• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE GRUA MIDIS DY BURRAVE

November 9, 2021 by s p

Nga Kerri Huper dhe Skifter Këlliçi/

Po botojmë fragmentin e fundit të romanit të mësipërm me temë amerikano-shqiptare, shkruar nga poetesha amerikane Kerri  Huper, dhe shkrimtari Skiftër Këllici, dhe botuar kohët e fundit nga enti  botues ‘Lulu’ në Amerikë:

Përse përvijimet, tashmë të një trishtimi sfilitës dhe gërryes, përsijaste ato çaste Ralf Kallagani  kishin nisur të shfaqeshin me aq këmbëngulje ditët e fundit në fytyrën e Merit? Përse edhe Vilma, kur ai i kujtonte se Çarli dhe Meri ishin vërtet një çift për t’u pasur zili, përpëliste qepallat, sajonte shkarazi një buzëqeshje që i fikej shpejt në fytyrë dhe vetëm sa  tundte kokën në shenjë pohimi? Mos ndoshta se diçka kishte nisur të ndodhte midis atyre të dyve?…    Në ato çaste atij iu bë se hullitë e trurit të tij ishin ndezur flakë dhe ishin shndërruar në një masë të shformuar, të shkapërderdhur, ku këto pyetje, si meteoritë përshkënditës, binin më rrapëllimë teposhtë, fundoseshin në të, duke ngritur një mjegullnajë vrundulluese që po e marramendte dhe po i birrte shikimin.

    Dhe ja, Ralf Kallagani ndodhej  tani përballë Kreshnikut. Për të tretën herë kaq pranë. Herën e parë, kur e kishte parë të dehur në një klub, kishte vënë re se sytë e tij, si të ishin të veshur nga avujt e alkoolit, kishin përftuar pamjen e qelqeve opake, ku kaltërsia  e thellë, në blu, e këtyre syve, përpihej nga një ngjyrë të gjelbër, disi kënetore. Herën e dytë, pasi policët e tij e kishin rrahur para restorantit “Panera”, (tani ai ndiente një cimbisje therëse në zemër, për këtë veprim që i dukej shumë i rrëmbyeshëm), ata sy te tij  sikur ishin bishëruar, duke shkreptirë me xixëmime kuqëluese, aq sa atij i ishte dukur se dritësimi i tyre po i përzhiste fytyrën.Kurse tani ato sy  kishin marrë ngjyrim të paqmë, ashtu si qielli trazuar pas stuhisë; tani ata ishin kredhur në një kthjelltësi të yjëzuar, sikur ai të kishte shkarkuar nga vetja tërë atë barrë të rëndë e të stërmundimshme që e kishte  kërrusur e sfilitur mundimshëm për vite.

      Ndaj, Kreshniku, krejtësisht i shpenguar, zgjati duart e tij të mëdha dhe të ashpra, të bashkuara në kyçe, drejt duarve të Ralfit  duke pritur që ai t’u vinte prangat.

      Në jetën e tij si shef policie, Ralfi kishte  qenë i pranishëm në arrestimin  e  shumë  keqbërës, kriminelë, që kishin grabitur banka, që kishin vrarë njerëz, që ishin  orvatur t’ua mbathnin, të fshiheshin si të mundin e ku të mundin, edhe  në ato raste, duke përdorur armët kundër ruajtësve të rendit. Kishte  qenë i pranishëm kur ishin  arrestuar  edhe  financierë, falsifikatorë, politikanë të korruptuar, duart e të cilëve dridheshin, sytë u përpiheshin nga tmerri, duke marrë me mend se do të përfundonin në qelitë e burgjeve, se pastaj do të nisnin proceset hetimore dhe  pastaj procesi gjyqësor, ku ata do të  dënoheshin që të kalonin vite e vite pas hekurave, ose, më keq, të përfundonin edhe në karrigen elektrike, a për t’u ndarë nga jeta, pas një gjilpëre të mprehtë në krah…

      – Kurrë nuk kam ndier keqardhje, për keqbërësit , – i tha  Ralfi Skotit që kishte pranë, –  sepse gjithnjë jam  prirë nga parimi se: “I ashpër është ligji, por është ligj”. Por krejt ndryshe po ndodh tani që po arrestoj këtë djalosh që kam përballë… Kreshnik Germenin.

        Kreshniku  u përmend, kur Ralfi i shtrëngoi në kyçet e duarve prangat e ftohta.

        – Zoti Ralf, – i tha i ngashëryer. – Nuk më vjen keq që bie në burg, se këtë e meritoj. Por më vjen keq që bota do të marrë vesh se kështu përfundoi  biri i një shqiptari që u vra pas një akti të guximshëm dhe mbetet edhe sot i nderuar nga ju, amerikanët.

    Befas midis Kreshnikut, Ralfit dhe policëve  u vu një burrë plak i rrëgjuar, i kërrusur, flokëzbardhëllyer, pamje të drobitur.

      – Më quajnë Xhejms Klemens, – i tha Ralf Kallaganit duke e përbiruar me sytë e tij të përqarë. –  Mos e merrni atë me vete, zotërinj të nderuar të policisë, sepse , siç e tha edhe vetë, u rrit si çdo ferishte, i pastër si ujët e burimeve, i kthjellët, si qielli pa re, i dritësuar, si dielli tërë botësor.

      Pas këtyre fjalëve që e lanë Ralfin dhe të tjerët të topitur, Xhejmsi shpërtheu  në lot, që zunë të çurgonin faqeve të tij të rreshkura.

      – Isha unë, sarhoshi i neveritshëm, – vazhdoi ai, – që nuk mbajta amanetin e babait të tij, Loni Germenit, atij shqiptarit vërtet trim dhe të fismë. Por ishit edhe ju, zoti Ralf, që ato çaste kur Loni po  jepte shpirt, pas plumbave të atij banditit, premtuat se do ta shpinit Nikun  jetim në një shtëpi fëmijësh, premtim që  e harruat që aty, se ndryshe nuk do të ndodhnin këto që ndodhën. Nuk  ju kujtohet  zoti Kallagan?

    Ralfi vuri re se pas këtyre fjalëve, sytë e këtij plaku të rëgjuar  që mezi mbahej më këmbë, u mugëtuan tërë mllef, se dora e tij i preku llërën, se pastaj gjishtërinjtë iu shtrënguan rreth saj  me një forcë të habitshme për këtë gjysmënjeri, se nga ai shtrëngim ndjeu dhëmbje cimbitëse. Por, gjithsesi, u përmbajt, nga buzët nuk i shpërtheu asnjë britmë se, mbi të gjitha, nuk e shkundi, as e tërhoqi krahun me mëri, siç do të bënte  po t’ia kishte mbërthyer kushdo tjetër.

    Për më tepër, Ralfit  në ato grimca sekondash iu përtëri në kujtesë Niku i vogël, ashtu siç i  ishte përtërirë duke i rrëfyer Vilmës, Merit dhe Çarlit çastet e vrasjes së babait të tij, ai  Nik që vajtonte, që vinte doçkat në sy që të fshinte lotët, ato doçka që ai ia kishte mbështjellë me duart e tij të mëdha, që e kishte  vënë në parzëm, që ia kishte puthur, për t’i fashitur sadopak  dhëmbjet pas kësaj gjëme. Kurse tani ato duar po i a prangoste  me duart e tij. Iu kujtua edhe ai burrë, tashmë plak i rrëgjuar, që po e qortonte ashpër. Dhe kishte hak.

        – Kështu ndodhi që  Niku më mbeti mua, – vazhdoi Xhejmsi, pa ia ndarë Ralfit  sytë, gjithnjë të mugëtuar. – Dhe unë, në vend që t’i mësoja atij t’i ngjante babait, i  mësova  të zezat, të pinte, të dehej dhe ajo më e tmerrshmja, e  futa në hullitë e pështira të drogës. Por jo se desha, por sepse më vuri litarin në fyt Maks Kuperi, një bos i ndyrë, të cilin, në qoftë se nuk e keni kapur si miu në çark, do ta kapni dhe do të mësoni të vërtetën lakuriq, do të mësoni se si më shtrëngoi që një detyrim në para që kisha ndaj tij, ta shlyeja duke përdorur Nikun si trafikues të këtij pluhuri  të bardhë vrastar. Në mos ai, lavirja e tij, Doloresi, do të dëshmojë për këtë të vërtetë rrëqethëse. Ja përse unë duhet të kallem në qeli dhe jo ai…

      Xhejmsi  u hodh në krahët e Kreshnikut që kishte mbetur i murosur. Deshi  të qëndronte disi më gjatë ashtu, por pastaj  dy policë e tërhoqën  mënjanë.

      Duke dëgjuar këto fjalë, që dolën  nga goja e Xhejmsit,  plot dhembje  e ngërç, që sikur e kishin kërrusur edhe më shumë në ato çaste, Ralfi, për herë të parë, kundër dëshirës së tij, u përshi i tëri nga një ndjenjë e çuditshme kundërtie. Kurrsesi nuk e ndiente veten të  pushtuar nga krenaria e  ligjshme se po arrestonte këtë fajtor.

    Atëbotë, Ralfi zuri të kuptonte gjithçka që nuk e kishte marrë kurrë me mend më parë, aq më tepër, kur vuri re se Meri qëndronte disi pas Kreshnikut  dhe jo pranë, por pas saj shihte Çarlin, të fejuarin, gjithnjë si i  kllapitur.

    Pastaj shikimi i tij u kryqëzua me atë të Merit, por vetëm një çast, sepse ai ktheu vrulltas kokën mënjanë. Por  ndjeu se midis tij dhe saj po ngrihej papritur një rrafshnaltë që po i ndante. Ndoshta edhe sepse shumë gjëra do t’i mësonte më pas…

>      Pastaj, dera e makinës, ku u fut Kreshniku, i ndjekur nga policët, u mbyll. Ai  ktheu kokën dhe nga dritarja e vogël  e saj përmes dritëhijeve  mbrëmësore, shqoi sërishmi Merin që nuk ia ndante sytë pikëllimtarë, mbetur si shtatore, ajo Meri që do të ruhej në përfytyrimin e tij me qiellësinë e syve të saj, si të një deti të paqmë, nga ku deri tek ai, si shushurima valësh, do të arrinte refreni i atyre pak  fjalëve që  kishin shoqëruar të dashuruarit prej mijëra e mijëra vitesh  më parë: “Të dua dhe kurrë nuk do të të harroj!”

>  Kurse Meri solli ndërmend disa nga vargjet e Kadaresë, atij poetit shqiptar, aq të njohur dhe në botë,  që Kreshniku ia  kishte  shushuritur  atë mesnatë,kur vetëmonin  në kafenenë ndanë rrugës së mbështjellë me dritësime të mekura :”Do të kujtoj,/ Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,/ Dënesën e mbytur,rrëzuar mbi supin tim,/ Si  dëborë të padukshme…”.

    E ndoqi edhe ajo dhe për një cast iu duk vetja si të ishte Helena e lashtësisë. Ashtu si Paridi që e kishte rrëmbyer atë nga Sparta dhe e kishte shpënë në Trojë, ashtu dhe Kreshniku e kishte rrëmbyer, por jo për ta shpënë brenda mureve të një qyteti, por, thjesht, brenda mureve të shtëpisë së vet.

    Midis tij dhe Çarlit-Menella nuk ishte bërë asnjë dyluftim, a luftë e  përgjakshme, si midis grekëve dhe trojanëve. Nuk kishte pasur as edhe një të vdekur. Çarli – Menella, nuk kishte rrëmbyer Merin – Helenë duke përdorur ndonjë kalë dhuratë çartabesë, që kishte depërtuar në Trojë, si blatim i grekëve dinakë, por ishte futur  në atë  shtëpi i vetëm, pa asnjë armë dhe kishte marrë gruan që i përkiste atij.

    Kreshniku i ishte dorëzuar  ligjit, ashtu siç i kishte përsëritur disa herë. Dhe Meri në vetvete, ndonëse ishte rrekur sa e sa herë të dëbonte këtë mendim ogurzi, e kuptonte se ai kishte zgjedhur atë rrugë që ishte më e arsyeshmja, më e pashmangshmja. Ndryshe, tërë jetën e jetës do të jetonte nën hijen e një faji që kishte mbetur pa u ndëshkuar, por që një ditë mund të zbulohej e ndëshkohej edhe më rëndë.

    Dhe ja, ndëshkimi kishte ardhur. Mund të ishte i shkurtër, sepse Kreshniku kishte shkuar  vetë drejt ligjit dhe jo ligji drejt tij.

    Kur makinat e policisë u larguan, Çarli mbeti i shkundulluar. Ndërmendi bisedat me Merin, takimet me të, harrimet e tij nëpër studimet në laborator… Ndërmendi që jo rrallë kishte qenë me shpirt e zemër jo afër saj. Por së shpejti  do të bëhej burri  i kësaj gruaje, të cilën, kur e kundronte tani me vëmendje nga pas, kur shihte gjysmëprofilin e saj, nën floknajën  që fekste në shtjellat e dritësimeve të mugëta, mandej shpatullat, krahët, tërë kurmin, zbulonte se nuk e kishte njohur dhe çmuar siç duhej.

    Kësisoj, tani po tërhiqej nga dëshira që këtë ta bënte sa më parë, të ishte kudo dhe kurdo pranë saj, në biseda pambarimisht të këndshme, për gjithçka dhe jo vetëm për të fshehtat këndellëse  të punëve të tij, aq më tepër në shtrat me të, në ato kredhje jermitëse e shkrumbuese, në një kohë që ai tjetri, ai, që edhe mund t’ia kishte rrëmbyer atij, do të dergjej për shumë kohë  prapa mureve të një qelie dhe do të mbetej i harruar për të.

      Ndaj Çarli, si t’i kërkonte ndjesë për gjithçka, edhe për rrebeshin zjarrmues të sharjeve të mërishme që kishte nxjerrë nga goja, kur e kishte parë Merin në dhomën e Kreshnikut, ndonëse ajo vazhdonte prore të mos i  hidhte sytë, guxoi e  bëri disa hapa drejt saj, zgjati njërën dorën dhe gishtërinjtë e tij prekën flokët e saj. Por ajo nuk lëvizi, nuk u kthye nga ai, mbeti vërtet si shtatore, ashtu siç kishte mbetur edhe në përfytyrimin e Kreshnikut dhe fjongoja e gjelbër, me të cilën ajo kishte lidhur flokët lirshëm, ndeshi  në një nga gishtërinjtë e tij, u zgjidh, rrëshqiti nga koka e saj, në supe dhe, për të mos rënë në tokë, ai zgjat dorën e kapi dhe, pa e kuptuar as ai vetë, i mbërtheu sytë.

    Habitërisht, atij iu bë se ngjyra e kësaj fjongoje, në përthyerjet e dritave të larushitura, nga e blertë, po përftonte ngjyrime të verdhëreme, si të ishte një gjethe  vjeshte.

      Atëbotë, kuptoi se, tashmë, e tillë ishte edhe dashuria e tyre…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kerri Huper dhe Skifter Këlliçi

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT