

Intervistoi: Mirela Kanini/
KUSH ËSHTË ILIR NUMANI?
Unë jam një shqiptar që banoj në Chicago. Jam një bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm. Jam gjithashtu një biznesmen.
QË TË ARRINI ATY KU JENI SOT SIGURISHT QË KENI PATUR VËSHTIRËSI. NA TREGONI PAK MBI JETËN TUAJ…
Në fillim të viteve 90-të, me një valixhe me ëndrra dhe xhepat bosh erdha në Amerikë, vendi që më shumë se ç’do vend tjetër të jep mundësinë të realizosh imazhin që ke për jetën tënde. Rreth 30 vite më vonë, një pjesë e ëndrrave kanë dhënë fruta, një pjesë tjetër ende nuk kanë lëshuar filiza ndërsa unë vazhdoj të kujdesem për to duke ëndërruar. Të përshtatesh në një ambient të ri është gjithmonë e vështirë. Përshtatja është e domosdoshme dhe duhet të jetë gjithë dimensionale nëse dëshiron të ndërtosh jetën që dëshiron. Të punosh fort dhe me orë të gjata çuditërisht është pjesa më e lehtë. Familja fisnike e Dalan dhe Burbuqe Luzaj më pritën, më mbajtën në familjen e tyre ditët e para dhe më ndihmuan të sistemohem në punë dhe të gjej një apartament. Puna ime e parë ishte në restorantin “Cafe Saranda” me pronar Sundim ( Sonny) Dervishi. Ai më mësoi të gatuaj dhe nuk kaloi shumë kohë u bëra shef i guzhinës. Por kjo nuk më mjaftonte dhe në vitin 2000 u regjistrova në Triton College për dy semestra për tu transferuar më pas në Benedictine University ku studiova për financë. Fakti që gjuhën angleze e flisja dhe shkruaja që në Shqipëri bëri që suksesi në shkollë të varej kryesisht vetëm nga vullneti im. Universitetet në USA janë shumë të shtrenjta dhe e vetmja mundësi për të marrë bursë nga shteti ishte që të mirëmbaja mesataren 3.75. Ndërkohë punoja në një restorant që quhej “ The Viking Steak House”, ku gatuaja pranë tavolinave, në sallë disi me elemente shfaqjeje. Të mbarosh shkollën për biznes në Amerikë nuk të garanton gjithmonë një punë të sigurtë siç mendojnë shumë prindër dhe studentë. Gjithshka varet nga çfarë di të bësh me të. Unë këtë gjë e mësova nga eksperienca ime. Kudo që unë trokisja për punë kërkonin eksperiencë, por ku ta gjeja unë eksperiencën pa punuar. Mbasi punova 2 vjet për një kompani që jepte kredi për blerje shtëpish ne vitin 2005 vendosa të märren me siguracione dhe të punoj për Country financial një ndër më të mirat në USA në këtë fushë e për nga cilësia. Kjo kompani dikur kishte një sistem të tillë që nëse do ishe i suksesshëm të jepte mundësinë të kishe agjensinë tënde të siguracioneve. Mbas 4 viteve që u dukën si 14 vite të stërmundimshme, më dhanë të drejtën të kem agjensinë time. Biznesi i siguracioneve është më shumë i orientuar rreth krijimit dhe mbajtjes së marrëdhënieve me klientët se sa i një tranzicioni shit-blerje. Prandaj nëse nuk ke ndershmëri, integritet dhe t’ju gjendesh klientëve kur kanë nevojë për ty është e pamundur ta ndërtosh.
KUR MENDUAT QË KJO ËSHTË RRUGA JUAJ…
Gjatë këtyre 18 viteve edhe pse kam pasur vështirësi, asnjëherë nuk kam menduar se isha në biznesin e gabuar. Mua më pëlqen të punoj me njerzit dhe ky biznes më ka dhënë shansin të punoj jo vetëm me komunitetin shqiptar pa të cilin nuk do ishte e mundur por edhe me shumë klientë të tjerë që janë pjesë e “ melting pot “ dhe e bën Amerikën interesante. Mendoj të merrem me këtë biznes pjesën tjetër të jetës, për 50 vitet që më kanë mbetur.
ÇFARË KËSHILLE DO T’JU JEPNIT SOT BASHKATDHETARËVE TUAJ?
Unë uroj dhe i këshilloj të gjithë bashkëatdhetarët e mi që nëse kanë idera dhe mundësi të hapin biznesin e tyre ta bëjnë pa frikë. “ Just do it”. Gjeni diçka që ju pëlqen, jo domosdoshmërisht diçka që ju jep para. Paraja është e rëndësishme por nuk garanton një jetë kuptimplotë. Që të kesh sukses në biznes unë mendoj që duhet të bësh për klientët e tu diçka më tepër seç bën konkurenca juaj. Bëj mirë, ndihlmoi njerzit dhe herët apo vonë ata do të kërkojnë e do të gjejnë.
KUSH JANË PLANET TUAJA PËR TË ARDHMEN?
Është e çuditshme sepse edhe pas kaq viteve unë vazhdoj të dua ti bëj prindrit e mi të mrekullueshëm krenarë. Dua të jetoj dhe përjetoj gjithshka të bukur në këtë botë. Më pëlqen të udhëtoj dhe mendoj që në një jetë nuk do më mjaftojë të gjithë vendet e bukura të planetit.
KUSH JANË HOBITË TUAJA?
Edhe pse jam 50 vjeç më pëlqen të jem aktiv. Luaj futboll dhe shkoj për ski në dimër. Më pëlqen të eci me milje të tëra me gruan time. Kam një familje që për mua është burim frymëzimi dhe më mban në rrugën e drejtë. Gruaja ime Arlinda, djali im Joni dhe vajza ime mia janë dashuria që nuk shteron.
NJË CITAT QË JU PËLQEN SHUMË?
Ka shumë thënie që na ndihmojnë në momente të caktuara të jetës, por për mua një varg i poetit Octavio Paz vazhdon të jetë i përhershëm. “ Beyond myself, somewhere, I wait for my arrival”. “ Përtej vetes, diku, unë pres për ardhjen time”…