• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Midis diktatit mason dhe shtetarit demokrat…Kolera Enveriste

October 11, 2017 by dgreca

Një nga masonët më të mëdhenj shqiptar është edhe Enver Hoxha. Dhe sado kohët ikin, sado që gati 99% e qytetarëve janë tashmë pjesë e demokracive perëndimore. Një mundësi kjo për të bërë dallimin, midis diktatit mason dhe shtetarit demokrat, prapë tek ne ka mbetur e ngjizur kolera enveriste./

O veteran me bukë me vete/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

1 ok enveristetNga Ilir Levonja/Kultura jonë masone karshi Enverit është bërë e modës tashmë. Ca me të qeshur e ca me bindje, ja futëm vetes. Kështu që sa herë afrohet tetori, rrjetet mbushen me foto të Enver Hoxhës, shto citatet a dedikimet, si një lloj kënaqësie karshi dështimit të demokracisë. Pa e kuptuar asnjëherë se në raport me diktaturën kjo e fundit është për t’ia vënë dinamitin në të katër qoshet se të lë të llapësh gjithë ditën. Kurse diktatura e proletariatit dhe kryemasoni Enveri, t’a lëronin nënën ku ta kishe. Jo më të dilje me pankarta, ta zëmë me portretin e Ahmet Zogut. Për masonët nuk ma ka pasur kurrë ënda të shfletoja, sapo ndeshja ndonjë material, qoftë dhe për kuriozitet, nuk e di sepse i shmangesha. I shmangem edhe tani. Ndofta nga misteri i llozhës, parimet e hekurta, forca dhe aftësia që zotërojnë një grup i vogël deri në devijimin e shoqërisë. Pra në devijim nga normalja dhe nënshtrimi i masave. Megjithëse sipas shumë e shumë aludimesh, ka nisur nga ideja e vëllazërisë, oda e vëllazërisë dhe drejtimit të punëve, prapë u bë një hob horrorresh, nga vendime brutale tryezash të rrumbullakta në gjysmë errësirë. Deri sa shpiku kulturën e sundimit. Shkurt është një lloj sekti a dreqi që don vetëm t’i shkoj e vetja. Të bëhet si thotë ai. Sado e lartë të jetë kostoja, apo haraçi që duan të paguajnë njerëzit. Kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Një nga masonët më të mëdhenj shqiptar është edhe Enver Hoxha. Dhe sado kohët ikin, sado që gati 99% e qytetarëve janë tashmë pjesë e demokracive perëndimore. Një mundësi kjo për të bërë dallimin, midis diktatit mason dhe shtetarit demokrat, prapë tek ne ka mbetur e ngjizur kolera enveriste.

Disa syresh e reklamojnë edhe me t’u tallur. Disa me bindje të plot se ai ishte i vetmi burrë shteti. Në fakt këtu nis edhe regresi social. Pasi duke jetur me kultin e individit mohon qindra të tjerë. Shtetin nuk e bën individi por devotshmëria dhe rigoroziteti në vendin e punës të gjithkujt prej nesh. Eshtë e natyrshme që në këtë hori sociale ka plot shushunja. Plot minidiktatorë. Të tillë janë edhe këta që mohojnë deri punën e baballarëve duke lavdëruar Enverin. Historia e Enverit është plotësisht një masoneri krimi dhe gjaku. Mjaft të kujtosh se nga e gjithë ajo armatë shokësh dhe idealesh, vetëm ai nuk doli tradhtar a i shitur. Vetëm atë e mori vdekja natyrale, e Zotit. Të tjerët, plumbi, litari, vetvrasja. Ky është arsyetimi më i thjeshtë. Njerëzit e sojit mason vrasin për një qëllim dhe pa dallim, këdo, vetëm të sundojnë. ..Sot kultura masone shqiptare nxjerr ca grupe veteranësh, rrëgjuar, e pa pesë lekë në xhep, me qese me bukë me vete…, të mbysin me pështyma. Mirë ne që mendojmë ndryshe nuk na duan, por nuk duan as veten e tyre. Eshtë tjetër në botën e madhe krijesa veteran. Ka tjetër pamje, tjetër personalitet. E gjitha kjo, për një arsye, më përpara se njëshin duan dhe respektojnë vetveten, vendin, shokun, idealin. A ka për të mbaruar kjo një ditë tek ne, pra masoneria enveriste. Nuk besoj. Të paktën edhe një gjysëm shekulli tjetër…

Filed Under: Opinion Tagged With: ...Kolera Enveriste, Ilir Levonja, Midis diktatit mason dhe shtetarit demokrat

Feja e shqiptarit është shqiptarija

October 10, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/Eshtë një varg i poetit shkodran, Pashko Vasa. Ca e thërrasin Vaso Pasha, ose Vasko Shkodrani etj. Një intelektual shqiptar në botën otomane. Kulmin e karrierës e arriti kur mori drejtimin si mytesarif ose guvernator i Libanit më 1882. Dhe jo për pak, sa për të kaluar radhën, por plot 9 vjet. Koha kur Libani, një vend i vogël buzë mesdheut afro 1 milion banorë sapo kishte fituar disa të drejta më shumë deri tek autonomia, por me mbikqyrje nga porta e lartë. Koha e kolerës libaneze. Dhe do mbahet mend se i ndërtoi Bejrutit teatrin e parë. Një nga ata shkodranë që veç ai dhe’ di të nxjerri…,intelktual klasi.Pavarsisht një tërësie veprash letrare, aktivitetit atdhetar si pjesëmarrës në nismën për lidhjen e Prizërenit, 1878 alfabetin shqip me gërma latine etj, ai rron e mbahet mend për poezinë, O moj Shqypni. E kam fjalën për masën.

Vargje që shqiptarëve u duhej t’ua kujtonte edhe sot, portieri i nacionales italiane, në prag të ndeshjes me Shqiperinë. Në lidhje me këtë ai na kujtoi edhe identitetin, atë sojin shqiptar në llojin e vet. Që në të vërtetë është, por shpesh jemi ne që e nëpërkëbim dhe e diskutojmë.

Këtë poezi e gjen të përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Ka vërtet një strukture të ngjeshur, por të rrjedhshme, me temp. Ndofta nga një plasje shpirti për shkak se nganjëherë ne të çudisim me zjarrminë për të qënë sa turq, po aq edhe grek. Madje këtu qëndron gjithë ajo hidhni që nuk dua ta quaj ironi, por thjesht një keqardhje e madhe shpirti. E kam gjetur edhe në version anglisht. Ja disa radhë… ”some believe in God or Allah?/ say ”I’m Turk” or ”I’m Latin”/ say ”I’m Greek” or ”I’m Slavic” ect. Me pak fjalë ato vargje që tashmë dihen. Me përfundimin prapë therës, konstatues, jo ironik, nuk kam dëshirë ta them…, por jeni vëllezër mor të mjerë.

Në fakt është një kohë e tërë kjo e sotshmja ku shqiptarët akoma nuk po e kuptojnë se për cilat virtyte na çmojnë të huajt? Cilat janë ato virtyte që ne i kemi dhe u bjem lehtësisht me këmbë. Duke u hequr më mysliman se myslimanët e orientit dhe më katolikë se katolikët e perëndimit.

Mirëpo sot shqiptarët i gjen si misionarë të xhihadit. Mbartës të një fryme persekutimi në lidhje me besimin. Aq sa me të drejtë një analist shtypi u tha disave syresh, që, kemi frikë të hapim gojën se ju lëndoheni. E vërteta është se mënyra e praktikimit të myslimanizmit ka minimizuar pikërisht shqiptarizmën. Femrat shamitosen aq fort sa nuk kanë asgjë të përbashkët me ato grate e kohës apo gjyshet tona shami bardha, napat e kokës. Ato gjyshe që mban memoria jonë. Ato gjyshër me faqe të bardha e të buta. Ndonjëri edhe me pak mustaqe. Por aq. Madje edhe ata hoxhallarë po nga memoria. Unë e kam përmendur dikur. Njerëz plot thjeshtësi aq sa edhe tespiet i shkonin nëpër gishta me elegance. Sot, një misionar të imponohet e të vë gishtin tek koka. Shkon deri në Malajzinë e largët të rekrutojë xhihadistë. Më keq në Kosovën martire. Nën preteksin e mburojës nga sllavizmi, i janë kthyer Turqisë deri në një çmenduri kolektive. Sikur duan të varrosin me duart e tyre atë shqiptarizmën rrezatuese që kanë në emrat e fëmijëve, si Valon, Drin, Fjollëz, Visar etj. Flasin për të drejtat e minoritetit turk në Kosovë. Kërcënojnë në emër të Allahut dhe Erdoganit. Tamam ato fjalët hidhnake, me plasje shpirti të Vaso shkodranit, po jemi shqiptarë more të mjerë.

Por nuk ke çfarë i bën.

Ka ekzistuar gjithmonë mes nesh një takëm, një dru e shtrëmbër. Ja pse sot të flasësh për fenë islame, praktimin e saj nga shqiptarët është një herezi. Një botë ku duhet të mendohesh para se t’i qasesh. Prandaj përpara se të na e kujtoj ky, italiani, Buffoni, bëjmë mire t’ia kujtojmë ne për ditë, vetes. E akoma më mire ata që predikojnë islamin a myslimanizmin.

Filed Under: Politike Tagged With: feja e shqiptarit, Ilir Levonja, Vaso Pashk Shkodrani

Vjosë, lum e llum!

October 9, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/Florida/4 Vjosa 2

Ajo që të bën përshtypje në këtë rastin e Këlcyrës, ku një shoqëri e tërë dënon masakrën mjedisore mbi lumin Vjosa, por edhe një tërësi webesh etj., është heshtja opozitare. Thuajse gjithë ato webe që janë në urdhrat e opozitës, merren me çështje tekanjoze, gërr-vërret e tyre. Dhe atë zhurmën karakteristike të langojve që vetëm lehin, se, për të kafshuar as që dinë ta bëjnë. Kurse për ato qeveritare…, nuk habitem, pasi dihet, tek ne, jep ca lek dhe i ke rrugët e hapura. Kjo kulturë e mbrapshtë na është ngjizur keq, aq sa sot na ka verbuar jo vetëm sytë por edhe mendjen.

3 vjosa1Përshembull Monika Kryemadhi ka hallin se përse kanë hequr nga dogana një këngëtar. Sipas saj një vlerë e shoqërisë sonë etj. Por çfarë të thuash. Nga t’ia gjesh fillin lëmshit shqiptar. Ekzistenca e emrave fiktiv në borderot e shtetit është një gangrene që po bluan jo vetëm Shqipërinë, por edhe ata që marrin ca rroga si dhuratë e pjesëmarrjes në komisione votimesh. Dhe kjo që një artist të paguhet fiktivisht, diku, kur dihet që fronti real i tij janë lokalet e natës, dasmat e shfrenuara shqiptare, është krejt demode. Eshtë ai çibanizëm a shushunjizëm alla shqiptar që përfshihet në atë informalitetin e dëmdemokracisë sonë, pikërisht prej militantëve. Ndaj ishin të trishtueshme fjalët e asaj vajzës nga Burreli, së cilës iu deshën dy vjet për të gjetur një vend pune në dikasteret e Shqipërsië, edhe pse kishte kryer shtatë vite studime në një nga universitet më të mira të europës. Por në Shqipërinë tone, tesera e militantit ta bën në kokë ty edhe diplomës tënde. Jemi në kohën kur e ha robi, robin. Pra Mona ka hallin pse po u fshihen emrat nga borderotë militantëve, jo shkatërrimin mjedisor.

Kurse për PD-ën as që bëhet fjalë. Kushedi i detyrohet ndonjë fond Harri Lenës. Eshtë e vendosur në gërrvërret e veta, në denoncimet e një veterani si Sali Berisha. Asnjëherë nuk është parë një PD e ndarë, e rënë, e copëtuar…, pa frymë masash, pa identitet si sot. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, pretendimi i rikthimeve, pa e kuptuar asnjëherë se kohët kanë përfaqësuesit e tyre, vine dhe duhet te ikin, i nxjerrin ata dhe u japin mundësinë për të dëshmuar…, atë që janë liderë apo legena. Në rastin konkret, është e hidhur, por e vërtetë, ky i sotshmi i përket legenizmit.
PD-ja sot vazhdon me denoncimin. Dhe krejt absurdisht me ca platforma bllokimish folotoresh, pikërisht në momentet më të domosdoshme të një debati për hapjen, sheshim, bashkimin etj. Nuk ka tradhtarë brenda një force politike, sa kohë ata kanë dale prej saj. Por ka uzurpatorë dhe manipulues, e ky është regres.
Por e gjitha kjo heshtje e florinjtë e ka një shpjegim, atë që në pushtet Edi Ramën, e solli pikërisht retorika vulgare e Ilir Metës. Dhe ajo PD-ja me ngjyra të kuqe, ajo republika e re e Lul Bashës. Dështimet e marrëveshjeve midis njëri-tjetrit, jo marrëveshjet për Shqipërinë. Kjo është e gjitha.
Por jemi te Këlcyra. Gryka e bukur, me ato rrape e ujra…, është fatkeqësi që u përket shqiptarëve. Rracës që nuk do ta kuptojë se poshtërsitë më të mëdha vendit tonë, ia kemi bërë ne dhe jo greku e serbi. Kjo ndodh pikërisht për shkak të asaj kulture të mbrapshtë që jep një dorë lek dhe gjithçka mundet.
Eshtë gjëja më e mirë kur një shtyp, një shoqëri civile reagon fort… Nuk ka gjë më elegante. Epoka e besnikerisë së përjetshme karshi politikës, bizneseve të saj duhet të marri fund. Epoka e heshtjes. Janë një sërë biznesmenësh, përfshi politikanë, etj., që mëkatet e tyre i mbulojnë me forcën e lekut. Jo vetëm mëkatet, por edhe krimet njerëzore. Siç ishte rasti i një deputeti të përfshirë në një aksident rrugor, ku humbi jetën një njeri. Aksidenti është një fatkqësi. Dhe uroj kush mos ta ketë për pjesë. Mund t’i ndodhi gjithkujt. Por ka ca rregulla ama, ca ligje. Ka edhe kod moral. Të ikësh nga vendi i ngjarjes, e ta mbulosh gjithçka me para, bën dy here krim. E krim më të madh akoma bën një drejtësi e tërë, nje qeveri, nje shtet. Por krimin më monstruoz e bën një shoqëri që hesht dhe që fal. I fal kur gruaja e njërit apo tjetrit, vret në rrugë, paguan ca lek dhe aq. I fal kur gjykatat lirojnë nga burgu si djemë të mire lagjeje ca njerëz që i kanë bërë vendit dëme në miliarda. Çfarë të presësh prej këtij soji burrash më? Reforma, zbatim të ligjit, demokraci?!. As mos e çoni nëpër mend. Këta janë vetëm për bythën e tyre, jo për Shqipërinë. Ndaj mos heshtni!

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, lum e llum!, Vjosë

Zoti ambasador ti nuk di më shumë se ne!

October 3, 2017 by dgreca

-Z. Ambasador, Jo se ti di më shumë se ne, por të paktën ti po guxon. Dhe ne shqiptarët priremi të besojmë më shumë të huajin se sa njëri – tjetrin. Fatkeqësisht, po!…/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/Zoti Lu, mos i bëj këto deklarata nga salla seminaresh, por merr ca kamera me vete dhe në sy të popullit plasja të parit të vendit. Ose të parëve të vendit. Shko në zyrën e gjithsecilit, faqe popullit, brenda dhe jashtë vendit. Ulërit. Ndofta shqiptarët bëhen qytetarë dhe e kuptojnë një here e mire faktin që në demokraci qytetari mburret me veten dhe fëmijën e tij, jo me vilat e njëshave. Se këtu kanë arritur, ia plasin shoqi-shoqit se kush e ka liderin më të forte, më mashtrues të zotin. Se kështu në salla konferencash po bëhesh pak shqiptar edhe ti. Ndize fitilin siç duhet. Fitilin e popullit, jo të mediave. Këtë e dime si metodë. Kështu e kemi ne, mjafton që ia thashë më në fund, ia plasa në sy dhe kaq. Nuk e shikon rezultatin, një media, një opinion i tërë, një shoqëri klanesh që po merret me deklaratën tuaj se Shqipërinë e kontrollojnë 20 grupe dhe 4 klane kriminale.

Do vazhdojnë sot e nesër, u dhe punë. Ne jemi kampionë të zhurmës. Të gjithë po mbledhim supet. Dhe për më tepër me atë hori tonën, suferinë thashjesh, pëshpëshesh, habish, kënaqësish, potere etj. Sikur ke bërë zbulimin e shekullit. Dhe se vërtet shqiptarët nuk e dine ekzistencën e këtyre grupeve. Sikur nuk i njohin ata që të vrasin me pak lekë. Sikur nuk e dine që burgjet janë zyrat nevralgjike nga drejtohen atentatet, kultivimi apo shitja e drogës. Sikur nuk e dine që selitë e partive, kapot dhe bandat e tyre, i ruajnë me fanatizëm, i kanë asete. Nuk ka militues partiak, qytetar shqiptar, qoftë ky socialist a demokrat që nuk e di këtë. I ruajnë me qëllim, që, nëse u dështon plani A, kanë plan ndërrmarrjen B. Pra shefat dhe bandat e tyre. Ata t’i mbushin kutitë për qejf, si t’i duash.
Kur fitojnë i kanë të qarta strategjitë, u çojnë njoftim që të ndryshojnë vilat, se qeveria do bëj sikur do i arrestojë. Po njoftimin ua ka çuar ama. Edhe udhëzimin që për ca ditë të lëvizin me makina gabi. Dalin me televizione, me daulle e tellall. Hiqe nga mendja se voton populli tek ne. Tek ne votojnë të fortët. Ata janë më të shenjtë se akadamikët dhe ekzistenca e ligjit dhe e shtetit. Ju ndofta nuk e dini, por në Shqipëri ka bërë vaki që kapot të presin burra nga shtetet fqinjë. Me hori kallashësh. Po ku di gjë ti, nga këto. Ti vjen nga një vend, ku vota ka pushtet. Dhe se shtetarët janë gogla përpara qytetarit. Në karrierën tënde kushedi sa burra shteti ke ndërruar. Kurse tek ne, laj e thaj, këta kemi. I mbajmë si ujin e pakët. Nuk lindin më tjerë nënat tona. Janë shterpa të shkratat. Vetë, le t’i mbajnë këmbët në mut, kurse kokat në luks. Rrofshin e i paçim sa malet. Lërna rehat në mizerjen tone.
Janë më shumë se aq ambasador.
Shqipëria e vogël ka të paktën gjashtë qytete të mëdha. Këto gjashtë për nga 20 grupe, del tjetër shifër. Ka nga 20 baronë që u bëjnë rreshtore atyre kajmekam-mëve që mbajnë titullin kryebashkiak. Dhe a e di përse, sepse, ne, arsyen nuk e konsiderojmë efikase pa dhunën e forcës. Dhuna tek ne është bereqet. Kriminelë nuk janë vetëm ata që të vrasin për shkak se i bezdis. Jo, jo…, janë më të keq ata që e kanë futur vendit një mendësi të tërë dasimi, konfliktesh. Ata bartësit, e propogandës së unit. Aq sa shqiptarët sot përshembull, më shumë duan qelqllëkun a virgjërinë e Edi Ramës, se nderin e tyre. Ne po na vdes propaganda. Po na e pi gjakun, duke na mpakur ditë më ditë.
Ne vetëm për demokraci nuk mund të flasim. Jo, jo asesi!
Kutadish si vjen ora, po t’u shkosh në zyra me kamera. T’i pyesësh…, me çfarë parash e bërë këtë dhe atë resort, pallat a vile. Sa kushtojnë dhe sa e ke rrogën etj? Jemi me pamje aty faqe burrash. Se këta, çunat që vishen trendy, me atlete Adidas. Këta soje xhaketash të kthyera, nuk kanë për të bërë kurrë demokraci. Po, siç e tha ai poeti, veç shkërdhatokraci.
Jo se ti di më shumë se ne, por të paktën ti po guxon. Dhe ne shqiptarët priremi të besojmë më shumë të huajin se sa njëri – tjetrin. Fatkeqësisht, po!

Filed Under: Politike Tagged With: ambasador Lu, Ilir Levonja, MË SHUMË SE NE, Nuk di ti

Nuk kandidon Ismaili, por Shqipëria dhe Letërsia e saj!

September 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1 Kadare Fransua Holland

1) Në galeritë e librarisë Barnes dhe Nobël (Barnes & Noble), një vajzë e re ulur këmbëkryq, një dysheme prej shajaku të trashë ku sado e rëndë këmba, nuk pipëtinë asgjë, ishte zhytur e tëra brenda faqeve të një libri. Ka shumë si ajo, këtu përfshihem edhe unë, që për një ose disa arsye, ndofta çmimi, kutadish…, apo ajo indicja t’i hedh një sy që të di se çfarë do blej, harrohen mbi libra dhe autorë. Eshtë një ambjent i paqtë, ku historia e njerëzimit sillet në një qerthull plot oksigjen aq sa pavarsisht epokës që jetuan, mund të rrinë bashkë vëllezërit që projektuan Romën (Remi dhe Romuli) dhe ai që e dogji atë, Neroni. Një temë sa poetike dhe eseistike ku njeriu që njeh aromën e librave, e shikon me pak qeshje, me pak habi këtë paqe që ta fal indeksi gërmor, por edhe fuqia e kohës që palos gjithçka me qetësinë e amvisës kur mbush sirtarët me rrobat e lara. Aty shëtit një magji prej fryme, me aromën e kafesë diku, aq sa faqet prej letre që njeriu i Zotit ka nëpër gishta, dike e çojnë në tokat e fantashkencës, dike në në fushat e pamata të Teksasit, ku vdes e trishtuar britma, sipas Borhesit…, e dike tjetër në tokat e një realiteti zakonor, a zakonesh, që, dikush i intepreton së prapthi, dikush i përgojon, shenjon me gisht, kur dikush tjetër jep edhe jetën për faktin se e ka çështje nderi frymën breznore. E gjitha është një mbretëri mbi realitetin. Të ulur qosheve. Gjysmë të shtrirë. Mbi kryet e tyre…, koridore raftesh. Vende, kultura, gjuhë…Heshtja e gjitha, është një muzikë e florinjtë sikur të frushtullohet me ojnat e spanjishtes, një idomë që e prezanton jo gadishulli iberik, por andet ku një kondor pushon me krahët hapur. Një atmosferë që nuk e kap, por fal kësaj përvoje dhe përfytyrimit tend, mund ta jetosh. Ta dhurojnë këtë faqet e librave që ke nëpër gishta.

2) Papritur vajzës iu afrua me sa u kuptua shoqa, duke i kujtur se shkoi vonë dhe do humbnin leksionin. Mirëpo ajo ngriti dorën, nuk donte ta shqetësonin, nuk donte të ngrihej, iu lut t’i sillte ca më shumë kafe. Kaq! Dhe tjetra ia plotësoi duke i kujtuar se vet po shkonte. Asnjë përgjigje, vetëm lexim.

Nganjëherë kam përshtypjen se libraria Barnes dhe Nobël është më e madhe se bota. Se Amerika po e po. Është ajo pamje a ekzistencë njerëzore, që Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges) ia dedikoj përshtypjes së tij kur i verbër vizitoi Nju Jorkun duke i thënë shoqëruesit, ja, ky qytet është pjella e fantazisë sime. Afërmendsh tjetri mbeti i çuditur, burri me peshë të rëndë në kulturën botërore të shekullit që mbaronte, ishte i verbër. Si po e shikonte ai ngjitjen e kullave drejt qiellit?

Kjo nuk është një dilemë, sigurisht nëse ke mbajtur ndonjëherë një libër në dorë.

Libri që vajza po lexonte titullohej Broken April, ose Prilli i thyer i autorit shqiptar Ismail Kadare. Kurse unë aty përbri në galerinë e Fiction ose të atij zhanri tregimor të konsideruar si sajim, jo nga realiteti. Hulumtoja në anglishten e pazhbirueshme për kapacitetim tim, të një nga eseistëve bashkëkohor Dana Xhoja-s, (Dana Gioia) një ekonomist në profesion por që sot Amerika e mban si një nga nga eseistët model të interpretimit. Në Amerikën e madhe, me letërsi të madhe, ai është ndër…, kohë më pare kisha hasur një libër të tij në shqip. A ka rëndësi poezia… (Can Poetry Mater?). Mirëpo kur të mbushet mendja se gjuha që flet është ajo që të mjafton. Të gjen belaja. Unë endesha në ligjëratën e katedrave të Kalifornisë, kurse vajza në luginat e Shqipërisë.

Me siguri nga darka do i tregonte shoqes, a të dashurit, për vendin tim, njerëzit, zakonet. Për Gjorgun me ankthin se si me vetdije duhet të vrasi, që vret… Gjakmarrja shqiptare.

M’u end nëpër kokë një botë piktoreske që në vendin tim e quajnë Veri. Kur në fakt është kërthiza e tokës amtare. Por edhe ajo koha kur katedrat e vendit e tim e trajtonin si vendi i ashpër i reaksionit pikërisht për më vitalen ndjenjë njerëzore të jetës, nderin e njeriut. Obskurantizëm kur ishte në fakt një arsenal i fuqishëm kulturor. Por, Neroni e dogji Romën, sepse donte që Roma të fillonte dhe mbretëronte me ‘të. Kështu edhe diktatura. Në fakt version i Gjorgut duhej të trajtohej ndryshe, ashtu edhe toka e tij. Por në kohë devijimet edhe pse kanë pamjen e një maje gishti, lëvizin një botë të tërë.

Çfarë dite e madhe. Ajo vajzë dhe vendi im aty: një magji.

3) Sa here që vjen vjeshta, kur afrohet dhe dhënia e çmimit Nobel, nis edhe fushata e thashjes tek ne. Kundër një njeriu të vetëm. Një shkrimtari. Që armatë ka librat, veprën. Nuk ka destrojerë, aeroplambjtëse, a raketa bërthamore. Nuk ka arshivë sekrete dhe një lukuni survejuesish e ndëshkuesish, me dhe pa uniformë. Nuk ka armatë televizonesh ku të japi mend çdo ditë në çdo vakth. E zi më zi t’ua bëj jetën. Nuk ka asgjë në dorë. Asnjë lloj vule. Ka vetëm librat ku gjallon vendi i tij. Ku flatron gjuha e këtij dheu. Nuk ka asgjë, asgjë që ka aromën e metalit të armës. Nuk ka çelsat ku mban të kyçur mirëqënien e popullit. Ku dikujt i jep një maune me miell. Dikujt i thotë, ti me që më solle në pushtet mbill e shit drogë. Vrit e prit kë të duash. Shit e bli kë të dojë qejfi. Ndërkohë që dikujt tjetër ia lëron nënën, pa punë, pa bukë, pa talent, pa aftësi…, me një fjalë e lë të paftë. Nuk i ka këto, por ka vetëm dhuntinë për t’i treguar këto. E kjo dhunti nuk është mëkat qeveritar, por fat i një populli, një vendi dhe një gjuhe.

Sapo afrohet vjeshta, i vërsulemi me ca energji që çuditërisht na afrojnë me kafshën. Nuk ngopemi. Një avaz. Një brutalitet. Një inat kokëtrashësh. Gërr, vërr. Dosje, mashtrim, letra, falsifikime, pseudonime. Gërr, vërr, punë shqiptarësh. Kundër kujt? Vetvetes. Pasi është fare e thjeshtë, gjenia nuk është asnjëherë ai qytetari, por fryma apo koha e juaj. E gjitha, me firot dhe arritjet, me zbythjet dhe me gjokset . Nuk merr, nuk ia japin. O sa qejf. Ferkojnë duart. Gëzojnë…, e morët vesh një mut ia dhanë. Gëzojnë, kafshët, si kafshët. Eshtë tragjike të gëzosh për një autor rus dhe jo për autorin tend. Tragjike dhe nuk ka fjalë të tjera.

4) Zakonisht kandidatët e përvitshëm janë mbi treqind. Nga vende të ndryshme. Midis këtyre vëndeve është emocionale kur shikon emrin e vendit tend. Pra vendin tend. Letërsinë tënde. Atë letërsi që i mban ulur njerëzit nëpër korridoret e librarive. Gjorgun malësorin e bukur brenda fatit të tij tragjik. Pra diçka nga ashti i breznisë së rracës tënde.

Ndër treqind vende Shqipëria. Një vend me halle, tokë e vogël në sofrën e mendjeve të arta. Gëzoni për letërsinë tuaj dhe krenohuni me ‘të. O avaz i vjetër, kade me turshi kastravecash.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe Letërsia e saj!, Ilir Levonja, Nuk kandidon Ismaili, por Shqipëria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT