuara, sintezë vijash te shkeputura, e me ndjenja të fuqishme lirike. Këto vepra janë me vizion dhe lirikë të interpretuara me elegancë dhe butësi. Ato njekohesisht kan edhe dramatikën shprehimore, ku vërejmë syrin jashtëzakoisht të sigurtë, sikurse edhe dorën e artistit.
Afresku “Përballimi” është një kryevepër e artit mural që gjindet në Muzeun Kombëtar Gergj Kastrioti Skenderbeu në Krujë. Artisti e fiton shpërblimin e parë (“çmimin e Republikës”), në konkursin e vitit 1980, kushtuar heroit kmbëtar Skenderbeut. Këte vepër me dimensione të mëdha, (në sipërfaqe prej 108 metra katror), në sallën rrethore të qendrës së Muzeut, Bakalli e realizon brenda dhjetë muajsh, në dhjetor të vitin 1982. Vepra paraqet një skenë monumentale të luftës dhe qëndresës së popullit me përmbajtje dramatike e lirike, ajo njëkohësisht transmeton edhe porosi patriotike dhe estetike. “…Në morinë e figurave të tablosë ai ruan në njëfarë mase po ato tipare artistike, që njiheshin në paletën e tij me sens figurativ. Pa kontraste të forta dritëhijesh kjo ndeshje shpalos gati një infinit lëvizjesh të cilat kërkojnë një kohë të gjatë për t’u deshifruar…” (Ksenofon Dilo, piktor, studius arti).
Kryetari i Akadermisë së Arteve të Turqisë Sabri Fetahu, kur e pa këtë kryevepër me 1982 pat thënë:”Mos e kërkoni Mikelanxhelon diku tjetër. Ate e paskeni këtu në Shqipëri. Muralja në Muzeun e Krujës ka një frymë të vertetë mikelanxheleske dhe më intereresantja është se autori i saj Naxhi Bakalli, është një artist i dalë nga shkolla shqiptare e artit”.
Në vitin 1983, piktorit Naxhi Bakalli i jipet titulli “Artist i Merituar”për rezultatet e arrijtura në krijimtari.
Me 2004 fiton çmimin e parë në Konkursin “Artistët mesdhetarë” në Athinë.
Artisti ka realizuar me sukses edhe muralet “Kuvendi i Dukagjinit të Matit” l986, (në sipërfaqe prej 20 metrash katrorë) për Muzeun e Burrelit, si dhe muralin “Legjenda e Ylberit” 1990, (në sipërfaqe pre 44 matrash katrorë) për Lokalin Turistik në Tiranë.
Piktori Naxhi Bakalli është marrë edhe me disejnimin e pullave postare. Ai me shumë sukses e ka pasuruar fondin e filatelisë shqipëtare, duke dhënë kontribut të madh në këte shkencë mbi pullat postare. Artisti ynë vlerësohet për këte krijimtari, që është jo vetëm shqiptare por edhe universale, si nga studiues të vendit po ashtu dhe nga studiues e filatelistë të huaj. Nga viti 1977 e deri sot Ai është autor i më shumë se 50 serive pullash, të cilat janë të koleksionuara dhe në qarkullim në tërë botën. Këto seri janë me 2 e më shumë pamje, madje deri në 12.
Në këte gjini të arteve aplikative artisti ynë ka trajtuar tema nga më të ndryshme, të historisë e kultures tradicionale shqiptare. Ai paraqet rrëfimet e tij origjinale me porosi simbolike dhe kuptimplote si p.sh. figurat e shquara të ilirëve si Gencin e Teutën; mbi artin tonë mesjetar; kompozitorin dhe këngëtarin Jan Kukuzeli; festialet kombëtare; legjendat shqiptare (“Konstandini dhe Dorontina”,“Rozafa”,”Legjenda e Liqenit të Pogradecit”,”Legjenda e Beratit)”; mb
i ngjarjet historike (“Ngritja e flamurit” dhe “Beteja e Shtimjes”); maskat shqiptare; seritë mbi vallet; kostumet; instrumentet; dhe mjetet e lundrimit të popullit shqipëtar. Duhet përmendur edhe realizimet për figurat e njohura botërore të kulturës, artit dhe shkencës si Einsten, Curie, Eloir, Verdi, Belini, Esenini, Goja, Cook, Andersen, Strauss, Mahler, Bethoven, Lorka etj.
Artisti Baikalli për realizime të suksesëshme në fushen e filatelisë, ka fituar 25 çmime të para gjatë viteve 1980-2oo8.
Piktori Naxhi Bakalli e braktis formën duke e reduktuar në masë të madhe, gjë që ate e bënë ndër krijuesit më autentik të pikturës bashkëkohore shqiptare, andaj e krijon një stil piktural të të shprehurit tingllues e simbolik. Kjo kthesë e modernizimit nga arti tradicional dhe folklorit të pashtershëm, merr kuptimin e përmbajtjeve plastike, që janë ndër frymëzimet kryesore të artistit.
Sementika themelore e pikturës së Bakallit, lëviz me linjat magjike dhe mistike e nga një herë edhe me forma të njohura të autorit. Ato janë të realizuara me shprehje të elementeve karakteristike, si janë konturat grafike, forma të reduktuara gjeometrike dhe plastike, me skena pikturale të së kaluarës, e të realizuara me ngjyra të pastërta-themelore.
“Ngjyra e pastër, por e interpretuar konceptualisht, e përcjell formën në çdo situatë dukurie të saj”… shprehet artisti ynë dhe vazhdon:
”Kur shfaqet apo mugëtohet…, e zhytet…, e përsëri rishfaqet – kjo është çeshtje e të kuptuarit të ngjyrës si dukuri dhe atribut i pambarimësisë. Ngjra është një energji fenomenologjike, e cila materializohet si dukuri. Por që përthithet nga vet ajo, dhe njëherësh rikonfirmohet”.
Këte vështrim e përfundoj me mendimin e filozofit, sociologut, estetit dhe të kritikut të artit Prof. Jorgos Jakumi:“Nëse cdo luftë ka korrespondentët e vet të luftës, Naxhi Bakalli ka të drejtën të mburret se është korrespondenti i luftrave epike të bashkëpatriotëve të tij shqiptarë kundër osmanllinjve. Çdo përsonalitet i madh historik ka pasur “këngëtarin” e vet: Agamemnoni – Homerin; Aleksandri i Madh – Lisipin; Justiniani – autorin e mozaikut të Ravenës, dhe Gergj Kastrioti Skenderbeu, pati Naxhi Bakallin… Ai është rrëfyestari pamor i luftës së lavdishme të Kastriotit, është intelektuali miqësor, artisti madhështor… është një shpirt i shkëlqyer dhe një personalitet fisnik me frymë shqiptare e vizion evropian, është një mendimtar antropocentrik me arsyetim universal, është shtrat i ndërgjegjës kombëtare dhe dimension me perceptim universal është një frymëmarrje e thellë e krenarisë kombëtare”…(Botoi Dielli ne Print, Tetor 2014)