nga Mërgim Korça/
I gjithë shekulli i kaluar ish i ngarkuar me halle, telashe, si edhe probleme për kombin tonë. Natyrshëm lind pyetja: A mos vetëm shekulli i XX-të? Për të qenë të saktë, jo. Ia shkarkoi telashet edhe hallet i XIX-ti pasuesit të tij e ky i fundit, pa i zgjidhur dot, ia transferoi ato edhe mijëvjeçarit të tretë !
Patër Gjergji u lind e jetoi në kapërxyellin e dy shekujve të shkuar. Megjithatë ai vazhdon e jeton me hallet e kombit të Tij. Edhe në kët mijëvjeçar të tretë, 61 vite pas vdekjes, Ai vazhdon e dërgon kumte për ne. Por e keqja është se ne ose nuk dijmë t’i lexojmë, i lexojmë e nuk i kuptojmë, i lexojmë e nuk duam t’i kuptojmë dhe, akoma më keq, as i lexojmë fare por njëkohësisht dërguesin e tyre vazhdojmë dhe e anatemojmë gjithnjë duke ecur në hullínë e taktikës diktatoriale!
Ata që as dinin ta lexonin, më shumë s’kishin se ç’të bënin: e morën urdhrin nga ai që nuk donte ta kuptonte dhe…ia dhunuan varrin e kockat ia hodhën në lumin Dri. Ky mëkat u qëndron atyre mbi kokë, dhe aq. Të shkolluarit e diktaturës, që u bënë kalemxhinj të saj, dinin ta lexonin Fishtën, madje edhe ta kuptonin, por u vinte për mbarë ta kishin mirë me regjimin dhe fashist e quajtën Mjeshtrin, gjithashtu shovinist e pse jo edhe antikombëtar. Dhe Fishta nuk mbrohej, se nuk ish më në mes të gjallëve, por kumti i Tij në secilën faqe të veprës Tij lexohej, po ta donin. Ai, si largpamës i madh që ish, e kuptonte dhe prandaj edhe i mëshonte fort vënies në dukje të faktit se karakteristika të shqiptarit kanë qenë besa si edhe burrëria. Ai u këndoi këtyre virtyteve të madhërishme pikërisht që të mos zinin vënd në shpirtin e shqiptarit pabesía, imoraliteti si edhe korrupsioni. Por përgjatë pesëdhjetë viteve pikërisht këto virtyte u përdhosën. U kultivuan servilizmi si edhe korrupsioni shpirtëror duke e dyzuar shpirtin e njeriut. E ç’lindi si pasojë? Lindi njeriu i ri socialist me ndërgjegje amorfe që s’njeh as ç’është etika e aq më pak morali, pa le flijimi ndaj Atdheut! Të qe kultivuar edukata moralo – kombëtare, së cilës i këndonte At Gjergji, jo veç njëra pjesë e vajzave shqiptare do t’ishin kryelarta si stërmbesat e suljoteve, (pa dashur të hyjmë në hollësira lidhur me pjesën tjetër). Edhe një pjesë e djemve shqiptarë nuk do t’ishin ata që janë sot, por të gjithë do t’ishin pinjojt e Marash Ucit edhe Çun Mulës. Kurse politikanët tanë do t’ishin ata që veten e flijojshin për Atdhé, ashtu siç bënte thirrje vetë Poeti duke u shprehur :
Qe mue tek m’keni, merrni e m’bâni flí,
Për shqyptarí, me shue çdo mní njerzore.
Oh ! Edhe pa mue Shqypnija kjoft’e rrnoftë,
E nami i sajë për jetë u trashigoftë !
e një pjesë e tyre nuk do t’ishin të korruptuarit në palcë, që japin shfaqje komedish televizive me shumë akte, me akuza të ndërsjella korrupsioni moral, dhe populli i mjerë me batanije krahëve, qesh. E me kë gajaset së qeshuri? Me tragjedinë e tij ! E ka trajtuar mirë Mjeshtri problemin, veç do marrë e lexuar se vlera të paçmuara ka kumti i Tij :
Tue pasë nji palë gjyqtarë e advoketën,
E kaq n’kod civil ushtrue e kanë veten,
E janë të zott, qi t’shtrêm’ten t’a drejtojn,
E t’bardhën t’zezë e t’zezën t’bardhë t’gjykojn.
