Intervistë e Editorit Dalip Greca me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj, pas udhëtimit në trojet amtare në nderim të heronjëve që kanë luftuar për Komb/
Siç ka njoftuar gazeta Dielli përmes publikimit të përditshëm në on line, kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj vizitoi në javën e parë të tetorit trojet amtare. Kjo vizitë e tij nisi në Mitrovicë, ku ai vizitoi Kullën e kreshnikut të Maleve Isa Boletini, një prej heronjëve më të zëshëm të Kombit Shqiptar, Gjenerali i Pavarësisë, simboli i bashkimit Kombëtar, eshtrat e të cilit ende presin të rivarrosen. Kryetari i Vatrës shkoi në Prishtinë dhe vizitoi varrin e ish presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku vendosi një kurorë me lule. Po ashtu dr. Buçaj vizitoi varrin e heroit të Kosovës, Adem Jashari dhe martirëve të familjes Jashari, që u flijuan për lirinë e Kosovës. Më pas ai vijoi me një vizitë në Tiranë, ku u takua me ambasadorin amerikan, Arvizu dhe më pas vizitoi edhe të përndjekurit politik të ngujuar në grevën e urisë.
Kryetari i Vatrës ishte edhe në trojet shqiptare në Malin e Zi, ku vizitoi shtëpinë muze të Dedë Gjo Lulit, vendngritjen e Flamurit kuq e zi me 6 prill 1911 në Bratile, Shtëpinë e Artit të Gjelosh Gjokaj në Milesh etj.
Të premten, me 12 tetor , kryetari i Vatrës ishte i ftuar në promovimin e përmendores kushtuar Ali Ibrës, luftëtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit, sponsorizuar nga vatrani Halit Nezaj dhe bashkvendas të tij. Po atë ditë dr. Buçaj mori pjesë edhe në promovimin e shtatores së Isa Boletinit në Isniq të Deçanit, ku jetuan të parët e tij. Me 14 tetor dr. Buçaj u kthye në New York. Për më shumë detaje nga kjo vizitë, kryetarit të Vatrës i morëm intervistën e mëposhtme:
Dr. Buçaj, si lindi ideja për të vizituar trojet amtare, Shqipëri, Kosovë dhe Mali i Zi?- Në takimet e Këshillit Drejtues të Vatrës, nga fillimi i vitit 2011, flitej rreth aktiviteteve lidhun me 100 vjetori e themelimit të Vatrës dhe të shpalljes së Pavarësisë, sidomos për nevojën që të përkujtohen dhe të nderohen figurat që kontribuen për pavarësinë dhe për ruejtjen e tanësisë së trojevet tona. U përmend kulla e Isa Boletinit që gjindet në Veri të Kosovës ku zona e kufinit nuk asht e qetë as e sigurtë, për shkak të kërcnimeve serbe. Vendi ku asht vra në pabesi, tek Ura e Ribnicës në Podgoricë, asht i harruem dhe pa kurrfarë sheji, as nji gur për të kujtue se aty u vra prijsi luftarak i Pavarësisë së Shqipnisë. Nga biseda të tilla më lindi ideja që të baj nji udhtim gjatë vitit të 100 vjetorit.
Dr. Buçaj: Kur shkuat në Tiranë, takimi i parë ishte me ambasadorin amerikan. Përse vendosët që takimi i parë të ishte me ambasadorin Arvizu?
Së pari shkuem në Prishtinë, vizituem Kullën e Isa Boletinit, Varrin e ish Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe memorialin e Jasharajve në Prekaz. Vendosëm lule në “Nderim e mirënjohje të përjetshme” nga Vatra. Mbas tri ditësh qendrimi në Kosovë, shkuem në Tiranë. Ambasadorit Arvizu i bana nji vizitë kortezije pët ta përshëndetë dhe për ta falenderue për pjesëmarrjen e tij në kremtimet e 100 vjetorit të Vatrës në New York në prillin që kaloi. Në përgjigje pyetjes suej, Ambasadorin Amerikan e takova të parin për respekt, si përfaqësuesi i atdheut tonë të adaptuem dhe mik i atdheut të origjinës, si dhe për të përfitue nga njohunia e tij për gjendjen në Shqipni.
Vizituat grevistët e urisë, një vizitë që ka pasë miratime dhe kritika. Në ç’rrethana e morët vendimin për të vizituar grevistët?
Dr. Buçaj: Vendimi ishte i thjeshtë, tue pasë parasyshë atë grup ish të përndjekunish që ishin futë në grevë urije, mënyrë kjo ekstreme për protestë a për kërkesa, çfarëdo qoftë motivi. Për aspektin human i kishte vizitue edhe Ambasadori Amerikan. Unë u shpreha për vëlerësimin e jetës së tyne mbi çdo gja tjetër materjale dhe mendimin se ka mënyra tjera për të kërkue dhe për të protestue. U thashë që të mos e merrnin vizitën time si mbështetje ose inkurajim të grevës, por si keqardhje për gjendjen në të cilën gjinden, tue vu jetën në rrezkue. Shpreha solidaritetin tonë për shtresën e ish të persekutuemëvet për mungesën e integrimit të tyne, për mungesën e denimit të krimeve dhe të kriminelëve të komunizmit, mungesën e ligjit të lustraciont, hapjen e dosjeve, etjera. I kuptoj edhe kritikat, që vijnë nga fakti se janë ba edhe manipulime politike plot hipokrizi.
Ishit tek Kulla e Isa Boletinit. Si erdhi kjo vizitë? Ç’emocione provuat?
Dr. Buçaj: Shkuem nji grup shokësh me dy makina. Kulla ishte në kufi me nji manastir serb që ishte i rrethuem me mur dhe nxente nji sipërfaqe toke të gjanë. Asht nji ndër objektet e shumta nepër Kosovë, të sigurueme si enklava me planin e Ahtisaarit. Kulla ishte rindertue në formën që ka pasë dhe ishte shëndrrue në muze, me forografina, artefakte dhe objekte origjinale. Shkolla shqipe ishte pranë oborrit të rrethuem me gurë. Na thanë se e kishte themelue Isa Boletini. “Po vemë kambët aty ku ka ecë Isa Boletini para afër nji shekulli”, tha im bir, tue ndije prezencën e atij burri të madh, trim e humanist. Kosova i kishte ndertue vorrin mermeri atij dhe njerzëve të vet me të cilët u vra, me mendimin se eshnat e tij do të gjinden dhe nji ditë do të vorrosen aty me gjamë ilire! Gjatë vitit jubilar të pavarësisë? Vështirë se mund të reaslizohet, por le të shpresojmë.
Dr. Buçaj: Nuk jam në dijeni që udhëheqsit shqiptarë ta kenë vizitue kullën me ceremoni zyrtare ndonji herë, por ajo asht rindërtue ashtu si ka qenë në origjinal, asht pajisë me objekte e dokumenta dhe asht nen kujdesin e shtetit. Ka nji orar të përditshëm kur dyert mbahen hapun dhe dikush pret vizitorët të cilëvet u spjegon mbi kullën, objektet që ruhen aty dhe mbi Heroin e Rilindjes dhe të Pavarësisë..
Mendoni se me rastin e 100 vjetorit udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet ta thyejnë akullin e izolimit dhe të shkojnë ta vizitojnë kullën?
Dr. Buçaj: Shpresojmë se me rastin e 100 vjetorit do t’a vizitojnë dhe do të zhvillojnë ndonji ceremoni të përshtatshme, pa u tkurrë mos të shqetsohet Serbia.Me 12 tetor u perurue nji monument i tij, vërtetë i bukur, në Isniq, katund afër Deçanit, ku familja e Isa Boletinit kanë pasë origjinën, por vizita te Kulla ka nji vlerë dhe nji domethanje të veçantë. Në Isniq takuem nji mbasardhës të afërt të Gjeneralt të Pavarësisë.
Ju ishit edhe në trojet shqiptare në Mal të Zi. A mund të sillni detaje nga vizita atje? Dr. Buçaj: Në Mal të Zi na priti aktivisti intelektual nga ajo trevë, z. Nikoll Camaj, i cili na shoqnoi në tri vende historike: te Shpija Muze e Ded Gjo’Lulit në Deçiq, pikërisht aty ku e ka pasë kullën, në Bratilë, ku me malësorë ngriti flamurin kombëtar me 6 prill 1911, dhe tek Ura e Ribnicës në Podgoricë, ku asht vra Isa Boletini me bashkudhtarët e vet luftarë. Te Kulla e Ded Gjo’Lulit takuem nji të ri nga fisi i tij që banonte aty afër. Ai na ftoi t’i shkonim në shpi, si asht zakoni në malet bujare, por na kishim takim tjetër. Në rrugë për Podgoricë, u përshëndetëm me piktorin e njoftun, Gjelosh Gjokaj, n’oborrin e shpisë së tij, ekspozitë/atelie e përherëshme që ka ndërtue aty për të joshë malësorët të qendrojnë në vend e të mos i largohen vendlindjes. Kur i treguem se jemi në rrugë për te Ura e Ribnicës, ku asht vra Isa Boletini, u këthye: “Nikollë, aty nuk ka kurrfarë shejit, kishte me u dashtë nji pllakë bronxi a ndonji lloj objekti tjetër perkujtimor….”. “Do të kërkojmë lejen” shtoi Nikolla. M’u duk se vazhdoi biseda e para nji vjeti e gjysë e mbledhjes së Vatrës! Ndoshta ky udhtim nuk do të mbetet vetëm si nji shetitje e thjeshtë turistike. Vizita juaj u mbyll me promovimin e Shtatores së Ali Ibër Nezaj në Gjakovë. Diçka më shumë rreth këtij promovimi? Dr. Buçaj: Me 12 tetor 2012 u zbulue monumenti i Ali Ibër Nezajt në Gjakovë. Promotori kryesor, Halit Nezaj, bashkë me vëllazninë dhe pasardhësit e këtij luftari historik të Lidhjes së Prizrenit, më kishte ftue mue dhe vatranë tjerë me marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Zbulimi i shtatores u ba nga Kryeministri Sali Berisha, në prezencën e Presidentes Jahjaga dhe të autoritetevet vendore, personaliteteve akademikë e shkencore. Edhepse ditë me shi, pjesëmarrja e publikut ishte e gjanë, gjakovarë e tjerë të ardhun nga vende të ndryshme të Kosovës, nga Shqipnia dhe nga diaspora. Mbas perurimit, Nezajt shtruen nji drekë bujare për pjesëmarrësit, të cilët u argëtuen me muzikë e kangë patriotike, në atmosferë festive dhe në frymë vëllaznore. Përveç tjerëve ishin prezent edhe skulptori si dhe autori i monografisë për Ali Ibrën, shkrimtari Hamil Alia. Kishit shoqërues në udhëtimin tuaj në trojet amtare? Dr. Buçaj: Dr. Buçaj: Po më shoqnuen në udhtim djemtë, të dy vatranë të degës në Washington, Eduardi dhe Leka. Atje na u bashkuen Gjon Shiroka, Blerim Luzha, Sadri Bajraktari, Jusuf Telaku, Selim Krasniqi, dhe, ne Shqipni, Alban Mirakaj. Faleminderit për intervistën! Dr. Buçaj:Ishte kënaqësi që biseduam. FOTO: Nga takimi me ambasadorin amerikan ne Tirane, Alexander Arvizu
|