• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMERIKA BOJKOTOI JEREMIÇIN NË OKB

April 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Shtetet e Bashkuara  ishin në krye të bojkotimit të të ashtuquajturit  “debat”, të organizuar  të mërkurën nga Vuk Jeremiqi, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara,(OKB) mbi punën  e  gjykatave ndërkombëtare.  Por në të vërtetë, qëllimi i tij kryesor ishte të  nënvlersonte, duke kritikuar ashpër në një forum ndërkoombëtar, punën e deritanishme të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi.  Përdorimi i  OKB-ës, në kapacitetin e tij si president ceremonial i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për qëllime personale dhe të interesave të Serbisë, shkaktoi kundërshtime të mëdha nga vende të ndryshme si dhe nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.   Vende të ndryshme bojktouan mbledhjen dhe ato që morën pjesë simbolikisht, dërguan diplomatë ose zyrtarë  të rangut të ultë, ndërsa shumë organizata të ftuara jo-qeveritare refuzuan të merrnin pjesë.  Javën e kaluar, një zyrtar i  pa identifikuar i Shteteve të Bashkuara u citua në media të ketë thënë se sesjoni në OKB, i organizuar nga Jeremiçi, do të përdorej për qëllime propagandistike serbe.   Ashtu edhe ndodhi.  Presidenti i Serbisë, Nikoliç, për dyzet e pesë minuta  shfaqi helm e vrer ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi duke u ankuar për trajtimin e serbëve nga gjykata mbi krimet në ish-Jugosllavi,  dhe njëkohësisht kritikoi median perëndimore që, sipas tij, ka krijuar një imazh në botë se vetëm Serbia është fajtore.Shtetet e Bashkuara, duke shfaqur pakënaqsinë dhe zemërimin e tyre me këtë të ashtuquajtur “debat”, ishin në krye të bojkotimit të sesjonit duke refuzuar të merrnin pjesë ndërsa kritikuan ashpër iniciativën e ish-ministrit të jashtëm serb për mabjtjen e një mbledhjeje të tillë.  Në një deklaratë të lëshuar për  median  të mërkurën,  Misjoni i Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njoftoi se, pasi që “Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ashpër vendimin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme për të mbajtur sot një debat ndezës dhe të pa balancuar mbi rolin e gjykatave ndërkombëtare, si rrjedhim, SHBA nuk do të marrë pjesë.”   Në deklaratën amerikane për shtyp  shfaqet gjithashtu pakënaqësia e thellë e Uashingtonit, posaçërisht për faktin se debati ishte organizuar në atë mënyrë që të mos lejonte pjesëmarrjen e viktimave të barbarizmave të luftërave në ish-Jugosllavi.  Në deklaratë theksohet gjithashtu qendrimi amerikan se ata që kanë kryer vepra të tilla tmershme gjatë lutërave në ish-Jugosllavi, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre, duke shtuar se, “Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së punuari, për derisa të gjithë ata që kanë kryer vrasje në masë, të përballen me drejtësinë….”  Ndërkaq,  kongresistja amerikane  Eddie Bernice Johnson nga shteti Teksas, në një deklaratë në Kongres  çfaqi shqetësimin e saj në lidhje me mbledhjen e të mërkurës në OKB, ndërkohë që u bëri thirrje  Kombeve të Bashkuara të njohin gjenocidin e kryer në Srebrenicë, duke shpallur 11 Korrikun, si Ditën Përkujtimore të viktimave të Srebrenicës.

Edhe Shqipëria reagoi ashpër ndaj këtij takimi në OKB, nepërmjet Ambasadorit të saj të Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara,  Z. Ferid Hoxha.  Në deklaratën e tij, ndërsa thotë se Shqipëria i bashkohet deklaratës së Bashkimit Evropian në lidhje me këtë çështje, Ambasadori shqiptar kritikon ashpër mënyrën se si është organizuar këjo mbledhje dhe shprehë rezervimet e tija mbi motivet e vërteta politike  të një debati të tillë.  Përfaqsuesi i Tiranës shprehet se ai nuk mban mend ndonjë rast tjetër si ky që  Kombet e Bashkuara të organizonin diçka të tillë me fshehtësinë dhe mungesën e transparencës siç u organizua ky debat, duke përjashtuar krejtësisht pjesëmarrjen e viktimave.   Ambasadori shqiptar kritikon gjithashtu caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes si edhe këmbënguljen për të mos e ndryshuar atë,  një datë këjo që sipas tij, ka një domethënje historike për rajonin.  Përfaqsuesi shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara thotë në deklaratën e tij se, “duke venë në dyshim meritat e Gjykatës (Ndërkombëtare),  në ndjekje të çfardo agjende specifike politike, është një përpjekje e dobët që shtrëmbëron, për të mos thënë minon, rolin që duhet të luaj Asambleja e Përgjithshme. Ky (debat) është një vlerësim jo i drejtë ndaj punës së Gjykatës dhe përbën një kërcënim serioz ndaj procesit në vazhdim e sipër për pajtimin në rajon. “Rajoni ynë nuk ka nevojë për këtë, dhe ne nuk duam të kemi të bëjmë asgjë me objektivat e këtij debati”, përfundon deklaratën e tij, Ambasadori i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara.

Jeremiqi dhe Serbia nuk i shpëtuan as kritikave të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili u paraqit shkurtazi në mbledhje, por këjo mjaftoi që ai të shprehte mbështetjen e tij të padyshimtë ndaj gjykatave ndërkombëtare dhe të kritikonte ashpër ata, që sipas tij,  “përpiqen të minojnë punën e gjykatave”.   Sikurë po u drejtohej udhëheqsve serbë drejtë për së drejti, Ban Ki Moon tha se askush nuk ka të drejtë të minojë punën e këtyre gjykatave, sidomos, “për arsye — të cilat kanë më shumë të bëjnë me politikën — se sa me drejtësinë.” Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës vazhdoi duke thënë se, “pandëshkueshmëria për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimeve të tjera serioze ndërkombëtare,  nuk është e pranueshme  dhe as nuk do të tolerohet më.”    Ai vazhdoi duke thënë se personat  “që përhapin urrjetje dhe ndasi – qofshin ata udhëheqës shtetesh,  grupesh policoro-ushtarake, individë civilë ose ushtarakë –nuk kanë   ku të fshihen më prej drejtësisë.”   Zoti Ban Ki Moon u takua më vonë më përfaqsueset e organizatës boshnjake, “Nënat e Srebrenicës” , të cilat në një veprim skandaloz,  rojet e OKB-ës i detyruan të largoheshin nga salla  e mbledhjes sepse mbanin një pllakat në dorë.   Srebrenica është vendi, ku në vitin 1995, forcat serbe masakruan mbi 8000-mijë burra dhe të rinjë boshnjakë.

Kritikat ndaj kësaj mbledhjeje të organizuar nga Jeremiçi nuk munguan as nga vende të tjera.  Ndër to, Britania e Madhe dhe Jordania, sipas agjencisë së lajmeve Rojter, shprehën shqetsimin e tyre se viktimave të Srebrenicës nuk iu dha rasti të flisnin.  Ambasadori i Jordanisë pranë OKB-ës u shpreh para gazetarëve  se qendrimi i Serbisë ndaj gjykatave ndërkombëtare “është  një shkelje ofenduese e ligjit që meriton të censurohet”.   Edhe përfaqsuesi i Lichtenshtajnit kritikoi ashpër presidentin e Asamblesë së Përgjithshme duke shfaqur shqetësimin e tij se, ‘’Jeremiçi  po shfrytëzon  pozitën e tij për realizimin e objektivave të tij politike, që qartë nuk është diçka që ai duhet të bëjë si president i Asamblesë së Përgjithëshme.”    Ndërkohë,  Drejtori  për drejtësi ndërkombëtare në organizatën e të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch, Richard Dicker, në një artikull për gazetën Huffington Post  shkruan se themelimi i Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi avancoi respektimin ndaj të drejtave bazë të njeriut, si dhe  përpjekjet në përgjithësi, për vendosjen e një drejtësie ndërkombëtare, janë duke rishkruar  rregullat kyçe të marrëdhënjeve dhe të diplomacisë ndërkombëtare”. Edhe ai kritikoi debatin e organizuar nga Jeremiçi, duke thënë se duhet të gjënden mënyra më të mira për diskutimin e çështjeve të tilla.

Jeremiçi dhe Beogradi zyrtar organizuan “debatin” kundër gjykatave ndërkombëtare në OKB,   në të njëjtën ditë që kryeminsitri  Daçiç u takua në Moskë me udhëheqsit më të lartë të – siç u shpreh ai, të popullit  “vëlla” rus, Presidentin  Putin dhe kryeministrin Medvedev.   Ishte këjo një fushatë frontale dhe mbarë kombëtare e diplomacisë serbe për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe njëkohësisht për të siguruar mbështjetjen e Moskës për politikën serbe ndaj Kosovës.  Të dy këto objektiva siç duket dështuan.   Kryeministri serb, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin rus, sipas medias,  falenderoi Rusinë për përkrahjen që Moska dhe populli rus po i japin politikës serbe ndaj Kosovës.  “Populli serb” theksoi Daçiçi, “e di dhe nuk harron se Rusia është mikja e tij më e madhe.”   Megjithëse ai në sipërfaqe  u prit ngrohët nga Putini, sipas agjencisë së lajmeve Rojter, kryeministri rus Medvedev gjatë takimit me Daçiçin, mund të ketë humbur durimin me qendrimin serb ndaj  Kosovës, pasi citohet t’i ketë thënë udhëheqsit serb — se në lidhje me Kosovën — Moska ka përshtypjen se serbët, “presin më shumë nga Rusia se sa nga vet Serbia.”   Ky është një qendrim i gabuar, citohet ti ketë thënë Medvedevi Daçiçit, dhe se Serbia duhet të kujdeset vet për këtë proces, dhe jo Moska, sipas kryeministrit rus.

Kështu pra mori fund edhe një përpjekje tjetër  e shëmtuar serbe për të hedhur pluhur në sytë e botës mbi rolin e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë, mbi politikën së saj shterpë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera që përbënin ish-federatën jugosllave.  Por siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, humbjet dhe dështimet, historikisht Serbia i ka konsideruar si fitore.  Edhe këjo përpjekje e dështuar në OKB mund të radhitet si një “fitore”.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, bllokoi, Frank shkreli, Jeremic ne OKB

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT