Krijuesit e parë të folkorit të EHLV gjenden në burimin e këngës/
Nga Albert HABAZAJ*/ studiues
Krijimi folklorik e ka një fillesë krijuese individuale, që, edhe sipas prof. Xhagollit, nëse do të hyjë në qarkullimin folkorik të një bashkësie të caktuar, shndërrohet në krijimtari folklorike[1]. Sikur të kishte mundësi të ngjiteshim në kohë deri në burimet e këngëve të popullit, ndoshta do të gjenim, mes mjegullës së viteve e shekujve, krijuesit e parë. Një nga këta poetë modestë të popullit, që s’ humbi, si humbisnin dikur emrin, duke lënë shpirtin e mendjen në vargje, është dhe Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Vlorës (1900 – 1978).
Këngët e tij, ashtu si ato të Mato e Selim Hasanit, Rrapo Metos, Nase Benit, apo Sheme Sadikut, veshur me fustanellë të bardhë, etj., patën fatin e madh të hyjnë në gojën e popullit, si këngë e mirëfilltë popullore që ka fituar anonimatin, edhe pse mund të njihet autori, se dallon nga stili, reflekset, thjeshtësia, “të qepurit” drejtëpërdrejtë, aty për aty, ngyrat poetike, ritmike, rimore apo gjatësia e vargut të kënduar dhe qartësia. Pushka, kënga dhe kërraba janë trinia e jetës së luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtorit të asaj epopeje. Qysh 20 vjeç koha e kërkoi ta provonte në dy fronte se sa peshonte ai djalë. Në frontin e luftës me “Italinë e parë” e mori vulën e trimësisë, se u plagos. Ndërsa për në frontin e këngës, komentet për të janë të tepërta, sepse në Labëri njihen ato që “ka qepur” xha Xhebrua. Po qepi këngë Xhebro Gjika dhe Mato Hasani, – thonë banorët e Lumit të Vlorës – e ka zënë buba atë punë!...Kjo është shkalla sipërore e vlerësimit të komunitetit për krijimet e këtyre këngëtarëve trima, me humor, të guximshëm dhe të hapur. Xh. Gjika i ka kënduar në llogore shpirtit liridashës e luftarak të shqiptarit, për guximin e heroizmin e tij tradicional, të manifestuar në atë luftë të madhe të të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm popullit të Vlorës, për liri, ekzistencë e përparim.
Këtu e ka zanafillën rrëfimi i këngëzuar me kaq dashuri e krenari për dëshmorët e Luftës, për trimat e LV që bën trimi i këngës, sepse edhe kënga ka e kërkon trima. Krenaria e krijuesit këngëtor është e shkrirë në një me krenarinë legjitime të popullit. Ja vargjet e Xh. Gjikës kushtuar Luftës së Vlorës, 1920, e cila nuk është botuar në asnjë botim të deritanishëm folkloristik. Është një këngë disi e gjatë, në natyrën e Xh. Gjikës, të cilat i niste vetë me dy – tre strofa dyshe, shtruar,vënçe, pastaj i thoshte fjalët që qepte atij që kishte në krahë, dy – tre strofa dyshe, të cilat ai i këndonte po në atë vijë melodike, në shtrat, me atë avaz që e niste marrësi i parë, e kështu me radhë qarkullonte kënga deri sa e mbyllte prapë thurësi i këngës. Kjo natyrë të kënduari ka qenë karakteristike e pleqve për komunitetin nga vjen e këndohet kënga. Kujtesa jonë i ka të regjistruara të freskëta këngët me natyrë recitative, që me narracionin e tyre të gjallë e jetësonin ngjarjen, e binin afër, pranë nesh, që bënim iso, se na mbanin pas vetes moshatarët, që të rriteshim dhe me frymëmarrjen e këngës labçe vënçe, si të parët. Pas moshatarëve shkonim si qengjat pas dashit përçor, ne, si të thuash, bënim pas pleqve “solfezhin”, veçse nuk na lejonin të dilnim si kërriçi para gomarit, se kështu na qortonin kur hidheshim, ngaqë na dukej se e mësuam mjeshtërinë e të kënduarit atë çast. Kënga e xha Xhebros na jep dhe një informacion të bollshëm dhe të besueshëm, sepse ai ka qenë vetë në Luftë, jo thjesht një dëshmitar, por një njeri në veprim, me zjarrin e armës dhe me flakën e këngës: “Në Vlorën me histori/ Është lufta që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/ Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh’ mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/ Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedanë,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi, burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukanë/, M’u si sorkadhi me bri!/ E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali Muranë/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrallë/ I ra gjylja në kërci…/ E ç’ gjë t’u këndosh më parë/ Një argjënd e një flori!/ Gjaku që u skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjaknë/ Fyta fyt me mizori./ Ish – bejlerë e agallarë/ U hodhë në tradhëti;/ Shushënja do kapitalë/ S’mendonin për Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishanë -/ Bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata mben’ yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë, kjo balt’ e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u grumbulluan,/ I ruajn’ si bagëti/ I vunë në pun’, i shtruam,/ Ah, ç’ishin për bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël po heroike,/ Me armiq thikë për thike/ As u trembe, as u lige/ Nga qindra hordhi armike”.
Janë 54 vargje monokolonë, në interpretim recitativ, që përbëjnë këtë këngë të gjatë me nota realiste, të cilat mund t’i quajmë edhe historia e LV në këngë; që na shkakton emocione të fuqishme me frymën baladeske, e cila mban në këmbë lëndën e këngës, ku trimëria dhe dhembja për të njohurit, bashkëfshatarët, trimat e rënë shkrihen në një masë bazike, që i ngjiz krijuesit – luftëtar nderimin për të rënët, forcën dhe frymëzimin, që nuk është vetëm krisma e pushkës, që sjell fitoren, por, ajo e shoqëruar me krismën e këngës, e bën më të afërt, më të bukur, më madhështore dhe fisnike fitoren ndaj pushtuesit matanas. Historia na ka njohur me shumë trima, heronj e dëshmorë të LV, 1920, dhe njerëzit e dinë që LV ka patur shumë heronj. Ndoshta krijuesi mund ta ketë njohur atë “det me trimëri”, por atij dhe komunitetit të tij nuk i interesojnë të gjithë. Xh. Gjika këndon për ata që ka të “tijët”, për dëshmorët e rënë, për ata që ka njohur më nga afër, për ata me të cilët ka luftuar ai me çetën e tij të Tërbaçit. I këndon kryetrimit Selam Musai të Njëzetës; i këndon komandantit të çetave të Rrëzës, kapedanit Sali Murati, nga Vranishti, se Vranishti është fqinji juglindor; i këndon patjetër Selman Hysenit, vëllait të tij, komandantit të çetës së Tërbaçit; i këndon Hodo Zeqirit të Dukat, komandantit të çetës së Dukatit, se Dukati është fqinji perëndimor; i këndon edhe Toto Hosit nga Bolena, se Bolena është fqinji lindor dhe Tërbaçi i tij ka shkuar mirë me fqinjët ndër kohëra, ka patur vajtje – ardhje, si i thonë banorët. Është rasti të evidentojmë se deri në ç’imtësi e detaje futet kënga: “mori tri plagë plumbi” apo “ i ra gjylja në kërci”. Dhe këtë e bën vetëm ai që ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarje, në tym e flakë, se po të mos ishte kështu, të tjerët që kanë qenë në llogore me trimat, me të rënët nuk do ta pranonin dhe nuk do ta këndonin këngën e tij dhe, më keq akoma, ai do të ishte i shpërfillur dhe i përbuzur nga komuniteti. Realiteti dhe koha ka vërtetuar se ky krijues dhe marrës këngësh ka qenë pjesëmarrës e mbetet i besueshëm, se nuk është kontestuar dhe për vlerat e tij shpirtërore dhe për plagët e luftës është vlerësuar edhe nga komuniteti. Nuk e quajmë të tepërt që Xhebro Gjika është vlerësuar me dekoratën më të lartë që jep Shoqata Mbarëkombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”: “Personalitet i shquar i Labërisë”, sikurse dhe Mato Hasani i Bratit e pak të tjerë që mbartin vlera të tilla dhe shembulli i tyre jep mesazhe për sot dhe nesër. Na bëri përshtypje nga teksti vlerësimi i krijuesit popullor për trimin: “luftëtar si ai”, duke përdorur spontanisht shkallën më sipërore të krahasimit, që ai trim krahasohet vetëm me veten, se s’ka me kë të krahasohet e të tjerët do të krahasohen me të. Një krahasim i bukur e origjinal del i dallueshëm tek kjo këngë, që tregon edhe adhurimin e krijuesit, njëkohësisht bartës i këngës, kur këndon: “ m’u si sorkadhi me bri”, duke dhënë figurativisht cilësinë e trimit, si një djalë me trup të hajthëm, të hollë, të zhdërvjellët e të hedhur, që shumë të lehtë e të shkathët e bën era e lirisë, dhe që sakrifica sublime që bëri Hodo Zeqiri e bën sorkadh mali dhe i zbukuron emrin heroik.
Historia lokale e komunitetit tërbaçiot, na tregon se nga Tërbaçi kanë qenë 226 atdhetarë pjesëmarrës në LV, ku kanë dhënë jetën dy dëshmorë (shehitë u thoshin atëherë). Kujtesa e më moshatarëve ka ardhur si stafetë tek të më pasmit nëpërmjet rrëfimit gojë më gojë, gjithashtu edhe nëpërmjet botimeve monografike apo kujtimeve të të parëve. Sipas Mujo Gjondedës, shënojmë këtë ngjarje: “Në LV, ku i pari i këtij fshati, Halim Xhelo në Beun të Velçës mblodhi burrat e krahinës, hodhi kushtrimin për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit. Në atë mbledhje, mori pjesë jo vetëm Halimi, si organizator, por edhe shumë burra të shquar tërbaçiotë. Fill pas mbledhjes, pjesëmarrësit mblodhën fshatin dhe çdo familje pa përjashtim u përfaqësua në çetë me një burrë. Këtë çetë e komandoi biri i fshatit Selman Hysen Gjondeda. Në këtë luftë fshati i Tërbaçit dha dy dëshmorë: Sali Selman Gjikën dhe Qamil Mezin Cacën. Gjithashtu, në këtë luftë pati dhe shumë të plagosur, midis tyre edhe komandanti i çetës Selman Hysen Gjondeda. Atij gjylja i plagosi të dyja këmbët, por pa pasoja për jetën. Kjo luftë pati jehonë dhe bëri që zëri i Shqipërisë të dëgjohej edhe në Europë. Dhe populli i këndoi kësaj epopeje: “Ç’ është kështu si dëgjojmë! / Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet milionë”[2].\