Këto ditë ndodhet në Shtetet e Bashkuara Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. Dje Presidenti Nishani mori pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, një aktivitet që bashkon njerëz me besime të ndryshme. Gjatë vizitës në Washington, Presidenti Nishani ka patur takime me drejtues të Kongresit amerikan dhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Presidenti Nishani u takua sot edhe me drejtorin e Zërit të Amerikës, David Ensor, dhe zyrtarë të tjerë, si dhe me stafin e redaksisë së gjuhës shqipe. Kolegia Rudina Dervishi intervistoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë në emisionin televiziv Ditari.
Zëri i Amerikës: Së pari, të flasim për Mëngjesin e Lutjeve, një aktivitet mjaft tradicional këtu në Washington, ku çdo vit, që nga viti 1953, merr pjesë edhe presidenti amerikan. Ju është hera e parë që merni pjesë në të. A mund të ndani me ne përshtypjet tuaja nga kjo ngjarje?
President Bujar Nishani: Përshtypje të jashtëzakonshme, shumë të veçanta. Natyrisht, të një evenimenti që ka përmasat e të tërë botës për nga pjesëmarrja, përmes mijëra të ftuarve dhe pjesëmarrësve në këtë ceremoni, ku mesazhet që e përshkojnë këtë ceremoni, veçanërisht ato të fjalimit të Presidentit Obama, por edhe të gjithë senatorëve, kongresmenëve dhe të ftuarve të tjerë, kofusoheshin tek kontakti midis njerëzve, tek respekti për njëri tjetrin, tek respekti për atë çka përfaqëson çdo njeri, pavarësisht besimit, pavarësisht përkatësive politike, pavarësisht racës që përfaqëson; pra është një moment, i cili reflekton virtytin njerëzor, parimet mbi të cilat njeriu duhet të ndërtojë më pas të gjithë karrierën e tij, qoftë kjo politike, qoftë sociale, publike, kudo që ai të jetë. Pra, ishte një moment i jashtëzakonshëm.
Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo frymë mirëkuptimi, që karakterizon aktivitete të tilla, duket se mungon në vendin tuaj, të paktën mes klasës politike. Sot ka tensione në rritje mes shumicës dhe opozitës. A mendoni se ju mund të luani një rol më aktiv, si një president mbi palët?
President Bujar Nishani: Kushdo ka diçka për të thënë në këtë kontekst dhe këtë ambjent që ju përmendët. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin, që të gjithë ne duhet të besojmë në diçka thelbësore. Pa një ambjent mirëbesimi, pa një ambjent bashkëpunimi, pa një ambjent i cili duhet të respektojë të drejtat e gjithsecilit prej nesh, është shumë e vështirë të gjenenerohet çështje të tilla, të cilat lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, edhe me jetën e vendit dhe të institucioneve në tërësi. Jam dhe kam qenë gjithmonë i gatshëm, përmes së pari kontributit personal, atje ku jam, në atë pozicion ku jam, të reflektoj atë që në fakt presin qytetarët shqiptarë. Edhe konteksti i mëngjesit të lutjeve, ky ishte, që pavarësisht të bindjeve politike që ne kemi, pavarësisht parimeve tek të cilat ne investojmë, duhet të vlerësojmë dhe të respektojmë njëri-tjetrin për atë çka jemi, pra mbi gjithshka, mbi objektivat dhe pasionet politike, mbi interesat e jetës sonë të përditshme, duhet të prevalojë koncepti i të qënit së bashku në një shoqëri, edhe përgjegjësia e përbashkët në një vend.
Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo duket se mungon. Shumica, ju shikon ende të lidhur ngushtë me të djathtën. Si shembull përmendin dy këshilltarët tuaj, që janë pjesë e grupeve të punës për riorganizimin e PD-së. Si mund të ndërtohet besimi reciprok mes të dy palëve?
President Bujar Nishani: Natyrisht që koha e investigimit të jetës private tek individë të ndryshëm ka mbetur pas në Shqipëri. Ne kemi patur eksperienca shumë të hidhura kur monitorohej, investigohej, apo i kërkohej llogari tjetrit për jetën e tij private, pavarësisht se çdo sjellje ishte në respekt të ligjit; unë në kontekstin e bashkëpunëtorëve të mi kam përzgjedhur aftësitë e tyre dhe natyrisht që gjatë kohës që ata ushtrojnë detyrën e këshilltarit të presidentit të republikës, do të respektojnë dhe duhet të respektojnë gjithshka që ligji u kërkon. Por unë kurrë nuk kam ndërmend për t’u bërë pjesë e investigimit, apo ndërhyrjes në jetën dhe aktivitetin privat, jashtë atij institucional, të kujtdo qoftë ajo. Unë kurrë nuk kam ndërmend të shikoj se në cilën seli partie shkon njëri këshilltar, apo tjetri punonjës pas orarit të punës.
Zëri i Amerikës: Megjithatë ju, a keni këshilltar që i përket Partisë Socialiste,mbase këtu duhet nisur.
Presidenti Bujar Nishani:Edhe një herë, në asnjë rast nuk kam investiguar se në cilën parti shkon njëri këshilltar, apo në cilën parti shkon këshilltari tjetër, apo çfarë afilacioni politik ka njëri, apo tjetri këshilltar.Për mua është shumë e rëndësishme që ata të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore, gjatë kohës që e ushtrojnë këtë detyrë dhe këtë funksion. Është shumë e rendësishme që presidenti i republikës të qëndrojë jashtë, jo vetëm aktivitetit, por edhe ndikimit në ushtrimin e detyrës së tij, pa pasionet politike, të njërës, apo tjetrës palë. Është shumë e rëndësishme, që institucioni i presidentit të funksionojë vetëm në përputhje me kushtetutën e vendit dhe në përputhje me parimet, sipas të cilave ligjet supozojnë që institucioni i presidentit të republikës duhet të ushtrojë këtë detyrë.
Zëri i Amerikës: Nevoja për refomimin e sistemit politik duket se ka përkrahjen e të gjithë spektrit politik në Shqipëri. Ju keni qënë ministër i drejtësisë dhe tani jeni kryetar i këshillit të lartë të drejtësisë, pra e njihni mjaft mirë sistemin e drejtësisë. Sipas jush, ku duhet të përqëndrohet një reformë e tillë?
President Bujar Nishani: Së pari është shumë e rëndësishme të ritheksojmë faktin se reforma në sistemin e drejtësisë ëdhtë një nevojë e përhershme, një proces i pandalshëm, një proces i cili duhet të vijojë, për sa kohë shfaqen sfida të ndryshme përballë këtij sistemi. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që sistemi i drejtësisë është një pushtet më vete, që ka të bëjë me pushtetin gjyqësor, i cili i jep drejtësi dhe bën drejtësi për qytetarët shqiptarë në aspektin e jetës dhe të pronës. Unë kam qenë gjithmonë i bindur që kjo reformë duhet të shkojë përmes udhëheqjes nga vetë komuniteti i gjyqtarëve, sepse ata janë njerëzit që e njohin mirë prolematikën dhe janë njerëz të cilët kërkojnë që të angazhohen në zgjidhjen e kësaj problematike. Është i njohur fakti, që në sistemin e drejtësisë, në gjyqësor, apo prokurori, ka gjyqtarë dhe prokurorë të paaftë, ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të cilët duhte të jenë objekt i pandalshëm i investigimit dhe i penalizimit; por ne duhet të mbështetemi tek pjesa dërrmuese, e cila është me profesionistë të mirë, me njerëz me integritet, të lidhur ngushtë me profesionin e tyre dhe që duan të bëhet drejtësia në Shqipëri. Promovimi i tyre është shumë i rëndësishëm dhe pjesë thelbësore e kësaj reforme. Nga ana tjetër, me duhte t’i ikim kapjes nga ana e politikës të sistemit të drejtësisë. Në se flasim për korrupsion dhe duhet luftuar ky korrupsion, kapja nga politika është pikërisht shkalla më e lartë e korrupsionit, në se do të ndodhë. Pra, të gjithë së bashku të bëhemi barrierë e kësaj ndërhyrjeje, dhe nga ana tjetër të nxisim implementim e reformave.
Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur që kontrolli politik i gjyqësorit është forma më e lartë e korrupsionit, ndërkohë që shumica e majtë ju akuzon ju për ndikim politik, siç ndodhi në rastin e dy kandidaturave për në gjykatën e lartë, të cilat u rrëzuan nga Parlemanti. Ju e quajtët këtë një trust procedurial. A mund të shmangen përplasje të tilla në të ardhmen?
Presidenti Bujar Nishani: Në gjykimin tim, nuk kemi të bëjmë me një përplasje, nuk kemi të bëjmë me një ndeshje, por kemi të bëjmë pa dyshim, me një tentativë për të ndërhyrë në mënyrë të njëanshme, nga ana e shumicës qeverisëse në atributet dhe tagrin kushtetues të presidentit të republikës. Nuk ka asnjë fakt, apo arsye për të besuar përfshirjen politike, apo bekgraundin politik të të dy kandidatëve të dërguar nga Presidenti i Republikës. Jo vetëm që u respektua në mënyrë rigoroze dhe strikt ligji që paralementi vetë ka aprovuar dhe jo presidenti; procedurat krejt të paanëshme për zgjedhjen e këtyre kandidatëve, unë po ju bie juve në vemendje edhe të vetë opinionit që e ndjek këtë zë të rëndësishëm të infromacionit, që shkuan në paralement kryetari i gjykatës së apelit të krimeve të rënda të republikës, pas një karriere të gjatë në gjyqësor dhe pa asnjë akuzë politike gjatë gjithë karrierës së tij dhe kryetari i gjykatës së apelit të Durrësit, një prje gjykatave të apelit më të mëdha të apelit në vend, edhe ai pa asnjë akuzë politike dhe pa asnjë akuzë në drejtim të integritetit të tij moral. Pra, për sa kohë zgjidhen në mënyrë proceduriale korrekte dhe në respekt të plotë të ligjit dhe njerëz me integritet, unë besoj se raporti nuk është një përplasje e dyanshme, por është një tentativë e njëanshme për të ndërhyrë në atë që kushtetuta i jep presidentit të republikës.
Zëri i Amerikës: A mendoni se reforma duhet të prekë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kam parasysh këtu kritikat që ka bërë Komisioni Evropian kur thekson pak a shumë se hapësirat interpretuese për marrjen e vendimeve për emërimet e gjykatësve duhen kufizuar pasi janë shumë të gjera?
President Bujar Nishani: Pa disktutim, që duhet të ecet në atë çka sugjeron raport progresi dhe qëndrimet e komisionit evropian dhe të Këshillit të Evropës dhe natyrisht, duhet të kemi paraqysh që deklaratat i referohen një eksperience të shkuar të veprimatrisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe duke nënvizuar në vijim, që hapa të rëndësishme drejt korrigjimit të tyre janë bërë vitin e fundit. Më lejoni t’ju bie në vëmendje gjithasthu një fakt të rëndësishëm, sepse në fund të fundit, faktet janë ato mbi të cilat krijohen bindjet reale. Në se gjatë 4, apo 5 vitet e fundit, kur ligji kërkonte bërjen e vlerësimeve për gjyqtarët, ishte bërë vlerësimi vetëm për 16 gjyqtarë. Ndërsa brenda një viti, ky këshill i lartë i drejtsisë ka arritur të përfundojë për gati treqind e ca gjyqtarë vlerësimin. Pra, shikohet një kontrast i madh i angazhimeve në të shkuarën dhe në të tashmen. Le të ecim me këtë mentalitet të punës, punës konkrete dhe të më pak fjalëve; por përsa i përket rekomandimeve, jam plotësisht në mbështetje të tyre, që të shkohet në drejtim të reformave të këtij lloji.
Zëri i Amerikës: Vendi juaj shpreson të marri statusin e vendit kandidat për në BE në qershor. Me këtë situatë politike, a mendoni se vendit është gati të marrë këtë status?
President Bujar Nishani: Vendi meriton të marrë statusin, Shqipëria e meriton të ketë statusin. Politika dhe lidershipi dhe instititucionet, duhet pa dyshim të japin kontributin e tyre, duke transmetuar pikërisht atë mentalitet shoqëror, politik, që presin dhe kërkojnë standartet e një vendi kadnidat për në BE.