Irini Qirjako i përkët binomit të madhërishëm Artist & Njeri, që i kapërxen kufijtë e mirësisë, vitalitetit dhe talentit që ajo përcon me zërin e saj si gurra e ujit të kristaltë mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare, vecmas të polifonisë. E kanë quajtur Princesha e Polifonisë, e kanë nominuar me “Mjeshtre e Madhe”, “Qytetare nderi” e Sarandës, por te kjo grua e shquar shqiptare qëndron modestia fisnike, që me muzikën popullore të interpretuar prej saj qetëson shpirtrat e njerëzve dhe i largon për disa momente nga streset e mosmarrëveshjet e ditës, mes të përditshmes e të bukurës njerëzore. Dhe jo vetëm kaq! Ajo nuk nguron t’i përqafojë njerëzit në rrugë që i flasin dhe e përgëzojnë për kënaqësinë shpirtërore që ajo iu dhuron. Në turneun e Gjermanisë, drejtori i Teatrit Kombëtar të Munih-ut do të ngazëllehej nga forca e këngës polifonike dhe duke duratrokitur shprehej: “Fatnatstike, Fantastike”. Ka kënduar duet me këngëtarin e madh italian Albano Karizi si:“Eja , Eja lule borë” dhe “O Solo mio” nje moment mbresëlënës I kënaqshëm dhe I paharruar.Ajo është aq e talentuar dhe shquar sa ja si e vlerëson Poeti i Madh Lefter Cipa ndër vargje:
“Duaje Polifoninë
moj Irini moj Princeshë
se atë gjen Perëndinë
Ndaj këjo bot s’të vdes!”.
Në këtë intervistë Artistja e dashur për të gjithë shpalos dashuritë e saj të jetës-Familja, Muzika dhe Atdheu. Kënga e kënduar prej saj, “Këngët e Atdheut tim”, është bërë tashmë Prelud i Atdhedashurisë për të gjithë shqiptarët. Artistja nuk harron të shprehe mirënjohje dhe nderim për atë brez të artë artistësh që kanë bërë historinë në muzikë, artin e kulturën shqiptare. Me buzë në gaz ajo përcjellë mesazhin:
“Ruajtja e zhvillimi i këngës polifonike, i këtij thesari fantastik është një detyrë jo vetëm i institucioneve përkatëse të shtetit, por e çdo grupi artistik e çdo këngëtari profesionist apo amator.”
Për më shumë ndiqni intervistën.
Bisedoi Raimonda MOISIU
-Mes kësaj atmosphere të ndezur muzikore le të bisedojmë edhe për karrierën tuaj. Cila është kënga e parë që keni kënduar? Cfarë viti?
Në Prill të vitit 1979 pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve , fillova punën si këngëtare pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore. Për herë të parë, në Maj 1979, në skenën e Teatrit të Operas dhe të Baletit, këndova këngën polifonike “Këngët e Atdheut tim”. Kënga pati shumë sukses si nga niveli i interpretimit ashtu dhe nga forca epike, që poeti i madh Lefter Çipa pasqyronte ne të. Theksoj, se kjo këngë e fuqishme dhe shume e kërkuar më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës time artistike, si brënda dhe jashtë vendi.
Gjithashtu, dua të nënvizoj edhe faktin , se me këtë këngë u paraqita në testimin e pranimit në TOB përpara komisionit të përbërë nga artistët e mëdhenjsi; Çesk Zadeja, Avni Mula, Gaqo Çako , Xhemal Laçi, Agim Krajka e Panajot Kanaçi, të cilët më thanë:-nuk do të shkosh në Opera, por në Ansambël. Pra,kjo këngë përcaktoj vendin tim në Ansambël, ç’ka vitet vërtetuan vendimin e drejtë të komisionit.
-Të kënduarit ka qënë një pasion i hershëm i juaji, apo talent i lindur?
