• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkrimtarja që fitoi betejën e jetës

January 29, 2017 by dgreca

1 Me librin

Ismete Selmanaj- shkrimtarja që fitoi betejën e jetës/

1 Liliana me Shenaj

Nga Liliana Pere/Nuk është hera e parë që e intervistoj inxhinieren e ndërtimit dhe shkrimtaren mjaft të njohur në Itali, Ismete Selmanaj. Dhe s’mund të jetë ndryshe;Ismetja na befason çdo ditë e më shumë me veprat e saj, me impenjimin total në shërbim të kulturës shqiptare duke folur në aulat universitare italiane për Shqipërinë, vendin e saj të lindjes.Ismete Selmanaj ka lindur në Durrës. Passioni më i madh i saj ka qenë letërsia dhe që vogël ka shkruar poezi dhe tregime. Edhe pse u diplomua në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në vitin 1991, pasionin për letërsinë e ka kultivuar me xhelozi. Prej vitit 1992 është transferuar në Itali me familjen.Herën e parë që e intervistova ishte në vitin 2015 pas publikimit të librit “Verginità Rapite” – “Virgjëri të vjedhura” në Itali nga shtëpia botuese Bonfirraro Editore. Por ky nuk ishte romani i parë që publikonte.

Në nëntor të vitit 2013 kishte publikuar në Shqipëri nga shtëpia botuese Dudaj, librin “Gjembi dhe trëndafilat”, që shënoi edhe konfirmimin e saj si autore e suksesshme. Libri mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2013” dhe u prit mjaft mirë si nga publiku po ashtu edhe nga kritika. Një vit më vonë në nëntor të vitit 2014 me të njëjtën shtëpi botuese, publikon një libër tjetër më titull “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”. Edhe ky libër mori pjesë në Panairin e Librit të atij viti, duke u klasifikuar si libri i tretë më i shitur në Panair. Në promovimin e këtij libri në Tiranë, gjatë ditëve të panairit, mori pjesë edhe profesori i Universitetit të Palermos Matteo Mandalà.U takuam me Ismeten në Tiranë në maj të 2015. Kishte ardhur në Shqipëri për një intervistë në emisionin e Rudina Magjistarit “Takimi i pasdites”. Një grua e jashtëzakonshme! Folëm si dy mikesha të vjetra, më tregoi për aktivitetin e saj letrar, për jetën e saj. Një grua mbi të gjitha krenare për atë çka ajo quan si fitorja e saj më e madhe – familja e saj; tre fëmijët e bashkëshorti.Në prill ishte publikuar në Itali libri i saj “Verginità Rapite” me parathënie të firmosur nga profesor Matteo Mandalà. Përveç kësaj, ky roman ishte futur si libër studimi në Universitetin e Palermos në Fakultetin e Letërsisë- Filologjisë. Ismetja disa ditë përpara se të takoheshim kishte qenë në një seminar me studentët në këtë Universitet.Më tregoi për takimin me studentët me emocion dhe me një thjeshtësi të tillë, që rrallë herë më ka qëlluar ta gjej tek personat që kam takuar. Është një virtyt i lartë i saj që e çmoj shumë. Ishte mallëngjyer nga pritja e ngrohtë e studentëve, nga fjalët e tyre dhe se si në fund të seminarit, kishin duartrokitur për disa minuta.Një arritje kolosale kjo për një autore shqiptare; të jetë pjesë e kurikulës universitare italiane! Publikimi i këtij libri pati një jehonë të madhe në Itali. Me dhjetëra ishin gazetat e televizionet lokale që shkruan për historinë e fortë që trajtonte ky roman. Kritikë letrar të shumtë e gazetarë italianë e vlerësuan si një vepër letrare të plotë.Në një artikull të njërës prej gazetave me të njohura italiane “ Corriere della Sera”, gazetarja Marzia Nicolini e quan Ismeten një “shkrimtare brilante”. Të shumta ishin dhe promovimet në të gjithë Italinë.Në shtator të 2015 në një promovim në Catania recensioni i librit u bë nga gazetarja e RAI-it Antonella Gurrieri që e cilësoi si një ndër librat më të bukur që kishte lexuar ndonjëherë.Në tetor të 2015, në bazë të një iniciative të Ministrisë së Arsimit Universitetit dhe të Shkencave në Itali që quhej libriamoci – të lexojmë, libri “Verginità Rapite” u zgjodh si libër leximi në dhjetëra shkolla të mesme të Italisë. Ismetja ka qenë e ftuar nderi në këto shkolla ku nxënësit lexonin pjesë nga libri dhe më pas në një bashkëbisedim, bënin pyetje për librin, për Shqipërinë duke qenë se historia e librit është një histori shqiptare.

