• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Modeli autoritar i shtetit në festën e pavarësisë së shqiptarëve

November 30, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /Më 28 nëntor të këtij viti, pra ditën e pavarësisë së shqiptarëve, Kosova e thelloi ndarjen politike dhe krijoi kushtet për një krizë pa kthim. Themeluesi i Vetëvendosjes dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prangos nga ana e policisë së shtetit në zyrat e partisë që ai themeloi, pas një daljeje publike në manifestimin e 28 nëntorit. Prangat iu vunë edhe 95 aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes. Por shumica dërmuese prej tyre tashmë janë të lirë, përveç zotit Kurti, për të cilin masa e arrestiti është caktuar për 30 ditë. Policia bëri gjithashtu kontroll në zyrat e partisë dhe tha se aty u gjetën mjete, me të cilat ka operuar Vetëvendosja në Kuvend, si gazlotsjellës, sprajt, maska, e të tjera si këto. E njëjta kishte ndodhur në Shqipëri më 28 nëntor të vitit 2000, kur politika urdhëroi policinë e Tropojës të qëllonte kundër gjimnazistëve në protestë në këtë qytet dhe vrau një protestues e plagosi disa të rinj. Më pas, në orën 01.30 të natës policia ndali në kryeqytet kreun e opozitës, e rrethoi atë dhe e shoqëroi për në zyrat e drejtorisë së policisë së Tiranës. Sigurisht kushtet e rrethanat ndryshojnë. Por të bën përshtypje fakti se si guxon politika të përdorë 28 nëntorin për të ndëshkuar opozitën?! Prej këtij rasti dhe prej rastit të Kada Bujupit qeveria e Kosovës ka dëshmuar se nuk dëshiron ta zgjidhë konfliktin përmes dialogut dhe kompromisit. Eshtë e vërtetë se Albin Kurti dhe deputetët e tjerë kanë shkelur ligjin kur përdorën gazin lotsjellës në parlament. Eshtë gjithashtu e vërtetë se Vetëvendosja dhe partitë e tjera opozitare e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës me veprimet që bëjnë në parlament. Eshtë po ashtu e vërtetë se edhe mos pranimi në UNESKO, veç fajeve dhe përgjegjësive të diplomacisë shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, është pasojë gjithashtu i këtij imazhi që përhapi opozita e Kosovës nëpër botë. Por një imazh akoma më të keq përhap qeveria e Kosovës, korrupsioni qeveritar dhe ai në drejtësi, tarafi dhe nepotizmi, favoret në tendera dhe në përdorimin e fondeve publike. A duhet që më parë se Albin Kurti të ishin në qeli të gjithë hajdutët e Kosovës?! Sigurisht që po. Atëherë më e pakta është se arrestimi i Albin Kurtit e Kada Bujupit është zbatim selektiv i ligjit në Kosovë. Mund të thuhet se në rastin e korrupsionit qeveritar “mungojnë provat”. Gjithmonë mungojnë provat, kur ato i administrojnë vetë hajdutët e kriminelët. Prandaj kjo nuk është arësye për të justifikuar kapjen e shtetit nga njerëz që punojnë për xhepin. Një shtet, një polici, një prokurori, një gjykatë, të cilat të gjitha së bashku ose veç e veç zbatojnë ligjin në mënyrë selektive, ky shtet nuk konsiderohet as shtet ligjor, as shtet i së drejtës. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë shtete të kësaj kategorie, kanë ndërtuar piramidën e ushtrimit politik e selektiv të së drejtës. Kjo është arësyeja pse arrestimi i Albin Kurtit do ta thellojë krizën politike në vend. Albin Kurti dhe veprimet e tij nuk po gjenin përkrahje te qytetarët, sepsë askush nuk dëshiron të bëhet kurban i politikës. Qytetarët e Kosovës e kuptuan se kauza e opozitës nuk ishte e qartë dhe sidomos metodat e saj të dhunës ishin jo demokratike. Ky ishte lajmi më i mirë gjatë javëve e muajve të fundit në Kosovë, sepse nga pjesmarrja dhe mbështetja e qytetarëve varet drejtësia e kauzave politike. Ndërkohë ishte lajm i mirë edhe për shkak se qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen e të mos e lejojnë veten të keqpërdoren nga politika. Por nuk është me vend që mospërkrahjen e publikut qeveria ta shfrytëzojë si të drejtë të saj në vendimet që ajo merr e të dhunojë opozitën. Ndërsa arrestimi i 28 nëntorit ka mundësi që ta përkeqësojë këtë tregues, të rrisë mbështetjen e qytetarëve ndaj Vetëvendosjes, sepse ata nuk mund të pajtohen me dhunën e shtetit, aq më tepër në një ditë të shënuar kombëtare siç ishte dita e shpalljes së pavarësisë. Në një farë mënyre ky akt do ta shndërrojë zotin Kurti në një hero, duke i dhënë atij një vend të pamerituar në historinë tonë kombëtare. Aq më tepër në një vend e në një rajon kur heronjtë i thërrasin në skenë simbolikat dhe jo aktet që ata bëjnë për atdheun e për kombin. Qeveria e Mustafës dhe Hashim Thaçit me aktin e 28 nëntorit kanë përgatitur dështimin e plotë të qeverisjes së tyre. Nga frika, apo nga përceptimi se ata e kanë të drejtën në anën e tyre, këtë do ta provojë koha. Por se e drejta qëndron në anën e qeverisë, kjo nuk më rezolton e saktë, pasiqë kësaj qeevrie i ka munguar transparenca me qytetarët e saj sa i përket vendimeve që ajo ka marrë për nënshkrimin e marrëveshjes së Asosacionit serb dhe vijës kufitare me Malin e Zi. Askush nuk është i qartë se çfarë përfaqësojnë konkretisht këto dy marrëveshje dhe me ose pa qëllim, këtë nuk e ka qartësuar as vetë opozita, e cila i kundërshton ato me retorikë patriotike. Kjo është arësyeja pse qeveria tashmë është e dështuar plotësisht dhe sa më shpejt të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, aq më mirë është për Kosovën dhe banorët e saj. Por le të presupozojmë se policia dhe prokuroria e Kosovës me arrestimet e tyre po zbatojnë ligjin. Po sikur pas këtyre dy deputetëve që gjenden prapa hekurave të përdorin gazlotsjellës në parlament deputetë të tjerë të opozitës, a do të thotë kjo se të gjithë deputetët e opozitës do të arrestohen?! A ka llogari politike në këtë aksion politik të qeverisë? Si mundet ajo që të burgosë të gjithë opozitën?! Ku ka ndodhur që pushteti të sillet kësisoj ndaj demokracisë, përveçse në vendet tipike diktatoriale e autoritare? Atëherë duhet të shkojmë te pasoja tjetër. Nëse burgoset opozita, çfarë sistemi ka ndërmend të aplikojë qeveria Thaçi-Mustafa?! Një sistem diktatorial apo autoritar të tipit rus?! Nëse ndodh kjo, lind pyetja se sa i sinqertë është konstatimi i zotit Thaçi se “prania ruse në rajon është rrezik për popujt ballkanikë”?! Apo kur bëhet fjalë për korrupsion, krim, veprim selektiv të ligjit na pëlqen modeli rus, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe sovranitetin na pëlqen të mbështetemi te Perendimi, SHBA-të dhe BE!!! Ky konflikt konceptesh, pretendimesh, modelesh, përcaktimesh, sjelljesh duhet të marrë fund. Por nuk besoj se këtij konflikti e këtij modeli i japin fund udhëheqës politikë e shtetërorë të korruptuar e të lidhur me interesa oligarkike, ashtu siç nuk besoj se Albin Kurti dhe disa bashkëpunëtorë të tij, për shkak të qëndrimeve ideologjike të tyre, mund të sjellin ndonjë zhvillim të ri në politikën dhe qeverisjen e Kosovës, nëse ata marrin një ditë pushtetin. Sjellja arrogante në opozitë shumëfishohet me marrjen e pushtetit. Këtë po na e dëshmon përditë shembulli i Edi Ramës në Shqipëri. Kjo është arësyeja pse diplomacia shqiptare hesht në rastin e zhvillimeve në Kosovë, një heshtje e dubluar nga heshtja e Beogradit, e cila të vë në dyshim se mos midis dy kryeqyteteve ballkanike ka një marrëveshje të heshtur për heshtjen. Për të korrigjuar atë që mund të korrigjohet besoj se është në integritetin e parlamentit të votojë amnisti për të gjithë ata që kanë shkelë ligjin gjatë protestave kundër marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi dhe të miratojë njëkohësisht një program bashkëpunimi politik për të çuar deri në fund transparencën dhe rishikimin e të gjitha vendimeve përkatëse. Pozita dhe opozita do të duhet të angazhojnë ekspertët e tyre më të mirë për të sqaruar eten dhe publikun rreth këtyre marrëveshjeve. Më pas do të duhej të shihej mundësia e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje përfundimtare për ta vënë vendin në binarët e një shteti normal. Ndërkaq do të ishte mirë që partitë politike në pushtet ose në opozitë të përcaktoheshin qartë dhe prerë në interes të shtetindërtimit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale e sovranitetit të vendit, duke përcaktuar si ëlëmentë themelorë të reformave drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe transparencën e bashkëpunimin politik. Shkurt, nuk është e mjaftueshme ta duam SHBA-në dhe BE-në vetëm me fjalë e retorikë, por me vepra dhe qëndrime rigoroze demokratike në respekt të lirisë së qytetarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, i shtetit në festën e pavarësisë, Modeli autoritar, se shqiptareve

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT