“Unë linda njeri, dhe dua të vdes njeri.” Këtë thënie të Gëtes e kam pasur si prioritet në jetë dhe e stimulojë dhe tek fëmijët e mi./
Bisedoi Keze Kozeta Zylo/
Zoti Luzaj, na flisni ju lutem për familjen tuaj dhe si e keni përjetuar fëmijërinë në Shqipëri?
Zonja Zylo, në radhë të parë dëshiroj t’ju falenderoj për interesimin tuaj ndaj meje dhe familjes sime.Jeta ime është ashtu si dhe e qindra e mijëra fëmijve të brezit 1944, të cilët mbetën jetim apo gjysmë jetim si unë. Unë linda me fat të keq për vete dhe Atdheun. Baba, mbas ardhjes në fuqi të diktaturës së egër komuniste në nëntor të vitit 1944, me dy kushërinjtë e pare professor Isuf Luzaj dhe vëllain e tij, Ifraim Luzaj u larguan nga Atdheu. Në atë kohë, unë isha vetëm gjashtë-muajsh. Qysh atëhere filloi kalvari i vuajtjeve tona.
Babai juaj u arratis, çfarë u bë me familjarët që nuk u larguan dot nga Shqipëria?
Pothuajse të gjithë më të mëdhenjtë përfunduan nëpër burgje, që nga gjyshi dhe deri te xhaxhallarët. Unë dhe nëna, kur në shtëpi mbetën vetëm gyshja dhe dy hallat, na u desh të shkonim të jetonim tek vëllezërit e nënës në Kaninë. Shteti i diktaturës shtetëzoi gjithcka, dhe na la shumë pak tokë për t’u ushqyer. Unë bëra tre vjet të shkollës fillore tek dajot, deri sa doli gjyshi nga burgu.
Në vitin 1954, shkova në Vlorë me nënën. Gjyshi na kish bërë një kasolle në oborrin e shtëpive tona, mbasi në ato jetonte sekretarja e Gaqo Neshos me familje. Aty, me rrogën e nënës punëtore 4300 lekë, m’u desh të kaloja të gjithë fëmijërinë time deri ne mbarim te shkollës së mesme në vitin 1962. Megjithëse jetonim në qytet, unë studioja me kandil. Për arsye të rezultateve të mira, kur diktatura dhe lufta e klasave ra një farë soji, m’u dha e drejta e studimit për fizikë, ashtu si edhe shumë fëmijë të tjerë të persekutuar.
E ushtruat profesionin tuaj pas mbarimit të studimeve?
Menjëherë pas mbarimit të studimeve, u emërova në Vlorë nga Ministria, por që Vlora më la pa punë. Aryseja dihetj i persekutuar, kondita të këqia politike. Më dhanë tri herë fletë pune për elektriçist, por asnjëherë nuk më pranuan në punë. Kjo ka qënë një nga periudhat më të vështira për mua, në këtë kohë vazhdonte të më ushqente nëna. Kur mbarova universitetin, ne të persekutuarit na conin jo në zborë tre-mujor si gjithë të tjerët, por dy vjet ushtar. Unë bëra vetëm një muaj e gjysëm dhe u lirova pasi në 1965’ën kisha kaluar një koncesion polmonar, dhe isha shtruar në senatorium. Kështu që mbasi shkova në spital ushtarak, u lirova dhe i shpëtova fermës ushtarake në Kakruk të Skraparit.
Cilat kanë qëne tmerret që ju keni ndjerë dhe parë me sytë tuaj?
Pasi dola nga spitali ushtarak, më kërkuan të shkoj si arsimtar në Zhep të Skraparit sepse kishte nevojë për arsimtar. Më kujtohet udhëtimi gjashtë-orësh nëpër malet e Skraparit, në Grykën e Dëvririt. Më zuri një dëborë e madhe që më arrinte deri në brez—nga Çorovoda dhe deri në Gjerbës. Isha i shoqëruar nga postieri i asaj zone. Me një çadër dhe një valixhe, mbërrita në Gjerbës dhe, një ditë më vonë, në Zhep. Zhepi ishte dy orë e gjysëm larg Gjerbës mbasi kaloje Lumin e Tomorricës. Në atë zonë të ashpër, ku shihje një qindarkë qiell me sy, sic thosh një mësues i persekutuar gjirokastrit, fillova punën si mësues. Atje gjeta mikpritje bujare të familjeve Skrapalie, dhe dashurinë e nxënësve që ishin më të mjeruar se Lulat e Migjenit. Ato ishin fytyra të bukura, por të zvenitura nga ushqimi i keq. Më dalin përpara syve këpucët e tyre të hapura—dukeshin sikur do kafshonin mësuesin. Rrobat me aq shumë andra, nuk kish ku t’i kafshonte as qeni.
Atje, në Gjerbës, njoha mësuesin dhe mikun tim të persekutuar Ksenofon Dilon dhe një plak tepër fisnik mbi të 80’at. Plaku, gjysmë i kërrusur, ishte larguar në emigracion që nga 1900 deri ne 1912 në Turqi. Pastaj, ai ishte në Amerikë deri ne 1930, kur dhe u kthye në Shqipëri. Po e përmend këtë plak për dy tregimet historike të tij:Ai dhe disa të rinj Shqiptar kishin pritur me duar-trokitje Ismail Qemalin ne 1911 dhe ai iu kishte thënë: “mos duar-trokisni djema, se nuk kemi bër atë që duhet akoma për Shqipërinë” dhe që edhe sot nuk është bërë akoma ajo që duhet për Shqipërinë.
Ndërsa Abdul Frashëri, tregonte plaku, kur shkoi te Bismarku, ky i fundit e pyeti: “Ka shumë Shqipëria njerëz të mësuar si ti?” Dhe Abdyli iu përgjigj: “Po.” Ndërsa Bismarku i tha: “Ai komb, do 100 vjet me kërbaç dhe 100 vjet arsim dhe dituri, pa të hyjë në rradhët e kombeve.”
Sa kohë qëndruat në Zhepe?
Deri në vitin shkollor 1969-70, kur më transferuan më afër në Kakrut, midis Çorovodës dhe Poliçanit. Kjo m’u bë për hir të respektit që fitova nga populli i Zhepës, dhe nga Shefi i Seksionit të Arsimit. Kakruka qe një fat për mua, se dhe u fejova, dhe realizova një nga ëndrrat e bukura të mijat. Gjeta personin më ideal në jetë, që nuk do ta krahasoja as me një anëtare të Komitetit Qëndror, apo të Parlamentit—bij e një të burgosuri të dënuar me pushkatim, që për mungesë faktesh, iu kthye me jetë burg. Ajo pati njohur babën e vet përmes hekurave të Burgut të Burrelit. Ai kishte qën Emisar Politik i Ballit për zonën e Lumit të Vlorës, me pseudonimin “Besniku.” Ai ishte Neim Sheka nga Smokthina. Pas burgut, u internua në Smokthinë të Vlorës, në Bashaj. Bashkëshortja ime, Engjëllushja, është edhe mbesa e familjes të dëgjuar të Agajve. Ajo u adoptua nga halla e saj që të vazhdonte shkollën në Durrës—aty ku unë e pashë dhe e njoha për herë të parë. Ne ditën e parë kur u fejuam, unë desha t’i thosha dy gjëra, ndërsa ajo më ndërpreu: “Nuk kam nevoj, i di të gjitha.” Ajo ishte e zgjuar, e mëncur, dhe shumë e shkathët. Më ka qëndruar besnike hap-pas-hapi, asnjëherë nuk më eshtë ndarë, e cilaë ka qenë shkaku kryesor që i kam shpëtuar burgut.
Po ju u internuat?