Një grup teatral i quajtur “Recitando e Parolando” përzgjodhi për të interpretuar nga libri “Verginità Rapite” qarjen me ligje të një nëne labe para trupit të pajetë të djalit të saj. Është pritur jashtëzakonisht mirë kjo pjesë teatrale dhe me një interes të madh për kulturën e çmuar të popullit tonë.Një vit pas të parit, në prill të 2016 publikohet nga e njëjta shtëpi botuese romani triler i Ismetes me titull “I bambini non hanno mai colpe” – “Fëmijët nuk kanë faj asnjëherë” . Tashmë pena e saj njihet dhe vlerësohet si mjaft e arrirë. Për këtë arsye edhe ky libër si i pari, u fut si libër studimi në Universitet. Për tematikën e veçantë që trajton – degjenerimin total të Kanunit në ditët e sotshme në Shqipëri – parathënia profesionale e profesor Matteo Mandalà, i jep njohuri të çmuara publikut italian që është shumë kërkues. Ja çfarë shkruan ndër të tjera profesor Mandalà në parathënien e librit:“Denoncimi i fortë që përshkon romanin e Ismete Selmanaj-t është një simptomë kuptimplotë, që ngjall shpresë dhe thekson angazhimin militant të intelektualëve të rinj shqiptar. Siç ndodh shpesh në letërsi, një vepër arti prek në brendësi ndërgjegjet në mënyrë shumë më efikase se sa një vepër shkencore dhe ndihmon në kuptimin e këtyre fenomeneve sociale komplekse, të rrënjosura dhe shpesh të gjykuara në mënyrë sipërfaqësore”.Ismetja u kthye sërish tek studentët për një seminar për këtë roman. Në një orë leksioni me ta foli për plagën e degjenerimit të Kanunit të kthyer në një teori vrasëse, pa rregulla, pa mëshirë, pa kriter…Blogu që shoqëroi publikimin e librit u radhit në vendin e parë në Sicili. Edhe ky libër pati suksesin e të parit; për të mos thënë më shumë se i pari.

Kritika e vlerësoi si një rritje të mëtejshme të autores, si një triler i nivelit të lartë. Promovimet ishin të panumërta, intervistat po ashtu.Nëpër promovimet e shumta kanë recensuar shumë profesorë universiteti, profesorë të gjimnazeve. Me historinë e këtij libri Ismetja shkoi më tej duke u çimentuar edhe si një gazetare e mirëfilltë.Ka shkruar një artikull të fuqishëm e të hapur për plagën e pedofilisë dhe të ngujimit të fëmijëve për një gazetë investigative Internacionale Flip Neës – Free Lance International Press. Një artikull i pritur mjaft mirë nga lexuesit dhe kritikët si shumë i guximshëm, që flet pa frikë dhe me zë të lartë kundër këtyre fenomeneve që janë turpi i shoqërisë.Në maj të 2016, Ismetja ishte pjesëmarrëse me shtëpinë botuese Bonfirraro në Sallonin Internacional të Librit në Torino si relatore për të promovuar të dy librat. Marrja pjesë në këtë Sallon është maja më e lartë për çdo autor italian dhe aq më shumë për autorët e huaj.Eventi quhej “Visioni in rosa” ku ishin të ftuara tetë autore të shtëpisë botuese Bonfirraro dhe moderatorja ishte gazetarja e gazetës “La Repubblica”, Annarita Briganti. Ishte një ndër eventet më të suksesshme të Salonit të Torinos dhe jehona u përcoll në dhjetëra media të shtypit e televizive.Dhe si gjithmonë Ismetja na befason: në Sallonin Internacional të Librit të Torinos, ishte e ftuar edhe në një stendë tjetër. Atë të Concorso Letterario Nazionale Lingua Madre – Konkursi Letrar Kombëtar Gjuha e Nënës. Në këtë konkurs marrin pjesë gra të huaja që banojnë në Itali dhe që shkruajnë në Italisht.Tregimi i saj me titull “L’amore dentro ai bunker”- Dashuri brenda bunkerëve”, u përzgjodh për t’u publikuar në Antologjinë e quajtur “Gjuha e Nënës- 2016.Gjatë promovimit të librit “I bambini non hanno mai colpe”, kryetarja e Bashkisë së komunës ku banon, onorevole Bernadette Grasso, e vlerësoi Ismeten me një medalje nderi me motivacionin “Zonjës Ismete Selmanaj, me një vlerësim të lartë për veprat e realizuara dhe sukseset e arritura”.

