• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kadare: Njerzit e krimit, mes nesh

September 15, 2015 by dgreca

Ismail Kadare: Të hapen dosjet. Njerëzit e krimit, ende mes nesh

 

ismail-kadareShkrimtari Ismail Kadare në një intervistë përgjigjet për të gjitha “akuzat” e drejtpërdrejta bërë nga trashëgimtarët e Mitrush Kutelit, paraqitur në botimin më të fundit “Netë moldave”.
Kadare për herë të parë tregon si është përkthyer në frëngjisht vepra e Kutelit, por mbetur e bllokuar, e pabotuar nga familjarët. Shkrimtari pohon se Kuteli nuk është dënuar si oficer fashist, por për çështjen e Kosovës. “Rasti Pasko”, fabrikimi i sajesave nga njerëz të krimit, ende midis nesh. Shkrimtari i njohur ka folur në mënyrë ekskluzive për gazetën “Standard”.
“…E vërteta të forcon”, – thotë Kadare në bisedën tonë të lirë, duke lënë të kuptohet se intervista e mëposhtme është një mundësi shqyrtimi mbi krimet në diktaturë përtej “akuzës” që i drejtohet atij nga trashëgimtarët e shkrimtarit Mitrush Kuteli, që dje u mbushën 108 vjet nga dita e lindjes.
Kadare jep përgjigje për disa momente për të cilat është rënduar drejtpërdrejt nga familjarët e Kutelit në “Netë moldave”, ndoshta duke pritur prej tij të mbajë përgjegjësi për çfarë ka thënë, në rastin e përfoljes në “betejën e Stalingradit”, duke sqaruar për së dyti herë, edhe kërkuar që të lexohet drejt si në këtë intervistë, përcjellja e kësaj pandehme ose trillimi.
Por, Kadare që shfaqet gjithnjë e më rrallë, në ndërhyrjet e tij intelektuale në punët e vendit, këtë herë në intervistën ekskluzive për “Standard”, nxitur prej rastit të Kutelit, shprehet me përgjegjësi politike kur thotë se “hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore.
Dje, ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë”.
Për shkrimtarin zhdukja e gjurmëve të krimit është nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar. Ky është edhe rasti shqiptar.
“Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim janë ende midis nesh”, – është shprehur Kadare.
Por shkrimtari zbulon dhe një marrëdhënie të panjohur mes tij dhe Kutelit. Në parantezë:
Akuza e trashëgimtarëve e ardhur drejtpërdrejt: Kadare ka thënë të pavërteta dhe ky është një dëm i madh ndaj figurës së Mitrush Kutelit, sidomos jashtë Shqipërisë. “Meqenëse Kadareja ka krijuar një autoritet të madh ndërkombëtar e kombëtar, ai vetë si përhapës i kësaj të pavërtete, mendoj se rëndohet me një përgjegjësi të madhe ndaj figurës së Kutelit”.
Por, në intervistën e mëposhtme, Kadare, pyetur për “historinë e tij” të letrës së `88-ës, ka treguar për herë të parë se Kuteli është përkthyer në atë kohë nga një kushëri i Jusuf Vrionit në frëngjisht, por që sot e kësaj dite nuk janë botuar. Kjo komentohet e bllokuar, e refuzuar nga familjarët.
Një tjetër moment delikat lidhet me dënimin e shkrimtarit. Trashëgimtarët shkruajnë se dosja e hetimit është bosh dhe nuk ekziston letra e akuzës. Kur versioni i tyre është se mbi Kutelin rëndon akuza politike për përfshirjen në armatën fashiste rumune, Kadare thotë se çështja e Kosovës e çoi shkrimtarin në burg.
Zoti Kadare, është botuar një libër nga trashëgimtarët e Kutelit, “Netë moldave”, me një parathënie të gjatë, që ndalet në akuza të drejtpërdrejta mbi ju, mbi disa pasaktësi, sipas tyre, të dhëna në librin tuaj “Mëngjeset në kafe Rostand” mbi jetën e Kutelit.
E para lidhet me vitet e burgut, dënimin e tij, dhe e dyta, që është më e rëndësishme, me pandehmën tuaj për përfshirjen e Kutelit në Betejën e Stalingradit.
Në përgjigje të kësaj, ju sollët në gazetën “Standard” të njëjtin shënim si edhe në libër. Pse vendosët të reagonit me të njëjtën mendim, kur pritej të zgjeronit historinë e kësaj situate?
Përgjigjja ime ka qenë e njëjtë, sepse e vërteta ka qenë e tillë. Nuk e kam bërë ndonjë pandehmë për pjesëmarrjen e Dhimitër Paskos në betejën e Stalingradit. Përkundrazi, kam shkruar se “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme”, është përhapur kjo pandehmë ose ky trillim. Mendoj se shprehja “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme” është aq e qartë sa të mos lexohet si e kundërta e saj.
Trashëgimtarët shkruajnë në libër, që sipas Plasarit, ka qenë Shuteriqi, i cili ka artikuluar i pari “betejën e Stalingradit” dhe pretendojnë se ju jeni pasues i kësaj “teorie”. Si ka mbërritur tek ju ky “informacion”?
Nuk di që pëshpërima ka patur si autor Shuteriqin. Kam qenë student në Tiranë kur e kam dëgjuar të qarkullonte gjerësisht.
Në fakt, familjarët e lidhin këtë situatë me Shuteriqin si një argument të fortë, si akuzë politike pse u dënua Kuteli, ardhur nga qarqet letrare.
Një version tjetër, po që përmendet shkarazi, është edhe Kosova, “Poemi kosovar”. Në dijeninë tuaj, pasi nuk besojmë që rasti i Kutelit t’ju ketë lënë indiferent, pse mund të jetë dënuar me burg ky shkrimtar?
Mendoj se për ngjarje dramatike, siç janë dënimet e shkrimtarëve të shquar, duhet folur më seriozisht, çka do të thotë, më saktësisht. Dhimitër Pasko u arrestua dhe u fut në burg në vitin 1947, në kohë e terrorit shqiptaro-jugosllav. Ai u lirua fill pas prishjes së miqësisë me Jugosllavinë.
Kjo e bën edhe më të besueshme tezën se kërkesa për arrestimin dhe burgosjen e tij është bërë prej Jugosllavisë për shkak të angazhimit të tij për çështjen e Kosovës, dhe të një poeme me subjekt Kosovën.
Ky është një kujtim i turpshëm në historinë shqiptare pas luftës botërore, koha kur Mugosha dhe Popoviçi urdhëronin arrestime, si të ishin në shtëpi të vet. Merret me mend që ka njerëz që ende janë të interesuar që ky turp të harrohet, ngaqë kanë qenë të përzier me të.
Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `88, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani. Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?
Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist.
Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë.
Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë.
Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim.
Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll.
Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.
Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos.
Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris.
Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim.
Kam kujtuar se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”.
Cili është dimensioni i Kutelit për ju?
Dhimitër Pasko është një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë, jo vetëm të viteve `30, por të krejt letërsisë shqipe. Si një klasik i saj, ai bën pjesë, në mënyrë të padiskutueshme, në fondin e artë të letrave shqipe.
Jeni takuar ndonjëherë, si e mbani mend?
Siç kam shkruar në librin “Mëngjeset në kafe Rostand”, e kam takuar për herë të parë kur isha student në shtëpinë e Sterjo Spasses, në rrugën Him Kolli, në Tiranë, më 1958.
Ishte përgjithësisht i heshtur e i pa përzier me njerëzit, dhe kjo ishte e kuptueshme për një shkrimtar që kishte qenë i burgosur politik. Aq më tepër që arsyet e vërteta të burgimit të tij, siç ndodhte shpesh, mund të merreshin me mend, pa u thënë asnjëherë haptas.
Si e shpjegoni faktin e zhdukjes së dosjes së dënimit të Kutelit? Familjarët thonë se nuk ekziston as letra e akuzës, pra thjesht, duke mbetur si “armik i popullit”, që si shkak iu ndalua botimi, e që pasoi me izolim të detyrueshëm të tij, duke u marrë vetëm me përkthime.
Humbja ose, më saktë, zhdukja e dosjes së hetimit e të dënimit të Dhimitër Paskos, është më shumë se një skandal. Është një shkrimtar shumë i njohur, i dënuar me burg politik, qysh në fillimet e rendit komunist.
Është jashtë çdo dyshimi se ka patur dhe ende ka njerëz të interesuar që dosja të zhdukej.
Në radhë të parë, janë denoncuesit, e sidomos ata që urdhëronin ose që e dinin nga vinin urdhrat.
Zhdukja e gjurmëve të krimit është një nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar, si në rastin shqiptar.
Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish.
Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim, janë ende midis nesh.
Hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore.
Dje ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë.
Desha të shtoj këtu se, po aq sa shpifësit e spiunët e djeshëm, do të përgjigjen ata që kanë dijeni për këto dosje, por në vend që t’i zbulojnë ato, i fshehin thellë e më thellë.
Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `89, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani.
Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?
Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist.
Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë.
Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë. Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim.
Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll.
Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.
Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos.
Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris.
Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim.
Kam kujtuar, se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”./Violeta Murati/Gazeta Standard/

Filed Under: Analiza Tagged With: Kadare: Njerzit e krimit, mes nesh

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT