*NIKOLLË CAMAJ: MAKINERIA NACIONALISTE E QEVERISË MALAZEZE PRODHON VETËM ASIMILIM PËR SHQIPTARËT/
*Intervistë e Editorit të Diellit, Dalip Greca, me z. Nikollë Camaj, Kryetar i LD-Dega e Malesisë dhe këshilltar i kesaj partien ne Kuvendin e KU te Tuzit/
Një ndër veprimtarët më të spikatur të çështjes Kombëtare në Mal të Zi, Këshilltar i LD në Kuvëndin e KU të Tuzit në Mal të Zi, z. Nikollë Camaj, ishte për vizitë në SHBA. Ai ishte pjesmarrës aktiv dhe folës në protestën e madhe kundër qeverisë së Gjukanoviçit-shkelëse e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, organizuar në Uashington me 8 prill 2014. Para largimit ai u takua edhe me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Buçaj.Editori i Diellit iu lut z. Camaj për një intervistë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga qeveria Malazeze. Ndiqeni:
-Me çfarë mbresash u kthyet nga vizita që realizuat në SHBA?
Nikolla Camaj: Ishte kjo një pervojë e re, në dallim me vizitat e mëparshme. Pjesëmarrja në protestë në Washington, për mua qe një ngjarje tejet e veçantë, të cilën që në fillim dua ata vlerësoj si të organizuar mire. Ishte ky një rast për të takuar shumë persona e personalitete të shquara nga diaspora jonë, të cilët nuk do t’i takoje po të mos ishte ky eveniment. Natyrisht se mbresat si gjithnjë janë pozitive, përpos dhimbjes që shkakton ndarja nga të afërmit që i kam përtej Antlantikut. Edhe pse më së tepërmi më gëzojnë rrugët që më çojnë drejt shtëpisë sime, dua të them se ndarjet kanë mall, prandaj sado që kthehem i mbushur me kënaqësi, me vete marr një barrë të rëndë dhimbjeje dhe malli për njerëzit që lë andej.
Le të përqëndrohemi tek demonstrata e shqiptarëve të Amerikës para Shtëpisë së Bardhë dhe para Ambasadës së Malit të Zi. Cili është vlerësimi juaj për këtë demonstratë? Ai ia arriti ajo qëllimin?
N.Camaj- Veç e thash se demostarta ishte në nivel. Ishte ky një udhëtim dhe aktivitet jo pa sakrifica, i gjithë atyre burrave e burrneshave që shkuan në Washington për të kërkuar drejtësi për shqiptarët në Mal të Zi. Aty u dëgjuan shumë fjalë me vend, shume porosi të qëlluara, kërkesa të artikuluara shumë mire, andaj si e atillë ajo e plotësoi objektivin që i kishte vënë vehtes. U dëgjua zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare, zëri i dinjitetit malësor. Gjithë ajo masë, me perovoja jo të mira me Malin e Zi dhe të sillet me aq dinjitet, vëretet është për çdo lëvdatë. Por protesta nuk do të duhej të përfundoj me kaq. Ajo do te arrijë qëllimin vetëm nëse edhe ne në vendlindje do të jemi të gatshëm të sakrifikojmë diçka, duke hequr dorë nga privilegjat që i ofron partia në pushet, e që janë privilegje personale, në dëm të çështjes kombëtare. Protestuesit duhen të jenë më aktiv me të afërmit e vet në vendlindje, në mënyrë që të ndikojnë që të mos e përkrahin partinë e kryeministrit Gjukanoviq, kundër të cilit ishte protesta.
Ju folët në demonstratë. Cili ishte mesazhi që përcollët?
N. Camaj- Të folurit spontan nganjëherë mund edhe të mos artikulojë mesazhe krejt të qarta, mirëpo duke qenë se protesta kishte të bënte me të (pa)drejtat tona në Mal të Zi, dhe pasi që i njoh fort mirë rrjellat politike te ne, besoj se arrita të përcjell mesazhin mbi nevojat tona kryesore, mbi problemet tona, e mbi të gjitha, mbi nevojën e fuqizimit të zërit që flet për padrejtësitë tona. Derisa Mali i Zi shpenzon milionat në zërat që flasin se Mali i Zi është shteti ideal, atëhere ekzston nevoja të bëhet çmosi që të fuqizohen zërat që e thonë të kundërten, pra të vërtetën. Protesta ishte në favor të kësaj, por nuk duhet ndalur vetëm tek ajo. Po ashtu edhe para ambasadës pata një prononcim të shkurter drejtuar atyre që ishin pas mureve të atij pallati, të cilësuar si pallati i mashtrimeve, përkunder Shtëpisë së Bardhë, apo Pallatit të demokracisë. Ajo që kërkova nga z. Gjukanoviq ishte që të mësojë diçka nga demokracia amerikane, nga e cila ne shqiptarët kemi mësuar shumë, dhe të kthehet në Malt të Zi e të përmbushin, jo vetëm obligimet kushtetuese, por edhe premtimet dhënë shqiptarëve që nga viti 1997, e sidomos nga koha kur ata i krijuan shtetin.
Nëse do të ndalemi në detaje çfarë të drejtash të Shqiptarëve shkel Qeveria e Gjukanoviqit?
N. Camaj- Shkurt, pyetja është se çka nuk shkel? Kjo qeveri shkelë pothuajse çdo të drejtë. Të drejtën në punësim, në përfaqësim, në shfrytëzim të resurseve lokale (të mirat detare, kryporja, vreshtat, pyjet etj.) dhe në shpërndarje të të ardhurave të përgjithshme; në investime (ku janë repartet e prodhimit, ku është kopshti fëminor, tregu i gjelbërt, palestra sportive në Tuz etj, të premtuara vite me radhë); në shkollim, që nga ai parashkollor e deri në superior, por edhe në shpërndarje të pushtetit përmes pengimit të themelimit të komunës për Malësinë, e cila jo vetëm se paraqet obligim kushtetues, por edhe premtim e zotim para të gjitha zgjedhjeve të deritashme, të cilat i ka fituar mbi platformën e komunës për Malësinë. Për këtë afati i fundit ishte viti 2013, e sot na paraqiten me një eksperiment të ri që ka për qëllim që edhe më tutje të zvarrisë status quon për Malësinë. Për fat të keq, në këtë drejtim aleatë po gjen edhe ndër shqiptarë, madje edhe në subjekete nacionale shqiptare.
Është folë gjatë për Komunën e Tuzit. Përse nuk e kanë ende shqiptarët këtë të drejtë, kur Kushtetuta e Malit të Zi ua njeh të drejtën e vetëqeverisjes lokale?
N. Camaj- Mali i Zi është një njerkë ndaj shqiptarëve. Por, ai ka gjetë servilët e vet, të cilët situatën në Mal të Zi e paraqesin si të favorshme për pakicat. Përmes tyre Mali i Zi po paraqitet si shembull i tolerancës, çka në të vërtet nuk është. Mali i Zi është një shfrytëzues i pashembullt i pakicave, sepse oligarhija në pushtet përmes pakicave po ruan pushtetin, gjithnjë duke i frikësuar ato me ardhjen e të tjerëve në pushtet. Frikë kjo krejt e parasyeshme, e cila po jep rezultate. Kjo është edhe njëra nga arsyet që nuk jepet komuna. Spese përmes votave që i vijnë nga Malësia, në formë të votës së dyfishtë (ne votojmë për asamblenë e Tuzit dhe të Podgoricës) ajo qeverisë Podgoricën. Pra, Podgoricës i duhen votat e Tuzit, por edhe resurset. Në ndërkohë, me të madhe punohet në ndërrimin e strukturës etnike, kështu që së shpejti një mjedis me mbi 90% shqiptarë, do të shndërrohet në një mjedis ku shqiptarët do të jenë pakicë, gjë që po ashtu mund të radhitet në arsyenat për mosdhënie të komunës.
Po shqiptarët vetë a e kanë “ndihmuar” ndopak Gjukanoviçin me mosbashkrendimin mes tyre në mosplotësimin e kërkesave elementare të Shqiptarëve atje?
N. Camaj: Natyrisht se e kanë ndihmuar dhe janë bashkëfajtor. Por duhet dalluar viktimën nga xhelati! Sepse nuk ka qenë e lehtë t’i rezistohet makinerisë asimiluese që prodhohet në laboratoret malazeze. Me parullën devide et impera, që po jep rezulatet si pak ku, ata po arrijnë të formojnë shumë subjekte shqiptare dhe pastaj një pjesë të mirë të tyre t’i kontrollojnë, kurse pjesën tjetër pothuaj t’a neutralizojnë, duke e ushqyer masën me psudoinformacione diskredituese, me të cilat tentojnë që të gjitha të paraqitet si aleate të pushtetit, kështu që votuesi nuk e ka të lehtë dhe shpesh dënon atë që nuk duhet dënuar dhe përkrahë atë që nuk guxon ta përkrahë. Me këto manipulime e hile, ky pushtet po qëndron tash 24 vite. Mali i Zi është rast unikal në Ballkan për faktin se pushteti nuk ëshë ndërruar që nga viti 1990, e edhe si i tillë paraqet kontinuitet të pushtetit të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.
Në takim me disa përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, pas demonstratës, Gjukanoviçi ka thënë se përfaqësues të disa partive shqiptare janë dakort për projektin e një komune të Tuzit në vartësi të Kryeqytetit. A thotë të vërtetën ai në këtë rast?
N. Camaj- Po ai e thotë të vëretetën dhe këtë për fat të keq e kanë nënshkruar shumnica e aktorëve politike në Malësi. Cila ishte arsyeja nuk e them dot, por i vjen era tregti. Dhe ne e kemi këtë problem. Të gjithë ata që e nënshkruan kërkesën për një nënkomunë, mandatet i kishin fituar me projektin për komunë të plotë. Pra, ata e hiluan zgjedhesin e vet dhe shpresoj se do t’i dënojnë në zgjedhjet e 25 majit. Nëse kjo nuk ndodhet atëher manipulimi ka arritur kulmin, së bashku me korrupsionin politike. Por ajo në çka nuk ka të drejtë z. Gjukanoviq është se ai me këtë tenton ta arsyetojë edhe zvarritjet e mëparshme. Ai nuk kishte asnjë arsye që këtë ta zvarriste me realizimin e komunë së Malësisë, përpos atyre që i përmenda më parë, pra arsyeja e mbijetesës së vet politike.
Zoti Camaj, ju keni 25 vjet në politikë dhe keni qenë një luftëtar i të drejtave të shqiptarëve. Pyetja ime: Në dekadën e fundit, është në ulje asimilimi i bashkatdhetarëve tanë atje, apo në rritje?
N.Camaj- Për fat të keq, edhe pse nevoja kurrë nuk ishte më e vogël, mundësitë janë më të mëdha se kurr më parë, kështu që asimilimi është në rritje, në rend të parë për shkak të prezencës së madhe të elementit boshnjak dhe bashkndiesisë kombëtare të “sheherlinjëve” të Tuzit, në bazë të përkatësisë fetare. Përpos ardhacakëve boshnjakë edhe ky fenomen ka ndikur dukshëm në ndryshimin e strukturës etnike në Malësi.
A ishte një këmbanë alarmi situata që u krijua në zgjedhjet e fundit lokale me partitë shqiptare në Ulqin?
N. Camaj- Do të duhej të ishte, por nuk e di nëse është. Druaj se Tuzi nuk mësoi gjë nga Ulqini, dhe këmbanave nuk u arriti zëri këndej. Vet fakti se në koalicion parazgjedhor kemi një parti shqiptare me një parti boshnjake dhe me partinë e Millo Gjukanboviq, fletë më së miri se ku gjendet “patriotizmin” i disa partive shqiptare dhe se sa të interesuara janë që në Malësi të qeverisin shqiptarët. Si duket disa shqiptarë, për pak privilegje personale, më hall kanë si të ruajnë pozitat e Millo Gjukanoviqit se të vetat, e të popullit të vet.
Para demonstratës pat kundërshtarë të organizmit të demonstratës, pat prononcime në rrjetet sociale, ndërkohë që kishte nga ata që mendojnë se shqiptarët e Malit të Zi duhet t’i kërkojnë fajet dhe tek vetja, tek boshatisja e vendlindjes, tek shitja e pronave, etj. Si mendoni ju, kanë të drejtë zëra të tillë?
N. Camaj- Nëse duhet të kërkohen fajet edhe te ne, kjo s’do të thotë se nuk duhet të protestojmë për te drejtat që na takojnë. Protesta është legjitime dhe duhet drejtuar gjithë atyre që mbahen për fajtorë, por po e përsësrisë, nuk është mirë të nivelizohen viktima dhe xhelati. Në këtë drejtim duhet pasur kujdes që të dallohen viktimat e vëreteta nga ato “viktima” që janë strukur nën fustanellën e Millo Gjukanoviqit dhe rrinë nën hijne e lisit pushtet. Përgjithësimi se “të gjithë janë njësoj” ndoshta bënë edhe më shumë dëm se vet aktivitete e partisë në pushtet. Por duhet ditur se edhe këtë “përgjithësim” e kurdisin strukturat e pushtetit, të përgaditura për të manipuluar me masat. Personalisht jam munduar me gjithë forcën që të dëshmoj se jo të gjithë jemi njësoj dhe se, jo që të gjithë jemi të gatshëm të bëjmë kompromise të kalbura me pushtetin. Edhe fakti se ne nuk e nënshkruam kërkesën për eksperimentin “komunë e kryeqytetit” dëshmon se dijmë të ruajmë dinjitetin tonë dhe se nuk bëjmë pazardhiqe në dëm të popullatës sonë.
Federata Vatra e Amerikës i ka propozuar ansambleistit të Shtetit të NY, z. Mark Gjonaj, që është me origjinë nga trevat shqiptare në Mal të Zi, që t’i prijë një delegacioni shqiptaro-amerikan për një vizitë në Ambasadën Amerikane në Podgoricë. Mendoni se do të jetë efekte një vizitë e tillë, nëse bëhet?
– Propozimi është shumë me vend, por kam një sygjerim; duhet pasur para syshë se malezazët premtojnë shumë dhe nuk e kanë fare problem që të mashtrojnë dhe për mashtrimet e veta shpikin “fajtorë”.
Një mesazh përmes Diellit për shqiptarët e Amerikës?
N. Camaj- Për fund do të përkujtoja vetëm vargjet e Nolit: “Mbaju nëno mos kij frik’, se i ke djemtë në Amerikë”, të cilat janë akom aktuale. Nëna Malësi gjithnjë ka nevojë për bijtë e vet kudo që janë. Edhe pse ka zëre që dëshirojnë t’i menjanojnë, ata asesi nuk guxojnë të pranojnë një rol të tillë. Ata kanë lindur këtu, kanë pronat këtu, kanë eshtrat e të parëve këtu, prandaj kujdesi për Malësinë është më se i natyrshëm.