Në Emër të Zotit/
Shkruan: Ismail Bardhi, Shkup/
Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga themelimi i një lëvizjeje, organizate mbarëkombëtare si “Vatra”, është për t’u lavdëruar dhe për t’u gëzuar me këtë emër që ka njëdomethënie tepër të lezetshme dhe të rëndësishme për të gjithë ne. Qëllimi i “Vatrës” gjithsesi ka qenë që të gjithë të jemi rreth Vatrës dhe për Vatrën. Se a ka ndodhur diçka e tillë, me keqardhje duhet të pranojmë se jo, sepse hapësira shqiptare në atë kohë kur është themeluar “Vatra” ka pasur një tablo shumë të dhimbshme, sepse vatrajonë ka qenëdisi e zbrazët: nga shkronjat, nga letrat, dhe nga kultura. Pavarësisht nga e kaluara e tillë, ne për fat të keq mbi atë të kaluar kemi mbështetur edhe një ardhmëri pa ardhmëri. Kjo nuk do të thotë se mundohem ta kthej të kaluarën, ngase ajo nuk kthehet dot dhe nuk duhet të kthehet, por shqiptarët nuk do të kenë mundësi asnjëherë t’i përgjigjen një pyetjeje shumë të rëndësishme: çfarë i sollën vetes për vetveten, respektivisht për Vatrën!?! Përpos pakënaqësisë dhe frikës – asgjë! Të gjithë fituan, krijuan shtete, përpos shqiptarëve, të cilët vërtet krijuan shtetin, por si e bënë këtëështë shumë e vështirë të flet gjuha e shtetësisë dhe kulturës shtetërore.
Ky naivitet është bërë, për fat të keq, një “forcë” e madhe dhe me apo pa dashje i ka keqpërdorur edhe kulturën edhe mendjen e shëndoshë; keqpërdorim ky që u dëshmua me diplomacinë e dobët, me organizime të atentateve të ndryshme, me “krijimin” e një historie kundërthënëse, e deri te ateizmi i paparë në botë. Edhe monizmi edhe pluralizmi në vatrën tonë u treguan me një model të veçantë që nuk u përputh as me fjalorin e fqinjve përreth Shqipërisë, e të mos flas për më gjerë. Është fakt se po në këtë të kaluar ndodhën gjëra që për fat të keq as ne “nuk” i dimë, ngaqë i kemi harruar dhe i harrojmë, sepse thuajse gjithçka e bëjmë në mënyrë folklorike, larg kritikës së duhur dhe organizimit të mirë. Për shkak të kësaj dobësie, ne përdorim vrazhdësinë e mendjes, fjalorin e frikës, organizime dhe tubimepër ndarje e deri te kërcënimet fizike, dhe jo vetëm kaq.
Për të gjithë këtë e kemi fotografinë e dy shteteve tona: njëri me një flamur e tjetri me tjetër. Ja tani është duke u shkuar edhe nga ajo që të kemi edhe dy kombe, jo një. Nuk flas për “si”-në dhe “sa”-në e tyre, edhe pse të gjitha njoftimet dëshmojnë se “paria” janë futur thellë në kriminalitet, në naivitet, janë futur thellë në shkatërrimin e kulturës së tyre, ndaj ne sot nuk dimë për të kaluarën e një qyteti, fshati, lagjeje tonë, e lëre më për personalitetet e shquar. Fjalori politik që përdoret brenda hapësirës së shteteve tona është larg çdo dimensioni. A e dini përse?! Për arsye se nuk mbështetet fare mbi mendjen shqiptare dhe vatrën shqiptare. Të gjithë vrapojnë me të madhe që t’i pëlqejnë Perëndimit, Lindjes, Jugut, Veriut… edhe NASA-s. Është për t’u habitur se nga buron kjo forcë e shëmtuar? Gjërat për të cilat jemi bërë copë për njëçast ndryshojnë;kemi ardhur në asi derexheje që një deklaratë e një diplomati e ndryshon diskursnin e “politikës” tonë, dhe vendimet e kuvendit dhe qeverisë. Besoj se jemi të ndërgjegjshëm se çfarë do të thotë kjo: kjo do të thotë se gjendemi mes dilemës të jemi apo të mos jemi.
Nëse në mënyrë serioze shikojmëse ç’janë duke bërë partitë shqiptare, çfarë do të shohim: në Maqedoni u dëshmua se partia “e madhe” shqiptare çdo veprim të vetin, duke filluar që nga organizimi “kryengritës” dhe pas kësaj,e ka bërë në marrëveshje të plotë me “dushmanët” e shqiptarëve. Shqiptarët “e mençur” e hëngrën këtë lojë, e pranuan shumë mirë dhe u desh të kalonin vite e vite që ta kuptonin se kanë qenë të mashtruar. Ja sot nuk kanë mundësi të hapin gojën ngaqë janë zënë në flagrancë. E njëjta gjë ndodhi edhe me partitë politike shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Dita-ditës po zbulohen fshehtësitë që nuk janë fare në interes të tokës, kombit, mendjes dhe kulturës shqiptare: politikë pa parime, pa perspektivë, plot “pendime” dhe plot kundërthënie.
Në hapësirën e Ballkanit ne shqiptarët me shumicë nuk mendojmë asgjë tjetër, përpos se si t’i braktisim trojet tona dhe jemi tepër të interesuar për vizat e shengenit dhe të SHBA-ve. Përpos atyre që merren me politikë! Është shumë interesante se edhe individë që janë jashtë vendit, nëse kanë pak ambicie për politikë dëshirojnë të kthehen: nuk e di pse, a për të ndihmuar apo pse për momentin kjo është e vetmja hapësirë që mundëson pasurim brenda nate (mandati) dhe pa u djersitur. Pas gjithë kësaj, habitem me fjalorin tonë: “patriot shqiptar”!?! Fjala më denigruese për momentin.
Besoj se, duke pasur parasysh atë që u tha më sipër, është koha për t’i ringjallur atë forcën e shenjtë dhe qëllimet fisnike të “Vatrës”, për ta riaktivizuar atë si forcë qëdo t’i ndryshonte gjendjen, tablonë dhe mendësinë shqiptare për një organizim dhe riorganizim që do të mendonte për një shtet modern shqiptar. “Vatra” ka nevojë të bëhet një forcë shumë e rëndësishme, sepse është themeluar në një shtet shumë demokratik që ka respekt ndaj popullit shqiptar dhe “shteteve” shqiptare, ndaj nuk guxon ta keqpërdorë këtë përkrahje të madhe. Besoj se ka pasur kohë të mjaftueshme për ta menduar dhe rishqyrtuarçështjen shqiptare, shtetin shqiptar. Ajo nuk guxon t’u nënshtrohet kërkesave të individëve, “komandantëve” të ndryshëm me fytyrë e pa fytyrë, të cilët që të tregohen se kanë ndikim dhe forcë kanë përdorur mënyra të ndryshme dhe të cilët thuajse të gjithë kanë dëshmuar se nuk e kanë vrarë fare mendjen për çështjen shqiptare. Mjaft ka qenë organizimi, strategjia e shqiptarëve e ndërtuar nëpër restorane e kafene; kultura e kafeneve nuk duhet të jetë kultura jonë.
“Vatra” duhet ta mbrojëçështjen shqiptare, kulturën shqiptare nga shumë gjëra dhe ta kritikojë gjendjen aktuale të shqiptarëve. Sidomos çështja e harmonisë fetare ështënjë çështje me rëndësi që nuk duhet reduktuar në debatin se kjo apo ajo fe është moderne/jomoderne, perëndimore/joperëndimore. Ne e pamë fotografinë e sllavëve që vetëm për arsye se diku ishin shumicë, zhvilluan një luftë të ashpër, të tmerrshme madje edhe kundër atyre që flisnin gjuhën e njejtë, por që i takonin një feje tjetër, e të mos flas për ata që flisnin gjuhë tjetër. Me dinakëri dhe plot mashtrim kjo po mundohet të futet edhe brenda indit tonë shqiptar, dhe atë nga “patriotët” shqiptarë. “Vatra” besoj se është e kujdesshme ndaj kësaj çështjeje shumë të rëndësishme. Ne kemi nevojë që “Vatra”, me forcën që duhet ta ketë, ta pastrojë mendjen shqiptare nga vetë lojërat “shqiptare”; ta krijojë forcën e pavarësisë së mendjes shqiptare kur bëhet fjalë për kombin dhe shtetin; të mundësojë zhvillimin e metafizikës së shëndoshë të fesë qëështë plot dashuri, qetësi e shpëtim. Fjala do të ishte më e padjallëzuar për “Vatrën” vetëm atëherë kur ëndrrat tona do të konstatohen ashtu siç duhet.
Për fat të keq, inteligjencën tonë, të cilën jemi duke e dëshmuar nëpër shumë universitete prestigjoze të botës, si dhe në trojet tona, pa marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe jostabilitetin politik, nuk na lejohet ta vëmë në shërbim të së mirës, duke ditur që kemi të talentuar që kanë mundësi të luajnë rol të madh në ndërtimin dhe rindërtimin e kulturës, shkencës dhe politikës shqiptare. Të gjitha këto keqpërdoren vetëm për arsye të patriotizmit të rrejshëm dhe politikës shtetshkatërruese dhe katundareske të njerëzve që nuk dinë gjë tjetër, përveç “çallëmit” dhe llumit që kanë nëpër mendje dhe trup. “Vatra” ka mundësi të fillojë një riorganizim për mbrojtjen e popullit të vet në nivelin akademik, përndryshe do të bëhemi lodër dhe gaz i botës. Shpeshherë e kam thënë: ne jemi ata që jemi në brendësinë tonë; brendësia jonë është dëshmi e së jashtmes sonë; ndërsa e jashtma/paraqitja jonë është dëshmuar se nuk harxhon për din e iman e vatan asgjë, përpos një leku, dollari, euroje, denari… D.m.th. për momentin aq vlejmë: një lek, një dollar, një euro, një denar…
Letrën po e përfundoj me lutjen: O Zot që Ty të besojmë, kemi nevojë për mëshirën Tënde; kemi nevojë për dashurinë Tënde; jemi të ethshëm për dijen Tënde. Ndihmona që të jemi të udhëzuar, na e forco shtetin tonë; na e pasuro dhe zbukuro kulturën tonë; na e ndriço rrugën tonë si në këtë botë ashtu edhe në botën e amshuar.
Ju faleminderit.
Ismail BardhiShkup, 28 nëntor 2016.