Dhe më e rëndësishmja është se Patër Gjergji jo që nuk pajtohet me situatën që jetonte, por e kritikonte ashpër, sepse dashuria e Tij për ta parë Atdheun si edhe popullin e tij të përkryer, qe e pakufí. Por nga ana tjetër, ai kumt që na dërgon Ai nga shekulli i kaluar, duket sikur të formuluar e ka At Gjergji për rrethanat që po kalon populli ynë sot! Ai buçet kur thotë se Atdheut nuk i duhen njerëz që për poste dhe interesa vetjake e shesin vendin dhe i trajton me përçmim kur thotë :
Do njerz karabullakë e kryematare …
Si kurmagjakë të bâm me mish gomari,
Të cillt, tue u poshtnue, porsi bubrreca t’ndyta
E’iqind herë n’ditë tue shitë Atdhén’e fisin, …
E me lurtime e poshtërsí të flligta
Kqyrshin me u njitë m’ndo’i shkallë t’naltë, për t’cillën,
Zoti as natyra ata s’i kishte pré.
Shtrohet pyetja: Për kë flet ky pohim’i Fishtës sot? Këtë kumt vetëm ata që nuk duan ta lexojnë, nuk e kuptojnë! Se kush e lexon, nuk ka mundësi të mos e kuptojë sepse Patër Gjergji shqip u flet e krejtë shkoqur gjithë trafikantëve politikë e bashkë me ta edhe gjithë popullit shqiptar, tek vazhdon:
Edhe kombi shqyptar s’dy sysh verbue –
N’vend qi me i kapun kta kopukë për krahi
E m’ shtjelm tu’ i rrahë e mirë kta tu’i shilue
Me ndo’i kërbaç trefish ase m’drû ahi
Edhe jashtë Shtetit m’hûndë e m’buzë m’i lshue
Kqyrë m’ta harû, si n’sy t’ndo’i Padishahi,
E âsht gati, po, n’dorë t’tyne me lshue ve’ten
Tu’i zgjedhun për Ministra e Deputetën.
E për t’i dhënë edhe penelatën e fundit kuadrit tragjik, enkas vijnë nga përtej varrit sot vargjet e mëposhtme:
Sod n’Shqypni, more lum miku,
Histori âsht meteliku,
Ky kumt që na dërgon patrioti i madh të cilit i digjej shpirti për vënd të Tij, veç një të metë ka: i mungojnë emrat. Po, i mungojnë emrat e atyre qeveritarëve si dhe deputetëve të sotëm të cilëve duket sikur Ai vetë ua ve gishtin!
Bashkë me satirizimin e paaftësisë së drejtuesve të vendit, kumti që na vjen për korrupsionin është thirrje për të marrë masa. E lexojmë ne Fishtën, kundrojmë zhvillimet shqiptare, dhe mendja na shkon menjëherë tek përvoja që Ai do të na kalojë: Lufta që i bëri Roma e lashtë korrupsjonit u mbështet tek ligji Claudian i vitit 218 para e.r. që senatorëve romakë ua ndalonte çdo aktivitet tregëtar. U thotë gjë ky kumt i lashtë atyreve që fatet e kombit kanë sot në dorë? Apo atyre nuk u bëjnë as ftohtë e as nxehtë kumtet që vijnë dhe pa parë se ku shkelin, veç interesin e tyre shikojnë? Kjo ësht’edhe tragjedia e sotme e vëndit tonë.
Në vitet njëzet të shekullit kaluar, vizionari At Fishta parashikonte në mënyrë profetike jo vetëm se si do t’i cungonin trojet Arbnore fqinjët tanë, por edhe parashihte djegien e vendit nga llava e kuqe përvëluese që do të vinte nga lindja :
Shka t’lâjnë kta katër ujq / Që i kërcnohen shoqishojt,
Thonë do t’dalë nji djall i kuq / Që fort rreptë do t’ja njisë thojt.
Ky parashikim i a djeg zemrën Mjeshtrit dhe prandaj Ai i drejtohet Zânës, pas shpalljes së pavarësisë, dhe i thotë : Oj Zânë, t’këndojm … t’vajtojm, deshta me t’thânun E këtë varg, të shkëputur nga konteksti, kritikët e Tij e përdornin si armë kundër Mjeshtrit që me çdo kusht rrekeshin ta nxirrnin tradhtar. Por e fshihnin ata dëshprimin e skajshëm të Poetit që në vazhdim shprehej :
Shqyptarë a ndiet ? Europa, mrrutë e ndytë,
Shkërdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit,
( Së cilës dreqi ia plasi të dy sytë
E marren mâ s’e sheh, njitas n’e s’vonit )
E bâni gjyq, qi t’nipat e Kastriotit
Shkjeve t’Ballkanit urë t’u rrijnë mbas sodit !
Patër Gjergji kërkon t’i zgjojë të gjallët e ti ngrejë mundësisht edhe të vdekurit, (me Surgite mortui ), me kushtrimin e Tij të dëshpëruar:
“Ah vaj, ah kob”, “Shka bâjnë shqyptarët?”, “Mbaroi Kosova”
“Humbi Janina”, “Shkoi Manastiri, Dibra e Gjakova …”
“Kushtrim, kushtrim !”
E mbas kushtrimit e thirrjes tronditëse u jep porosí të gjallëve me fjalë të një peshe të pashoqe :
T’u bjerë ndërmênd se mâ e rândë âsht thêmra e shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit n’krye !
Veprën e Patër Gjergjit ishte e qartë se diktatura komuniste, me ta marrë pushtetin në dorë, do ta nxirrte “jashtë ligjit” si pasojë e trysnisë së mikes së shtrenjtë dhe besnike, Jugosllavisë titiste. Ajo nuk kishte se si të pranonte që rinia shkollore të edukohej me vargjet “shoviniste fishtjane” :
Kjoftë mallkue, po, a plak a i ri,…
Qi s’lidhet sod me besë arbnore,
Për me dhânë mâ para jetën,
Se me ra fisi i Shqyptarit
N’thoj t’pangíshëm t’Gospodarit.
Po si e lexojnë sot këtë kumt drejtuesit e fateve të Kosovës që u erdhi mu në shteg, mbas vuejtjesh të mëdha e sakrificash sublime, pavarësia e Kosovës dhe nuk po e gjejnë dot fjalën me njeri-tjetrin që në mbledhjen e parë të parlamentit? Ç’janë ato interesa e “ poshtërsí të flligta “, (sipas At Gjergjit), që nuk i lenë t’ia japin “besën arbnore” njeri-tjetrit deputetët kosovarë e të tregojnë pjekuri politike se ata dijnë “me dhânë mâ para jetën” se sa ta humbin shansin e pavarësisë nga serbët? A ka më tragjedi për Kosovën dhe kosovarët se sa të mos e bëjnë të tyrin këtë kumt madhor që u vjen nga thellësia e viteve nga Patër Gjergji ?
Konstatimet e Poetit janë të dhimbshme se Ai e vë gishtin mu mbi plagë kur Ora e Atdheut i thotë Ali Pashë Gucisë :
Se ngusht janë punët e Shqypnís,
Se mrendë besa âsht krejt harrue !
Edhe dhimbja e Fishtës merr nota tejet dramatike kur shprehet :
Mori e mjera Shqyptarí,
Si t’shkoi moti gjithmonë n’zí,
Si t’shkoi moti tue kjá !
Vjetë për vjetë e muej për muej,
Herë n’gjak t’ând, herë n’gjak t’huej !
Po t’i bëjmë një analizë tashti se ç’kumt na dërgon Poeti lidhur me themelin e gjithë të këqijave që e kanë përfshirë si në një rrjetë merimange kombin tonë dhe cila është zgjidhja që të dalim nga kjo vorbullë që rrezikon të na gëlltisë, mjafton të analizojmë amanetin që u lë plaku Marash Uci dy blegtorëve të rinj, t’bijve t’Calit, para se të largohet për në luftë, që bukur fort mund të quhet edhe testamenti i tij. Më e para porosí e tij është t’a ruejnë familjen edhe gjân. Vazhdon e u thotë mos ta çarsin nderën edhe besën e dhânun e ta duen vêndin e Atdhén. U thekson të ruhen prej pandershmënís e sidomos prej grues së lëshueme. Ngul këmbë e u thotë të shkojnë mirë me shokë e të afërm, të cilt, sido qenë, janë gjithmonë vllazën. I këshillon që kurrë mos të poshtënojnë kurrkend e të jenë mikpritsa me të njoftun e të panjoftun e sidomos me të huej, por pa ua lëshue këtyne të fundit kurr zêmrën në dorë.
Sa më shumë të lexohet dhe të rilexohet ky kumt lidhur me normat e moralit që na dërgon Poeti nga thellësia e kohëve, aq më shumë rritet trishtimi tek hedh sytë prapa. Këto norma diktonte Kanuni i Lekë Dukagjinit që ushtrohej në Dukagjin edhe Mirditë. Moral dhe vetëm moral sheh në Kanunin e Maleve të Malësisë së Madhe. E asgjë tjetër veç moral diktonin Kanuni i Skënderbeut për Malësitë e Krujës, Dibrës edhe Matit, e gjithashtu edhe Kanuni i Papa Zhulit për Himarën e Kurveleshin. E pikërisht me që këto norma binin ndesh me internacionalizmin proletar, me pronën e përbashkët, me dredhitë mashtruese, me prerjen në besë, me konfiskimin e pronës vetjake, me depersonalizimin e njeriut, etj.etj., diktatura komuniste i dogji në turrën e druve Kanunet e bashkë me ta edhe veprën e At Fishtës.
Revolta e Patër Gjergjit është e ashpër, tejet’e tillë kur shprehet :
Uh ! Europë ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís :
Me dá tokën e Shqypnis
Për me mbajtë klysht’e Rusis ?
Por ajo merr tone tragjike të pashëmbëllta kur një prift të devotshëm, revolta ndaj padrejtësive që i bëhen Atdheut të tij, e detyron të shpërthejë e t’i heqë vërejtjen edhe Zotit vetë kur i drejtohet e i thotë :
O Perendi a ndjeve, / tradhtarët na lane pa Atdhé,
E Ti rrin e gjuen me rrfé, / lisat n’për male kot !
E kuptojnë këtë kumt gega edhe toska. Nuk ka nevojë “përkthimi” me normat e drejtshkrimit të kuptuarit e kësaj revolte të patriotit me bindje të thella atdhetare. Madhështinë e personit që e formulon këtë mesazh nuk e shohin ata që nuk e dijnë ekzistencën e vetë mesazhit dhe mundohen ta përbaltin autorin, sepse thellësisht injorantë e hiqen nga hunda nga keqdashësit e ndërgjegjshëm që tremben nga hija që u bën Poeti atdhetar! Këta të fundit, me nënshtresë osmano-bizantine, të suvatuar në B.Sovjetik me marxizëm-leninizëm, dhe të dyzuar nga ana karakteriale vite me radhë, rreken ta paraqesin të madhin Fishtë si armik të përparimit dhe të arsimit kombëtar e si pasojë kjo është sipas tyre pjesa e djallit tek Fishta. E unë them: u dëgjon vallë veshi atyre se ç’u nxjerr goja ? Internacionalizmit komunist i shërbyen ata verbtas, ndërsa Fishta flí u bë veç për Atdhé. Mos e donin ata shqipen të shkruar me “kirilica” përkundër asaj të Mjeshtrit që gjuhën tonë e çoi drejt Europës? Ata e harrojnë kumtin madhërisht të fuqishëm që na vjen nga Fishta me një lirizëm të pashoq :
Prá, mallkue njaj bir shqyptari, / Qi kët gjûhë të Perendis
Trashigim qi na la i Pari, / Trashigim s’ia lên ai fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja, / Që përbuzë kët gjûhë hyjnore;
Qi n’gjûhë t’huej, kur s’âsht nevoja, / Flet e t’vetën lên mbas dore.
Disa konsiderata:
E gjej me vend të rikujtoj një bisedë tejet kuptimplote të zhvilluar rreth viteve 80-të. Bisedoja një ditë me të nderuarin, tashmë të ndjerë, advokat Ferid Çabej. Gjithashtu e ndjej për detyrë morale të shtoj se ai ishte një burrë i mënçur dhe me karakter, bash si personazhet e Lahutës e për më tepër edhe shumë i kulturuar. Biseda mori drejtimin rreth të vërtetës, të drejtës, (absolute apo jo), si edhe vendimeve që merrnin gjyqtarët. Mbasi më foli me shumë dhimbje se si drejtësia në Shqipëri kishte marrë fund që me politizimin e saj kur pushtetin e morën në dorë komunistët, ku veç drejtësí ajo nuk mund të quhej, më thotë: “ … duhet ta kesh mirë parasysh se në aparatin e drejtësisë së dikurëshme, ndër njëqind juristë, ne i numronim me gishta të pandershmit … dhe pushtetarët kësisoj, në përgjithësi, nuk ndërhynin dot që nëpërmjet organit të drejtësisë të bëheshin padrejtësíra…”.
Duke rikujtuar këtë pohim mendoj se hidhet dritë mjaft bindëse përse dhe ç’e shtynte Patër Gjergjin të sulej aq ashpër ndaj dukurive negative sporadike në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë së atëhershme dhe t’i përgjithësonte. E bënte ai këtë se donte që shqiptari të ish i përkryer dhe donte gjithashtu që: Shqypnisë t’mos i rândojë asnji qyme përmbi tê.
E kanë akuzuar Lahutën e Malcísë si vepër kronologjikisht të jashtëkohshme. Dakord, e pranojmë për një çast, po kur vetë Autori pohon se veprën e Tij e shkroi: Për me kndue m’Lahutë t’Malcis,/ Se si u ênd fati i Shqypnis, dhe nga ana tjetër flet për personazhe konkrete si edhe trajton bëmat e tyre, mendoj se Ai vetë e hedh poshtë anakronizmin si akuzë ndaj veprës së Tij. Kënga popullore i ruajti gjallë në kujtesën e popullit bëmat e heronjve të ndryshëm. E pikërisht ky folklor popullor bëhet gurra që ushqen veprën e Patër Gjergjit. Fishta në esencë është poet i qënësisë gojore popullore. Mirëpo Ai nuk është kopjues i këngës popullore epike, por një krijues mbi bazën e saj. Për një ilustrim i referohem studjuesit dhe njohësit të thellë të veprës së Fishtës si edhe stilistit nga më të përkryerit të gjuhës shqipe, prof. Ernest Koliqit, i cili thekson: “Nuk dihet a qe Fishta qi gjet frymzimin e vet në burime të letërsís gojore apo letërsia gojore qi fatlumsisht gjet në Fishtën vleftësuesin e vet mâ të përshtatun. Mysteri i fateve të kombit. E vërteta âsht qi zâni i Poetit u përzí e u shkri në nji mënyrë të tillë me zânin e mbarë popullit sa mos me dijtë ku fillon njani e ku mbaron tjetri.”
Nuk mund të kalohet pa prekur edhe një problem mjaft shqetësues siç është mohimi i trashëgimisë. Trashëgimia, si teori, e ka treguar veten se sa e themeltë që është, në kundërshtim flagrant me teoritë komuniste që nuk e pranonin genotypin dhe insistonin në ndikimin e patjetërsueshëm të mjedisit rrethues. E si pasojë, tek ne për gjysëm shekulli pikërisht iu vu flaka trashëgimisë, qoftë ajo zakonore, intelektuale, e pronës e kështu me radhë. Kjo solli atë zbrazëtí që përjeton sot vëndi ynë dhe nuk e plotëson dot. Konkretisht shëmbull nga At Gjergji, tek i këndon Ai luftës me Malin e Zi, vargëzon:
N’zâ Kelmendt për begatí : / U ka pri, krejtë n’ari ngrí,
Vetë Çun Mula, bajraktari,/ Qi mâ i mirë s’bâhet Shqyptari
E regjimi diktatorial jo që nuk e desh trashëgiminë e vyer të zakoneve atdhetare edhe burrnore që mbarte Çun Mula t’ua transmetonte brezave pasardhës por, edhe pse gjermanët pikërisht të nipin Mul Delinë e internuan në kampet e çfarosjes, gjithë pinjojt’e tij i kalbi internimeve për 46 vite me radhë. E ky është vetëm një shembull, por të tillë janë të pafund sa në qytete e mbase më shumë në fshatra anë e kënd vëndit tonë! Duke e cunguar pra trashëgiminë e mirëfilltë të normave të etikës dhe moralit brez pas brezi, që aq të rrënjosura i kishte shqiptari, erdhëm në ditë të sotme ku po të shikojmë mbrapa, veç boshllëk dallojmë, e duke shkuar përpara, po shkojmë si anija pa busullë në mëshirën e “këshillave të të huajve”. Dhe e keqja është se komunizmi trashëgiminë e dhunoi, e mohoi e me çdo kusht desh të krijonte njerinë e ri pa të kaluar e vetëm me të ardhme. E nga kjo ç’rrodhi? Ai difekt i pariparueshëm i cili fatkeqësisht shumë gjatë do të ndikojë në t’ardhmen e vëndit tonë.
Tanimë i erdhi radha të kujtojmë edhe një thirrje që i bën shqiptarit Patër Danjel Gjeçaj, ai erudit i skajshëm dhe njohës tejet i thellë i veprës si edhe i shpirtit të Patër Gjergj Fishtës. Ai i drejtohet bashkatdhetarit dhe i thotë: “ Ndigjoje me vemêndje Fishtën e fletët e Lahutës le të jenë si thërmijat e dheut qi Hungarezët, jashta atmes së vet, ruejnë me kujdes ndër shishe për t’i pasë gadi të desin me to nen krye, të lumë se mbyllin sytë tuj pushue për të mbrâmën herë mbi tokën e të Parvet, si mjeshtërisht i msoi poeti i madh Petëf !” (Dielli-arkiv)