Në tetor të 2016 edhe libri “I bambini non hanno mai colpe” u përzgjodh nga Ministria e Arsimit si libër leximi në dhjetëra shkolla të mesme.Në 25 Nëntor të 2016, Ismetja ishte e ftuar në Festivalin Mesdhetar të Librit në Salento së bashku me emra të njohur të letërsisë shqiptare. Në Universitetin e Salentos, në seminarin “ Rëndësia e përkthimit për letërsinë shqiptare. Eksperienca të shkrimtarëve emigrantë dhe të shkrimtarëve të përkthyer jashtë kufijve”, Ismetja foli për aktivitetin e saj letrar. Theksoi se brezi i parë e më pas brezi i dytë i shkrimtarëve emigrantë, janë shumë të çmuar në përcjelljen sa më besnike në italisht të veprave të tyre, duke bërë kështu të njohur kulturën shqiptare në botë.Është edhe një arsye delikate e intime që më shtyu të shkruaj për këtë shkrimtare të suksesshme. Ismetja gjatë këtij viti ka pasur betejën më të rëndësishme të jetës së saj; atë të luftës së vështirë me një tumor. Kjo nuk e ka ndaluar shpirtin e saj luftarak duke dhënë vetëm mesazhe pozitive dhe duke u bërë shembull për shumë persona që po luftojnë me sëmundjen e shekullit. Kjo nuk e ka penguar aspak të vazhdojë me promovimet e artin e të shkruarit. Ismetja ka folur hapur për luftën e saj, pa dorashka, pa ndrojtje duke treguar edhe për momentet më intime të saj.Ka treguar me një delikatesë të pafund për heqjen e gjoksit, e mbetur pa flokë, e shndërruar nga sëmundja, por asnjëherë pa buzëqeshjen diellore që ngroh zemrat dhe shpresat e shumë të sëmurëve. Ka dokumentuar të gjitha ndryshimet e trupit të saj me bashkëpunimin e një fotografeje shumë të talentuar, Nerina Toci. Ka fotografuar të gjitha plagët e trupit me një paqe e buzëqeshje që duket sikur thotë: unë do të fitoj! Një grua e fortë dhe me një talent të rrallë që prezanton në mënyrë të shkëlqyer gruan shqiptare në botë. Për më shumë ndiqni bashkëbisedimin me të.

 

***

Liliana:* E dashur Ismete, dy libra në shqip, dy në italisht. Të dy librat nё gjuhën italiane  janë pjesë e kurikulës universitare italiane. A mund të na flisni pak për tematikën e këtyre librave?

Ismete Selmanaj- Si fillim, ju falënderoj zonja Liliana për këtë intervistë. Unë ju ndjek me kënaqësi në punën tuaj të palodhur në promovimin e grave të suksesshme në të gjithë botën, shkrimet tuaja te bukura, që tani besoj ja kane kaluar dy ose tre romaneve me ngjarje te jetuara sa te njejta po aq dhe te ndryshme, plot forcë sakrifica e suksese te gruas shqiptare ne bote. Zeri i grave vjen afer vendit te tyre nëpërmjet teje. E bëni me një dashuri e pasion që është për t’u admiruar,si  askush. Të dy librat e mi të publikuar në Itali, trajtojnë histori shqiptare.

Historia e romanit “Verginità Rapite”, i ka fillimet e saj në fundin e vitit 1979. Mira, një vajzë 15 vjeçare, nxënëse e shkëlqyer që ëndërron të bëhet pediatre, pëson një përdhunim barbar nga sekretari i Partisë së shkollës. Përveç tmerrit të përdhunimit, Mirës i duhet të përballet edhe me opinionin që e quan atë fajtore për çfarë ka ndodhur. Jeta e saj do të jetë vazhdimisht në shënjestër të ish-sekretarit të Partisë, i cili edhe pas rrëzimit të diktaturës, është sërish në majat e politikës shqiptare. Ishte i pacenueshëm më parë dhe vazhdon të jetë ende më i fuqishëm dhe hakmarrës se kurrë.

Por Mira nuk e ul kokën. Lufton për t’u ngritur nga balta ku e hodhi dhuna e pamëshirshme e sekretarit dhe bëhet si një nënë, motër, vajzë e dhembshur për gratë e vajzat e dhunuara dhe fëmijët e tyre. E kthen shtëpinë e saj në një strehë të ngrohtë për këdo që ka nevojë. Arrin të gjejë edhe dashurinë e vërtetë atëherë kur mendonte që s’kishte për ta gjetur kurrë. Libri është një himn jo vetëm kundër dhunës ndaj grave, por kundrejt dhunës sistematike të popullit shqiptar; të shtypur, pa të drejtë fjale dhe mendimi nga një prej regjimeve më totalitar në botë për thuajse gjysmë shekulli.

Pyetje :Libri “I bambini non hanno mai colpe”, trajton një temë që sot është shndërruar në një fenomen social shumë problematik në Shqipëri: atë të ngujimit të fëmijëve të pafajshëm në emër të Kanunit. Dhe jo vetëm kaq, sot vrasjet për një fjalë të tepërt janë në rend të ditës. A mund të na tregoni diçka më shumë për këtë libër, pa u hequr kuriozitetin lexuesve që do ta lexojnë në të ardhmen?

Ismete Selmanaj- Trileri “I bambini non hanno mai colpe” është një denoncim i fortë ndaj asaj çka po ndodh në Shqipërinë pas komuniste, si ka ndryshuar mentaliteti, shoqëria, si u shkatërruan si të ishin kështjella prej rëre tabu shekullore që edhe regjimi komunist nuk mundi t’i shkatërronte krejtësisht.Në qendër të trilerit është pedofilia, një nga plagët më të shëmtuara të njerëzimit rreth së cilës rrotullohet jeta e katër personave, tanimë burra, të lidhur nga një fat i hidhur në të kaluarën që ka kushtëzuar krejtësisht jetët e tyre. Historia e romanit nis në një fshat të vogël në veri të Shqipërisë. Gjergji dhe vëllai i tij Sokoli, janë dëshmitarët e vetëm të vdekjes së babait të tyre kur ishin vetëm 12 dhe 11 vjeç. Sikur të mos mjaftonte kjo, do ta gjejnë veten në kurthin e Kanunit dhe të gjakmarrjes . E gjithë kjo sepse gjyshi akuzon nusen dhe nipërit për vdekjen e djalit të tij duke kërkuar me çdo kusht në emër të Kanunit gjakun e të birit. Në libër nuk kërkoj të shpjegoj Kanunin; këtë detyrë le t’ia lemë studiuesve e historianëve. Jam përpjekur të tregoj se ç’ndodhi në Shqipëri pas rënies së komunizmit ku pas një gjumi letargjik të gjatë pothuajse gjysmë shekulli u zgjua Kanuni i Lek Dukagjinit, më konfuz e më i pamëshirshëm se më parë. Vrasjet në emër të Kanunit janë në rend të ditës. Inatet e mëritë e vjetra filluan saktësisht aty ku i pati shtypur regjimi i Hoxhës me grusht të hekurt…por tanimë pa rregulla – ti vret sot, për t’u vrarë nesër. Gjakësit nuk ndalen më as para fëmijëve e grave. Sot, njerëzit vriten edhe për një fjalë të tepërt, për një metër tokë të fqinjit, për një vështrim të vëngër. Por tragjedia më e madhe që më prek si grua dhe si nënë e tre fëmijëve, është ajo e fëmijëve të ngujuar dhe pedofilisë. Mesazhi që dua të përcjell me këtë roman është një denoncim i fortë kundrejt këtyre fenomeneve, një thirrje shoqërisë shqiptare për të bërë diçka që tu japë fund këtyre turpeve shoqërore dhe për t’u përballur me drejtësinë.

Pyetje :Tema të forta që kanë ngjallur interes të jashtëzakonshëm për publikun italian. Gjatë promovimeve të shumta dhe takimeve me studentë të universiteteve dhe të shkollave, ka pasur ndonjë pyetje të veçantë apo ndonjë event që ju ka lënë më shumë mbresa?

Ismete Selmanaj- Takimet me studentët e nxënësit e shkollave të mesme janë të paharrueshme për mua. Studentët e Universitetit të Palermos pasi të mbarojnë studimet, do të punojnë në fushën sociale. Do të kenë të bëjnë me kultura personave të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Duke marrë njohuri të këtyre kulturave nga librat e shkollës, me anë të literaturës i plotësojnë e i thellojnë më tej, duke mos i gjykuar për atë çka mund t’u duket e pabesueshme. Ja pse është shumë e rëndësishme që autorët që sjellin në gjuhë të huaj veprat e tyre, të jenë të kujdesshëm në mesazhin që përcjellin…Sidomos kur bëhet fjalë për fenomene sociale delikate.Kur një student i Universitetit tё Palermos më tha që, pasi kishte lexuar librin “Verginità Rapite”, kishte kuptuar pse ishin larguar në masë shqiptarët gjatë eksodit të madh të viteve 1990-1991, për mua ishte një fitore e madhe dhe një përgjegjësi akoma më e madhe. Përgjegjësia që mbaj para lexuesve që lexojnë romanet e mi, përgjegjësia para historisë së vendit tim, Shqipërisë.Diçka tjetër që e ruaj si kujtim të shenjtë, ka qenë promovimi i parë në Itali i librit “I bambini non hanno mai colpe”. Në Bibliotekën Komunale të Capo d’Orlandos-s, afër vendit ku banoj, do të bëhej promovimi i parë sepse libri sapo kishte dalë nga shtypi. Shumë lexues që kishin lexuar librin e parë “Verginità Rapite”, po e prisnin me padurim këtë libër. Kur mbërrita në Bibliotekë dhe pashë që kishte njerëz në radhë për të qenë të parët për të marrë autografin tim, u ndjeva krenare. Emocione që s’përshkruhen me fjalë!

Pyetje : Me të vërtetë sukses pas suksesi e dashur Ismete! Ne jemi vazhdimisht në kontakt dhe e di fare mirë luftën tuaj me tumorin. Kam parё tё gjitha postimet e tua të para ku flisje hapur për këtë betejë, isha e sigurt që do të fitoje! Në mesazhet e tua nuk ka dorëzim para sëmundjes, trishtim apo zemërim, por vetëm besim, forcë, shpresë. Çfarë mund t’i thoni personave që po bëjnë të njëjtën betejë?

Ismete Selmanaj- Para një viti u diagnostikova me një tumor malinj në gjoks. Nuk them se ka qenë një betejë e lehtë, përkundrazi….Ka pasur momente të vështira gjatë terapisë së gjatë me kimioterpi dhe cikleve të rrezeve.  Shikon trupin tënd të pësojë shndërrime të mëdha, të bien flokët, qerpikët, vetullat. Të hiqet një pjesë që të identifikon si grua, si nënë. E kam përballuar këtë betejë falë forcës e kurajës  sime, pozitivitetit, mjekëve, infermierëve, të afërmve, miqve. Por mbi të gjitha falë dashurisë së familjes sime, dashurisë që kam dhënë dhe asaj që kam marrë. Kur beteja bëhet e vështirë, duhet të luftohet sa më shumë pa u dorëzuar me besimin e plotë që do të fitosh. Asnjëherë s’kam menduar të kundërtën. Deri tani kam fituar unë dhe kjo betejë më ka bërë më të fortë. Të gjithë personave që po luftojnë të njëjtën betejë, u them të mos dorëzohen kurrë sepse është një luftë që mund të fitohet!

Pyetje:Mbështetja e familjes suaj ka qenë totale dhe shumë e rëndësishme, por përmendët edhe mbështetjen e familjarëve dhe miqve. Si i keni lidhjet me vendin e lindjes dhe me vendin ku keni kaluar gjysmën e jetës, Italinë?

Ismete Selmanaj- Shqipëria është nëna, djepi që më ka përkundur. Atje kam thënë fjalët e parë, hapin e parë. Atje vajta në shkollë për herë të parë. Atje kam rrënjët e mia. Shkojmë çdo vit të gjithë në Shqipëri dhe kalojmë pushimet me të bukura në botë. Por ka disa herë të para që i kam përjetuar vetëm në Itali.Në Itali u bëra nënë për herë të parë. Në Itali hyra për herë të parë në disa aula universitare dhe në dhjetëra shkolla për të folur për Shqipërinë. Në Itali po luftoj për herë të parë dhe të fundit me një sëmundje të vështirë. Asnjë nga këto gjëra s’i kam përjetuar në Shqipërinë time. Jam me gjysmën e zemrës në vendin ku u linda dhe me gjysmën në vendin ku kam kaluar gjysmën tjetër të jetës.

Pyetje :A ju duket me interes puna e organizatës “Gruaja Shqiptare në Botë” dhe a keni ndonjë sugjerim?

Ismete Selmanaj- E kam ndjekur me shumë interes punën e organizatës “Gruaja Shqiptare në Botë” që drejtoni ju Liliana. Intervistat e grave të suksesshme të shpërndara në çdo cep të botës, e ngrenë lart figurën e gruas shqiptare. Dhe treojnë se Shqipëria ka potenciale te medha . Bota duhet ta mësoje këtë gjë. Per këte gje ju personalisht  ju  vleresoj  shume  për sensin human, pozitiv dhe patëriotik me të cilin punoni. Nëpërmjet këtyre intervistave kam njohur gra artiste, shkencëtare, shkrimtare, sportiste, aktore, avokate, këngëtare, politikane… Na bëjnë krenare të gjithave gra të tilla. Sugjerimi që mund të jap nuk është për organizatën por për të gjitha gratë shqiptare kudo që janë. I ftoj të mbështesin këtë organizatë duke u bërë anëtare të saj. Sa më shumë të jemi, aq më shumë do të bëjmë të dëgjohet zëri ynë, forca jonë e pashteruar. Ne dobi tashmë  të vehtes se shikojmë se si punoni ju.Faleminderit Liliana për mbështetjen tuaj morale dhe reale dashamirëse , sepse gjithkush nga ne ka nevojë të njifet në Atdhe dhe të ndihet e vlerësuar nga publiciteti , puna juaj dhe promovimit të multi vlerave.

Pyetje :Diçka për projektet tuaja të ardhshme?

Ismete Selmanaj- Kam në dorë një roman që e kam shkruar gjatë kohës së luftës sime me tumorin. Kam përfunduar pjesën më të madhe të tij. Si rregull, nuk flas me askënd përpara se ta mbaroj. Për tani mund të them vetëm që është një roman që është shkruar në vetën e parë. Ky lloj shkrimi mund të japë përshtypjen që është roman autobiografik. Por s’ka asgjë autobiografike. Është thjesht një zgjidhje taktike e mënyrës së të shkruarit.

Liliana Pere:Ju faleminderit e dashur Ismete dheju uroj  punë të mbarë në rrugëtimin tuaj në krijimtarinë  letrare duke ju uruar shëndet të plotë!.

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ismete Selmanaj, Liliana Pere, Shkrimtarja që fitoi betejën e jetës

“Virgjëri të vjedhura” ne Universitetin e Palermos

June 5, 2015 by dgreca

Librin e shkrimtares së suksesshme shqiptare Ismete Selmanaj Leba,Verginità Rapite”( Virgjëri të vjedhura) e japin provim studentët e Universitetit të Palermos./
Intervistë nga Liliana Pere me Ismete Selmanaj
Nga Liliana Pere-Presidente e Gruaja Shqiptare në Botë/
Në prill të këtij viti u publikua në Itali libri “Verginità Rapite” ( Virgjëri të vjedhura) nga Ismete Selmanaj Leba me parathënie të përgatitur nga profesor Matteo Mandalà i Universitetit të Palermos. Ky libër u është dhënë për t’u studiuar rreth 200 studentëve të Universitetit të Palermos, mbi gjendjen e gruas shqiptare dje dhe sot. Pikërisht këto ditë studentët po japin provim mbi këtë libër.
Ismetja tani është një shkrimtare e njohur, për të cilën kanë folur shumë media lokale italiane si dhe gazeta prestigjioze “Corriere Della Sera”, që e quan një shkrimtare brilante.
Romani i saj i parë ka qenë “Gjembi dhe trëndafilat”, i publikuar nga shtëpia botuese Dudaj. Ky roman mori pjesë në Panarin e Librit “Tirana 2013”. Më pas, publikohet një libër tjetër në shqip me titull, “Kokat e dy lejlekëve të purpurt” nga e njëjta shtëpi botuese. Të dy librat janë pritur shumë mirë nga publiku në Shqipëri. Te parin e përktheu vetë në italisht dhe pati një interes të madh nga një numër i madh i shtëpive botuese ne Itali për ta publikuar. Libri doli me titullin “Verginità Rapite” nga shtëpia botuese, Bonfirraro Editore, që shpërndan në të gjitha libraritë Mondadori në Itali. Përveç kësaj libri “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që autorja po e përfundon në italisht dhe shumë shpejt del në tregun italian, është në program për t’u studiuar nga studentët që do të diplomohen në vitin akademik 2015-2016 në Universitetin e Palermos.
Janë bërë disa promovime në Itali, në Capo d’Orlando, Palermo, Milano. Në promovimin në Capo d’Orlando, mori pjesë edhe kryetarja e bashkisë së qytetit ku banon, Bernadette Grasso.
Ne 19 maj 2015, ishte e ftuar edhe për një seminar me studentet e Universitetit të Palermos.
Diçka nga jeta e shkrimtares Ismete Selmanaj
Kam lindur në qytetin bregdetar të Durrësit në vitin 1966. Mbarova studimet në gjimnazin “Naim Frashëri” dhe më pas Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, ku dhe u diplomova në vitin 1991. Prej vitit 1992 jam transferuar me familjen në Itali ku banoj ne provincën e Messina-s. Letërsia ka qenë pasioni im i hershëm dhe kam shkruar poezi e tregime që kanë fituar edhe çmime në konkurset kombëtare të kohës. Kam shkruar më pak gjatë viteve të Universitetit duke qenë se ishte një degë studimesh që kishte shumë pak lidhje me letërsinë.
Por pasioni mbetet pasion …
Kështu nisa të shkruaj sërish. Në nëntor të vitit 2013 u publikua nga shtëpia botuese “Dudaj” , libri im me titull “Gjembi dhe trëndafilat” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2013”. Një vit më vonë, në nëntor të vitit 2014, publikohet nga e njëjta shtëpi botuese libri “Koka e dy lejlekëve të purpurt” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2014”.
Pyetje: Liliana Pere
Diçka të shkurtër mbi tematikën që trajton libri “Verginità Rapite” dhe “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Historia e këtij libri, nis në fund të vitit 1979. Mira, një vajzë 15-vjeçare përdhunohet në mënyrë çnjerëzore nga Sekretari i Partisë së shkollës. Kalon njëkohësisht tmerrin e përdhunimit, përçmimin e opinionit që e quan atë fajtore, dhe ndarjen me forcë nga e vetmja krijesë që solli në jetë. Është vështirë që t’i kuptosh vitet e diktaturës, po të mos i kesh jetuar. Mira u përpoq me të gjitha forcat t’i mbijetojë atij Gjembi të errët, që shqiptarët e përjetuan për pothuajse 50 vite radhazi, duke pritur të shohin dritën në fund të tunelit. Ajo mbolli mirësi tek shumë njerëz, e më në fund e gjeti dashurinë e vërtetë të saj. Iu desh të kalojë shumë dhimbje, por edhe të luftojë për lumturinë e saj. Kur më në fund diktatura ra, Mira vuri re me hidhërim, se ish- komunistët e vjetër ishin “shndërruar” në “demokratë”të flaktë dhe kishin ndërruar vetëm emrin. Pasi kishin pastruar arkivat e shtetit nga materiale komprometuese që i lidhnin në mënyrë direkte me krimet e komunizmit, filluan të ngjisnin gjithnjë e më shumë shkallët e politikës. Shqipëria mbeti në një tranzicion të pafund, si një grua me dhimbje lindjeje prej 25 vjetësh që nuk arrin të lindë e të sjellë në jetë demokracinë.
Ndërsa libri “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, trajton një aspekt tjetër të shoqërisë shqiptare. Atë të pasojave shkatërruese që ka lënë tek dy fëmijë të vegjël gjakmarrja që u zgjua nga gjumi letargjik ku e vuri diktatura komuniste për gjysmë shekulli. Por ky libër trajton edhe “të rejat” e huazuara nga bota perëndimore që për shoqërinë e kulturën shqiptare kanë qenë të panjohura; atë të pedofilisë dhe të abuzimit me të miturit. Kohët e fundit janë të shumta rastet që dëgjojmë për ngjarje të tilla të rënda dhe të panjohura për kulturën dhe shoqërinë shqiptare tradicionale.
Pyetje : Liliana Pere
Ismetja tani punon jo si Inxhiniere por si një shkrimtare e suksesshme, sa e vështirë ka qenë kjo rrugë për Ismeten ?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Kur erdhëm në Itali së bashku me tim shoq, të dy Inxhinierë Ndërtimi, u ndeshëm me vështirësitë e gjuhës, të ambientimit në një vend që s’e kishim parë ndonjëherë, të të gjendurit vetëm, por edhe pse jo, me indiferentizmin e shoqërisë. Na është dashur të punojmë dhe të djersitim shumë. Por pak nga pak, arritëm ta gjejmë veten në shoqëri dhe të rrisim tre fëmije të mrekullueshëm që janë krenaria jonë; Arbër 22 vjeç, student i mjekësisë në Bologna, Andrea 16 vjeç që sapo mbaroi vitin e dytë të gjimnazit dhe Fabio 9 vjeç që mbaroi klasën e tretë.
Pyetje : Liliana Pere
Si vazhdon komunikimi me Shqipërinë? Sa nostalgjike është Ismetja për vendin e saj Shqipërinë dhe sa mirënjohëse për Italinë qe i krijoji këto mundësi si një shkrimtare e vlerësuar dhe sa është nostalgjike për vendin e saj Shqipërinë?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Nostalgjia është e paimagjinueshme dhe sa herë që kthehem në Shqipëri, ripërtërihem. Është toka ku kam lindur dhe jam rritur. Në Shqipëri kam rrënjët e mia dhe ato janë të domosdoshme e të një rëndësie jetike sepse na mbajnë me këmbë në tokë. Pa rrënjë, na merr era dhe na çon kuturu. Edhe librat e mi trajtojnë tematika sociale të shoqërisë shqiptare. Mund t’i publikoja fillimisht në Itali ku shtëpitë botuese kane politika ekonomike të ndryshme nga ato në Shqipëri. M’u duk e udhës kështu; t’i publikoj fillimisht në Shqipëri. Gjaku s’bëhet ujë.
Sinqerisht, prisja të flitej më shumë në mediat shqiptare ku librat kanë disa vjet që janë publikuar. Është folur më shumë në Itali ku libri ka vetëm disa muaj që ka dalë në treg; dhe kjo është diçka që më hidhëron.
Më pyetët se sa mirënjohëse jam për Italinë.
Italia është vendi im i dytë, kam kaluar këtu gjysmën e jetës sime. Në Sicili, ku banoj, kanë lindur e rritur fëmijët e mi. Sicilia është një tokë e ngrohtë dhe njerëzit i ka të tillë. Edhe në librin “Verginità Rapite” ka një lidhje shumë mallëngjyese me Sicilinë dhe sicilianët. Italia e priti historinë që solla me anë të librit tim jashtëzakonisht mirë dhe jam e mbytur nga mesazhet që arrijnë nga persona nga çdo cep i Italisë.
Pyetje : Liliana Pere
Si ndihet Ismetja si nënë e tre djemve ?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Si nënë, jam shumë e lumtur dhe krenare. Djali i madh është një student model në Bologna. Edhe dy të tjerët janë në gjurmët e të madhit. Janë mbi të gjitha shqiptarë dhe flasin gjuhën shqipe shumë mirë.
Pyetje : Liliana Pere
Rruga juaj e suksesit si shkrimtare, a ka qenë e vështirë në një vend të huaj si Italia?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Mund të duket si paradoks, por më të vështirë e pata në fillim kur sapo mbërrita, se sa kur i hyra rrugës së publikimeve në Itali.
Nuk njihja asnjë, kisha vetëm një libër në duar dhe me mijëra e mijëra adresa e-mail- i të shtëpive botuese në Itali. Fillova t’u shkruaj duke bërë një prezantim të shkurtër, një përmbledhje të librit dhe në se do t’u dukej me interes do të me kërkonin tekstin e plotë. Më kërkuan tekstin e plotë të gjitha shtëpitë botuese që u kisha shkruar! Mbeta e habitur, nuk arrija ta besoja por edhe u lumturova. Zgjodha Bonfirraro Editore sepse e kisha vendosur që librin ta publikoja me një shtëpi botuese siciliane. Dhe kjo shtëpi botuese është nder më të mirat dhe të gjithë librat që publikon, shpërndahen në të gjitha libraritë Mondadori.
Jam krenare që kam shkruar tema të shoqërisë shqiptare dhe jam përpjekur t’u tregoj , si të rinjve të sotshëm në Shqipëri por edhe publikut italian, si ishte të rroje në vitet e diktaturës dhe mbi të gjitha të ishe grua në ato vite. Nuk e di sa e kam përmbushur këtë objektiv timin, por kur një nga studentët e Universitetit të Palermos më tha që, pasi kishte lexuar librin tim kishte mësuar shumë gjëra për Shqipërinë, por mbi të gjitha kishte kuptuar pse ikën shqiptarët nga vendi i tyre në vitet 90, kjo për mua ishte krenaria dhe fitorja më e madhe.
Pyetje: Liliana Pere
Si e shikoni pozicionin e gruas në emigracion dhe në Shqipëri?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Mendoj se për çdo njeri që emigron në një vend tjetër, vështirësitë janë të shumta. Jo gjithmonë i jepet pozicioni që meriton dhe duhet të jetë i aftë dhjetëfish më shumë se një vendali. Vështirësitë shtohen kur vjen nga një vend që ka pasur probleme ekonomike e politike. Kjo gjendje të detyron të mbijetosh, para se të fillosh të jetosh në vendin që ke shkuar. Kur je grua, nënë, bashkëshorte, emigrimi peshon shumë dhe shpesh je e kushtëzuar nga impenjimet familjare. E megjithatë shumë gra shqiptare në shumë vende të botës, kanë arritur suksese të jashtëzakonshme. Kanë treguar që kanë talent, inteligjencë, forcë, zemër, pasion. Dhe kur dëgjoj për gra të tilla, duke qenë edhe unë në emigrim dhe e di sa e vështirë është, më mbushet zemra plot. Dua t’i njoh, t’i përqafoj ,të dëgjoj historitë e tyre…
Ja pse falënderoj pa masë Organizatën e Gruaja Shqiptare në Botë, që na njeh me gra të tilla që janë shembull frymëzimi për shumë të tjera.
Edhe në Shqipëri janë bërë hapa të rëndësishëm përpara. Gruan tashmë e gjen në pozicionet më të larta dhe prestigjiozë. Për pozicionin e gruas ne Shqipëri, folëm edhe me studentët në Palermo. Më pyetën për shumë aspekte të jetës së gruas. U tregova se në Tiranë, ku është stabilizuar një numër shumë i madh banorësh që kanë zbritur nga zonat malore, është normale të gjesh familje ku dominon Kanuni i Lek Dukagjinit me rregullat e ligjet e tij. Çifte që bashkëjetojnë të qetë pa e pasur aspak problem që s’janë të martuar. Gjen vajza që janë bërë nëna dhe i rrisin fëmijët vetëm pa i treguar njeri me gisht si jo të denja për shoqërinë.
Megjithatë, dominon familja tradicionale dhe mentaliteti maskilist që ka shoqëruar në shekuj shoqërinë shqiptare, është i vështirë për t’u përmbysur. Është shumë më e lehtë të ndryshohen ligjet, se sa mentaliteti maskilist i burrave shqiptarë. Në këtë pikë, mendoj se gruas shqiptare, por mbi të gjitha shoqërisë shqiptare, i duhet shumë punë për të bërë.
Pyetje : Liliana Pere
Si e morët informacionin për Organizatën tonë Internacionale Gruaja Shqiptare në Botë që promovon gratë e suksesshme,dhe pse pikërisht mu drejtuat mua ?
Përgjigje: Ismete Selmanaj
Në radhë të parë ju falënderoj për punën që po bëni për promovimin e grave të suksesshme shqiptare në botë. Unë nuk dija asgjë për organizatën tuaj, por fare rastësisht pashë një shkrimin tuaj për Irma Kurtin që është një poeteshë dhe shkrimtare e shkëlqyer që na bën të ndjehemi krenarë. Ju drejtova ju sepse u kam shkruajtur shumë gazetarëve dhe mediave shqiptare, por nuk kanë treguar shumë interes. Janë shkruar dy intervista të mia tek një portal në Shqipëri dhe Kosovë dhe asgjë më tepër.
Ju falënderoj për interesimin dhe punë të mbarë!
Nga Liliana Pere
Presidente e Gruaja Shqiptare në Botë

Filed Under: Interviste Tagged With: Ismete Selmanaj, Liliana Pere, Palermo, Virgjëri të vjedhura

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT