DOSHI:Unë u bëj thirrje jo ju që jeni këtu, por edhe banorëve të Shkodrës, mos ua merrni lekët, mos ua merrni kuponat, se ato do kthehen kundër jush nesër. Duke shitur votat, keni shitur lirinë tuaj,” /
Ashtu siç kishte paralajmëruar, deputeti Tom Doshi është përfshirë në fushatën elektorale dhe dalja e tij e parë është pritur me shumë interes nga mediat.
Deputeti Doshi u shfaq në krah të kandidatit të majtë për Bashkinë e Vaut të Dejës, Gjokë Lleshi.
Në një sallë të mbushur plot, sidomos me djem të rinj, pati shumë duartrokitje, sa herë përmendej emri i Doshit.
Të rinjtë thanë se janë të FRESSH.
Disa nga parafolësit e quajtën Doshin “superdeputet i Shkodrës dhe Shqipërisë”.
Shefi i shtabit të Gjokë Lleshit tha se “do shtojmë votat me 20 përqind, falë mbështetjes së Tom Doshit”.
Më pas e mori fjalën Doshi, që në shënjestër të sulmit të tij kishte Ilir Metën.
Ai tha se kandidati rival i PD në Vaun e Dejës, në fakt është njeri i Ilir Metës.
“Për tre ditë, kandidat për Bashkinë e Vaut të Dejës ishte Pjetër Lleshi.
Pas tre ditësh e thërret Lul Basha dhe i thotë se kandidat do jetë Zef Hila.
Në atë moment Pjetër Lleshi i bashkohet PS dhe thotë se do mbështesë Gjokë Lleshin,” tha Doshi.
“Ky skenar është bërë mes Lul Bashës dhe Ilir Metës, që në zgjedhjet e vitit 2017, Zef Hila të punojë për LSI-në.
Ilir Meta mendon se e blen Shkodrën, por këtë herë ai e ka humbjen të sigurt. Edhe Hasani në Kukës do humbasë.
Ai mendon se populli është një plaçkë që blihet dhe shitet.
Unë u bëj thirrje jo ju që jeni këtu, por edhe banorëve të Shkodrës, mos ua merrni lekët, mos ua merrni kuponat, se ato do kthehen kundër jush nesër. Duke shitur votat, keni shitur lirinë tuaj,” tha Doshi.
“Takova një burrë në moshë, një mik i mirë dhe i vjetër, e më tha u kam thënë ca miqve të mi në Bushat se po merrni një thes miell, po hani një javë, por po ngarkoni veten me 150 kile pleh për katër vjet”.
“Zef Hila është bërë i bezdisshëm edhe për fisin e vet,” tha Doshi.