
Nga Giovanni Belardelli-Përktheu Eugjen Merlika /
Ka, kaluar pothuajse i pa vënë re në Vëndin tonë dënimi i fundit i rëndë me trembëdhjetë vite burg, i pësuar 29 shtatorin e shkuar nga Juri Dmitriev, historian rus dhe veprimtar i shoqatës Kujtesë. Vendimi ka shkaktuar protesta në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian, të bindur që mbas padisë së rreme të pedofilisë kundrejt të dënuarit fshihet vullneti për të goditur punën e tij në mbrojtje të kujtesës së viktimave të stalinizmit. Në vitin 1997 Dmitriev qe një prej atyre që zbuluan në Sandarmoh, në pyjet e Karelisë në kufi me Finlandën, më shumë se dyqind varreza të përbashkëta, në të cilat ishin hedhur trupat e mijëra njerëzve, të sapo pushkatuar me një plumb mbas koke. Vinin nga ishujt Solovki, i pari kamp për të burgosur politikë, i themeluar më 1923 në kohën e Leninit; më 1937 u vendos të mbyllej kampi dhe të asgjësoheshin të gjithë të burgosurit.
Në çastin kur ndodhi zbulimi i varrezave të përbashkëta autoritetet ruse dukej se mbështesnin këtë lloj kërkimi dhe bashkëndanin frymën që e përkrahte: në tetorin 1997, përvjetori i gjashtëdhjetë i vrasjes së tyre, viktimave të Sardamohut i u kushtua një ceremoni e më pas një përmendore, e paracaktuar të mbetej e para dhe e fundit e këtij lloji. Me ardhjen në fuqi të Vladimir Putinit gjëndja do të ndryshonte. Gjithënjë e më shumë e shkuara sovjetike (përfshirë edhe stalinizmi) gjykohej në mënyrë thelbësisht pozitive, mbasi përfaqësonte periudhën në të cilën Rusia ishte pohuar si një fuqi e madhe botërore. Kjo vazhdimësi e mëtuar për Rusinë e sotme dhe përvojën sovietike është aq më e fuqishme sa më shumë takon miratimin e sektorëve të gjërë të opinionit publik, prej kohësh i interesuar nga dukuria e – siç është quajtur – mallit sovjet. Beteja në mbrojtje të kujtesës së viktimave të komunizmit është bërë e vështirë (shoqata Kujtesa është quajtur “një agjente e huaj”) dhe sulmohet drejt për së drejti nga një histori zyrtare që priret të errësojë të vërtetën shtypëse e kriminale të regjimit komunist; madje është bërë e rrezikëshme dëshira për të dokumentuar vrasjet masive të ndodhura në epokën staliniane.
Në këtë kuadër rrjeshtohet e shpjegohet edhe ndodhia Dmitriev. I arrestuar në dhjetor 2016, në fillim u lirua më 2018, por në vitin e ardhshëm një tjetër proçes e dënonte me tre vjet e gjysmë burgim. Kjo duhej të thonte se, duke mbajtur para sysh periudhën e kaluar në burg, ai duhej të dilte prej tij në nëntorin e ardhshëm. Dënimi i ri i dhënë në fund të shtatorit – një “rrufe në qiell të kthjelltë” e ka përcaktuar Le Monde – i ndalon kthimin në liri të një historiani veçanërisht të zotuar në mbrojtjen e kujtesës së viktimave të Gulagut.
Mungesa n’Itali e kundërveprimeve zyrtare për çështjen Dmitriev shënon një cak të përhapur të klasës sonë politike si – edhe se mund të duket e pabesueshme tridhjetë vite mbas fundit të BRSS – përsa i përket gjykimit historik të dhënë komunizmit sovjetik, ashtu edhe qëndrimit për t’u mbajtur kundrejt Rusisë së Putinit. Sa i përket vështrimit të parë caku ka të bëjë më shumë me të majtën. Kujtoj, për shembull, se kur një vit më parë Parlamenti evropian miratoi një rezolutë dënimi si të fashizmit e të nazizmit po ashtu edhe të regjimeve komuniste, ANPI (Shoqata kombëtare e partizanëve italianë) protestoi ashpër duke kujtuar se si sovjetikët kishin qënë ”çlirimtarët” e Evropës (pohim i vërtetë, madje i afërmendshëm, por që harronte në të njëjtën kohë se brënda BRSS e kundrejt regjimeve të Lindjes, Pushteti sovjetik kishte ushtruar rolin e shtypësit e shpesh të xhelatit). Në anën tjetër, n’atë të qëndrimit të marrë kundrejt “demokraturës” putiniane, dallohen – në një aleancë të nëndheshme verdh-jeshile – si Pesëyjet ashtu edhe Lega. Pak ditë më parë, në fakt, një dokument i Parlamentit evropian që kërkonte një hulumtim ndërkombëtar mbi helmimin e Aleksej Navalnit, mori votën e kundërt të Legës, ndërsa përfaqësuesit e L5Y kanë abstenuar së bashku me ata të Fdi (Vëllezërit e Italisë). Nuk është për t’u habitur pra që, për një arsye apo për një tjetër, fati i njërit si Juri Dmitriev që lufton për të shpëtuar gjurmët e viktimave të komunizmit i intereson pak ose aspak politikës italiane, që megjithatë nuk le rast t’i kalojë për të na ftuar (ndoshta në mënyrë pak hipokrite) në detyrën e kujtesës.