Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Ky 10 qershori 2015 i rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë më përkujtoi 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Tiranë kur pikërisht në kit’ datë kombëtare simbolike dyshja Hoxha-Shehu e rivarrosi për herë të pestë Naim Frashërin, poetin tonë kombëtar, nga lulishte pranë Kryministrisë (1950) në kodra të Liqenit Artificial të Tiranës.
Ç’ka është kjo përnguti turravrap Rama-Thaçi për rivarrimin e katërt të Isa Boletinit në Vlorën e Flamurit?! Cili po ia mban “ison” tjetrit për Isën e madh të kombit. A kena të bajmë me një kopjaci të modelit Hoxha-Shehu?! A thue çka ka Isa – kryeministri i sotëm i Kosovës që nuk po flet hala për Isën e Pavarësisë?! Nuk jena as në vit jubile të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po presim të 137-tin vjet. Qysh me ia ngjit emnin kësaj pune: Si dështim i politikës shqiptare të Prishtinës e Tiranës për çështjen e pambyllur të Mitrovicës së Veriut. Kemi dy “varre të hapura” në brigje të Ibrit: varri i Mitrovicës dhe varri i Isës. Ndoshta po e mbyllin të parin edhe prej trysnisë ndërkombëtare pansllave, etj. dhe po e lanë të hapun atë të Isa Boletinit tue e rivarrosë me ceremoni nacionaliste e festive në Vlorën e Ismail Qemalit?! Ndoshta kjo ka të bajnë dhe me fushatën elektorale në Shqipëri, ku H. Thaçi e ka ba mendjen shtrat topi për me iu gjend pranë E.Ramës, tue pasë në krah dhe Erdoganin, sikurse banë në zgjedhjet e kalueme në Kosovë. Kësaj ia nxori kryet vet Thaçi në konferencë për shtyp në Tiranë kur i ceku zgjedhjet e 21 qershorit 2015 ! A iu kujtohet elektoriada e Thaçit në Prizren? M’i përnget kjo e Ramës në Vlorë e Tiranë? Po, pse bre po bahet kështu me Isë Boletinin e Historisë?!
2.I pari varr i Isa Boletinit është ai i janarit 1916 në Podgoricë (Titogradi), tokë etnike shqiptare e Gentit e Teutës, tashti kryeqytet i Malit të Zi.
Në rreth dy dekada shqiptarët e vërtetë të gjakut e idealit të tij atdhetar i ranë në gjurmë reale varrit të tij dhe ia mbrrinë me ia tërhjekë më 15 nëntor 1989 eshtrat Isa Boletinit (vet i teti martir i lirisë) para se aty të ndërtohej një park i qytetit. Ato ndejtën do kohë në Prizren dhe i çuen në Mitrovicë ku i mbajtën të fshehuna në një thes e arkë në oborr të xhamisë të atyhit. E, ndoshta, ky klasifikohet si “rivarrimi i dytë”.
Në vitin 2004 Qeveria e Kosovës mori vendim me e varrosë Isën në vendlindjen e vet, tek kulla në Boletin, aty në kodrën e Sokolicës, bash në Mitrovicën e Veriut. Prapë, zyrtarisht u fol dhe për 28 nëntor 2014 po kurrgja sa ba.
Sotpërsot Isa Boletini i ka dy varre të hapuna shtetnisht: njani në Mitrovicë, në Boletinin e tij dhe tjetri po i hapet në Shqipëri, në Vlorën e tij.
Në Deçan, në trollin e geneve të breznive të tij, në Mitrovicën ku lindi më 15 janar 1864, gjithandej në Kosovë, dhe në Shqipëri, kudo, po ka kundërshti. Dikush thotë ta varrosim në Mitrovicë. Flitet për në Prishtinë. Ka zëra dhe për në Deçan. Dy qeveritë shqiptare janë për në Vlorë.
Përndryshe, mos u debatoni ndërveti. Rivarroseni Isa Boletinin në qytetin e Bac Bajram Currit. A e dini pse? Aty, tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në hyrje të qytetit, të ngritura më 1974 e ka një varr bosh, pa eshtrat e tij. Heroi i Popullit Isa Boletini, që është “varri i parë” i tij në Shqipërinë Londineze. Aty i ka dhe të afërmit e vet të gjakut e të luftës, me të cilët u vra në pritë malazeze në Podgoricë më 23 janar 1916 si Januz Boletini, Hajdar S. Radisheva, etj. Aty i ka aty dhe deçanasit e vet të origjinës: Sylejman Vokshi – Hero i Popullit, Asim Vokshi – Hero i Popullit… Aty i ka dhe heronjtë e popullit Mic Sokoli, Bajram Curri… Me propozim të rrethit të Tropojës, iu dha Isa Boletinit titulli i lartë “Hero i Popullit”, pasi ishte dëshmor i këtij rreth…, një pjesë të madhe të jetës së tij e ka kalue në Malësinë e Gjakovës, në mikpritje e në luftra me malësorët e saj, ndaj le të jenë aty dhe në kohë paqeje eshtrat e tij, tek varri i vet në Varrezat e dëshmorëve të Tropojës.
3.Në protokollin shtetëror për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit është paraparë një shetitije me eshtrat e tij në itenerar Boletin-Mitrovicë-Prishtinë-Prizren-Tiranë-Vlorë.
Kjo m’i përnget shetitjes me eshtrat e Car Llazarit të luftës në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë) 1389 me Sulltan Muratin e Parë të Perandorisë Otomane. Kësaj lufte serbët i kanë ngritë mit. Sot në Mitrovicë një shesh i madh ka emnin Car Llazar!
Në koft se do’ politika e Tiranës dhe ajo e Prishtinës le të bajnë nji “Shetitije Kombëtare Shqiptare” të eshtrave të Isa Boletinit, tue ia fillue nga Podgorica e varrimit 1916 e çvarrimit më 1989, nëpër treva të Malësisë së Madhe përtej kufinit me Malin e Zi dhe deri në Deçan e Junik…të shtetit të ri të Kosovës, dhe deri në Maqedoni (FYROM), në Shkupin e 1912-tës, dhe vetëm mbasandejna në Boletin-Mitrovicë-Prizren-Kukës-Tiranë-Lushnje-Vlorë.
4.Në një bisedë alpine më 1986 me Dritëro Agollin, ish antar i KQ të PPSH e kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e dveta për Lej Fenin kinez të rinisë time. Më kallxoi se kur ishte në Kinë i ra me shetitë gjithandej e kudo i folnin për Lej Fenin: këtu kreu kit’ akt, këndej udhëtoi me makinë, këtu…Jehonë. Memorialistikë. Memoriale. Një ditë po i thotë Kryetarit të Gazetarëve (ose Shkrimtarëve) të Kinës për me e çue në vendindjen e Lej Fenit. Ai e tërhoqi veçmas tue i pa të ditun se Lej Feni nuk ka vendlindje, as nuk ka ekzistuar në Kinë, atë e krijuam vetë, ai është heroi ynë, i duhej Kinës…
Ne, në vitet e komunizmit, dinim gjithçka për Lej Fenin – heroin imagjinar të Kinës, të “lindur” në vitin 1932 në një familje të varfër fshatare, që kishte jetën me veprimtari revolucionare, ditarin e tij, citatet e tij. Si ky: “8 nëntor 1960 …Oh, sa e emocionuar je ti o zemra ime. Sa e madhe je ti partia ime! Sa largpamës jeni Ju, Kryetari Mao Ce-Dun! Jetën e re, që kaloi ua kushtoj Juve Kryetari Mao! Ju më shpëtuat jetën kur ndodhesha në buzë të varrit, Ju më përtëritë jetën, më ushqyet, më veshët dhe më dërguat në shkollë…”.
Për Lej Fenin, frymëzuesin e Revolucionit Kulturor Kinez, thuhet se e dha jetën heroikisht nga një tra i madh që i ra në krye teksa po përpiqej ta shpëtonte kamionin që ia kishte dhanë partia e tij moniste e kryetarit Mao Ce Dun, u (ri)botue më 1964 një libër në shqip me mijëra kopje, i cili në vite të miqësisë me Kinën lexohej ma shumë se Bibla e Kurani sot, dinim ma shumë për jetën e veprat e tij se sa të fshatit, fisit e rrethit tonë, kishte popullaritet ma shumë se vet Isa Boletini, heroi ynë i përmasave ndër-kombëtare.
Tashti, në kit’ vit të demokracisë shqiptare, deshta me iu thanë dy qeverive shqiptare në Tiranë e Prishtinë: Isa Boletini nuk është hero imagjinar si Lej Feni. Krejt ndryshe nga Lej Feni i Kinës, ka vendlindje e vet, kullën e vet, trollin e vet. Ndaj duhet me i lanë “lejfenizmat” dhe ri-varroseni Isa Boletinin e Pavarësisë në Boletinin e tij, në Mitrovicën e Historisë.