• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JEHONA E FUNDIT E KADARES NE BRUKSEL

June 13, 2014 by dgreca

Shkruan :Bajame hoxha(Çeliku) Bruksel/Sa për parantezë po filloj këtë shkrim me disa rreshta shkëputur nga një parathënie e një libri tim me poezi,””Gjysma ime”. Parathënia është shkruar nga poeti dhe përkthyesi i mirënjohur, Faslli Haliti, ku ndër të tjera ai thotë:” Nuk e di në se të internuarit e Savrës e ndienin, e shihnin, e kuptonin apo jo simpatinë tonë për ta. Të internuarit e Savrës nuk i donte, i persekutonte, i torturonte diktatura, partia, pushteti, por jo ne, populli, që i shikonim me simpati si mesazherë të Lirisë. Ne, njerëzit e thjeshtë, populli, e shihnim kampin e Savrës si një copë Evropë perëndimore, që na krijonte klimën e vërtetë qytetare, klimën e vërtetë evropiane etj…”
Pra, me plot penën e them: ne vajzat e internuara ishim Parisi i vogël, ishim të forta, kishim karakter të fuqishëm dhe e donim jetën. E donim lirinë, e adhuronim dashurinë dhe respektin për njeriun deri në fund. Ne, ishim Savra! Savra, Paris i vogël! Kur në ato vite të errëta, nën një diktaurë të egër ndëshkimi, persekutimi të pafund, ku na mungonte plotësisht demokracia, fjala e lirë, nën një presion fizik e psikologjik, Kampi i Savrës, zhvilloi e civilizoi Qytetin e Lushnjës, sepse aty kaluan apo mbetën personalitete të shquara, e pena të arta. Me ta parë titullin e artikullit Ismail Kadare do mendojë: “vërtet ujë fle po hasmi nuk fle” Ose: “armiku mbetet armik”Po nuk është kështu. Ismail kadare është një shkrimtar me përmasa botërore e po të kisha fuqinë do t’ia akordoja çmimin Nobel se e meriton.
Por, çfarë më shtyn mua që gati pas pesë vjetësh t’i rikthehem këtij libri? Kur libri është në gjumë tashmë, harruar nga më të shumtit e lexuesve persekutorë të personazhes, heroinës së librit, të internuarës, Linda B. e në tërësi? Pse unë kërkoj ta zgjoj?! Çfarë më shtyn?! Eh, o zot! Më shynë një dhimbje, një fyerje ndaj personalitetit tim, një fyerje e pafund ndaj personalitetit të tyre vajzave që u mungoi liria përjetësisht, e shkrimtari ynë i madh i hedh këto vajza sa të bukura aq dhe krenare në kosh të plehërave, duke zgjatur duart drejt Tiranës…drejt shkrimtarit… në krahët e mësuesit të fiskulturës… e së fundi në prehër të brigadierit maskara, se s’kanë kurajën, forcën, dhe zotësinë të përballojnë diktaturën, gjë që s’ka ndodhur kurrë! Pra, Dua të theksoj : Prandaj, vetëm nga këto vajza që vuajtën mjerimin e plotë me gjithë kurajën dhe kulturën e gjerë që kanë, ky libër prej tyre,nuk do të harrohet dot kurrë! Nuk do të harrohet sepse iu është vrarë dinjiteti.(Ky libër mund të bëhet dhe film, mund të vazhdojë të marrë çmime njëri pas tjetrit, por, me një heroinë të dobët e cila në asnjë çast nuk shpërthenë me forcën dhe shpirtin ideal të femrës fisnike. Nê të gjitha momentet i mungon energjia, rinia, s’mundohet të luftojë për të çarë batakun, pa dinamikë, i mungon Malva, Masllova, si dhe heroina shqiptare e vërtëtë) Pikërisht, në këtë periudhë, unë marr penën e shkruaj për të shkarkuar nga vetja një peshë të rëndë që sa shkon e bëhet më e rëndë, ndërgjegjja flet!. Të gjitha nuk përtypen, nuk mund t’i anash kalosh, por, e bukura mbetet e bukur, e hidhura mbetet e hidhur, dhe vlerat mbeten vlera! Në këtë kontekst, më ka mbetur varur si një zinxhirë vuajtjesh të paharruara artikulli befasues i Beba (Xhuliana) Pervizi, vajzës së internuar, e cila me revoltë, ngre krye, dhe shkruan një artikull kundër shkrimtarit të madh,(shih në f.b.te: “vajzat e internuara”) Ky artikull s’më hiqet kurrë nga mendja. Aty konstatova se ishte artikull goditës, revoltues, por që mbarte në vetvete vlera të pa tjetërsuara, dhe hapësirë shumë të madhe kritike për librin e fundit të Ismail Kadare, ” E PENGUARA”.
Aty për aty, u ndjeva krenare për shumë gjëra, por kjo krenari shumë shpejt u pa e Zhgënjyer, e venitur, e ngacmuar, e zbehur, e fyer, sa u trishtova dhe u lëndova deri në pafundësi, sa shpirti më rënkoi. Eh,moj e kaluar! Tani, unë kujtoj me dhimbje të madhe, ato që Ismail Kadare, s’i ka njohur kurrë në jetën e tij të famshme, fushat e myzeqesë, shkuljen e rrënjëve të pambukut, Ngarkesat e rënda mbi supet e njoma, kanalet e pafund të hapur nga krahët e brishtë të vajzave të internuara në kampet barbare të internimit, ku punuam e vuajtëm deri në ditët e lirisë me shpirt ndër dhëmbë, por me dinjitet të plotë. Sa të forta që ishim! Heroinat e shekullit duhet të quhemi! O Zot! Gjithnjë na kërcënonin, na fyenin, na tundnin para syve gishtin tregues duke na kërcënuar gjatë, nëpër mbledhje, fushave, apeleve: Ju armiqve ua kemi treguar vendin! Mos kujtoni se s’ka më luftë klasash? Jo, jo! Ajo ulet, por ngrihet dhe ashpërsohet pandërprerë për ju! Prandaj, mos shikoni nga perëndimi, (Frazën e fundit e përdornin shpesh, por unë, isha e bindur se nuk e kuptonin shumica e tyre) Aty, t’u plasi koka aty! Në punët më të vështira! Këto shprehje të ulëta dhe nga më banalet, janë përdorur dhe në “Ditët e fundit të pompeut” edhe pas rënies së murit të Berlinit, edhe pas rënies së komunizmit në Rumani, e këta diktatorë të kampeve, të Shqipërisë në përgjithësi, nuk kishin as veshë për të dëgjuar, dhe as sy për të parë, se si po ndryshonte lindja në tërësi. “Gomarin po e hante ujku, ai thoshte: “Qofsha në ëndërr”( Në rastin tonë, vërtet kishte qenë në ëndërr) Kështu, asnjë penë jashtë kampit,e cila s’i ka njohur këto tortura, sado e fortë të jetë, dhe dashamirëse, apo paqedashëse, nuk mund të përshkruajë dot, apo të tregojë në një roman “dokumentar” apo artistik, bëmat monstruoze të asaj kohe makabre, të atyre kanaleve e punëve të rënda ku ne na pikonin duart, këmbët, dhe zemra gjak. Ishte lumë dhimbjesh, vuajtjesh, rënkimesh, prej fëmijëve, prej rinisë, dhe të moshës së tretë edhe më keq. ky lumë vazhdonte e mbushej çdo ditë e më shumë nga lotët e këtyre plagëve të hapura ndër vite, nga një hakmarrje e çmendur apo tradhtarë të atdheut të sajuar për të kënaqur shpirtin e tyre të ngushtë prej krimineli. Thjesht, ne, mbijetonim në një sistem ngricë, dhe ata, përfitonin, jetonin në kurrizin tonë. E pse na persekutonin e na ndiqnin aq shumë? Ende e pyes veten: Ç’ishte gjithë ajo urrejtje ndërmjet një populli me të njëjtën gjuhë e kulturë? Pse na diskriminonin e shkatërronin shpirtin e brishtë brenda kampeve? Ç’kishim bërë gjë të keqe? Po populli i thjeshtë pse na donte të vdekur? Ç’u kishim bërë? E kam fjalën më shumë, për të lirët e Savrës,etj, në 80% ishin kthyer në përbindësha, po të kishin mundësi, e dorë fare të lirë, do na pushkatonin duke kënduar, ose do na i piqnin mishin e trupin në hell të gjallë. Urrejtja kishte arritur kulmin, ishte primitive, e verbër dhe e tmerrshme! Ata brigadierë ( jo të gjithë) e sidomos brigadieret ishin tmerri jonë.