Dashuria ime për këngën përmban dhe ushqehet nga pasion dhe talenti,të cilat së bashku me punën e vazhdueshme kanë ndikuar në formimin tim si këngëtare e këngës popullore. Në përgjithësi, si çdo këngëtar, edhe unë fillesat i kam nga fëmijëria, ku gradualisht shfaqet talenti e pasioni. Prindërit dhe një gjitone më kanë thënë se kur isha 5 a 6 vjeç këndoja hera herës këngën ‘Më dërgoj babai me shqerra”. Me këtë këngë vija në gjumë vajzën time kur ajo ishte e vogël
-Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore? Cfarë iu shtyhu të bëheshit këngëtare dhe pse?
Mjedisi familjar dhe veçanërisht ai shkollor, ndikuan shumë tek mua për të filluar rrugën e këngës.Kujtoj me respekt mësuesin e arsimit fillor Petro Kurti, i cili duke evidentuar talentin tim për këngën më nxiste vazhdimisht për të kënduar para klasës. Kështu, shoqet e shokët e klasës u bënë spektatori i parë i këngës time. Gjithashtu, me shumë dashuri kujtoj mësuesen e muzikës në arsimin 8- vjeçar Lica Kordha ,e cila këngët tona i shoqëronte mjaft bukur me mandolinën e saj. Këta mësues, më aktivizuan në veprimtaritë e ndryshme artistike, fillimisht brenda shkollës e rrethit të Sarandës dhe më tej në Festivalin Kombëtar të Pionierëve në Tiranë.
Por, veçanërisht një ndikim të madh për zhvillimin e talentit për muzikën dhe këngën pati arsimimi i mëtejshëm pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe në Institutin e i Lartë të Arteve në Tiranë. Në këto institucione bashkë me formimin kulturor e muzikor në tërësi u rrit edhe niveli dhe forca e interpretimit të këngës.
Mirënjohje e respekt për të gjithë mësuesit e pedagogët, që me durim e përkushtim na mësonin për të ecur përpara drejt dijeve e përparimit.
-Ju jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë lirike, balada, me iso të muzikës popullore? Na tregoni dicka për karrierën tuaj?
Formimi i plotë si këngëtare profesioniste e këngës popullore u bë pranë Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore. Në këtë institucion, brënda veçorive folklorike, lëvrohen e përpunohen kënga popullore në të gjitha gjinitë, llojet dhe shtrirjen gjeografike të saj; lirike, epike, historike, kurbetit, dashurisë, dasmës, të Shqipërisë së veriut, të mesme, të jugut dhe atë arbëreshe. Kjo shtrirje e këngës, së bashku me artistët e mëdhenj profesionistë përbënte një shkollë të madhe në formimin tim artistik. Mirënjohje e respekt për këngëtarët; Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Sali Brari, Xhevdet Hafizi,Hysni Zela, Garentina Gjoka, Zeliha Sina,Valdete Hoxha, Fiqerete Kapaj, Sabahete Vishnja dhe drejtuesit artistik Çesk Zadeja, Tish Daija, Panajot Kanaçi , Agim Krajka , Xhemal Laçi, Limoz Dizdari, Aleksander Peçi .
Në Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore u bëra e njohur veçanërisht për interpretimin e këngës polifonike, të asaj kënge që qëndronte brënda shpirtit tim. Unë e adhuroj këngën polifonike jo vetëm për muzikalitetin e veçantë të saj, por edhe për vlerat unikale që ajo mbart.Në një kohë kur në shumë vende të botës, polifonia konsiderohet si një relike e kohëve të lashta, për ne shqiptarët përbën një thesar të botës sonë shpirtërore. Ndaj kjo perlë unikale në botë mbrohet edhe nga UNESKO.Poeti dhe mjeshtri i madh i polifonisë shqiptare Lefter Çipa në shënimin për dhurimin e librit të tij “Dheun tim përsipër mbaj” shkruan …..
“Duaje Polifoninë
moj Irini moj Princeshë
se atë gjen Perëndinë
Ndaj këjo bot s’të vdes!”
.,Në koncertet e ndryshme që kam dhënë në Francë, Itali, Gjermani, Holandë, Suedi, SHBA, Kanada, Danimark, Belgjik, etj., kjo këngë është pritur mjaft mirë duke vazhduar duartrokitjet deri ne ripërsëritjen e saj.
Natyrisht, nuk kanë munguar vlerësimet e shumta për këngën tonë polifonike. Një e tillë pasqyrohet në librin “Shansi i humbur të gazetarit të mirënjohur Ymer Minxhozi, i cili në vitin 1983 shoqëronte Ansamblin e KVP gjatë një turneu në Gjermani. Ai duke përshkruar shfaqjen e dhënë në Teatrin Kombëtar në Munih, ndër të tjera shkruan; “Ndërsa këndojnë Irini Qirjako e Hysni Zela, drejtori i teatrit që është ulur në të majtën time, kthehet nga unë e më thotë “Fantastike”!
Ndaj , ruajtja e zhvillimi këngës polifonike, i këtij thesari fantastik është një detyrë jo vetëm i institucioneve përkatëse të shtetit, por e çdo grupi artistik e çdo këngëtari profesionist apo amator.Veprimtaria ime si këngëtare e këngës popullore është e gjatë dhe mjaft e pasur. Ajo nuk përfshin vetëm veprimtarinë prej 33vjet e gjysmë (Prill 1979-tetor 2013 në Ansamlin e KVP por edhe pjesëmarrjen në grupet e ndryshme artistike dhe ato vetjake në festime, gëzime familjare, spektakle e festivale të ndryshme. Kështu mund të veçoj pjesëmarrjen në grupin artistik “Kënga labe në shekuj” të krahinës së Kardhiqit (1995), në grupin polifonik “Tirana” (1996-2001), në grupin artistik “Kurveleshi në këngë” Kapariel (2002), në grupin artistik minoritar të fshatit Finiq, në spektaklin e regjisores Vera Grabocka“`12 të shtuna në Hollivud” , në spektaklet e organizuara si fituese e anketimit “Yjet e Folk Univers (2004,2005,2006) në spektaklet të organizuara në qytetet kryesore te vendit e në Kosovë e Maqedoni nga TV Klan të titulluar “Maratona e këngës popullore (2009,2010,2011), në programin e TV Klan “Këngët popullore të shekullit “ (Tetor 2010- Mars 2011), në Festivalin e Këngës Popullore të TVSH (Tetor 2013)
–Si një adhuruese e hershëme e juaja, kam vënë re se ju kini një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare në përgjithësi. A keni pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në këto gjini?
Faleminderit shumë , që Ju shkrimtare e gazetare e njohur shqiptare, e vlerësuar me disa çmime në SHBA jeni një nga adhurueset e mija. Në këtë adhurim unë shoh dashurinë tuaj për muzikën dhe këngën e bukur shqiptare. Të gjithë së bashku, kudo që ndodhemi , me shkrime apo me këngë të punojmë parreshtur për Atdheun tonë të dashur,
Kënga me të gjithë komponentët që e përbëjnë atë ; vokali , melodia e teksti poetik ka aftësi të fuqishme depërtuese tek dëgjuesi, me të përcillen mesazhe të ndryshme , duke ndikuar në botën shpirtërore të tij. Ndaj, duke patur parasysh këtë aftësi të këngës unë si çdo artist që jeton me rolin, personazhin, skicën, portretin apo peizazhin, etj., edhe unë jetoj me këngën e bëjë pjesë të shpirtit tim. Pikërisht, kur kënga bëhet pjesë e shpirtit tënd dhe ti jeton me emocionet e mesazhet e saj, atëherë bëhet e mundur interpretimi emocional dhe harmonizimi muzikë vokal. Kjo kërkese më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës time, si në skenë ashtu dhe jashtë saj. Në këtë drejtim krahas arsimimit profesional më ka ndihmuar shumë përvoja e përfituar nga këngëtaret e Ansamblit e të Teatrit të Operas.
-A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Përsa i përket shkrimit të teksteve të këngëve, nuk jam përpjekur të bëjë ndonjë të tillë, por në disa raste gjatë bashkëpunimit me kompozitorin Edmond Zhulali kam ndikuar për të bërë rregullime të veçanta në interes të harmonizimit më të mirë muzik- tekst. Kështu mund të përmend këngën e bukur dasme “Të përcolla nuse bij e nënës o “ Shumë nga këngët e mija lirike apo epike janë marrë nga krijimtaria e poetit të madh Lefter Cipa, disa prej tyre janë; “ Këngët e Atdheut tim”. “28 mijë yje”, “ Vito pëllumbesha “, Bejke e bardh “. etj, etj,
-Kini nxjerrë disa vidioklipe dhe albume muzikore, por keni dhënë edhe koncerte brenda e jashtë atdheut .C’mund të na thoni për këtë? Cfarë mund të presin adhuruesit nga këto vidioklipe e albume debutues? Cilët janë producentët e tyre?
Zhvillimet e vrullshme elektronikës kanë krijuar kushte që muzika, kënga të përcillet menjëherë e kudo tek dëgjuesi, në salla e jashtë tyre, në radio,TV, kompjutër, automjet celular e mjete të tjera. Ky komunikim bashkë me kënaqësinë e dyfishtë që marrin dëgjuesi dhe këngëtari, i nxit këta të fundit për të realizuar sa më shumë albume muzikore e vidioklipe cilësore. Kuptohet në kushtet tona, ku ende nuk është shtrirë siç duhet veprimtaria me producent dhe zbatimi i legjislacionit në fushën e të drejtave të autorit ka mjaft dobësi, shpenzimet për to mbulohen kryesisht nga vetë këngëtarët dhe raporti shpenzim përfitim lë shumë për të dëshiruar. Disa nga albumet që kam realizuar janë: Francë, 1998 e 1999 nga “ARCO IRIS” albumet të emërtuar “Ensemble TIRANA CHANTS POLYPHONIQUES D’ ALBANIE”dhe “TIRANA xhevahir”; Tiranë ne studion e kompozitorit Edmond Zhulali dhe nga “Elrodi Raks Muzik” e “Eurostar “ albumet të titulluar ; “Dy shelege në një portë” , 2003;“Këngët e Atdheut tim” , 2004;“Sorke moj “ , 2oo5 “Më kërkon portë më portë”, 2007;”Koncert recital , Irini Qirjako 2011 (Këngë popullore të shekullit) dhe së fundi dy albume me 20 këngë polifonike.
-Jetoni në Tiranë . Cfarë ju lidh me Sarandën?
Unë jetoj në Tiranë. Vendlindja ime është Saranda dhe Finiqi im i shtrenjtë. Me Gjirokastrën, Vlorën, Mallakastrën, Tepelenën, me gjithë Labërinë, Pilurin e Himarën më lidhin dashuria e madhe për këngën e bukur polifonike dhe kujtimet e shumta për mikpritjen e ngrohtë në turnet e zhvilluar në cdo fshat e qytet. Ndërsa veçanërisht me Gjirokastrën më lidh edhe pjesmarrja si këngëtare e anëtare jurie në Festivalet Folklorike Kombëtare .
–A do të këndonit ndonjë këngë të muzikës së lehtë? Cilat këngë preferoni të këndoni më shpesh baladat apo populloret?
Kënga me muzikë të lehtë më pëlqen dhe e dëgjoj me shumë ëndje atë dhe natyrisht si këngëtare edhe e këndoj, por angazhimi im për të është shumë i pakët, për të mos thënë fare. Ndër angazhimet e para mund të përmend interpretimet në Estradën e Sarandës, kur isha studente stazhiere dhe më vonë me pjesëmarrjen me dy këngë në anketën muzikore të Radio Tiranës . Kënga e fundit që kam realizuar me muzikë të lehtë është kënga e titulluar “ Pa ty si mundem të jetoj” me muzikë të Edmond Zhulali e tekst Jorgo Papingji. Kjo këngë është përfshirë në albumin “Sorkë moj “.
–Si nënë, bashkëshorte intelektuale dhe Artiste e Kombit si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Si grua, nënë e artiste shfaqjet negative si: krimi në familje e jashtë saj, droga, prostitucioni e trafikimi i femrave, dhuna ndaj gruas, vrasjet për motive të ndryshme etj, të cilat kanë përfshirë një pjesë të shoqërisë shqiptare më trishtojnë jashtë mase. Këto plagë e shëmtojnë botën njerëzore dhe për lehtësimin tonë prej tyre shteti dhe e gjithë shoqëria duhet të rrisin forcën goditëse ndaj tyre. Zhvillimi ekonomik, përmirësimin e sistemit të edukimit dhe zbatimi i ligjit me drejtësi do të çojnë gradualisht në lehtësimin e shoqërisë sonë nga këto plagë.
-Kë dëshiron të falenderosh për realizimin e ëndrrës tuaj si këngëtare?
Për realizimin e ëndrrës time si këngëtare dua të shpreh një falënderim të veçantë për mamanë time të shtrenjtë. Unë konkurrova dhe fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë , por babai ,për arsye ekonomike hezitonte. Ishte këmbëngulja e mamasë që më mundësoi mua vazhdimin e shkollës. Kjo grua e fortë, e zgjuar, f jalëpakë dhe rreptë për gabimet që bënim ne gjashtë fëmijët e saj, hezitimit të babait iu përgjigj “Vajza e fitoi vetë shkollën dhe unë nuk lejoj që të drejtën e saj t’a marrë tjetër njeri që nuk e meriton përpara saj. Do të punoj në zetor ngarkim-shkarkim me burrat dhe Irini do të shkojë patjetër në shkollë” Dh e ashtu ndodhi. I përulem përjetësisht me dashuri nënës time të shtrenjtë, Dimitrulla.
-Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Cfarë mendimi kini për këtë?
Komercialimi bën punën e vetë. Jam e bindur që koha do të nxjerrë në pah vlerat e vërteta artistike. Nuk ka si të ndodhi ndryshe.
-Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?
Instrumenti im i preferuar është pianua. Dashurinë time për këtë instrument ia dedikoj mësues së dashur e të palodhur të pianos në Liceun Artistik “Jordan Misja ‘ Afërdita Morina. Në shtëpi kam piano dhe për kënaqësinë time studioj pjesë të ndryshme të muzikës klasike. Tingujt dhe vokali i muzikës klasike më japin një ndjesi të veçantë dhe duke qenë brenda TOB ndjek të gjitha shfaqjet që jepen në këtë institucion.
-Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtare që i përket dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?
Si një këngëtare që u përkas dy kohëve,para e pas viteve 90 nuk i njoh vetes asnjë mëkat, pasi si këngëtare profesioniste kam punuar e punoj për të realizuar sa më cilësisht këngën .Duartrokitjet e spektatorëve të çfarë do kohe të çliron nga çdo mëkat i mospëlqimit të këngës.
-Kush është Irini Qirjako? Cfarë është dashuria për ju?Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Vetë portretizimi i Irini Qirjakos është nënë e bashkëshorte e mirë ,por veçanërisht shumë e përkushtuar ndaj vajzës, e thjeshtë, e dashur dhe respektuar me njerëzit, sportive, e kujdesshme me lulet, urren gënjeshtrën e mosmirënjohjen, respekton të kaluarën, duke i kushtuar më shumë rëndësi të tanishmes e të ardhmes. Dashuria është një forcë e madhe njerëzore që të mban të lidhur ngushtësisht me familjarët , atdheun. muzikën, këngën, shoqërinë dhe me çdo gjë të natyrës e shoqërisë njerëzore.
–Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
Kur isha këngëtare e re dhe dëgjoja zërin e ëmbël e të fortë të artistit të madh Mentor Xhemali, brenda meje qëndronte dëshira për të realizuar një duet me këngë Përmetare e për këtë shpresoja shumë, por vdekja e këtij këngëtari të madhërishëm e bëri të pamundur. Megjithë atë artisti në jetë, ka shumë evenimente.Një e tillë është kur këndova së bashku me këngëtarin italian me famë botërore Albano Karizi. Falë Fondacionit Nermin Vlora Falaski, me Presidente , gazetaren e mirënjohur znj. Zenepe Luka pata fatin të takoja në kështjellën e tij fantastike këtë këngëtar të madh. Të dy së bashku , të shoqëruar me piano nga pianistja e mrekullueshme shqiptare Aksija Xhoja, kënduam këngë shqiptare “ Eja,eja lule borë” dhe atë italiane “O sole mio “. Të dy zërat, ai tenor e unë mexosoprane u harmonizuan mjaft mirë. Ky realizim më dha një
kënaqësi të veçantë.Çdo brez ka muzikën e këngëtarët e tij të preferuar, të cilët marrin, japin e përcjellin ndaj njeri tjetrit atë më cilësoren. Unë nga brezi i mëparshëm mund të përmend disa nga këngëtarët brilant të skenës shqiptare si : Tefta Tashko, Maria Kraja, Mentor Xhemali, LukKacaj, Gaqo Cako, Avni Mula, Vace Zela, Lucie Miloti, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, e shumë të tjerë.
-Cilat janë aftësitë profesionale që këngëtaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata/ato që aspirojnë të bëhen këngëtarë?
Shkolla jonë e muzikës, si dhe veprimtaritë e ndryshme artistike kanë evidentuar mjaft këngëtarë të rinj të talentuar të cilët duhen mbështetur fuqishëm për të mbajtur e zhvilluar më tej këngën e bukur shqiptare. Për këta këngëtarë të rinj këshilla ime është : punë të parreshtur për të rritur aftësitë profesionale; këmbëngulës në arritjen cilësore të këngës; të mos kënaqen me pak, por të luftojnë për t’u ballafaquar drejtpërsëdrejti me spektatorin në festivale apo në veprimtaritë e ndryshme; disiplinë artistike dhe zbatim rigoroz të rregullave të etikës në skenë e jashtë saj.
-Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?
Ndër projektet e mija për të ardhmen është realizimi i vidioklipeve e dy albumeve me këngë polifonike dhe i vidioklipit me këngën e Festivalit të Këngës Populloretë TVSH, tetor-2013-“Tundi flokët moj leshverdhë”. Gjithashtu , krahas angazhimit në koncertet e Ansamblit të KVP, do të vijoj punën për grumbullimin, seleksionimin dhe incizimin në studio të këngëve të tjera polifonike.
–Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….
Zhvillimi i artit në tërësi dhe i muzikës e këngës në veçanti i shërben zhvillimit të shoqërisë , prandaj të gjithë ne artistët si brenda e jashtë vendit të bashkojmë forcat për të bërë më të mirën për vendin tonë të shtrenjtë.Krahas kësaj , artistët dhe inteligjenca e kudo ndodhur shqiptare brenda hapësirave që krijon liria, të shfaqin mendimet e tyre për çështjet që preokupojnë vendin, të flaket indiferentizmi, tulatja, strukja dhe përgjumja. Fjala e fuqishme e tyre jep forcë, zemër e kurajë dhe vë në lëvizje shoqërinë për të ecur përpara. Politika e zgjuar dhe që i shërben interesave të popullit gjen mënyrat e format për të vënë në lëvizje trurin e inteligjencës shqiptare.
Bisedoi:Raimonda MOISIU