-Për BETIM MUCON-/
NGA VAID HYZOTI/
Vetëm një pikë loti, që e ruajmë, e fshehim, e mbajmë të vagullt në vetvete. Kaq dhe vetëm kaq qënka jeta. Se të ishte ndryshe, ti s’duhej të ikje.Të ishte ndryshe, do më përgjigjeshe në telefon. Po ti, Betim i shtrenjtë e hodhe pikën e lotit, e nxore nga vetja duke na mbushur ne me pikëllim të pamatë. Kur them “ne”, e di që s’jam i vetëm. Ndonëse miq prej afro 40 vitesh-se ti dije t’i mbaje gjatë miqtë me mirësinë e pazakontë që kishe-nuk jam i vetmi që mbart këtë pikëllim, që pësoj këtë tronditje. Dhe është hera e parë në të gjithë këto vite që më vjen të qortoj. Të qortoj unë që të nderoja, të adhuroja. Është hera e parë në gjithë këto mote shoqëri që ti nuk je korrekt me mua dhe me shokët e tu. Nuk je i përpiktë me familjen tënde, që na preve në besë.Na tradhtove deri aty ku nuk mban më.Na tradhtove me vdekje…
Nuk mund dhe nuk dua të ta falim. Se nuk mund të të percjellim. Duam të të mbajmë. Dua unë dhe të gjithë ata që të kanë njohur sadopak. Sot bisedova me Martën, gruan dhe shoqën tende. S’e di se c’thamë mes gulceve të dhimbjes. Me Martën që krenoheshe se ajo është e fortë, e zonja. Por e pashë se as unë dhe as ajo nuk kishim më kurajo që t’ ia përcillnim njëritjetrit. Kanë ardhur të gjithë fëmijët në shtëpi. Erdhi Sagita, gëzimi dhe modeli yt, që s’ankohet kurrë, që ia del vetë jetës, Fedora-dhimbja jote, Zinardi, që aq shumë është burrëruar dhe ka hap të sigurtë në ditët e tij. E ti s’e ndjen atë gëzim të punës tënde. Se ti e nxore lotin e jetës , që na mban të gjallë. E nxore atë lot të ftohët dhe të na përvëlosh të gjithëve.
Nuk e di si do të ndërroj të përjavshmen e pikëpjekjeve tona. Edhe pse larg, një telefonatë, një e-mail ishte biseda jonë. Më thoje c’po shkruaje. Kishe etje përherë të lëvizje nga një vend në tjetrin. O kishe kuriozitet të njihje dhe oborret e cdo fshati të botës në rendjen tënde të pambarimtë. Pas kaq kohësh më erdhe të më piqje në Neë York 10 ditë më parë. Ishe me Martën në “Neë Yorker” hotel në 8 avenue.”Merr gruan se ju ftojmë për darkë”. Më ftoje në shtëpinë time të darkonim. E ti nuk lëvizje, s’ishe fare tolerant nganjëherë. Nuk e di si shkuan ato 4 orë që kaluam bashkë. Nuk u ngopëm dhe e lamë të pinim kafe të nesërmen me Roland Gjozën. Dhe erdhe përsëri. Ishe i veshur bukur, si prej argjendi, me atë mjekrrën e hijshme, me atë trup atleti që kishe fituar nga gym-i e lëvizjet e shumta. Folëm për letërsi e shkrimtarë e më pas u nise për në Ëashington D.C. Të përcollëm me sy. Dhe më pas…Më thanë se dje në mëngjes nuk u zgjove nga gjumi. Me thanë se nuk do të zgjoheshe më kurrë. Unë po ha veten me dhëmbë se mos të morëm me sysh. Se takimet tona më lënë dhe më linin gjithnjë një mbresë të vecantë. Se janë të paktë ku mirësia dhe pastërtia shoqërore shtrihen e zotërojnë tërë qënien tonë.Tani…të kam në libra. Në librat e përkthyera prej teje që m’i dhe herën e fundit, si dhe në vëllimin anglisht “The lost kites” (Balonat e humbura)…Përse i vurë këtë titull. Prapë me qiejt. Jo, vetëm ti s’mund të jesh i humbur . Janë të shumtë ata që të mbajnë me penjëzat e zemrës, mik i shtrenjtë Betim ! Në një varg tëndin në librin”Karusel” thua se “Bota-një pikël uji”. Ndërsa jeta qënka një pikë loti, që ne e mbajmë të ngrohtë. Ah, Betim, -Pse e hodhe atë lot kaq shpejt?
Vaid Hyzoti
Shkrimtar
Neë York