Jahmir Hyka është ambientuar me kampionatin amerikan të futbollit. Këtë sezon, ekipi i tij San Jose po ecën mirë, ndërkohë që ai mezi po pret të shikojë kombëtaren nën drejtimin e trajnerit të ri, Christian Panucci.Mesfushori kuqezi në një intervistë për portalin eduasportin.com tregon eksperiencën e re në SHBA, ndeshjen me Gashin dhe yjet e tjerë të Evropës që aktivizohen në radhët e skuadrave të MLS.Ndër të tjera, 29-vjeçari ka komentuar edhe ardhjen e Panucci-t në krye të Kombëtares Shqiptare.Si një tifoz i Milan-it, Hyka e shikon teknikun italian një shans të “artë” që mund t’i ndihmojë për të arritur objektivin e madh “Europianin 2020”.
Si ndiheni me ekipin e ri?
Mund të them që jam ambientuar shumë mirë. Ekipi dhe stafi me kanë pritur mjaft mirë kështu që mund të them që ndjehem i lumtur.
Ku ndryshon futbolli në USA nga ai në Evropë?
Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, perveç faktit që këtu në Amerikë taktikisht nuk janë aq mirë si në Evropë.
Si i keni marrëdhënët me tifozët atje?
Fatmirësisht marrëdhëniet me tifozët i kam patur gjithmonë të mira kudo që kam luajtur, gjithashtu edhe në San Jose më kanë pritur shumë mirë.
A ka tifozë shqiptarë që duan t’ju njohin apo takojnë?
Në California nuk ka shumë shqiptarë si në qytetet e tjera. Mund të them më së shumti kanë ardhur në New York ku dihet që komuniteti shqiptar është më i madh. Ndeshjen e fundit kishte shumë shqiptarë në New York dhe i falendëroj për mbështetjen.
Me cilin nga yjet e Evropës keni kontakte?
Kontakte personale me asnjë, po është kënaqësi të luash kundër futbollistëve që kanë luajtur nëpër ekipe mjaft të njohura në Evropë.
Cili ka qenë dueli më i fortë?
MLS është kampionat interesant sepse çdo ekip mund të fitojë kundër të gjithëve. Megjithëse ekipi që më ka bërë më shumë përshtypje deri tani ka qenë Kansas City.
Jeni takuar me Gashin?
Me Gashin jam takuar kur kemi luajtur në Colorado, po kontaktojmë edhe nëpërmjet telefonit shpesh. Për momentin është i lënduar dhe shpresoj që të rikthehet sa më shpejt.
Çfarë pret ekipi yt? Objektivat?
Objektivi është që të kapim Play Off dhe për momentin jemi brenda objektivit, gjithashtu jemi në gjysmë-finalen e Kupës ndaj shpresojmë t’a mbyllim me sukses sezonin.
A ju pengon rruga e gjatë për Kombëtaren?
E kam thënë edhe më përpara që kënaqësinë dhe nderin që ndjej për të luajtur për Kombëtaren, nuk mund të ma heqin disa kilometra më shumë.
Sa e njihni trajnerin e ri të Kombëtares?
Tranjerin e njoh më shumë si lojtar, pasi unë jam tifoz i Milan-it dhe ai ka luajtur disa vite të sukseshme atje. Besoj se si një trajner i ri ai ka ambicie dhe besoj që do të japi maksimumin që të na ndihmojë të arrijmë objektivat tanë, siç është edhe ai kryesori “Europiani 2020”.
Intervistoi Eva Marku/eduasportin.com