• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JOSIF E VASIL PANI-DY BIJ TË SHQUAR TË DARDHËS

October 27, 2018 by dgreca

1 at e bir

1 at arthuriNga Niko Dako/*1 folesi

1 sotiri

 Rreth një vit para se të botohej libri “Atë e bir për Mëmëdhenë”, autori i tij, Sotir Pani, ma dha në fletë të printuara për ta lexuar e për t’i shfaqur mendimin tim. Sot gjej rastin ta falenderoj edhe këtu për vlerësimin dhe nderin që më bëri, si dhe ta uroj për botimin.

E lexova me kënaqësi dhe me një ndjenjë të thellë emocioni, sepse në faqet e tij gjeta jetën, përpjekjet dhe sakrificat e dhjetëra atdhetarëve shqiptarë të Amerikës, të cilët mund t’i quaj me pa frikë “brezat e fundit të rilindësve tanë të mëdhenj”, breza ku zënë një vend të nderuar dy bij të Dardhës, Josif e Vasil Pani, atë e bir.

Ashtu si edhe disa shokë e miq të tjerë të autorit, e inkurajova, mbase me një farë këmbëngulje të tepruar, për ta botuar si libër, sepse isha i bindur për vlerën e tij.

Kushdo që e ka lexuar apo do ta lexojë, do të bëhet i vetëdijshëm se këtu nuk bëhet fjalë thjesht për gjyshin dhe babain e autorit, por, nëpërmjet tyre, edhe për gjithë ata veprimtarë që, ndonëse Amerika iu bë atdhe i dytë, nuk e harruan Shqipërinë, por u vunë gjoksin luftës dhe përpjekjeve për çështjen e mëmëdheut, për ata që sollën vetëdijen kombëtare shqiptare, për ata që s’kursyen as jetën, as familjen, as pasurinë e venë me mundim, në fund të fundit, për ata që bënë Shqipërinë.

Besoj se është kuptimplotë edhe fakti që ky prezantim libri bëhet këtu, në këtë kishë të shenjtë të Fan Nolit, pragun e së cilës Josifi dhe Vasili e kapërcyen shumë herë, folën e rrahën problemet e kombit me peshkopin e mençur dhe ndezën nga një qiri duke iu lutur të Plotfuqishmit jo aq për veten e tyre sesa për atdheun e largët, për Shqipërinë e dashur, për njerëzit e zemrës, për Dardhën e shtrenjtë, që i fali kombit dhjetëra burra të shquar, të cilët, mbi çdo gjë vunë atë që Perëndia na e jep vetëm një herë në jetë e që është i pazëvendësueshëm: MËMËDHENË.

Libri të bën përshtypje të thellë që në vështrim të parë, me kopertinën: një titull i goditur dhe një fotografi e bukur e dy njerëzve të pashëm, fisnikë, atë e bir, që iu kushtuan pa kursim çështjes kombëtare.

Libri ndahet në 25 kapituj. Gjashtë të parët i kushtohen jetës dhe veprimtarisë se Josifit, kurse 14 të tjerë i kushtohen Vasilit. Meritë e veçantë e veprës është pajisja me një numër të madh fotografish, rreth 100 të tilla, të bëra në Amerikë dhe në Shqipëri (në Dardhë kryesisht). Në fund është edhe një album i veçantë me foto. Zënë vend, gjithashtu, edhe plot fotokopje të artikujve në gazetat e kohës, shkruar nga Josifi e Vasili ose artikuj që bëjnë fjalë për këta, si dhe fotokopje dokumentash të ndryshme, letrash etj.

Autori ka përfshirë edhe një shkrim të publicistit Kolec Traboini, që ka jetuar para disa vjetësh ketu në Boston, një shkrim plot vlerësim për pasionin e palëkundur të Sotirit për të krijuar një muze në shtëpinë e tij në Dardhë me material nga veprimtaria atdhetare e gjyshit dhe babait të tij, si dhe e dardharëve të tjerë. Libri përmban edhe një bibliografi ose referenca, siç i quan autori.

Çdo lexues preket që në rreshtat e parë të parathënies, shkruar nga Sotiri, fjalë plot dhemkë e nostalgji për vendlindjen, Dardhën, për plagën e kurbetit që e përjetuan aq thellë breza të terë dardharësh, për burrat që ai fshat i përcolli larg, larg por që s’e turpëruan kurrë, sepse, ashtu si gjyshi dhe babai i tij, u rreshtuan me forcat më përparimtare të kohës. Ndaj dhe justifikohet qëllimi  i ketij botimi për t’ua bërë të njohur, siç thotë autori, jetën dhe veprimtarinë patriotike të Josifit dhe Vasilit gjithë pasardhësve të tyre, nipërve dhe mbesave, farefisit, brezave që do të vijnë dhe kujtdo tjetër.

Josif Pani, biri i Ligor Panajot Panit dhe i Sofisë, u lind më 1868 në Dardhë. Më 1903 qe nga dardharët e parë që mori rrugën e Amerikës, fillimisht në Natick. Në Dardhë la djalin, Vasilin, dhe tre çupa.

U aktivizua në shoqëritë dardhare si “Bleta”, në Federatën “Vatra”, duke qenë i pandarë nga Faik Konica, Sotir Peçi e Fan Noli. U zgjodh gjithashtu, kryetar i shoqërise “Besa-Besën”.

Më 1907 shkoi në Shqipëri dhe u kthye sërish në Amerikë duke sjellë me vete djalin, Vasilin 12-vjeçar. Më 1922 shkoi përfundimisht në Dardhë dhe mbylli sytë përgjithmonë në fshatin e dashur më1934. Figurën e tij e vlerësuan lart gazetat e Amerikës, “Dielli” etj., dhe gazetat e Korçës. Por nuk vdiq i zhuritur, siç përdoret kjo shprehje në Korçë, sepse një muaj e gjysmë para se të largohej nga kjo jetë, përjetoi gëzimin më të madh për lindjen e nipit, djalit të Vasilit, Sotirit, i cili na ka mbledhur sot këtu.

Një sagë më vete përbën jeta dhe veprimtaria e Vasil Panit. Ishte vetem 12 vjeç kur u nda nga vatra amtare dhe nga Dardha me shpirt të këputur. Në fillim në Natick e pastaj në Boston, ndoqi rrugën e t’et. Që i ri mori pjesë në veprimtaritë e atdhetarëve. Më 1912 shkoi si vullnetar me shokë te tjerë në Shqipëri, ku luftoi me çetat e Themistokli Gërmenjit kundër  andarteve grekë. U kthye në Boston i burrëruar dhe, duke shfrytëzuar talentin e të shkruarit, botoi me dhjetëra artikuj në “Dielli” dhe në gazetat e tjera. Atdhetar i palëkundur, u zgjodh në fillim sekretar, arkëtar dhe më pas kryetar i “Vatrës”, një nder i madh për të dhe për dardharët e tjerë. Më 1922 bleu restorantin “Court House Lunch” në Cambridge, që u kthye në një seli tepër aktive për vatranët.

Vasili shkoi dhe dy herë të tjera në Shqipëri, më 1933, kur u martua në Dardhë me Evriviqi Gjikën dhe, për herë të fundit, më 1937, kur i biri, Sotiri, ishte 3-4 vjeç. Ja fati i dhimbshëm i mërgimtarit: me gruan dhe me djalin nuk rrojtën bashkë veçse reth një vit e gjysëm, kurse çupën Dhoksinë, s’e pa asnjëherë, përveçse në fotografi.

Vatrani Vasil Pani ndërroi jetë papritur në Dhjetor 1947, pas 40 vjetësh larguar nga vendlindja. Për të përgjithësuar ndjenjën e dhimbjes dhe vlerësimet më të larta që bënë bashkatdhetarët për të, po përmend vetëm një fjali, por me domethënie të madhe, nga fjalimi që mbajti imzot Fan Noli në drekën pas varrimit: “Vasil Pani,-tha ai,- kish qëndurar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.

Pas 50 vjetësh mbylljeje të Shqipërisë në monizëm, i pari erdhi në Amerikë Andrea, djali i vogël i Sotirit, më pas Sotiri dhe gjithë pjesa tjetër e familjes. Të dhënat për këto fakte jepen në kapitujt e fundit të librit. Për emocionet që përjetuan pasardhësit e dy vatranëve, askush s’mund të flasë më mirë se ata. Ndaj kanë të drejtë të jenë krenarë për të parët e tyre, ashtu siç përkulemi edhe ne të gjithë në nderim të kujtimit të atyre atdhetarëve të palodhur.

Duke vlerësuar kontributin e tyre, më 1992 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dha Josif Panit Urdhërin për veprimtari patriotike të klasit III, kurse Vasilit Medaljen për veprimtari patriotike.

Sot, në këtë ditë jo të zakonshme për familjen Pani, kur, nëpërmjet veprës së Sotirit, kujtojmë e vlerësojmë dy nga paraardhësit e saj, nuk mund të mos shprehim një peng e një ndjenjë të thellë nderimi edhe për një personazh tjetër, që, ndonëse nuk zë shumë faqe, ka një vend me peshë, si një gur i rëndë, në fletët e librit. Sot, pra, nderojmë dhe kujtimin e gruas së Vasil Panit, nënës së Sotirit, Evriviqit, e cila, mbetur e ve dhe veshur me të zeza që në moshën 34-vjeçare, rriti me përkushtim, me sakrifica e dinjitet dy fëmijët mbetur pa baba, ashtu si shumë gra dardhare që pritën tërë jetën burrat të ktheheshin nga kurbeti i largët dhe e lanë me lot fatin e tyre, me lot shpirti që thërmojnë edhe gurin…. E kush më mirë e më shumë se burrat e gratë e Dardhës dhe të ngjashmit e tyre mund t’i ndiejë aq me shpirt vargjet e njohura të poetit të Rilindjes sonë Kombëtare A. Z. Cajupit, shkruar me aq realizëm e shqetësim qytetar: Kurbeti, shokë, kurbeti/Kush vate e nukë mbeti?

Theksova se kjo ditë është e veçantë për familjen Pani. Por në këto momente emocinuese, fatkeqësisht, na mungon edhe një njeri tjetër, na mungon bashkëshortja e ndjerë e Sotirit, Margarita, nëna e shtëpisë, nëna e djemve, nuseve dhe nipërve, e cila, në çdo sukses e në çdo ngjarje të madhe të familjes, ka pjesën e vet të meritës, si një grua e mençur, e sinqertë, nikoqire dhe e fisme. Por le të shpresojmë se edhe ajo gëzohet sot bashkë me ne, që aty lart ku e ka thirrur i Plotfuqishmi.

Po e mbyll me nje pasazh domethënës nga shkrimi i K. Traboinit. Ky, kur e sheh një ditë Sotirin që po nisej si shumë herë të tjera nga Bostoni për në Shqipëri, i thotë: “Po rrugë e gjatë o Soto, si nuk u lodhe….” Sotiri, me mençuri i përgjigjet: “ Nuk lodhet njeriu duke rendur pas dashurisë”!

Vërtet, nuk lodhet…sepse ato janë dashuritë më të shenjta, dashuria për familjen dhe dheun mëmë, dashuri që na i fshijnë thinjat e na japin forcë të jetojmë e t’u percjellim edhe brezave të rinj këtë flakë të perëndishme që nuk shuhet kurrë.

*Ditë më parë në kishën e Shën Gjergjit në Boston, u promovua libri i Sotir Panit “ Atë e bir për mëmëdhenë”. Mernin pjesë shqiptarë që banojnë në Boston e qytete të tjerë rreth tij. Shkrimi i mësipërm ishte ligjërata kryesore e mbajtur prej  mëuesit të letërsisë, Niko Dako.

Filed Under: Featured Tagged With: dy bijte e shquar, Josif e Vasil Pani, Niko Dako, te Dardhes

AT E BIR PËR MËMËDHENË

August 31, 2016 by dgreca

NGA KOLEC TRABOINI/ Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës në një libër të ri. Gjatë një takimi qe kish pasur Skënder Luarasi me të birin e Vasil Panit, i kishte thënë që nëse do të botosh ndonjë herë një libër për babanë e gjyshin, duhet ti vesh titullin “At e bir për mëmëdhenë”. Kaluan shumë vite që atëherë. Sotir Pani pas 1990, do të shkonte të jetonte përgjithmonë Amerikë, ku kishin punuar e jetuar babai dhe gjyshi i vet, dhe kjo porosi e marrë në atdhe nga një atdhetar i madh si prof. Luarasi, i biri i Petro Nini Luarasit, do ta shoqëronte kudo. Dhe ja në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me këtë titull i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. Ka qenë fundi i shekullit 19-të kur Josif Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkoje emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”. Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani. Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar: “Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.” Dihet sa i kursyer ishte Faik Konica në vlerësimet e lavdërimet e bashkatdhetarëve të vet, por për Josif Panin thoshte çdo lëvdatë. Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet. Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar: “Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.” Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës”. Ishte koha kur shoqata Vatra pësoi nje ndarje ne mes te Bostonit dhe Detroitit ku vepronte Refat Gurazezi. Ai ishte kryetar i shoqatës Vatra deri në vdekjen e tij të papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura me këtë rast për këtë humbje te madhe janë vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në SHBA, ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët: “Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmës.” Edhe Faik Konica ka qenë një nga miqtë më të afërt të Vasil Panit. Në fotografinë që i kishte dhuruar më 16 maj 1937 Konica pat shkruar: “Mikut të dashur zotit Vasil Panit për kujtim”. Është ajo fotografi, me e bukura e Konicës, që për gjysmë shekulli u ruajt në sëndukët e familjes Pani dhe tanimë është bërë e njohur dhe përdoret gjerësisht nga media dhe shtypi shqiptar. Ajo fotografi me kushtimin është vendosur në kapakun e librit. Interesante është shtrimi i një problemi që ende nuk ka gjetur zgjidhje. Çfarë u bënë biblioteka dhe gjërat personale të Faik Konicës. Dikush e qarkullon një letër që gjoja Faik Konica ka shkruar para vdekjes duke lënë porosi si testament, por mesa duket, me faktet që sillen në këtë libër, ajo letër është e stisur. Faik Konica kish vdekur papritur me 15 dhjetor 1942. Sillen fakte se ai e ka biseduar me Vasil Panin, kryetarin e shoqatës”Vatra” se dëshira e tij ishte që të varrosej në Shqipëri nëse i ndodhte ndonjë gjë. Dhe Vasil Pani e mori përsipër këtë amanet, por ishte kohë lufte. Kështu që Faik Konica u varros në Forest Hills Cemetery të Bostonit. Në restorantin Court House u ruajtën gjerat e Konicës. Por me vdekjen e Vasil Panit nuk u muar vesh se ku shkuan rreth 3000 librat dhe disa nga gjërat personale të Faik Konicës. Zhdukja e këtij thesari diture ka mbetur mister edhe sot e kësaj dite. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij , libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohen por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm.

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: AT E BIR PËR MËMËDHENË, Josif e Vasil Pani, Kolec Traboini

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT