Që prej të shtunës emri i Emiljano Shullazit, është rikthyer në qendër të vëmendjes. Ai u shoqërua për kërcënimin e kandidatit për Rektor Mynyr Koni, por pak më vonë ju njoftua arrestimi me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda për gjobëvënie. Cila është e vërteta dhe a ka sfond politik e gjithë kjo ngjarje? Sipas kryeredaktorit të Top Channel, Mentor Kikia, në Top Story me Sokol Ballën, ai tha se, Shullazi gaboi në një moment të vetëm; atëherë kur kërcënoi një shtetas amerikan. “Gabimi i Shullazit ishte që i vuri pistoletën një biznesmeni që mbante pasaportën amerikane. Po të mos e kish bërë këtë do të ishte duke shijuar frutet e biznesit të tij”, thotë ai. Kikia thotë se kryeprokurori Adriatik Llalla, duke folur për ngjarjet e rënda kriminale të fillimvitit në Durrës, i lidhte ato me përplasje bandash për trafiqe droge, duke nënkuptuar Shullazin, ndërsa sa i takon mbështetjes politike… “Ka patur apo jo mbështetje politike? Unë them që ka patur dhe ka qenë ky faktori kryesor që prodhoi Shullazin. Gjobëvënia ekziston kudo, por në Shqipëri u shndërrua në formë biznesi nga Shullazi, sepse ka qenë mik me të gjitha palët. Shullazi ka qenë njeriu që organizonte gjërat me porosi. Është kapur nga të gjitha palët e policisë dhe herë ka dalë i palagur dhe herë për të shuar zhurmën e momentit”, theksoi z.Mentor Kikia