( Vëllezërit Nebiu, njëkohësisht brigadierë dhe gjakpirës të vërtetë) Nuk ngopeshin me gjakun tonë. Njësoj si sekretarët e partisë, si operativët e sigurimit që na vinin si zagarë nga pas për të na nxirë edhe më shumë atë jetë të cilën nuk na i kishin falur ata, por që donin t’ na i merrnin me çdo kusht në tortura e sipër sa më çnjerëzore të ishte e mundur. Librin ” E penguara” Të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, e kam lexuar tre herë dhe e kam në bibliotekën e shtëpisë këtu në Bruksel. Dhuratë nga një vajzë shqiptare që punon në komitetin evropian Ky libër më erdhi si dhuratë nga një vajzë shqiptare që punon në komitetin evropian (shoqe me vajzat e mia) Tereza Dajlani. Kjo vajzë intelektuale mezi priste rastin të më gëzonte me këtë roman i cili fliste pikërisht për vajzat e persekutuara. Ajo duke e njohur jetën tonë, mendoi se pikërisht kjo do të ishte dhurata më e bukur, më e përshtatshme, më e çmuar, që po i bëhej një ish të internuare, një krijuese që e kishte kaluar jetën në kampet më të egra siç isha unë. Krenaria e saj sa vinte e rritej para meje se libri ishte shkruar nga shkrimtar i madh Ismail Kadare, dhe kjo s’ishte një dhuratë e vogël. Kështu një ditë plot diell pasi ishte kthyer nga Tirana, më fton për një kafe në qendër të Brukselit ku unë e pranova me kënaqësi. Kur zbrita nga metroja, m’u desh të çaja udhën me vështirësi pasi ajo e shtunë, si gjithë të tjerat e kishte mbushur Brukselin me turistë të shumtë ku nxitonin dhe ata për të parë “grand plac” qendrën e qytetit dhe pikat e tjera turistike. Tereza kishte mbërritur para meje dhe qe ulur jashtë te tavolina e zakonshme. Pasi u përshëndetëm me dashamirësi, porositëm nga një kafe. Biseda qe e frytshme dhe e hareshme pasi tregonte për Tiranën, për Gjirokastrën që kishte kryer studimet e larta, dhe për Tepelenën e saj që e donte aq shumë. E pashë të merrte çantën dhe prej saj nxori një libër të mbështjellë me kujdes dhe me një etikë të lartë ma afroi. -Është një dhuratë për ty,- më tha. Në sytë e saj pashë një shkëlqim, një kënaqësi që rrallë herë e has njeriu në ditët plot strese. E hapa dhe pashë kopertinën dhe me zë të lartë lexova: KADARE.” E penguara” Ia ngula sytë titullit sikur atë çast do ta zbërtheja, e do të gjeja atë që më mungonte prej kohësh.- Është libri më i fundit i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare- ndërhyri vajza me shpejtësi. Po, po, e shoh! “Rekuim për Linda B.” Shqiptova me zë të lartë dhe tunda kryet në shenjë pohimi. E pranova me kënaqësi dhe e falënderova nga zemra për dhuratën e bukur. Por vajza e mirë me zemrën flori, nuk harroi të më thoshte: – Do ta përpish sonte… E hapa në prani të saj, dhe në faqen e parë, vajza më kishte lënë një autograf: ” Për mamin e shoqes sime Rori! E kam lexuar këtë libër me ty në mendje; një libër që e rrok mendja e atyre që e kanë jetuar këtë kohë! Me mirënjohje, Tereza. Bruksel, 17 Janar 2010”. Autograf i gjetur! Thashë me vete. Shumë përkëdhelës, po që mbart misterin brenda.”rrok mendja e atyre që e kanë jetuar këtë kohë”cilën kohë?!! Menjëherë m’u mbështollën në gryk me qindra pyetje e përgjigje sa u ngatërrova brenda tyre dhe po e shihja veten në një rrjet merimange sikur të kisha rënë në lak. Ndaj dhe heshtja për momentin ishte më e mira, ishte një kapak floriri. E dija se, pasi ta lexoja ajo do të kërkonte përshtypjet e mia të sinqerta. Librin e lexova brenda natës po nuk di nëse kisha kuptuar vërtet atë çka kishte dashur të hedh shkrimtari që pa tjetër priste të shpërthente në një triumf të ri. Sigurisht, unë nuk kisha qenë në gjendje për të thithur nektarin e vërtetë, shijen e vërtetë të librit të tij të fundit. Prandaj, të nesërmen e nisa edhe një herë nga germa e parë e deri te e fundit me një vëmendje shumë të përqendruar për të kapur çdo fjalë e frazë, çdo batutë apo metaforë, pa marrë parasysh, figurat mitologjike e historike si dhe vrasjen e filozofit Seneka… këtu historia ishim ne! E mbarova librin së lexuari së treti herë dhe përsëri fajin desha t’ia shkarkoj vetes. Isha e bindur se gabimi qëndronte vetëm te mua e jo te një shkrimtar me përmasa botërore si Ismail Kadare, kandidat për çmimin NOBEL. Jo! S’ishte e mundur që shkrimtari, Ismail kadare, të kishte bërë një mëkat në ditët e sotme e të ulte aq poshtë figurën e femrës së persekutuar shqiptare. Figurën e së cilës, ai duhej ta ngrinte në piedestal!!!. Kështu pasi e lexova së treti herë veprën e tij të fundit, vendosa të hesht, heshtja do të ishte mjekimi më i mirë për mua e të kaluarën time të plagosur. Heshtja më dukej më e denjë se replika e debati! Së fundi, nuk doja të zgjoja atë kohë të errët e cila na rrëmbeu fëmijërinë, rininë jetën dhe të dashurit tanë të zemrës. Por një gjë e di mirë, nuk u mposhtëm kurrë! kurrë nuk kërkuam lëmoshë apo ulje dënimi, ndërrim pune apo spiunllëku për të përfituar privilegje. Ne na karakterizonte krenaria jonë, të bijat e kujt ishim, shoqëria në të cilën bënim pjesë, geni nga i cili rridhnim etj… Inteligjenca kishte lindur njësoj me ne dhe ishte rritur po aq sa mosha jonë ndër vite. Vuajtëm po qëndruam! Qëndruam burrëresha! Sepse, luftuam me vdekjen! Luftuam për të jetur, për të drejtat tona, dhe ja arritëm! Mbijetuam përballë bishave diktatorë, përballë torturave çnjerëzore fizike e psilologjike, përballë ca mjeranëve të fëlliqur, përballë së keqes së madhe e sigurimsave që na kishin lakmi e ne vajzat e internuara s’i përfillnim fare, brenda dhe jashtë kampit! Ne s’i përfillnim mësuesit e fiskulturës ! Ne, s’i pëfillnim, nuk i dashuronim kurrë shkrimtarët që i këndonin lavde partisë dhe Enver hoxhës ! Ne kurrë s’i pëfillnim ata që i nënshtroheshin diktaturës ! Ne s’i pëfillnim brigadierët kriminelë ! Ne, ishim ato vajza të reja, të bukura, të forta që çuam jetën ne mjediset e rënda të gulagut. Ne ishim ne! Dhe vetëm ne, modeli i mirësisë! Modeli i qëndresës! Modeli iSacrifices! I madhështisë! Modeli i krenarisë së madhe, I vajzës së persekutuar shqiptare! Dhe mbetemi ne : ajka e shoqërisë së djeshme dhe të sotmes!
Së fundi Doja të theksoja: nuk do dëshiroja kurrë, që shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ta ndjekë një dështim, një pendim, një dëshpërim, një mallkim, apo një hije e personazhes së tij që ai e ka goditur rëndë në dinjitet, e me plumb në zemër! Jemi në demokraci ku jetojmë pa censurë. Arti është art! Terezës nuk i telefonova as atë mëngjes dhe asnjë ditë tjetër deri sa një ditë përsëri u ftova prej saj në të njëjtin lokal. Takimi me Terezën ka qenë dhe mbetet gjithnjë një takim i ngrohtë, pavarësisht nga konkluzioni për librin të cilin ia dhashë me dorë në zemër vetëm me një frazë… Ajo është një vajzë gjithë vitalitet, ku transmeton dashuri dhe respekt. Për mua, nyja e kësaj konsiderate që vjen e rritet çdo ditë, ka një lidhje të vjetër që më bën të drithërohem. Teraza flet për Gjirokastrën me pasion, e mua, më duket vetja se jam duke fluturuar ende nëpër kalldrëmet e atij qyteti të bukur, ku shoh veten, të vogël duke shkuar në shkollë, duke luajtur e vrapuar mesh shoqesh në “shkalipor”. Rrugë kjo, afër qafës së pazarit në të cilën kisha shtëpinë. Së fundi katër vargje nga poezitë e mia :
Kur vinte pranvera/
Me lotët e mia e vadisja/
Ku vinte dimri/
Me psherëtimat a mia e mbysja.
P.S. Nuk e di, në këtë rast merr çmim Kadareja ? Apo libri « E penguara » ?
Bajame Hoxha-Çeliku, Brukse

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, JEHONA E KADARESË

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT