Reportazh nga Shefqet Kërcelli/
Agimi në portin e Durrësit/
Ditë marsi. Ora shënon 6.30 të mëngjesit. Mbasi përshëndesim rojet e sigurisë të portit bashkë më kryemotoristin Fredi Mara të anijes “Iliria”, shijojmë agimin e një dite të re nga moli “0” i portit të Durrësit. Është kënaqësi e vecantë për cdo qytetar, vizita në portin e Durrësit, në këtë nyje të rëndësishme tregëtare të shqiptarëve. Gjykuar nga përmasat, dimesioni ekonomik e transporti detar, porti është një tregues, zemër dhe puls i vërtetë jo vetëm për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë. Zgjimin e portit e bëjnë anijet e peshkimit, të cilat mbas një ditë-nate të lodhshme, kalojnë lehtësisht kanalin hyrës të portit nën shoqërinë e disa pulëbardhave dhe bregëzojnë anijet në molin e tyre që kufizohet me skajin juglindor të trageteve. Brenda një kohe të shkurtër shokë të mi bëhen detarë të moshuar që kontrollojnë parangallët e hedhur një natë më parë, detar Florian Lilaj, që drejton skafin e kapitenerisë dhe zoti Oliver, përgjegjës për këtë pjesë të portit. I hedh një vështrim portit nga feneri jeshil, nga ky syri afër dhe larg, të kap krahët e vincave të fuqishëm të vjetër dhe të rinj. Më tutje të molit lindor më shfaqet hijerëndë silueta e bigës “Adem Reka”. Më ngjall shumë kujtime kjo bigë me histori të vecantë. Por, sakaq shoh pilotin e parë që shkëputet nga moli 5 dhe më shpejtësi del në anë të kanalit hyrës. E njoh, skafi i Enkelejd Shedullës që pret tragetin e mëngjesit “Adria”. Ndërkohë rimorkiatorët “Durrah” dhe “Epidamn” shoqërojnë tragetin “Adria” për tja bërë atij bregëzimin e sigurt. Disa peshkatore kthehen, disa të tjerë dalin për të filluar gjuetinë. Pamvarësisht mjegullës së mëngjesit, i bëra fotografi dhe i urova fat e gjueti të mbarë këtyre njerzve të guximshëm. Më pas fotografoj anijet e klasit GSM, të mbushur me kontenierë, godinat e institucioneve detare, rimorkiatorët e kompanisë së mjeteve detare, {ASHD}, anijet e transportit “Frojdi”, “Kristi I” të cilat përpunohen në port dhe skafet e pilotimit. Në molin 1 dhe “0” krahas mjeteve të pastrimit detar zënë vend skafet e institucioneve të ndryshme detare, Policisë Kufitare, Sigurisë të Autoritetit Portual, Kapitenerisë, Presidentit, Hidrografisë, Guardia Financës, zhytësat e Portit dhe ngjitur me fenerin e kuq, anija “Iliria” dhe MV “118” të Forcës Detare. Anash syri më kap skalierën e portit të peshkimit. Brenda pak minutave, me një vëzhgim të thjeshtë të krijohet përshtypja se Porti i Durrësit në vetvete përbën një pasuri të madhe. Është shkruar mjaft për këtë port të lavdishëm, që daton njëherësh me krijimin e qytetit, por ky mëngjes më thotë:- zotërinj krijues, keni shkruar pak për këtë port, pasuri të cmuar të kombit tonë. Sepse ky port shënon cdo ditë një histori, një tregim, një rrëfenjë, një histori të re. Ndërsa jetoja me këto mendime, shoh kamionët që zhurmshëm drejtohen tek depot e molit 3 dhe anijet, ndërsa skafi i kapiten Lulëzim Hates lëviz me shpejtësi për të pritur tragetin e radhës “Ventouris Ferries”. E kështu në portin e Durrësit, rrjedh një mëngjes i zakoshëm, i zhurmshëm, plot lëvizje dhe jetë. Më gëzon fakti që ky port gëlon cdo ditë dhe si një barometër i vërtetë tregon dinamikën e qytetit tonë. Natyrisht shumica e qytetarëve durrsakë, të rrëmbyer nga rutina e përditëshme, nuk e dinë se cfarë ndodh në port. Në fakt Porti me gjallërinë e tij, thyen përgjumjen e qytetit të Durrësit, ndaj lum si ai që shijon agimin e tij. Nderim dhe respekt të vecantë për të gjithë marinarët, specialistët, dokerët, vincierët, dispecerët, agjensitë detare, etj. të cilët me mund e sakrifica mbajnë gjallë aktivitetin e portit të Durrësit.
Miq të vecantë tek anija “Iliria”
Anija “Iliria”, anija flamurtare e Forcës Detare, qëndron hijerëndë tek moli “0” i portit të Durrësit. Kapiteni i anijes, Taulant Bako, bashkë me ekuipazhin kanë erdhur qysh herët në mëngjes dhe po bëjnë gati anijen për lundrim. Punët e detarëve nuk mbarojnë asnjëherë. Fillojnë herët në mëngjes me pastrimin, kontrollin dhe lëvizjen e mekanizmave, motorave dhe aparaturave; pastaj mbas cdo lundrimi, cojnë në vend gjithshka dhe organizojnë shërbimin e radhës. Shoh se këtë mëngjes djemtë e “Ilirisë”, po tregojnë merak të vecantë në përgatitjen e anijes. Mbasi ngrenë flamurin bëjnë instruktazhin e radhës dhe shkojnë nëpër postet e tyre. Ndërsa Komandanti i anijes me vartësit e tij zenë vend tek Ura e Komandimit, kryemotoristi Fredi Mara, motoristët Naltin Mersinllari dhe Ilir Qosja, provojnë gatishmërinë e motorrave. Dhe postet e tjera raportojnë gatishmërinë. Shoferi Lulëzim Voci bën furnizimin e anijes me ujë. Gjithëshka në anije është gati. Interesohem për itinerarin e këtij lundrimi. Përgjigjen ma jep Komandanti i Grupit, Kapiten i Rangut të II-të Lulëzim Kryeziu, i cili ka erdhur herët për të ndjekur përgatitjen e anijes. Kemi miq të vecantë sot, më thotë kapiteni. Do lundrojmë drejt Pashalimanit, duke pasur në bord kadetët e Qendrës së Studimeve Universitare të FS Kosovë. Është nder i vecantë për anijen tonë të ketë në bord miq të tillë, thotë kapiten Taulanti, ndaj në këto raste i zoti i shtëpisë shton dicka. Mbas pak minutash në sheshin para anijes shohim disa djem të rinj me uniformën e kadetëve dhe emblemën e Republikës së Kosovës që afrohen drejt anijes. “Jemi të impresionuar. Nuk mund ta imagjinomin para disa vitesh se do vinte një ditë e tillë”, thotë major Blerim Cufaj, drejtuesi i ekipit. Ushtarakë nga Kosova të lundrojnë me anijet e Flotës shqiptare?! Ëndërr! Tashmë realitet. E kemi parë vetëm në hartë. Mirënjohje për ata që e sollën këtë ditë, shprehet major Cufaj. Mirëseardhët në anijen “Iliria” i uron kapiten Luli. Të shoqëruar nga Komandant Taulanti, miqtë e cmuar i drejtohen urës së Komandimit në Anije, për ti treguar se tashmë jeni pjesë e ekuipazhit të anijes. Kërshëria dhe interesimi i kadetëve është i madh. E fillojnë me portin e Durrësit. I shpjegojmë një historik të shkurtër, përmasat dhe karakteristikat kryesore teknike të tij. Ndërkohë kapiteni jep komandën: për lundrim! Ndërsa MV 118 i ka liruar krahun, “Iliria”, lëshon cimën, kryen manovrën e radhës, kalon fenerët hyrës dhe futet në kanalin e portit. Në një det të qetë, anija le në të majtë anijet e radës dhe përshkon lehtësisht gjirin e Durrësit.
Nga Kepi i Lagjit në Pashaliman
Mjegulla që qarkonte bregdetin shqiptar atë ditë kufizonte fushpamjen e tij. Sidoqë kapiteni u përpoq të afronte anijen sa më afër bregut, shikimi ishte i pamundur, kështuqë djemtë e “Ilirisë” i shpjegonin vendodhjen nëpërmjet apraturave moderne të anijes. Cdo oficer apo detar i anijes, përpiqet të shpjegojë dicka për postin e tij, detin, historinë dhe gjeografinë detare. Një lëksion i hapur me përmbajtje civilo-ushtarake në detin Adriatik. I sapo kthyer nga një trajnim në SHBA, Kapiten Lejtnant Mufit Ferraj me dashuri e pasion i flet për anijen, të dhënat tekniko-taktike, rolin, misionin, operacionet e kryera gjatë këtyre viteve, ndërsa i bën një tur në gjithë anijen. Nga ana e tyre kadetët donin të dinin sa më shumë për anijen dhe detin. Jo se s’kishin parë anije dhe det. Disa prej tyre kanë qenë dhe pushues në bregdetin shqiptar. Por, anija flamurtare “Iliria”, ka histori dhe karakteristika të vecanta. Anijet e këtij klasi, bashkë më “Archangelat” dhe MV Amerikane të dhuruara në v.1999, po shkruajnë historinë moderne të Flotës sonë. Kapiten Taulanti qëndronte në urën e Komandimit, por duhej zbatuar tradita e zakoni i detarit shqiptar. Ndaj për disa minuta i lë komandën zvëndësit të tij për ti afruar kafe dhe biskota vëllezërve nga Kosova. Shfrytëzon kohën për ti treguar dicka për historinë dhe misionin e anijes. Më pas dhurata simbolike. Në dhomën e punës së efektivit të anijes zuri vend emblema e FSK dhe një kalendar i saj. Nga ana tjetër kapiten Taulanti i dhuroi major Cufajt, kapelën e personelit të anijes, foto të saj bashkë më një “Antologji të Detarisë shqiptare”. Ky moment i shërbeu dhe për shplodhje vëllezërve me uniformë, se lundrimi vazhdoi në det të hapur. Kështu anija mbasi përshkoi grykëderdhjet e lumenjve Shkumbin, Seman e Vjosë i afrohet ishullit të Sazanit. Lundrimi shoqërohet me foto, tregime e histori pa fund për jetën e detarëve shqiptarë, momentet më të vështira, trajtimin, përgatitjen e personelit detar, etj. Detarët tanë kanë cfarë të tregojnë për këtë. Marinari i vjetër Fredi i tregon motorat Caterpillar, detarët Hamzallari dhe Vjeshta, tregojnë jetën në anije, Inxhinjer Olger Shkëmbi për cilësitë e motorrave, skafit dhe të dhëna të vecanta për bregdetin, kapiten Nezha për lundrimet e kryera. Aq sa mund të tregosh në një lundrim prej disa orësh. Duket se moti i ndihmoi djemtë nga Kosova. Detari i ri vlonjat Florian Lilaj, dëgjon dhe ai me vëmendje. Një foto përballë ishullit të Sazanit dhe disa njohuri për të, bregdetin Jonian dhe shpellat e Karaburunit, piratin Haxhi Alija, trafikun e sotëm, etj. Vërtet bregdeti jonë është i shkurtër, por aq sa labirinthe ka reliefi, po aq histori mbart në vetvete bashkë me fundin e detit. Mund të shkruash novela e romane pa fund. Duket se lundrimit po i vjen fundi. “Iliria” merr kursin për në bazën e lavdishme të Pashalimanit. Miqtë shijojnë magjinë e Gjirit të Vlorës, sodisin me kërshëri në njërën anë bregdetin shkëmbor dhe plazhet e Karaburunit, ndërsa në anën tjetër shfaqet qyteti i Vlorës. Shfrytëzoj rastin për ti treguar dicka për stërvitjet e para me anijet amerikane dhe të NATO-s, vizitat që ato kanë bërë në portet tona dhe dicka për operacionet detare. Temat e bisedave ishin të bollshme, vetë ajri i pastër, natyra dhe deti të frymëzojnë për të qenë më i clirët dhe bashkëbisedues. Pamja e bazës së Pashalimanit ishte një befasi tjetër për kadetët. Kishin dëgjuar plot histori për të dhe tani erdhi puna ta shihnin e preknin vetë. Dhe detarët aq sa dinin i shprehnin lirshëm, flisnin sikur të ishin njohur prej vitesh. Për mbi 3 orë anija u kthye në auditor dije dhe leximi për detin. Nga bordi i anijes “Iliria”, djemtë e rinj nga Kosova panë të gjitha llojet e anijeve, kantierin dhe ambientet e Bazës së Pashalimanit. Është një nga ditët më të mrekullueshme të jetës, u shpreh instruktor Granit Hasanaj. Largohen nga anija mes përqafimesh, për ato që panë dhe jetuan me detarët e “Ilirisë”, për shpirtin e tyre dhe miqësitë e krijuara rishtas. Ju presim në Kosovë, ishte mesazhi i ndarjes. Në molin e Pashalimanit, miqtë i pret vetë Komandanti i Flotiljes Detare Pashaliman, Kapiten i Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani. Komandanti Kreshpani i shpjegoi konkretisht bazën, më pas një foto e përbashkët. Por, leksioni për Forcën Detare dhe detin nuk mbaron këtu. Në vijim, Zv/Komandanti i Flotiljes Detare, Kapiten i Rangut të II-të, Engjëll Sinanaj, nëpërmjet një brifingu të zgjeruar i shpjegoi kadetëve historinë, misionin, operacionet SAR të kryera nga Forca Detare, si dhe misionin e ri në Detin Egje, ku për herë të parë, FD kryen një mision të tillë. Me këtë shpjegim kadetët e FSK e mbyllën vizitën në Forcën Detare. Natyrisht mjaft prej tyre e kishin vizituar bregdetin shqiptar, por kjo vizitë mbresëlënëse ja shtoi 100 fish dëshirën për të pushuar në këto brigje.
Një fidanishte e denjë për përgatitjen e oficerëve të ardhshëm
Në fakt nuk kisha dëgjuar që në Kosovë të kishim një universitet për përgatitjen e oficerëve të ardhshëm, ndaj mu duk një befasi e këndshme një lajm i tillë. Një grup studentësh të Qendrës së Studimeve Universitare Prishtinë kreu një vizitë në KDS dhe Komandat e Forcave në Shqipëri, të shoqëruar nga major Gega. Një ditë ata ja kushtuan Forcës Detare. Dhe ata mësuan dicka, por dhe ne mësuam shumë prej tyre. Gjatë lundrimit u njoha me programin, curriculat dhe kohëzgjatjen e këtij universiteti. Për 4 vite atje formohej si ushtarak, ndërsa merrje dhe diplomë në një degë civile. Ishte gërshetuar përvoja më e mirë e akademive të NATO-s, bashkë me universitetin Amerikan në Prishtinë. Në përzgjedhjen e kandidatëve ishin përdorur kritere të shkollave perëndimore. Rezultat, aftësi, meritë, konkurs, TOEFL dhe SAT. Qindra djem e vajza kishin konkuruar, por kishin fituar më të mirët. Gjithashtu më gëzoi fakti që në këtë shkollë studjonin dhe të rinj nga Shqipëria. Mbas përfundimit të studimeve dhe një përvoje në reparte, kadetët shkonin një vit në SHBA, në sajë të një marrëveshje bashkëpunimi të shtetit të Kosovës me shtetin e Giorgias. E pra, nuk ka më bukur. Zgjidhja e duhur në kushtet reale që kalon FSK dhe Ushtria shqiptare. Një fidanishte e së ardhmes, ku krahas të rinjve nga Kosova, mund të studjojnë dhe të rinj nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ju lumtë. Udhë të mbarë vëllezer! Udhë të mbarë shkolla e ushtarakëve të ardhshëm të FSK dhe FA Shqiptare!