PERSE PAKOJA E AHTISARIT ISHTE E PAFAVORSHME?
NGA ALBIN KURTI*
Të nderuara familje Balaj e Xheladini,/
I nderuari Zenel Zeneli dhe Hysni Hyseni,/
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,/
Në të gjitha vitet e pasluftës thoshin ‘pavarësia në fund të vitit’ dhe për çdo fundvit thoshin ‘pavarësia në vitin e ardhshëm’. Nëntë vjet rresht ishte kështu. Me këtë mënyrë u krijua një fiksim me pavarësinë si fjalë për shtetin, pa e konsideruar përmbajtjen e saj. Pra, së pari pavarësia që kërkohej përjetohej formalisht, duke e ndarë formën nga përmbajtja. Dhe, së dyti, besohej që forma e përcakton përmbajtjen, duke e harruar të kundërtën, që edhe përmbajtja e përcakton formën. Dihet që përmbajtja e pavarësisë është sovraniteti. Kjo është arsyeja pse në demonstratën e 28 Nëntorit të vitit 2006, patëm thënë që pavarësia e plotë dhe e vërtetë, ajo me sovranitet, nënkupton katër gjëra me të cilat matet vetë pavarësia: integriteti territorial, ushtria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ulësja në OKB. Atëbotë, përveçse u nda forma nga përmbajtja dhe u etablua dominimi i së parës, pra i formës, pasoi degradimi i tretë. Forma u degradua në emrin, në emërtimin për shtetin. Vetëm le të quhemi të pavarur, thuhej atëherë, kjo është e rëndësishme.
Pakoja e Ahtisaarit, siç e mbajmë në mend, nuk erdhi as në fund të vitit 2006 dhe u shty asokohe për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Me 2 shkurt të vitit 2007 ateron Paketa e Ahtisaarit në Prishtinë, me 6 padrejtësitë themelore, si 6 faqet e kubit të paketës. Por, para se ta shpjegoj se cilat ishin këto 6 padrejtësi, duhet theksuar se me 2 shkurt 2007 në Paketën e Ahtisaarit askund nuk figuronte fjala pavarësi. Rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur, Ahtisaari ia dërgon veçmas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së disa javë më vonë, pra edhe pas demonstratës së 10 Shkurtit. Po ashtu, duhet theksuar që në krejt Pakon e Ahtisaarit, një herë përmendet shqipja, te gjuha shqipe, askund fjala ‘shqiptar’, përveç te shprehja komunitetet joshqiptare, dhe 37 herë fjala ‘serbe’.
Atëherë, cilat ishin ato 6 padrejtësitë themelore të Pakos së Ahtisaarit.
1. Pakoja e Ahtisaarit flet kryesisht për të drejtat dhe privilegjet e pakicave dhe atë sidomos të pakicës serbe. Kuvendi i Kosovës me këtë Pako, kurthohet nga formula e shumicës së dyfishtë. Kuvendi për çështjet e ligjet jetike ka nevojë për shumicën e përgjithshme dhe shumicën e pakicës, gjë që praktikisht i jep të drejtë vetoje pakicës. Kjo do të mund të ishte ndoshta e arsyeshme sikur Kosova ta kishte okupuar Serbinë dhe të kishte bërë agresion mbi Serbinë, e jo si te ne ku siç e dimë kemi situatën e kundërt – Serbia ka bërë agresion dhe e ka okupuar Kosovën. Dhe, sërish, ndoshta kjo do të kishte kuptim sikur Kosova t’i kishte 60% shqiptarë e 40% serbë, e jo si në realitetin tonë ku shqiptarë janë mbi 90%.
2. Trashëgimi kulturore konsiderohej vetëm ajo fetare ortodokse, e cila është definuar si serbe. Pakoja e parashihte themelimin e 45 zonave të veçanta qindrahektarëshe eksterritoriale, që uzurpojnë pronë, kulturë dhe histori.
3. Paketa e Ahtisaarit përqendrohet më së shumti te decentralizimi. Komunat e reja me shumicë serbe fitonin kompetenca shumë më të mëdha se ato me shumicë shqiptare dhe plotësisht të pazakonshme për komunat, psh. në arsimin e lartë, shëndetësinë dytësore, etj. Lidhjet horizontale të tyre hedhnin farën e një entiteti autonom serb. Lidhjet vertikale me Beogradin dhe financimi, i cili do të ishte i liruar nga taksat në Kosovë, i hapnin rrugë kontrollit të Serbisë në çerekun e territorit të Kosovës.
4. Instalohej Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, i cili njëkohësisht do të ishte Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian me fjalën përfundimtare për gjithçka çdo herë. Ky monark i ri do ta kishte fuqinë korrektuese, pra ndryshimin e ligjeve, dhe zëvendësuese, përjashtim të ministrave e zyrtarëve të tjerë me emërim të dikujt tjetër në ato poste. Kësisoj po betonohej protektorati sundues ndërkombëtar mbi Kosovën.
5. Në vend që të flitej për dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit merret me borxhet e Kosovës. Kosova ishte përjashtuar nga sukcesioni i ish Jugosllavisë, nuk ishte zhdëmtuar për plaçkitjet dhe shkatërrimet, dhe tash duhej të merrte pjesë në borxhin e jashtëm të Serbisë.
6. Dikur, në vend se të çarmatosej ushtria kriminale serbo-jugosllave, u çarmatos UÇK-ja. Tash, në vend se të shpërbëheshin strukturat policore dhe paramilitare të Serbisë në Kosovë, Pakoja e Ahtisaarit parashihte shpërbërjen e TMK-së.
U bë kompromisi i dhimbshëm, Serbia fitoi shumë, por mbeti e pakënaqur. Pavarësia nuk na kaloi në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Serbia nuk na e njohu pavarësinë dhe, përkundër të gjitha këtyre, Pakoja e Ahtisaarit u zbatua njëanshëm në Kosovë. Sot, Serbia është edhe më tej e pakënaqur dhe në Bruksel po zhvillohen negociata të reja. Serbia e pakënaqur është një Serbi hegjemoniste dhe shoviniste. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është normalizim i marrëdhënieve me hegjemonët dhe shovinistët e papenduar për krimet nga e kaluara. Sikurse dje komunat me shumicë serbe, po ashtu edhe sot bashkësia apo asociacioni i këtyre komunave, nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës, por e qeverisë së Serbisë. Interesat e Serbisë po kamuflohen me nevojën për integrimin e serbëve. Ne gjithsesi jemi për integrimin e serbëve, madje jo vetëm në institucione por edhe në shoqëri. Mirëpo, integrimi i serbëve në Kosovë nuk mund të kalojë nëpër Beograd. As në veri, e as në jug, as dje, e as sot.
Ju falemnderit!(* Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës, mbajtur më 1 mars 2013, për demonstratën e 10 Shkurtit 2007 )