Internimit i kam shpëtuar në 1965-67-en për arsye se isha student dhe i sëmurë. Dhe nënën si grua plakë, nuk e prekën. Internuan vetëm xhaxhanë me familje, dhe kushërinjtë e mij, fëmijët e Profesorit. Por, unë persekutimin më të madh e pata që nga 1973, kur u pushova me motivacion që të punoja si punëtor në një ndërmarrje periferike, bonifikim, dhe pikërisht në kavë të gurit për 17 vjet rresht—deri në 1990. Shokët kur më shihnin që kthehesha nga puna më thërrisnin “Zhan Valzhan,” (Jean Valjean) si personazhi kyresor i Hygoit, veprat e të cilit i lexoj gjithmonë. Kështu ndjehesha më krenar. Nuk më vinte keq që nuk ushtroja profesionin tim. Unë isha i kënaqur që kisha marrë me dije dhe kulturë për të jetuar jetën.
Kur e krijuat familjen tuaj, a mendonit se një ditë do t’i realizonit ëndrrat për fëmijët tuaj?
Për këtë, një motivim i parë në jetë ka qenë qysh në klasën e pestë, një thënie e akademikut të madhë Rus, Micurin, që thosh te teksti i Nina Potapoves: “Mej nje mozhjem zhdat millostiej ot prirodi, nasha zadash, zjatu njehjo.” Që do të thotë: “Ne nuk duhet të presim lëmoshë nga natyra, detyra jonë është t’ja marrim asaj.” Unë dhe ime shoqe jetuam në kushte shumë të vështira. Ajo ne fabrikë të cimentos me tre turne, dhe unë në gurore. Krijuam një familje të përvuajtur, por të lumtur. Me gjyshen dhe nënën, dhe xhaxheshën që një vit para se t’i dilte i shoqi nga burgu (mbas 14 vitesh), ra nga ulliri dhe u paralizua. Zoti na dha tre femijë—dy vajza dhe një djalë, të cilët janë kompensim i lumturisë tonë. Ëndrra jonë gjithmonë nuk ka gjetur prehje, ajo ka vazhduar përmes sakrificash të shumta dhe të vazhdueshme.
Ku ju gjeti përmbysja e diktatures dhe si e përjetuat hedhjen e bustit te diktatorit nga populli dhe klasa juaj?
Përymbysja e diktaturës na gjeti në Itali. Fill mbas Ambasadave, me dhënien e pasaportave, tentuam të iknim, me përjashtim të gjyshes që ishte 100 vjece. Por, dikush na kish spiunuar, dhe Sigurimi na ktheu duke na thënë që mund të ikte gjysma e familjes (me pretekstin tonë për të takuar xhaxhanë dhe babanë në Itali) dhe mbasi të kthehej gjysma, të shkonte gjysma tjetër. Mbas një jave, ika unë me dy fëmijtë e mëdhej, dhe xhaxhanë, me një peng në zemër që lash nënën, gruan, dhe vajzën e vogël gjashtë-vjece, Blerinën. Pa i humbur shpresat se e njihja mirë time shoqe, unë zbrita me tragetin e Otrantos në Otranto, dhe të nesërmen mbërrita në Venecie me tren. Me vete kisha $100 që m’i kish dhënë një kushëri. Gruaja, me 80,000 lekë që i kisha lën unë dhe me shkathësinë e saj, erdhi jo vonë pas meje. Ajo i dha lekët një miku të xhaxhait për të mundësuar ardhjen pa e marrë vesh Sigurimi. Vetëm dy njerëz të besuar dinin për ikjen e gruas—vëllai dhe një kushëri i saj nga Agajt. Dy ditë pas mbërritjes tonë në Itali, erdhi gjysma tjetër në Brindisi. Gruaja takoi xhaxhanë në Leçe, dhe u bashkua me ne në Mestre, ku jetuam pesë muaj e gjysmë.
Italianët u treguan shumë human, dhe na ndihmuan. Ata na gjetën shtëpi dhe punë për mua dhe për time shoqe. Në Itali përjetuam rrënien e bustit të diktatorit me lotë gëzimi. Aty e pamë që diktatura në lëngim po binte, po fitonim një gjë të madhe: Lirinë. Atë e ëndërronte edhe Ezopi. Nuk ështe pak. Por që kombi ynë të vihet në rrugë të mbarë, do kohë. Amerika eshtë një komb i madh, që ka parë një luftë civile të tmerrshme. Dy gjeneralët e saj—i Veriut dhe i Jugut—i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe thanë do bëjmë Amerikën, dhe e bënë. Nuk quajtën asnjë tradhtar, dhe i quajtën të gjithë dëshmor të kombit. Nuk ka ndonjë ditë feste për këtë, kanë vetëm festën e Pavarësisë. Ne në Shqipëri duam dy festa. Harrojmë që ajo që na bashkon është 28 Nëntori dhe ajo që na ndanë është 29-ta. Kjo e fundit nuk na dha Liri, na dha diktaturë, robëri, gjysma e Shqiptarëve u arratisën, internuan, pushkatuan, apo burgosën.
Në ç ‘rrethana u takuat me babain tuaj dhe disa nga kujtimet tuaja që jetuat me të?
Nga Italia u larguam në 5 Mars 1991, ditën e eksodit të madh, me ndihmën e autoritetëve Italiane, pa garanci. Babai nuk guxoi të na bënte garanci për shkak se ishte rimartuar dhe bashkëshortja e tij ishte një person jo dashamirëse. Dhe për këtë, unë babën e lajmërova kur po nisesha nga Fiumicino, Aeorporti i Romës. Pasi mbërritem në Amerikë, ai na priti në Sarasota, Florida dhe jetuam së bashku me të për dy-tre javë. Më pas, shkuam në Clearwater, ku na ndihmoi dajua i sime shoqe, Daver Ago. Daveri na gjeti një shtëpi me qira dhe punë në një restorant. Ne kishim kursyer aq para në Itali sa për të filluar jetën. Restoranti ishte shqiptar, sepse ne nuk dinim as një fjalë anglisht. Prioriteti ynë kryesor ishte shkollimi i fëmijëve. Blerina filloi klasën e parë, për të cilën kishte bërë një javë në Shqipëri dhe tre muaj në Itali. Djali, Gentiani, vazhdoi shkollën e mesme. Vajza e madhe, Enkeleida, hyri në kolegj. Në Florida jetuam nga 1991-93, dhe më vonë u vendosëm në Michigan me punë, shkolla, dhe pare më të mirë.
Babai më tha një ditë në telefon: “unë e prisha në pleqëri, por unë e di që ti do ecësh se ke familje të mirë, të shëndoshë, dhe grua të mirë dhe të zonjën.” Dhe kështu ndodhi. Dy fëmijtë e mëdhej mbaruan studimet te Unversiteti i Michiganit, e vogëla te Universiteti Wayne State. Ne vazhduam punë deri sa dolëm në pension në 2008’ën. Fëmijtë u punësuan rreth zonës së kryeqytetit amerikan me punë të mira. Janë martuar me shqiptarë dhe shqiptare. Enkeleida dhe Blerina sejcila kanë një vajzë, Emma dhe Alba. Dhe djali ka një djalë dhe një vajzë, Andy dhe Sarah Shqiponja. Këto na kanë larguar stresin, na japin gëzim, dhe jetojmë të lumtur në vendin e Perëndisë, pa harruar Atdheun tonë.
Në vitin 1993, unë e çova babën në Shqipëri, dhe u takua me nënën e vetë. Ajo ndërroi jet në 1996, dhe babai ndërroi jetë në 1997. Nuk arriti të na vizitonte dot në shtepinë e parë që blemë në Grosse Pointe Park, Michigan.
Ju jeni nipi i prof.Isuf Luzaj, një figurë intelektuale poliedrike. Sa ka ndikuar xhaxhai juaj në jetën tuaj dhe a shpresoni se një ditë të gjithë figurave të rëndësishme intelektuale kombëtare do t’u jepet vendi i nderit në Atdhe, pasi deri tani vazhdon historia si me parë, tejet e cunguar?
Me Profesorin kemi komunikuar që në Shqipëri, që i kthente përgjigje sime shoqes me një letër të gjatë, ku i thoshte: “Në qoftë se je e bija e atij që kam njohur unë, Neim Shekës, je me të vërtetë një bijë Labe, trime, dhe e zgjuar.” Profesori dhe baba e donin shumë Engjë llushen.
Ne jemi krenar për xhaxhanë. Një kundërshtar në debate do më thoshte: “Ai nuk eshtë vetëm i juaji, është i të gjithëve ne.” Ai ishte një luftëtar trim, sa një herë do më thoshte mua në telefon: “Të gjitha fjalët e këqija mi kanë thënë, vetëm frikacak s’më kanë thënë.” Por ishte edhe një intelektual i shkallës sipërore, apo sic e quajnë “Filozofi Shqiptar.” Profesori ka qënë shumë largpamës. Ai më thoshte shpesh se Demokracia në Shqipëri do konsolidohet vonë, aty nga 2025’a, 2030’a. Në varrimin e dëshmorëve të Luftës së Dukatit, do hidhej në një brinjë, dhe do thoshte: “Dëgjoni vëllezër, ne luftën do t’a humbasim, por ne do të kthehemi fitimtar mbas 10, 20, 30 apo 40 vjetëve.” Këtë thënie, e kamë në një incizim të babait. Ai ka qënë decizir në Konferencën e Mukjes, që shpesh nuk e përmëndin. Kur në një kohë, përmëndnin ndonjë person jo pjesëmarrës. Ku në fund të Marrëveshjes, Ymer Dishnica do t’i thoshte: “Ti e ke vendin nga ne.” Dhe Profesori iu përgjigj: “Dhe ti e ke vendin nga ne.” Janë munduar të hedhin baltë mbi të, këto i di nga babai im, që nuk iu nda asnjëherë. Një fjalë e urtë thotë: “Shqiponja mund të ulet dhe të hajë ushqim bashkë me pulat në tokë, por pulat nuk fluturojnë dot deri atje lart në re.” Prandaj, më plotbesim, te gjithë njerë zve që kanë kontribuar për Atdhe, do t’u jepet vendi i nderit.
Unë u rrita gjysëm jetim pa babë, por pata fatin e mirë që pata një gjysh të mirë, të mëncur, të urtë, bujar, pjesëtar në Luftën e Janinës, dhe për të cilin Profesori do më thoshte një ditë në telefon: “Rrapo Meto Vranishti, Rrapo Celo Sevasteri, dhe Qazim Luzi nga Kanina, janë tre filozofët natyral të Labërisë.”
Ju sot jetoni në Amerike, në vendin më demokratik të botës. A mendoni se ky vend i lirë ju ka kuruar sadopak plagët që morët nga vendi ku u lindët dhe u rritët?
“Amerika,” thosh xhaxhai, “është vend i Perëndisë. Mos vidh, mos u merr me drogë, mos u merr me spiunllëqe, dhe ajo të ka në pëllëmbë të dorës.” Amerika është ajo që po demokratizon gjithë botën. Është shtëpija e pritjes së planetëve të tjerë. Atë oportunitet që të jep Amerika, nuk ta jep as një vend tjetër në botë. Ajo na ka kuruar shumë gjëra, por atë që na thosh xhaxhai që “ju jeni Komunist, pa e ditur që jeni Komunist,” nuk kurohet sepse Komunizmi na ka futur në shpirt urrejtjen, që është vështirë ta çrrënjosësh.
Këtu, nuk do të lë pa përmendur një thënie të Gëtes te “Vuajtjet e Djaloshit Verter,” që simbolizon vetë autorin: “Unë linda njeri, dhe dua të vdes njeri.” Këtë thënie e kam pasur si prioritet në jetë dhe e stimulojë dhe tek fëmijët e mi.
Faleminderit zonja Zylo!
Maj, 2016, New York