Shkruan: Imam Muhamed B. Sytari/
Myfti i Zonës Shkodër/
Herë pas here, teksa vizitoj varrezat e qytetit tim, ndalem në lutje para varreve të hoxhallarëve të shkuar dhe njerëzve të urtë, që tashmë janë kthyer në kujtim, duke i shtuar Shkodërloces varfëri, mbi varfërinë që e ka kapluar…
Pranë tyre, nuk është e vështirë të përfshihesh nga energjia pozitive që përhap kudo përmendja e tyre, kujtimi, meditimi e lutja. Kështu më ndodhi edhe sot, pranë Hoxhës së shquar shkodran, Hafiz Ibrahim Repishti…
Zotërinë e tij e deshta fillimisht, nëpërmjet leximeve të kujtimeve të rreshtuara nga i biri, intelektuali dhe eruditi i shquar, prof. Sami Repishti. (Ishte një koinçidencë e pallogaritur, që sot, nëpërmjet shtypit të përditshëm, lexova një shkrim të burrit të urtë shkodran, që herë pas here, vazhdon të dërgojë nga larg analizat e tij, që lexohen me një frymë dhe me shumë kënaqësi. Janë shkrime dhe analiza të dikujt që i dhemb e sotmja e kombit dhe e vendlindjes, që mendon pandërprerë për to, edhe si një amanet i shenjtë i tabanit familjar..!)
Hafiz Ibrahim Repishti mbetet në heshtjen e tij, një model i përkryer për hoxhallarët dhe imamët e kohës sonë dhe përtej saj.
Përveçse një imam i respektuar në lagjen e tij, Dudas, (ku shërbeu, sidomos për afro 20 vitet e fundit të jetës së tij), ai mbante në shpirtin e tij të pashuar pishtarin e të atit, Haxhi Jusuf Repishti, nënshkrues i Memorandumit të 13 qershorit 1878, dërguar Kongresit të Berlinit për mbrojtjen e tokave shqiptare.
Për këtë, nuk duhet të habitemi kur lexojmë, se për mbrojtjen e Shkodrës nga serbo-malazezët, nën drejtimin e komandantit Hasan Riza Pasha, edhe Hafiz Ibrahim Repishti, do të dilte vullnetar për mbrojtjen e shenjtërisë së tokës, në atë periudhë të vështirë, tetor 1912 – prill 1913.
Edhe ai, si shumë hoxhallarë të nderuar të Shkodrës, (përmend këtu: H. Abaz Golemi, H. Halil Gavoçi, H. Sulejman Gavoçi, H. Musa Dërguti, H. Sheh Ali Kruja etj.), ishin pjesë e çetave burrnore për mbrojtjen e Shkodrës! Ishin dhe mbetën burra nderi, heronj kombi, edukatorë të urtë!
Sipas Hamdi Bushatit, në veprën e tij “Shkodra dhe motet”, Hafiz Ibrahim Repishti ishte pjesë e zinxhirit të artë dituror, që kishte për Mësues dhe Edukator, të urtin Hafiz Halid Bushati. Pas këtij pragu të rëndësishëm, në vitin 1907 ai vazhdoi studimet në kryeqendrën e Hilafetit tonë, Stamboll, ku u diplomua në shkencat islame.
Pas largimit të malazezëve nga Shkodra, më 8 maj 1913, (duke lënë pas edhe shkrumbimin e 250 dyqaneve të pazarit të Madh, siç shkruan vetë Hafizi në ditarin e tij), ai nisi të përfshihej në jetën politike të vendit, që kulmoi me zgjedhjen e tij si përfaqësues i Shkodrës, anëtar i Asamblesë Kushtetuese. (Për të shënohet, se në Parlamentin e kohës ka kryer funksionet e Nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për jurisprudencë dhe të Komisionit Parlamentar për arsimin).
Episodet e jetës së Hafiz Ibrahim Repishtit janë të shumtë dhe të ftojnë t’i lexosh, për të kuptuar shpirtin e traditës sonë islame qytetare, tabanin e trashëgimisë së pastër kombëtare, pikënisjet për të ardhmen e mbetur peng në duart e të paditurve, të nënshtruarve para modeleve hibride e thuajse të imponuara gjithandej, si një kamuflazh i hirtë që mban mendjen dhe shpirtin të mpirë, të heshtur, të vdekur klinikisht.., thjeshtë në vegjetim!?
Ditët e pushtimit të egër fashist, nuk kursyen as familjen e Hoxhës së ditur, që personalisht kishte refuzuar propozimin e italianëve për t’u bërë Kryemyfti i Shkodrës.
“Nji mesnatë, nji bastisje e papritun e shtëpisë nga policia fashiste tronditi gjumin e familjes sonë. Të rreshtuem me shpinë për mur, prind e fëmijë ndoqën me frikë në zemër lëvizjet e randa e të zhurmshme, si dhe shamjet e papushim të agjentëve të armatosun që silleshin poshtë e nalt tue kërkue në çdo vrimë të shtëpisë diçka që nuk e gjejshin… Nji oficer mori babën prej krahu me forcë, e me nji të shtyme e vuni në nji dhomë tjetër…”-, rrëfen prof. Sami Repishti në librin e tij: “Pika loti”, botuar në vendlindje, në vitin 1997.
Siç duket, në çdo kohë, fashizmi dhe terrori, injoranca dhe islamofobia, dhuna dhe e keqja, bëhen një, nuk kanë shenjtëri, nuk kanë respekt për dijen, familjen, tabanin, trashëgiminë, rrënjët…
Nga ana tjetër, këta të fundit kanë triumfuar përherë përballë duhmave të të mallkuarit, që herë pas here, kohë pas kohe dhe situatë pas situate përhapen në atmosferën tonë, duke helmuar, sidomos ata që kanë imunitet të dobët, që para së keqes frikësohen e janë të gatshëm të bëhen argat i saj për hiç gjë…
Rahmet pastë Hoxha Ibrahim Repishti dhe koha e tij plot episode për të mos u harruar në neglizhencë.
Shembulli i tij u lexoftë larg ndikimeve sektare dhe diktimeve mjerane të kohës sonë..!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër