• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RESHAT KRIPA, I BURGOSURI POLITIK I ARRESTUAR NE MOSHEN 15 VJECARE

April 2, 2016 by dgreca

“Njeriu i ri socialit” që ndërtoi sistemi i përmbysur është pikërisht ai që sot është shndërruar në pushtetar, biznesmen i madh, trafikant droge, femrash, fëmijësh e të tjera. Në Shqipëri sot kërkohet të ndërtohet sistemi kapitalist me mentalitetitn komunist që nuk është shkulur nga ndërgjegja e qytetarëve megjithëse kanë kaluar 25 vjet.  Kripa/

–Z.Kripa si e keni përjetuar fëmijërinë tuaj dhe më konkretisht cilët janë prindërit e tu?

 Reshat Kripa: Kam lindur më 28 janar 1936 në qytetin e Vlorës. Rrjedh nga një familje intelektuale qytetare. Im atë, Qazim Kripa, kishte kryer studimet në “Robert College” në Stamboll. U kthye në atdhe në prag të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 1912. Iu kushtua tregëtisë, fillimisht me një kafene dhe më pas, me ngritjen e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit dhe tregëtimin e tij. Nëna, Mynevere Kripa, ishte e bija e një avokati të njohur në qytet, Mehmet Radhimës, drejtor dogane në qeverinë e Ismail Qemalit. Nga martesa lindën shtatë fëmijë, katër vajza, Liria, Qamileja, Drita, Fatushja dhe më prapa tre djem, Agimi, Besniku dhe  më i vogli  unë.

Duke filluar nga viti 1942 familja jonë u shpërngul në Tiranë ku im atë vazhdonte tregëtinë e vajit  të ullirit.  Ne djemtë ishim ende të vegjël, kurse dy motrat, Drita  dhe Fatushja, nxënëse të shkollës pedagogjike “Nana Mbretëreshë” që në atë kohë quhej “Nana Skënderbej”, ishin të lidhura fshehtas me grupet guerile që shpërndanin trakte në qytet. Në vitin 1946, pas shtetëzimit të fabrikës së vajit, çuditërisht për arsye që edhe sot nuk arrij t’i kuptojë, me vendim të Ministrisë së Brendëshme, na dëbojnë nga Tirana për në qytetin tonë për motive politike, ku fillojmë të trajtohemi si armiq të popullit. Në këto kushte im vëlla, Besniku, në vitin 1950, krijuan një grup të fshehtë së bashku me dy shokë të tij, Alajdin Alemin dhe Lavdosh Beqon dhe shpërndanin trakte në gjimnazin e qytetit. Arrestohen dhe dënohen me nga 15 vjet burg. Lirohet në dhjetor 1961 pas gati 12 vjet burg.  Në këto kushte në shpirtin tim lindi një revoltë kundër pushtetit që sundonte vendin. Isha vetëm 15 vjeç,  në vitin e parë të gjimnazit. Së bashku me dy shokë të klasës, Myrteza Baboçin dhe Jorgo Beshon, në vitin 1951 krijuam një grup të fshehtë që shpërndante trakte në qytet. Pas katër muajsh aktivitet arrestohemi. Akuza ishte ajo e zakonshmja: Agjitacion dhe propagandë.

Ju jeni arrestuar në moshën e adoleshencës, një rast i paprecedent, një rast që përbën krim më vete për ata që u hodhën prangat, cilat janë disa nga momentet e arrestimit, motivi i dënimit dhe cili ishte personi që u lidhi duart?

 24 maj 1951. Kisha shkuar së bashku me Jorgon dhe Myrtezanë tek agjensia e udhëtarëve për të pritur hallën që do të vinte nga Tirana. Për arsye që nuk munda t’i marrë vesh kurrë ajo nuk erdhi. Kishte filluar të errësohej. Vendosëm të ngjisnim traktin që e kishim bërë gati në dy kopje. Njerin e ngjitëm ndërsa tjetrin e futa në xhepin e këmishës. Në të shkruhej:

Për Liri, për Shqipëri për Flamurin Kuq e Zi!,

Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë; Ata  vrasin më të mirët nga ne, për të na kallur frikën, për të na vënë në gjumë, por ne nuk ju përulemi këtyre! Më mirë vdekjen në luftë se sa jetën në skllavëri!

Atdheu është në rrezik. Traktet e “ATDHETARIT” do t’ju tregojnë të vërtetën, sado e hidhur që të jetë, për Shqipërinë tonë. E vërteta do të triumfojë!

 “ATDHETARI”

Ora po afronte dhjetë e mbrëmjes. Ishim e gjithë familja në dhomë. U dëgjua një trokitje e fortë në portë. Agimi u ngrit dhe e hapi.  Hynë dy oficera, një civil dhe disa policë. Njerin nga oficerët e njihja. Ishte  marshall  Demir Zhupa, hetuesi i sigurimit për shkollën tonë. Njihja edhe civilin. Ishte Dhimitri, një banor i lagjes tonë i cili na kishte parë kur ngjitëm traktin.

– Ky është, – tha  ai  duke   më   treguar  me gisht.

Oficerët panë njeri-tjetrin  me dyshim. Pastaj Demiri foli duke u drejtuar nga unë:

– Ngreu, në emër të popullit jeni i arrestuar

Më hodhën prangat.! Në xhepin e këmishës kisha traktin e dytë që nuk kishim mundur ta ngjisnim. U mundova ta nxirrja dhe ta hidhja gjëkundi, por nuk munda. Syt e të gjithve ishin drejtuar nga unë. Kontrolluan gjithandej dhe si nuk gjetën gjë  morën  fletoren  time të hartimit. U nisëm. Shkuam edhe në shtëpitë e Jorgos dhe Myrtezait ku u bë edhe arrestimi i tyre.

Në Degën e Punëve të Brendëshme  më futën në zyrën e Zv/kryetarit të degës, Fadil Kapisyzi, Pas meje hyri edhe Demiri. Zv/kryetari nxorri një tufë traktesh dhe m’i vuri para syve duke thënë:

– Ti i ke shkruar këto?

– Jo.

U  ngrit  nga  tavolina,  u afrua   përballë  meje  dhe, duke më shkulur fort veshin,  tha:

– Dëgjo, djalë! Po deshe, mos merr veten më qafë.

Tunda kokën në shenjë mohimi dhe thashë:

– Nuk kam shkruar gjë.

Një breshëri pëllëmbash flakërinë në fytyrën time. Goditja ishte e papritur. Pastaj filluan goditje të tjera. Në to nuk merrte pjesë vetëm kryetari. Atë e ndihmonte edhe ndërhyrja e Demirit. Ndieja që po më linin fuqitë. Nuk qëndroja dot më këmbë. Një grusht  i  fortë   më qëlloi në fytyrë. U rrëzova për tokë. Filloi të më rridhte gjak nga hundët. Mendja më shkoi te trakti që mbaja në xhepin e këmishës. Instiktivisht dora më shkoi atje. Syrit të sprovuar të zv/kryetarit nuk i shpëtoi një veprim i tillë. Eksperienca e gjatë e tij në këtë drejtim triumfoi mbi injorancën time fëminore. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ai ishte një burrë i pjekur, ndërsa unë një fëmi. U afrua. Më futi dorën në xhep dhe nxorri traktin. Buzëqeshi si trumfator dhe pasi e lexoi  tha:

– E more karafil, do të vazhdosh të heshtësh më?

E pashë se nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të pranoja duke i marrë të gjitha mbi vete.Demiri thirri dy policë. Ata  erdhën,  më   ngritën në   këmbë  dhe ashtu, pothuajse duke më hequr zvarrë, më morën dhe më mbyllën në qelinë që ndodhej nën rampën e shkallëve që të shpinte në bodrum ku ishte vargu i qelive. Në dy qeli të tjera mbyllën shokët e mi.

Mund të na flisni për periudhën që ndejtët ne birucat e sigurimit të shtetit?

 Në birucat e sigurimit të shtetit qëndruam gjashtë muaj dhe njëzet ditë. Qelia ku më mbyllën kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti  ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte  me  të  madhe  kur  i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike. Tetar Vlashi nuk ishte si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i  një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Kështu që me mua sillej mirë..

Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut. Kishte krijuar bindjen se  duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arrita kurrë të kuptojë se për ç’arësye  dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut,  Shefqet Xhikun. Më torturonte për të më detyruar të pranoja se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Nuk kisha si të pranoja. Isha i detyruar të duroja torturat.

Një natë po flija  në  qelinë  time.  Ndjeva  një goditje të fortë  në  këmbë. U ngrita i  tronditur.  Para meje qëndronte kapter Myfiti, i  cili  më  shpuri  në  zyrën  e  Demirit. Pyetja e parë që më bëri ai ishte:

– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?

E  vështrova  i  habitur. E  ku  i  kishin  mbetur  florinj  tim  eti   pas   gjithë   atyre peripecive që  kishim hequr.  Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.

– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.

Më lidhi duart me  hekura  dhe  m’i  shtrëngoi fort.  Më  shtriu  në  tokë  dhe  filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi  kishte.  Shikoja  krahët  e  tij  që  hapeshin  me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë

– Hë, fol, ku janë florinjtë?

Dhimbjet   ishin   të  tmerrshme.  Nga  hundët filloi  të  më   rridhte gjak. Kjo  gjendje  vazhdoi  për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeva dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.

Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë  e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi  gjatë dhe në fund më pyeti:

– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?

Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha.Vendosa t’i thoja të vërtetën:

– Jo.

Përgjigja i erdhi  e  papritur. Më  vështroi  me  inat dhe pastaj më tha;

– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.

Më vuri para letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:

Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

            Këtë deklaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.

Deklaron i burgosuri

Reshat   Kripa

Vlorë më 11-VIII-1951

 Demiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.

Pas gjashtë muajsh e njëzet ditë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit.  Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halo Çanaj nga Dukati, Ymer Rakipi nga Gjormi, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.

Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe anëtarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi, prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare  Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër  se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë  pretencë, midis të tjerave thuhet:

“Të tre të pandehurit bashkarisht,  në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.\

Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza  Baboçi.

Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.

Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.

– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë

Të njëjtën përgjigje thanë  edhe  shokët  e  mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë.  Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhej:Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin.

U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari”

Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjen e fletushkave me përmbajtje antipushtet.

Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.

Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë  Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe  prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:

Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.

Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

Cila ishte jeta në burg, çfarë mbani mend, kishit mundësi të shprehnit me njeri-tjetrin fshehtas mendimet tuaja? Cilët kanë qenë dhunuesit tuaj dhe të shokëve në burg?

 Më 12 Dhjetor 1951 u transferuam në burgun e Vlorës. Burgu ishte një godinë e vjetër dy katëshe, që kishte shërbyer si i tillë me kohë. Majtas, ishte dhoma numër një ose infermieria ku shërbente mjeku i njohur Jani Melo, një i dënuar politik edhe ky.  Djathtas ishte dhoma numër dy, ku vendoseshin përkohësisht të burgosurit e rinj. Pas saj ishte dhoma numër tre ose dhoma e të dënuarve me vdekje. Ata i mbanin të lidhur . I nxirrnin një herë në ditë, në orën 8.oo  një nga një për të kryer nevojat personale.

Poshtë shkallëve ishte qelia e  ndëshkimit. Nëpërmjet një porte dilje në oborr ku ishin katër dhoma të tjera. Ngjitur me dhomën numër pesë ishte një dhomë e vogël pa numër, gati si birucë, ku qëndronte përfaqësuesi më i njohur i vllehëve sarakaçanë të Korçës, Ndini Janua. Ishte dënuar me burgim të përjetshëm të rëndë. Atë e nxirrnin vetëm një herë në ditë, sa për nevojat personale. Ishte i çalë dhe mezi ecte. Rojet silleshin shumë ashpër me të. Vdiq në burg pas disa vitesh.

Fillimisht na vendosën në dhomën numër dy. Pas tre ditësh na shpërndanë në dhomat e tjera. Mua më vendosën në dhomën numër pesë. Atje gjeta Alajdinin, shokun e Besnikut. Kjo më gëzoi. Të paktën kisha një njeri të njohur. Ishim dymbëdhjetë persona në  atë  dhomë  me  dimensione 4 X 4 metra. Secilit nga ne i takonte 60 centimetra vënd. Dy orë në ditë në mëngjes  dilnim në obor. Gjatë kësaj kohe duhej të kryenim  nevojat  personale,  të laheshim, të takonim shokët e dhomave të tjera dhe të shëtisnim duke i ardhur oborrit rrotull. Kjo ishte ritmika e ditës.

Në burg ndodhej edhe një italian, inxhinier Terrasini. Kur na pa aq të vegjël, iu drejtua Vendigjar Hamzarajt:

–  Ju shqiptarët keni një  fjalë të urtë që thotë se burgu ështe për burrat.  Komunistët e kthyen edhe në burg  për fëmijë. Nuk merret vesh se kush është burrë dhe kush fëmijë.  Burgu ndryshonte shumë nga gjendja në sigurim. Por edhe atje kishte oficerë xhahilë që e rëndonin gjendjen e të burgosurve. I tillë ishte toger Nauni. Megallomania dhe arroganca e tij ishin të padurueshme. Kënaqësia e tij  ishte  të  torturonte  ata që dënoheshin me izolim në qelinë e ndëshkimit.

Një natë ndieva një dhimbje të fortë në fund të barkut, në krahun e djathtë. Dhimbja ishte e padurueshme. Alajdini trokiti me forcë në portë. Erdhi roja i brendshëm.

– Duam mjekun se kemi një njeri të sëmurë. –  i tha Dinua.

Roja u largua dhe pas pak u kthye së bashku me doktor Melon dhe toger Naunin. Doktori më vizitoi dhe konstatoi se ishte apandesit akut. Duhej ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale, përndryshe rrezikohej jeta. I kërkoi toger Naunit të më shpinin në spital. Por ai me një indiferentizëm të theksuar tha:

– As mos e shkoni ndër mend. Natën nuk e lejon rregullorja lëvizjen e te dënuarve.

Doktori më shtroi në infermierinë e burgut dhe filloi të më bënte kompresa me ujë të ftohtë në vendin e dhimbjes. Për fatin tim, pas disa orësh dhimbja pushoi. Megjithatë, doktori më mbajti në infermieri për disa ditë që të merrja veten mirë.

E njejta gjendje ishte edhe në kampet e punës së detyruar. Dua t’ju tregoj se sa mizor ishin operativët e sigurimit që ishin në këto kampe. Një i tillë ishte toger Ademi që nuk m’u nda gjatë të gjithë kohës së burgut. Ja tre ndodhira të këtij katili:

Atë mëngjes Sulejman Dizdari u gdhi me temperaturë. U  vizitua  te  doktor Isufi. Temperaturën e kishte tridhjetenëntë gradë Celsius. Ai dha urdhër ta shtronin në infermieri. Aty pranë ndodhej toger Ademi, që një ditë më parë kishte bërë fjalë me Sulejmanin. Kur mori vesh përse bëhej fjalë, ndërhyri dhe nuk e lejoi.

Sulejmani  i  shkretë  u  detyrua  të  nisej  në punë. Ecte duke iu marrë këmbët. Kur mbërritëm te kanali, nuk  kishte  më  fuqi.  Si  duket temperatura duhej t’i ishte ngritur shumë. I propozuam rojes së brendëshme që ta linim të pushonte buzë kanalit deri në mbrëmje. Do ishim ne të tjerët që do të realizonin edhe normën e tij. Ai pranoi.

Afroi dreka. Ishte verë. Dielli të digjte. Mbërriti toger Ademi. Pa që Sulejmani po rrinte shtrirë dhe urdhëroi që të ngrihej. Ai u ngrit, mori karron e dorës dhe e shtyu me mundim. Kur mbërriti te vëndi ku shkarkoheshin, fuqitë iu prenë dhe ra në pirgun me dhe. Karrot e tjera që vinin nga prapa, ndaluan.

– Çfarë prisni, shkarkojini! – urdhëroi togeri

Asnjë nuk lëvizi. Allaman Hysa, miku i Sulejmanit, doli para dhe tha:

– Ai ashtë vëllau ynë. Ne nuk e mbulojmë.

Togeri u xhindos. Dha urdhër të lidhin Allamanin dhe urdhëroi një grup të dënuarish ordinerë që ta mbulonin. Dëgjoheshin rënkimet e tij të mbytura. Kjo punë vazhdoi deri në mbrëmje. Zbuluar i mbeti vetëm koka. Kur do të ktheheshim në kamp, shokët nxorrën trupin e tij nga dheu dhe e çuan në krah. Ishte mrekullia e doktor Isufit dhe fati i tij, që e solli përsëri në jetë.

Ishim në kampin e Bulqizës.  Toger Ademi ishte emëruar operativ i sigurimit në atë kamp. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishim kthyer nga puna të raskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanim shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita i tha me egërsi:

– Përse nuk e realizove normën?

– Isha i sëmurë zoti toger! – u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.

Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me kamzhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanonit tonë. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.

Ishte shtatori i vitit 1955, tridhjetepesëvjetori i Luftë së Vlorës. Me nismën e doktor Isufit organizuam një pasdite letrare me poezi të një poeti vlonjat, Kudret Kokoshit, edhe ai i burgosur politikë në burgun e Burrelit. Secilit prej të rinjve të kampit i ishte dhënë për te recituar nga një poezi të tij me teme patriotike.  Unë kisha pezinë “Një ditë vjeshte” që i kushtohej pikërisht kësaj lufte. Në kohën e recitimit ia behu toger Ademi që kur mori vesh përse bëhej fjalë urdhëroi mbylljen time dhe disa të rinjve të yjerë në birucë dhe na dënuan që për gjashtë muaj të mos kishim takim me familjen.

A mund të më përshkruani ju lutem vetëm një ditë burgu, si fillonte dhe si mbaronte dita e punës?

 Grafiku i ditës së punës ishte po ai i zakonshmi. Zgjimi bëhej në orën 5.00 të mëngjesit. Më 5.30 ishte ngrënia e mëngjesit, një lugë supë me fasule ku kokrat e fasules ishin tepër të rralla. Më 6.00 nisja për në vendin e punës që, ngandonjëherë zgjaste gati një orë rrugë larg. Në orën 7.00 fillonte puna që mbaronte  në orën 15.00. Në orën 16.00 ngrënia e drekës, edhe kjo një lugë supë me oriz ose makarona. Në orën 19.00 darka, një gotë çaj pothuajse pa sheqer. Në orën 20.00 fjetja.

Cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve, pse është zvarritur kaq shumë nga të gjitha qeveritë dhe nëse ndodh hapja e dosjeve mund të ketë luftë civile, siç pretendohet, veçanërisht nga politikanët tanë.

 –Procesi i hapjes së dosjeve është përdorur nga qeveritë shqiptare si një masë mbrojtëse për krimet që funksionarë të qeverive, parlamentit dhe drejtësisë mund të kenë kryer në kohën e komunizmit. Ata e kanë përdorur këtë kartë për të detyruar një pjesë të të përndjekurve politikë ose jo,  që ata i kishin ngritur në poste të rëndësishme, por që dikur kishin bashkëpunuar me ish-sigurimin e shtetit, të shkonin sipas avazit që ata donin. Janë bërë disa herë të ashtuquajtur ligje për hapjen e dosjeve, por asnjeri nuk e zgjidhte çështjen në themel. I pari u bë në vitin 1995 nga qeveria demokratike. Megjithësë shumë i mangët ai u hodh poshtë kur pushtetin e morën socialistët në vitin 1997. I dyti kur në pushtet ishte përsëri qeveria demokratike, edhe ky i mangët. Ky ligj u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë nga ish-gjykatës të periudhës komuniste si Fehmi Abdiu me shokë, pasi prekeshin vetë ata nga ky ligj. I treti ka disa muaj që është miratuar nga parlamenti me shumicë socialiste por që përjashton lustracionin. Me pak fjalë askush nuk hiqet nga detyra edhe nëse rezulton si i prekur nga ky ligj. Për më tepër, megjithëse kanë kaluar disa muaj, ende nuk janë miratuar anëtarët e komisionit të shqyrtimit  të dosjeve që janë propozuar nga organet e caktuara në ligj. Me këtë ritëm qeveritarët duan të kalojnë edhe disa vite, në mënyrë që kur të miratohet një ligj i drejtë, nëse do të miratohet ndonjëherë, atëherë nuk ka se kush të ndëshkohet pasi në atë kohë asnjeri prej tyre nuk do jetë më gjallë ose nuk do të jetë më në detyrat e larta. Pretendimi për gjoja luftë civile është alibia me të cilën pushtetarët kërkojnë të justifikohen.

Keni pasur mundësinë të shikoni dosjen tuaj dhe nëse po çfarë është shkruar konkretisht, akuzat, emrat e hetuesve, të dëshmitarëve etj.

 –Po e kam marrë në Arshivën e Ministrisë së Brendëshme në kohën kur drejtor ishte i nderuari Kastriot Dervishi. Në të përfshihet e gjithë periudha në sigurimin e shtetit për të tre ne të arrestuarit, pyetjet e hetuesve dhe përgjigjet tona, pretenca e prokurorit, mbrojtja e avokatëve, vendimet e gjykatës ushtarake të Durrësit dhe asaj të lartë. Ndodhen pothuajse të gjitha traktet që ne kishim ngjitur mureve në qytet., madje edhe deklarata ime. Dëshmitarë ne nuk kishim pasi u zbuluam në flagrancë. Akuza ishte agjitacion dhe propagandë. Ishte edhe emri i hetuesit Demir Zhupa.

-Ju kanë ofruar partitë politike, kur kanë marrë pozitën në parlament, ndonjë vend në qeveri si ish i përndjekur politikë

-Në periudhën 1992-1997 kam qenë i emëruar Drejtor i Zyrës së Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Përndjekurve Politikë të rrethit të Vlorës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 kam qenë në listën shumë emërore të Partisë Demokratike me numrin 42 por nuk arrita të bëhem deputet i saj. Në periudhën 2001-2002 kam qenë Drejtor i Departamentit të Përndjekurve Politikë pranë Partisë demokratike në Tiranë.

Sot mjerisht politikanët, kriminelët abuzuesit, servilët, gazetarët vazhdojnë të akuzojnë njeri-tjetrin në format më të errëta dhe të pacipa, shpesh vetëm për interesa të tyre meskine, për karrierë dhe për të rritur emrin e tyre pa punë, pa kulturë, pa fakte. Cili është opinioni juaj për këtë rrëmujë që po ndodh në Shqipëri dhe midis shqiptarëve?

 –Për mendimin tim të gjitha këto që thoni ju vijnë nga koha e gjatë që vendi kaloi nën sundimin komunist. “Njeriu i ri socialit” që ndërtoi sistemi i përmbysur është pikërisht ai që sot është shndërruar në pushtetar, biznesmen i madh, trafikant droge, femrash, fëmijësh e të tjera. Në Shqipëri sot kërkohet të ndërtohet sistemi kapitalist me mentalitetitn komunist që nuk është shkulur nga ndërgjegja e qytetarëve megjithëse kanë kaluar 25 vjet.

Vendin e demokracisë së vërtetë e kanë zënë pazaret politike ndërmjet partive dhe individëve të ndryshëm. Vihet re një trafikim politikanësh. Ministra të së djathtës kalojnë në ministra të së majtës dhe e kundërta. Deputetë të së djathtës kalojnë në deputetë të së majtës dhe anasjelltas. Njësoj si në të kaluarën hymnizimi i drejtuesve idhuj ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Ndryshimi është se ndërsa në të kaluarën hymnizohej vetën një idhull, tani ata janë të shumtë. Ndahen sipas bindjeve politike. Me përjashtim të një pakice të papërfillshme, gati të gjithë, të djathtë dhe të majtë, çirren dhe përgjërohen për një Shqipëri të re. Secili krah ka përfaqësuesit e vetë. Këta “shakaxhinj të përparimit”, siç do ti quante Noli, kanë zaptuar të gjitha ekranet e televizioneve dhe faqeve te shtypit të shkruar duke dhënë leksione për demokracinë. Shumica e tyre u përkasin atyre që e kishin shkelur me të dy këmbët atë në kohën e diktaturës. Kësaj katrahure i mbajnë ison një mori gazetash që e quajnë veten të pavarur, por që në të vërtetë u shërbejnë padronëve të tyre djathtas dhe majatas.

Si funksionon shoqata e të përndjekurve politikë në Shqipëri ngase keni qenë për një kohë të gjatë kryetar i saj dhe cilat janë problemet që hasin të përndjekurit politikë në Shqipëri?

 Përgjigje:   Shoqata e të përndjekurve politikë të Shqipërisë u themelua më 28 prill 1991. Kryetar i saj u zgjodh një figurë e shquar e të përndjekurve politikë siç ishte i nderuari Osman Kazazi. Më 14 maj 1991 u themelua Dega e Vlorës e kësaj shoqate ku kryetar ishte intelektuali i njohur Hysni Alimerko ndërsa sekretar u zgjodha unë. Në kuvendin e dytë të shoqatës, më 1993, kryetar u zgjodh zoti Kurt Kola, ndërsa unë nënkryetar. Kurt Kola me ekstremizmin e tij bëri që shumë shpejt shoqata të ndahej në dy rryma. Rryma e shkëputur në vitin 1955 krijoi Shoqatën Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë me kryetar të nderuarin Gjon Shllaku dhe sekretar nje figurë tjetër të nderuar, Leka Dostin. Në këtë shoqatë unë u zgjodha anëtar i kryesisë. Shoqata e jonë është e vetmja shoqatë që ka në statutin e saj që kryetari nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë dhe e ka zbatuar këtë me rigorozitet. Kështu në kuvendin e dytë, pas dorëheqjes së zotit Shllaku, u zgjodh zoti Tomor Aliko, që e mbajti këtë detyrë edhe në kuvendin e tretë më 2000. Në kuvendin e katërt, në vitin 2003 kryetar doli zoti Afrim Haçi, në kuvendin e pestë, në vitin 2006, zoti Skënder Qëndro dhe në kuvendi e gjashtë, zoti Simon Mirakaj. Qysh prej vitit 2006 unë jam kryetar i degës së Tiranës. Shoqata organin e saj më të lartë ka Këshillin Kombëtar të zgjedhur në çdo kuvend si edhe Kryesinë Kombëtare. Në gjithë vendin ka 36 degë nëpër bashkitë.  Kjo është historia e shoqatës tonë.

Qëllimi i krijimit të shoqatës tonë ka qenë rehabilitimi i plotë i kësaj shtrese në jetën politike dhe shoqërore të vendit dhe, për të thënë të vërtetën në vitet e para pas përmbysjes së sistemit totalitar kemi arritur të bëjmë disa gjëra si arsimimin, punësimin, strehimin  e të tjera. U miratua ligji mbi statusin e të përndjekurve politikë, u arsimuan pothuajse pjesa më e madhe e të përndjekurve. U punësuan gjithashtu një pjesë e madhe, madje disa edhe në detyra shumë të larta. U miratua ligji mbi strehimin e tyre falas e të tjera. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Ishte viti 1997 që i përmbysi të tëra. Madje në këtë vit të zi kryesisht u vramë ne. Përmend këtu Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Gëzim Shabanin, Besim Manoilin, Adem Shehun, Skënder Kalenjën e të tjerë.

Pas kësaj periudhe, për të thënë të vërtetën, çdo gjë ndryshoi. Menduam se me rrëzimin e monumentit te diktatorit kishim fituar lirinë, por u gabuam. Ne kishim rrëzuar vetëm skeletin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e tij e kishim lënë të lirë të endej nëpër shqipëri dhe të pergatiste masakra të tjera. Në periudhën e qeverisjes socialiste filloi përsëri ndjekja e të përndjekurve politikë duke i pushuar nga puna dhe duke ua hequr edhe ato të drejta që u ishin dhënë nga qeveria demokratike. Por edhe kur në pushtet u kthye përsëri qeveria demokratike nuk shikoheshim më si gjatë periudhës 1992-1997. Për këtë po tregoj rastet e mëposhtme:

Në muajin mars 2010 në mediat elektronike prestigjioze u dha  lajmi i mëposhtëm:

Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë, një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj krimet e komunizmit punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar dhe kjo njëzet vjet  pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin.

            Në Shqipëri ky lajm nuk u publikua në asnjë media vizive apo të shkruar. Përse?

-Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga  ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit.Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Megjithatë ajo mungoi. Ministër i jashtëm ishte Ilir Meta. Edhe ky lajm nuk u publikua në mediat shqiptare. Përse?

Lidhur me sa më sipër ne na lindin disa pyetje:

  1. Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve  të  parlamentit,qeverisë, partive politike, shoqatave te përndjekurve, akademikve, historianëve si dhe eksperëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët?
  1. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike?
  2. Kur do   të   dënohet   diktatori   Enver  Hoxha   si   ideatori,  frymëzuesi,  dhe  ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore?
  3. Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që  shënojnë  instalimin diktaturës komuniste?
  4. Kur do të  hapen  dosjet  e  ish  bashkëpuntorëvë  të  sigurimit  të  shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara?
  5. Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e rregjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?
  6. Kur do të bëhet rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë? Kur do të hapen muzeumet, kthehen në muze burgjet e tmerrshëm, ngrihen memorialet në nderim të shqiptarëve që u vranë nga rregjimi totalitar?

Të   gjitha   këto   kërkesa   janë   pjesë   të   rezolutës    së    miratuar   në   Kuvendin   e Shqipërisë në vitin 2006, rezolutë që deri më sot ka mbetur vetëm në letër. Atëhere çfarë pritet që të  zbatohet? Mungesa e vullnetit të fircave politike

Ka vite që Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vendimin e ngritjes së memorialit të viktimave të komunizmit por deri më sot nuk është bërë asgjë. Gjitashtu asgjë nuk është bërë edhe për kthimin në muze të kampit famëkeq të Spaçit. Nuk ka të paktën një pllakë përkujtimore në vendet ku është ushtruar terrori i egër komunmist, si burgu i Burrelit, kampet e Vloçishtit, Bedenit, Qafës së Barit, Gradishtës e të tjera. Kjo gjë tregon vullnetin e forcave politike në Shqipëri që duan të na përdorin si numër votash në raste fushatash elektorale.

Pikërisht kiundër kësaj mendësie ka luftuar dhe lufton shoqata e jonë me ato mjete që ka.

Ka edhe nga klasa juaj që i mbështesin mjaft politikanë sahan lëpirës edhe pse janë me proçedurë penale, ndërkohë në vend që të sjellin emrat e persekutorëve, dëshmitarëve, akuzuesve të tyre që i futën në burg apo internuan, merren me kundërshtarët e tyre nëpër shkrime të ndryshme duke i akuzuar si kriminelë, tradhëtarë, vrasës pa fakte, pa dokumenta, pa i njohur kurrë, me një fjalë bëjnë të njejtën gjë siç i dënoi diktatura me shpifje, inate, diskriminime.

Cili është opinioni juaj?

 Keni plotësisht të drejtë. Ky është një fenomen që vihet re në të gjithë të djathtën shqiptare. Për mendimin tim këto janë pasoja të të ashtuquajturit “Njeriu i ri socialist” që kam përmendur më sipër. Si rezultat i periudhës së gjatë të diktaturës totalitare, mentaliteti komunist nuk është rrënjosur vetëm në shtresën komuniste, por edhe në pjesën tjetër të popullsisë shqiptare dhe si pasojë edhe në një pjesë të të përndjekurve politikë. Përveç këtij mentaliteti ka edhe shkaqe të tjera. Një nga këto është se një pjesë e të përndjelurve politikë nuk mundën t’i rezistojnë presionit të sigurimit të shtetit duke u shndërruar në bashkëpunëtorë të tij dhe ky fakt i bënë ata që sot të mos kenë guxim të dalin kundër tyre. Përveç kësaj është fakt që jo të gjithë të përndjekurit politikë janë të tillë. Me përjashtim të viteve të para të sundimit komunist, në burg u futën jo vetëm për aktivitet politik. Një pjesë e tyre u dënuan pasi kishin kryer një krim ordiner, si vjedhje, përdhunime e të tjera dhe për t’i dënuar më shumë u shtonin dhe një akuzë politike si për shembull agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisje. Së fundi, për mendimin tim, është edhe një gen i keq që jeton brenda çdo shqiptari që bëhet xheloz kur dikush lartësohet para tij ose edhe pse të përndjekurit nuk ishin të një bindje politike dhe kjo solli përçarjen e tyre. Këto i kam nga eksperienca ime pasi i kam përjetuar vetë.

Motra e juaj, artistja e madhe e Kombit, Drita Pelingu, pati një karrierë të gjatë dhe të jashtëzakonshme në fushën e artit. Si i mbijetoi diktaturës me dy vëllezër në burg?

Siç e kam theksuar në fillim të kësaj interviste, në kohën e luftës dy motrat e mia, Drita dhe Fatushja, nxënëse të shkollës pedagogjike “Nana Skënderbej”, kanë qenë të lidhura me lëvizjen nacionalçlirimtare. Me përfundimin e luftës Drita u njoh me këngëtarin e njohur Hysem Pelingu, ish themeluesin e operas shqipatre, komunist i vitit 1942, me të cilin u dashuruan. Ishte ndër të parat që themeluan teatrin kombëtar shqiptar që në atë kohë quhej ‘Teatri Popullor”.  Fisi i jonë nuk ka qenë i angazhuar me asnjë nga forcat politike nacionaliste gjatë luftës. Nuk kemi pasur asnje person të arratisur apo dënuar si kundërshtar i regjimit. Ndaj, siç e kam theksuar, u çuditëm kur na dëbuan nga Tirana për motive politike. I vetmi aktivitet kundër pushtetit të atëhershëm ishte ai i joni, dy vëllezërve.. Ky veprim ndikoi edhe tek Drita. Të gjitha shoqet e saja u nderuan me titullin “Artiste e Popullit”, ndërsa ajo vetëm në vitin 1987 mundi të marrë titullin “Artiste e Merituar”. E njejta gjë ndodhi edhe me të shoqin. Megjithatë lufta e klasave vazhdonte në gjirin e teatrit. Në dramat shqipe asaj do t’i jepnin pothuajse gjithmonë rolet e borgjezeve. Të tilla janë për shembull Butja, Muladesi, Kujdestarja e shkollës pedagogjike e të tjera. Kur vunë në skenë një dramë rumune të Karaxhales, titulli i së cilës nuk më kujtohet dhe ku Drita ishte e vetmja aktore femër, i ftoi për një vizitë ambasadori rumun. Në këtë ceremoni Drita nuk mori pjesë sepse nuk ishte përfshirë qëllimisht në listën e pjesëmarrësve. Megjithatë Drita, duke e ditur shkakun e kësaj qëndronte e heshtur dhe nuk shfaqte asnjë pakënaqësi. Kjo e bëri që të mbijetonte.  Por një faktor tjetër që e mbajtën në teatër ishte bashkëshorti i saj. Hysen Pelingu ishte një burrë i rrallë. Duke e ditur gjendjen politike të familjes tonë ai nuk mendoi kurrë të braktiste Dritën siç vepruan shumë nga komunistët e tjerë. Madje sa herë që do të vinte në Vlorë për ndonjë koncert, do të vinte patjetër tek ne. Edhe pushimet e verës i bënin në plazhin e Vlorës dhe unë shkoja lirisht në gabinën e tyre për të bërë plazh. Me pak fjalë ishte një burrë i rrallë.

Cilat janë disa nga projektet tuaja dhe konkretisht çfarë keni në dorë për të shkruar.

 Deri më sot kam botuar katër romane “Shkallët e Ferrit”, “Sekreti i Varrit te Vetmuar”, “Në kërkim të Lirisë” dhe “Endrrat e thyera”, një libër me tregime “Një Tregim për Mikun Tim”, një libër me poezi “Dhimbje”, një libër me kujtimet e rinisë “Rini e Copëtuar” dhe një monodramë shkruar sipas motiveve të romanit “Shkallët e Ferrit” me titull “Hijet Lëvizin”.

Në faqet e shtypit të shkruar dhe atij viziv kam botuar mbi 300 artikuj me tema të ndryshme për të cilat po përgatitem t’i botojë në një përmbledhje të tyre të ndarë në dy volume.  Jam duke përgatitur gjithashtu edhe një libër me tregime edhe këto të botuara në faqet e shtypit.

Ju faleminderit zoti Kripa dhe ju urojmë vetëm ditë të bardha!

 Kënaqësia ishte e imja. Falermindërit juve!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Mars 2016

Staten Island, New York

 

Filed Under: Interviste Tagged With: I BURGOSURI POLITIK I ARRESTUAR, Keze Zylo, NE MOSHEN 15 VJECARE, reshat kripa

ZONJAT SHQIPTARE NE SHBA- HAXHIRE CAPRI REDZOVIC, ZONJA QE SFIDON JETEN

February 29, 2016 by dgreca

Bisedë me zonjën Haxhire Capri Redzovic/

HAXHIRE CAPRI REDZOVIC:  Unë besoj se aftësia për të përballuar sfidat është në thelb të identitetit tonë/

Zonja Haxhire Capri Redzovic është një intelektuale shqiptare e integruar në botën amerikane. Per arritjet e saj të suksesshme zonja Redzovic është përzgjedhur në librin “Zonjat shqiptare në New York”.Në vitet e kaluara znj.Redzovic ka ndarë historinë personale në websitin: afterall-this.com e cila qëndron për rrugët pafund të jetës përmes shpresës, frymëzimit dhe suportit.Ajo është një grua e afirmuar.  Ka përfunduar studimet për kompjuter në Baruch College, ku 20 vjet më parë ishte e dominuar nga burra.  Ajo ka punuar për 8 vjet në Wall Street. Filloi si instruktore e teknologjisë dhe shumë shpejt filloi menagere dhe drejtore e Wachovia Securities.  Znj. Salaj jep mësim çdo të dielë, leksione të vallëzimit dhe të këngës, rekordon episode të shfaqjes së gatimit dhe paraqitet në dokumentarët komercialë në Broadway, punon pas skenës në javën e modës së New Yorkut dhe ndryshon stilin sa më shumë të jetë e mundur.  Në 2003 ajo humbi binjakët dhe ka pasur probleme me shëndetin.  Ka qenë dy muaj në reaminacion me veshka pa funksion dhe mushkëri të sëmura, ka bërë transfuzion gjaku dhe dializë, humbi shikimin, ra në koma, dhe më vonë mësoi të ecte përsëri.  Vetëm 20% kishte shpresa shpëtimi nga doktorët.  Ajo i surprizoi doktorët, familjarët me luftën e saj dhe pozitivitetin absolut.  Në vitin 2006 ajo pati një vdekje tragjike të motrës së saj dhe të kunatit.  Ishe shumë vështirë për çdo njeri, por ajo luftoi dhe i mbajti njerëzit me shpirt dhe moral të lartë.  Ajo ka 10 vjet që punon për komunitetin, ajo mëson të rinjtë dhe frymëzon për të ecur më tej. Në vitin 2014 znj.Haxhire Redzovic u vlerësua me çmim mirënjohjeje për punën e saj të palodhur nga shoqata “Ana e Malit” në New York. Sot është duke punuar në një organizatë jo-fitimprurëse, ku vazhdon të ndihmojë dhe udhëzojë të rinj, e individë në nevojë. U mëson procedurat e zyrës dhe i ndihmon për të marrë një çertifikatë në shërbim të konsumatorëve. Në këtë mënyrë ata janë në gjendje të bëjnë zgjedhje më të mira në jetën e tyre dhe të kontribojnë në shoqëri.

Zonja Redzovic cila ka qenë fëmijëria juaj, disa mbresa dhe kujtime nga kjo pjesë e bukur e jetës suaj?

Prindërit e mi ishin brezi i parë që emigruan ne ShBA në vitin 1970. Ata erdhën këtu për një jetë më të mirë. Unë me vëllezërit dhe motrën u lindëm dhe u rritëm në New York. Gjatë kohës më të madhe të fëmijërisë e kam ndjerë tensionin midis kulturës amerikane dhe kulturës që prindërit kërkonin të ruanin në familje. Së bashku me vëllezërit dhe motrën jemi përpjekur shumë t’i përshtateshim mjedisit e të pranoheshim prej shoqërisë. Procesi i përshtatjes ishte i vështirë nga njëra anë unë haja petulla dhe pite (byrek) kurse shoqëria në shkolla hante panine peanut butter e jelly. Gjithashtu ata gëzoheshin nëpër festat që ne nuk i festonim.Kujtimet më të bukura të fëmijërisë jane ato që kam ndarë me dy vëllezërit dhe motrën time. Pjesa më e madhe e kujtimeve kanë qenë mbresëlënëse e pozitive.   Kishte një lloj pafajësie në fëmijërinë tonë të viteve 80 – ishim kuriozë, merrnim veprime të guximshme, udhëhiqeshim nga nje imagjinatë e shfrenuar e besonim se do te ishim gjithmonë të lumtur e të pandashëm. Të dy prindërit punonin për të mbajtur familjen, kështuqë kur ktheheshim prej shkolle, nuk kishim mbikqyrjen e prindërve. Megjithatë, ato kohëra na krijuan mundësine të mësonim se si të mbështetemi tek njërti tjetri e t’i përshatetmi situatave të vështira.

Si i keni vazhduar traditat e mrekullueshme të familjes suaj këtu në Amerike, ka qenë e vështirë për prindërit tuaj largimi nga vendlindja e tyre?

 Prindërit e mi kishin frikë që ne mund të adaptoheshim shpejt e të asimiloheshin në kulturën e panjohur amerikane. Për këtë arsye ata na izolonin prej femijëve të tjerë. Kjo ishte mënyra e tyre për t’u siguruar që ne të ruanim identitetin kulturor shqiptar. Fundjavat i kalonim duke shtruar dreka e darka ose duke u bërë vizita kushërinjve, pra duke qëndruar me “njerëzit tanë”Nga një herë organizonim aktivitete përjashtë si familje. Më kujtohet kur prindërit vishnin rrobat më te mira e na dërgonin për të parë vende të ndryshme në qytetin e New Yorkut. Më kujtohet që daljet me familjen ishin te pakta, por mbresëlënëse. Kur nuk dilnim e rrinim në shtëpi prindërit na flisnin për fëmijërinë e tyre në Mal të Zi. Hisoritë e tyre ishin shumë edukuese sepse flisnin për rëndësine e respektit, marrjen e vendimeve të duhura e kryrjes së veprimeve të mira.

Cilat janë disa nga përvojat tuaja të punës pasi ju jeni një grua e suksesshme në profesionin tuaj?

 Në vitin 1990, fillova studimet në Baruch College dhe më vonë u diplomova në Shkenca Kompjuterike. Gjatë karierës sime arsimore, kam punuar në laboratorin kompjuterik Apple si asistente. Aty fitova shumë përvojë pune me kompjuterat.Gjatë kësaj kohe m’u kërkua për të dhënë seminare për Internetin – se çfarë ishte dhe se si ai ka punuar. Pasi mbarova studimet, kam pranuar si specialiste teknike për një ndërmarrje të kujdesit shëndetësor. Pas atij posti m’u afrua një pozicion si instruktore e Teknologjisë në Wall Street për një firmë prestigjioze investimesh. Aty mësova shumë në lidhje me teknologjitë më të fundit. Pas vetëm pak viteve, u promovova si menaxhere e trajnimit të Teknologjisë dhe pastaj më vonë u bëra drejtoreshë trajnimi e Teknologjisë. Unë kam qenë përgjegjëse për organizimin e trajnimit të mbarë firmës dhe isha pjesë e një ekipi prej 25 individëve që drejtoheshin prej meje. Për fat të keq, mu desh ta lija punën në vitin 2003, pasi u diagnostikova me një sëmundje të rëndë e të rrezikshme për jetën. Me shpresën tek Zoti, unë ngadalë mposhta sëmundjen dhe perspektiva për jetën ndryshoi.

Për mua, jeta nuk ishte më e lidhur me paratë, por me nevojën për të ndihmuar të tjerët në çdo mënyrë që të kisha. Unë kam qenë dhe jam e vendosur për të dhënë kontributin tim në komunitet në çdo formë apo mënyrë.

Vendosa për të punuar si vullnetare në një shkollë private lokale brenda Qendrës Kulturore Islame Shqiptare. Puna më gëzonte kaq shumë sa që përpjekja ime si vullnetare u shndërrua në një punë me kohë të plotë, ku për shtatë vitet e ardhshme u dhash mësim si instruktore teknologjie qindra studentëve nga klasat 3-12. Aty zbulova aftësinë time për tu lidhur e për të udhëzuar brezin e ri. Sot jam duke punuar në një organizatë jo-fitimprurëse, ku vazhdojë të ndihmojë dhe udhëzojë të rinj, e individë në nevojë. U mësoj procedurat e zyrës dhe i ndihmoj për të marrë një Çertifikatë në shërbim të konsumatorëve. Në këtë mënyrë ata janë në gjendje të bëjnë zgjedhje më të mira në jetën e tyre dhe të kontribojnë në shoqëri. Besoj se suksesi nuk është vetëm në lidhje me atë që ke arritur në jetë, por ajo që përcakton suksesin për mua është sa je në gjendje për të frymëzuar të tjerët të bëjnë dicka me jetën e tyre.

Ju jeni një grua e fortë i përballoni plot sukses sfidat e jetës, mund të na flisni për disa nga sfidat tuaja?

Njeriu gjatë jetës së vet do të ballafaqohet me probleme të vogla ose të mëdhaja. Unë besoj se aftësia për të përballuar sfidat është në thelb të identitetit tonë. Unë kam patur sfida të ndryshme në jetë. Në 2003 gati humba jetën. Pak kohë më pas u gëzova me një dhuratë të mrekullueshme, por që e humba shpejt. Gjatë kohës që punoja në Wall Street, mësova se isha shtatëzënë me binjakë. Fatkeqësisht mbas 6 muajsh, u sëmura keq dhe humba bebet. Kjo humbje më shkaktoi dëme të mëdha, humba vështrimin, mushkëritë dhe veshkat m’u dëmtuan, po ashtu humba aftësinë për të ecur. U detyrova të qëndroja në reanimacion për dy muajt e ardhshëm. Fatmirësisht besimi në Zot dhe bindja e papërkuluar në aftësinë për të kapërcyer çdo sfidë më dhanë forcë për të përballuar dhimbjen. Unë besoj se kujdesi i mjekëve dhe mbështetja emocionale prej familjes dhe shoqërisë kanë qenë një shërim mrekullor.

Ju jeni një aktiviste e dalluar në komunitetin në shoqatën e mirënjohur “Ana e Malit”, cili është opionioni juaj për këtë shoqatë dhe aktivitetet tuaja me të rinjtë?

Unë besoj se është punë e çdo shoqate të bashkojë me çdo mjet komunitetin. Shoqata Ana e Malit ka bërë hapa të mëdha në afrimin e komunitetit. Kur është fjala për brezat e ardhshëm, ne të gjithë duhet të punojmë shumë për të mësuar rininë tonë në lidhje me detyrat e saj qytetare e për t’i krijuar mundësite që ata të bëhen të suksesshëm dhe të ndikojnë pozitivisht në botë. Si pjesë e këtij komuniteti vajza ime dhe unë kemi nisur dhe zhvilluar “EAGLES COMMUNITY NETWORK”, në të cilën “EAGLES” ne anglisht është një akronim që do të thotë grupi i shqipatarëve të edukuar, në rrugën e suksesit e te rritjes profesionale. Kjo nismë e re u krijua për të zbuluar, dhe ushqyer potencialin e të rinjve shqiptarë, duke krijuar mundësi për zhvillim profesional dhe udhëzime për karierë

Cilat janë lidhjet tuaja me Ulqinin, me vendlindjen e të parëve të familjes suaj dhe disa nga ndihmat konkrete që i keni dhënë bashkatdhetarëve?

Unë dhe familja ime kemi një shtëpi në Mal te Zi dhe në 25 vitet e fundit kemi kaluar 15 vera atje. Jetesën e kemi në Amerikë por vizitat e shpeshta në Mëmëdhe na kujtojnë për sakrificat e prindërve. është shumë e vështirë të shpërngulesh nga vendlindja por udhëtimet e shumta janë kthyer në një simbol falënderimi për vendin që na krijoi mundësinë të arrijmë kaq shumë në jetë.Nuk di se çfarë ndihme konkrete u kam dhënë bashkatdhetarëve në Mal të Zi, por shpresoj që njohuritë që kam ndarë me pasardhësit e tyre në Amerike t’u kenë shërbyer në sukseset që kanë arritur.

Cilat jane ëndrrat e parealizuara të Haxhires?

Në përpjekjen tonë për të ruajtur të gjallë trashëgiminë e pasur kulturore në Shtetet e Bashkuara, ne u rritëm duke shikuar në video muzikë e këngë shqiptare. Unë kam qenë e mahnitur gjithmonë nga shfaqjet me këngë e valle dhe nuk harroj se sa e gëzuar isha duke studiuar lëvizjet interesante e të bukura të valleve shqiptare. Në moshë të re 5 vjeçe, kam ëndërruar gjithmonë për të qenë koreografe vallesh popullore. Sapo dëgjoja ndonjë këngë shqiptare përdorja imagjinatën time për të koreografuar një valle interesante. Ndërsa isha shumë e mirë në kërcim me daulle “Tupana”, e dija se prindërit e mi nuk do të më përkrahnin po të ndiqja karierën si koreografe, prandaj hoqa dorë, por e vazhdova si hobi. Që atëherë, vallja ka qenë dhe vazhdon të jetë pasioni im sekret! Kjo mund të quhet si ëndrra ime e parealizuar, por ka mbetur një pasion që më lejon për të shprehur emocionet e mia dhe personalitetin tim. Dekada më vonë, unë ende e shoh veten duke koreografuar një shfaqje folklorike me valle shqiptare dhe shpresoj t’i mësoj një ditë të rinjtë.

Cilat jane disa nga planet tuaja per te ardhmen?

Më pëlqen të jem mësuese, sepse mësimi, për mua, është më shumë se dhënie e njohurive – është frymëzim për ndryshim. Puna ime si edukatore është që të vazhdoj të mësoj për ta perfeksionuar profesionin. Plani im i ardhshëm është që të vazhdojë shkollimin tim në mënyrë për të luajtur një rol efektiv në formimin e brezave të ardhshëm. Besoj se suksesi nuk është vetëm ajo që ke arritur për veten tënde në jetë. Suksesi ka të bëj edhe me sa je në gjendje për të frymëzuar të tjerët. Për fat të mirë, unë jam e inkurajuar vazhdimisht nga zgjuarësia dhe mbështetja e burrit tim si dhe vajzës time të dashur dhe të mahnitshme për të ndjekur pasionin tim në jetë. Diçka më thotë se në qoftë se unë vazhdoj të dëgjoj thirrjen e zemrës sime, do të përfundojë në destinacionin e duhur në jetë!Steve Jobs, bashkëthemelues i Apple, e ka thënë më mirë si: “Ju nuk mund ta kuptoni të ardhmen duke parë vetëm përpara; ju mund ta kuptoni duke parë prapa. Kështu që ju duhet të besoni tek e ardhmja e juaj”.

Cili është mendimi juaj rreth librit “Zonjat shqiptare të Nju Jorkut”?

Unë mendoj se krijimi i një libëri të tillë është një ide e shkëlqyer dhe e vonuar! Ne jemi, ajo që unë e quaj “brezi i kufirit” që do të thotë se disa prej nesh kanë kaluar kufirin dhe me sukses kanë integruaruar jetën amerikane me rrënjët e tyre shqiptare. Megjithatë, ka ende disa që kanë frikë nga ky dualitet. Ky libër do të flasë për shumë gra shqiptare që kanë arritur suksese, pa hequr dorë nga karakteristikat e tyre kulturore. Ne do të lexojmë në lidhje me jetën, vuajtjet, dhe fitoret e tyre. Unë shpresoj që në fund të gjithë ata që e lexojnë këtë libër do të pajtohen me esencën e librit si: “Gratë duke bashkëpunuar me njëra tjetrën pa hequr dorë nga identiteti i tyre.” Kjo përfshin edhe vajzën time të bukur, Salihe Redzovic, e cila, në moshën 20 vjeçare, ka tejkaluar arritjet e mia dhe po tregon se do të bëhet një forcë shtytëse brenda komunitetit tonë.

Faleminderit Kozeta Zylo, faleminderi Albanian excellence!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Filed Under: Interviste Tagged With: HAXHIRE CAPRI REDZOVIC, Keze Zylo, QE SFIDON JETEN, ZONJA E INTEGRUAR

Nga takimet e Ministrit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë z.Ditmir Bushati në OKB

February 24, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ministri i punëve të jashtme të Republikes së Shqipërisë z.Ditmir Bushati mori pjesë në 50 vjetorin e krijimit të programeve të zhvillimit të OKB-s me seli pranë OKB-se në Manhattan.

UNDP-ja u krijua pesëdhjetë vjet më parë, më 1966, si nevojë e ngutshme për të ndryshuar botën, dhe për të ulur varfërinë, pasi një në çdo tre njerëz në mbarë botën ishte duke jetuar në varfëri . Për të ndryshuar këtë sfond u krijua Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara, UNDP.  Qysh atëhere, UNDP-ja ka qenë një udhëheqse për të punuar për një botë më të drejtë dhe të begatë për të gjithë. Ata kane punuar me qeveritë, shoqëritë civile, sektorin privat etj.  Numri i njerëzve në varfëri është ulur ndjeshëm në rreth një në tetë.  UNDP-ja është krenare që ka punuar me shumë partnerë ne 70 vende te botës përfshi dhe vendin tonë amë Shqipërinë.  Z.Bushati shprehet në rrjetin social se u takua me administratoren e UNDP-s znj.Helen Clark.  Ata diskutuan mbi punën e UNDP-s në Shqipëri si dhe për një bashkëpunim më të ngushtë dhe më të gjerë për zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.  Minsitri i Punëve të Jashtme z.Ditmir Bushati u takua me përfaqsues të shkollave shqipe njëherazi dhe anëtarë të Bordit të Festivalit të shkollave shqipe në Diaspore si dhe me shqiptarë që punojnë në Kombet e Bashkuara.Takimi u bë në mjediset brenda Kombeve të Bashkuara organizuar nga Misioni i Përhershëm në OKB.Në këtë takim ishte dhe z.Adrian Neritani, ish ambasador në Kombet e Bashkuara, avokat dhe anëtar i Nju Jork City Bar Association, znj.Irena Dai Konsulle e Shqipërisë në New York, Halil Mula gazetar i TV 21 etj. Z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të rëndësishme të Nju Jorkut në bisedë me ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë z.Ditmir Bushati foli rreth domosdoshmërisë së mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët në Diasporë si dhe për punën që po bën stafi dhe gjithë mësuesit e shkollës shqipe për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën amtare.  Ai foli dhe për vështirësitë e shumta që hasen për të pajisur nxënësit me libra shqip, me abetaren pasi gjithmonë i sjellin me mund nga Shqipëria.  Në këtë takim ishin të ftuar gjithashtu dhe shkolla shqipe në Nju Xhersi të përfaqsuar nga z.Nebi Kaba n/kryetar i shoqatës shqiptaro amerikane në Nju Xhersi dhe z.Urim Shabani përgjegjes për shkollën shqipe.  Në bisedën me z.Ditmir Bushati z.Kaba foli për punën e palodhur të mësuesve, prindërve dhe nxënësve si dhe përkushtimin e tyre ndaj fëmijëve që lindin jashtë Atdheut të cilët e kanë domosdoshmëri për të mësuar gjuhën shqipe.  Ndërkohë u fol për dy festivalet e shkollave shqipe që janë organizuar me plot sukses dhe profesionalisht në New York si dhe përgatitjen që po behet për festivalin e tretë të shkollave shqipe në fund të Majit.

Për festivalin e tretë foli organizatori i këtij festivali z.Qemal Zylo i cili tha se janë marrë të gjitha masat për ta vazhduar me sukses si dy vite më parë.  Kujtojmë këtu se ideatori i festivalit të shkollave shqipe ka qenë ish Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York z.Bekim Sejdiu, të cilin e kujtojmë gjithmonë me respekt.  Z.Zylo e ftoi ministrin e pune te jashtme z.Bushati për të marrë pjesë në këtë festival, i cili do të mbahet ne Staten Island, ne teatrin…., nje vend tejet modern dhe i pajisur me aparaturat nga më të fundit. Z.Bushati shprehu mirënjohjen e pakufishme për shkollat shqipe dhe ndërkohe dha konfirmimin për pjesëmarrjen e tij në këtë Festival, një ngjarje e madhe kulturore në Diasporë.

23 shkurt, 2016

Staten Island, New York

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ditmir Bushati, Keze Zylo, takim ne OKB

Emmie Salaj dhe kuvendi i Shoqatës “Ana e Malit”

February 22, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

“Çdo grua që kupton problemet e familjes do të jetë shumë më afër për të kuptuar dhe problemet që ka vendi.” Margaret Thatcher/

Shoqata shqiptare amerikane “Ana e Malit” në Staten Island, New York mbajti kuvendin e saj dhe bëri zgjedhjet për kryetar të ri dhe kryesinë me mandat për vitin 2016-2019.Në mjediset e këndshme të lokalit “Brook Catering Hall” me pronar z.Shaban Seferi Anamalasit u mblodhën së bashku për të marrë pjesë në kuvendin e tyre të radhës.Kuvendi këtë radhë nuk ishte vetëm një mbledhje pune, por ishte tejet i rëndësishëm, sepse do të bëheshin zgjedhjet për drejtuesit e ardhshëm të shoqatës me mandat tre vjeçar. Ajo që binte në sy në këtë Kuvend ishte se mjaft gra zonja të shoqatës kishin shprehur vullnetin për t’iu bashkuar punëve të shoqates dhe kryesisë. Në këtë shoqatë janë gra dhe vajza të reja që kanë marrë edukimin e duhur dhe janë integruar plot kulturë në botën amerikane, kështuqë pjesëmarrja e tyre ishte krejtësisht një domosdoshmëri do të shprehej ish kryetari i shoqatës “Ana e Malit” z.Ismet Kurti si dhe gjithë Anamalasit që morën pjesë në këtë ditë të shënuar të tyre.  Kuvendin e ka hapur z.Zija Kraja një aktivist i dalluar i cili iu ka shprehur të gjithëve mirëseardhjen dhe iu ka uruar bashkëkombasve punë të mbarë në Kuvend.Kuvendi drejtohej nga presidiumi i përbërë nga këta anëtarë: Ismet Kurti, Xheladin Zeneli, Nail Llolla dhe Bilal Demiri. Z.Zija Kraja ka ftuar në podium z.Xheladin Zeneli ish deputet në Kuvendin e Malit të Zi dhe njëherazi n/kryetar i shoqatës. Z.Zeneli ka sjellë para gjithë pjesëmarrësve aktivitetet e shumta të shoqatës dhe punën e palodhur që ka kryer kryesia e shoqatës. Ai ndërmjet të tjerash tha: Shoqata mban takimin e radhës me komunitetin e vet, më 8 Shkurt 2015 në lokalin ” Brook Catering Hall” në Staten Island.Shoqata mori pjesë në Mbrëmjen Festive të organizuar nga Anëtari i Asamblesë së NY, z. Mark Gjonaj me rastin e 8-vjetorit të Pavarësisë sëKosovës, më 21 Shkurt 2015 në Maestro’ Catering, në Bronx;Pjesëmarrje me rastin e përkujtimit të rënies së Vëllezërve Bytyçi me 7 Mars në Yonkers. Organizimi i 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 Mars në restorantin Vanderbilt, në Staten Island. Pjesëmarrje përkrahjeje në mbrëmjen fondmbledhëse të Shkollës Shqipe në Maestro’s, në Bronx (NY), më 21 Mars 2015.Mbledhja e Kryesisë së Shoqatës (12 Prill 2015), Staten Island. Pjesëmarrja në Mbrëmbjen Fondmbledhëse për Ansamblin ” Bashkimi Kombëtar” para paraqitjes së tyre në Festivalin Mbarëkombëtar në Gjirokastër. (Giovanni’s, restaurant, 2 Maj, 2015).Pjesëmarrja në ceremoninë përkujtimore kushtuar 70 Vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Ditës së Fitores në Europë. Me ftesë të Ansambleistit të shtetit të New Yorkut, Mark Gjonaj dhe senatorit Jeff Klein muarën pjesë disa përfaqësues të organizatave të komunitetit shqiptar. Në këtë solemnitet të organizuar në Albany (NY), mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani i cili njëherazi ishte edhe folësi kryesor duke përkujtuar kështu kontributin që shqiptarët dhanë gjate Luftës së Dytë Botërore. (5 Maj, 2015). Pjesëmarrja e Shoqatës në festën e përfundimit të vitit shkollor (Graduation Party) të nxënësve të shkollave shqipe “Alba Life”, më 27 Qershor në”Sirico’s” catering, në Brooklyn e shumë shumë aktivitete të tjera u përmendën në fjalën e z.Zeneli, i cili ka ftuar kryetarin e shoqatës z.Ismet Kurti,qe u mirëprit me duartrokitje nga pjesëmarrësit çka tregoi për respektin dhe punën e palodhur të kryetarit të tyre. Z.Kurti tha se: “Kam nderin dhe shpreh respektin tim më të lartë për punën dhe kontributin tuaj të palodhur për të mirën e shoqatës dhe për të mirën e komunitetit tonë në përgjithësi. Puna dhe angazhimi juaj fisnik në këtë aspekt është dhe një vepër humane, është përkushtim i çdonjerit nga ju që reflekton shumë për të mirën e gjeneratave tona që po rriten në mërgim. Më gëzon fakti që komuniteti ynë sot është një forcë reale në çdo lëm të jetës në vendin ku jetojmë dhe veprojmë, edukimi i të rinjve tanë po reflekton shumë që Shqiptaro – Amerikanët të shtojnë ndikimin e tyre në vendimmarrjen te institucionet e ndryshme për çështje të rëndësishme për të ardhmen tonë.Unë besoj se shoqata jonë ka një të ardhme të ndritur sepse në mesin tonë ne kemi burime të pashtershme, njerëz të zot që duket shumë evidente në këtë sallë.Ai falënderoi familjen e tij për mbështetjen që i ka bërë në punen e tij si kryetar dhe njëkohësisht kohën që ai i ka marrë familjes dhe ja ka kushtuar shoqatës vullnetarisht.

Z.Ismet Kurti ndan çertifikatat e mirënjohjes

Z.Kurti në emër të kryesisë iu ndau çertifikata mirënjohjeje anëtarëve aktivë të saj me këtë motivacion: Çertifikatë mirënjohjeje në shenjë mirënjohjeje për mbështetje dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm ndaj komunitetit dhe shoqatës.Ata ishin: Kadri Capriqi All Finest Window/ Alba Life TV Qemal dhe Kozeta Zylo/ Dr.Bari dhe dr.Yllka Ceka Totenville Medical Center/ Iso Capriqi Capri WindowsFatmir Kallaba Kallaba Realty/ Qamil Kapriqi Art Windows/ Ali Kurti High tech Windows/ Alban Krasniqi Albert Salaj Target Construction/ Dino Nela Newport car Service/ Hajro Ceka Grupi muzikor Ceka/ Smail dhe Bilal Demiri Benra WindowsAmir Suka Alba Pro/ Sadik Zeneli DJ SammyZ/ Sulejman Pali Euro CutBKA’ne me kryetar Kabil Kurti dhe gjithë anëtarësine e tyre/ Ansamblin TraditaFutboll klubin “Ana e Malit”/ Admir Mahmedi Miri Design/ Oso Abazi Belvedere restaurant NY/ Antica restaurant Halil Ahmetaj NY/ Chelsea restaurant Qazim Veliu NYNjë falënderim të posaçëm për ngritjen e Flamurit në Hylan Bulevard, më 28 Nentor iu është dhënë: Nail Demirit dhe Latif Leshit, Arben Tairit dhe dhe Faruk Demirit. Gjithashtu falënderojmë për mbështetje Ansambleistin e shtetit të Nju Jorkut Z.Mark Gjonaj, koordinatorin e shoqatave z.Eljo Berisha, ish kryetarin e fondacionit “Plavë e Guci” z.Esad Gjonbalaj, bashkëpunëtorin e zellshëm ish kryetari i Fondacionit “Malësia e Madhe” Detroit z.Pashko Gjokaj dhe shumë të tjerë.

Në fund të gjithë marrësit e çertifikatave të mirënjohjes bënë së bashku një fotografi.

Kryetare e Shoqatës “Ana e Malit” u zgjodh zonja Emmie Salaj

Gjatë Kuvendit e morën fjalën mjaft pjesëmarrës të cilët diskutuan rreth shoqatës, zgjedhjeve të Kuvendit, por edhe për perspektivën e saj. Midis diskutantëve ishin personalitete të shquara që jane të mirënjohur në Diaspore dhe në Mëmëdhe si: Richard Luka, Sabri Gjoni, Cafo Boga, Naser Coba, Ali Kurti, Esat Aloshi etj.

Pati dhe diskutantë që debatuan si Albert Salaj, Halil Bekami, Nail Osmanaj, Flamur Anamali, debati i të cilëve ishte me kulturë dhe tolerues. Ajo që më bëri përshtypje në këtë kuvend zgjedhor ishte mënyra paqësore e diskutimeve, toleranca dhe kultura midis tyre, çka nuk e ndeshim shpesh në vende të ndryshme. Të gjithë pjesëmarrësit i mëshuan fort zgjedhjes së një gruaje si kryetare sepse siç thanë ata gruaja është përkrahëse e fortë e zhvillimit, e stabilitetit, dhe i edukon me dashuri fëmijët e saj për të ruajtur traditat, kulturën dhe gjuhën shqipe.

Kuvendi kaloi në zgjedhje ku në mënyrë demokratike dhe njëzëri u zgjodh zonja Emmie Salaj. Shoqata “Ana e Malit” sipas të gjithë pjesëmarrësve bëri histori, pasi për herë të parë në këtë shoqatë zgjidhet një grua kryetare. Fjalimi i saj ishte shumë impresionues dhe mbresëlënës. Ajo tha se duhet të gjejmë rrugën që ne të bashkohemi të gjithë. Kishja kohë që e mendova për t’u përfshirë në shoqatën “Ana e Malit”, se në se nuk perfshihesh në shoqatë nuk do e kuptosh kur rezultatin. Ajo tha se ne duhet t’i edukojmë fëmijët tanë me traditat e mrekullueshme shqiptare. Nuk ka më emocionuese kur fëmijët mezi presin të shkojnë në piknikun e përvitshëm që organizon “Ana e Malit”, apo Festën e Flamurit Kombëtar. Të gjitha këto bëhen në se ne jemi bashkë, në se ne punojmë për gjeneratat e reja që të mos e humbasin kurrë rrënjët e tyre, rrënjët e të parëve të tyre. Ne duhet t’i çojmë fëmijët tanë të mësojnë gjuhën shqipe sepse ata do ta njohin dhe do ta kuptojnë më mirë historinë e pasur shqiptare. Fjala e saj e zjarrtë dhe plot dashuri për fëmijët të kujtonte zonjën e hekurt të Anglisë Margaret Thatcher e cila ka thënë: “Any woman who understands the problems of running a home will be nearer to understanding the problems of running a country,” që do të thotë: “Çdo grua që kupton problemet e familjes do të jetë shumë më afër për të kuptuar dhe problemet që ka vendi.” Emmia ka marrë edukimin e plotë në Amerike dhe ka një karierë profesionale për t’u admiruar. Ajo sot punon si zv/presidente, Senior, Sales at Shiseido: Beaute Prestige International.  Bordi drejtues i zgjedhur në rrugë demokratike në Kuvend përbëhet nga këta anëtarë: Ismet Kurti/ Bilal Demiri/Mustafë Hidra/ Zija Kraja/ Sulejman Pali/ Emmie Salaj/ Melinda Gjeloshi/ Mina Salaj/ Suada Ceka/ Bajame Llolla/ Nazmir Osmani/ Naser Çobaj/ Albert Salaj/ Arsim Tagani dhe Edin Shabaj.

Në fund të gjithë Anamalasit me krenari i uruan zonjes Selaj, punë të mbarë dhe bënë një foto të përbashkët si pjesëmarrës të këtij kuvendi.

21 shkurt, 2016

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ana e malit, Emmie Salaj, gruaja me histori, Keze Zylo

Në Ditën e të dashuruarëve në Long Wood në Pennsylvania

February 15, 2016 by dgreca

Në një nga Kopshtet më spektakulare të luleve në botë, Long Wood në Pennsylvania/
Lulet janë medicina e shpirtit…/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Dita e të dashuruarve që simbolizohet në botë me Shën Valentinin e bën pak më ndryshe ta presësh ditën nga të tjerat, ngase eshte një ditë që duhet të mbushet plot me dashuri dhe mirënjohje për gjithcka që të është afruar. Dashuria është jeta dhe lëvizja e njerëzimit. Oscar Wilde do te thotë: “Keep love in your heart. A life without it is like a sunless garden when the flowers are dead”, që do të thotë: “Mbaje dashurinë në zemrën tënde. Një jetë pa atë është si kopshti pa diell ku lulet vdesin”…
Së bashku me miqtë tanë, çiftet Likollari dhe Pira, menduam t’i iknim pak larg dimrit të ngrirë, pemëve me brymë të bardhë, netëve të akullta nju jorkeze dhe të shkonim pranë luleve dorëzonjëza që dinë të sjellin atmosferë dashurore…
Në këtë ditë me aromë dashurie ne zgjodhëm të vinim në një kopsht me parfum lulesh botanike, sidomos midis mijëra llojesh të tipit Orkide që rriten nga lulishtarët plot kulturë dhe dashuri për lulet.
Ndonëse temperaturat jashtë ishin nga më të ultat pothuajse nën zero, lulet të çudisnin me komunikimin e tyre aq të ngrohtë dhe delikat…
Është tejet impresionuese gati mbetesh pa frymë kur futesh brenda godinës “Conservatory” sic do ta quanin ata, vendin ku rriten lulet në kushte krejtësisht të natyrshme dhe bio, të të shfaqen perpara petale, orkida me ngjyra marramendëse. Kopshti është 436 hektar dhe 4.2 km² mbushur me lule ekzotike dhe pemë nga më të lartat. Për mijëra vjet është përdorur nga vendasi amerikan fiset Lenni Lenape që gjuanin në pyll dhe mbillnin lule në fushë. Evidenca gjendet në pasurinë e Kopshtit Longwood Gardens.
Ndërsa duke ecur mbi kokë të vareshin si shandanë të shndritshëm vazo të mëdha lulesh që mbanin buqeta nga më të bukurat me orkide. Në hyrje të sallës të priste altari i rrethuar me kurorën plot me orkida me petale të bardha e konceptuar për ditën e Shën Valentinit, ku të dashuruarit mund të pozonin për ta pasur kujtim në jetë. Ndërsa shandanet me lulen orkide të vareshin në kokë, poshtë në dysheme me ujë të mëndafshtë pasqyroheshin petalet me ngjyrë rozë që ishin në lëvizje magjepsëse…
Ciceronja amerikane plot shkathtësi dhe mirësjellje tha se janë mijëra lloje orkidesh dhe se jane marrë nga vendet aziatike ku përmendi dhe Taivanin. Lulja e Orkides ka qenë e preferuara e aromës mbretërore në Kinë. Petalet e tyre dhe nën petalet janë si të pikturuara me dorë, ato janë lule Zoti, janë petale që kanë ndërmjet tyre petalen buzë ose labellum…
Të çudit puna për rritjen e tyre, ato duket se e kanë rrënjen me ajrin dhe e duan atë që të ketë lidhje me tavanin dhe ajrin, si dhe duan pak dhé, por më shumë sfungjer dhe dru…
Kopshti botanik Longwood është krijuar nga çifti Pierre dhe Alice Du Pont. Pierre Du Pont vinte nga një familje me tradita të pasura, dashuria për lulet, pemët, kopshtet u bë dhe më pasionante tek Pierre me profesion inxhinier. Në kompleksin e tyre botanik në vitin 1919 ata krijuan hapësira të rehatshme për miqtë e tyre ku organizonin mbrëmje, shfaqeshin teatro dhe luhej muzikë pianoje, i cili luante vetë.
Në këtë kopsht mungonte lulja e orkides e cila në Amerikë nuk rritej, prandaj duhej tregëtimi i saj për ta sjellë nga vendet aziatike. Ato ishin tejet të kushtueshme dhe duheshin njerëz të specializuar në rritjen e tyre.
Lulja e orkides Cattleya me petale të bardha u soll për herë të parë, më 1920.
Mjaft lule të orkides u rritën në vitin 1924 nga Louis Jacoby ku dhe sot ruhen në muze, shënime të tij rreth zhvillimit të tyre.
Sot mbledhja e orkideve në kopshtin “Longwood” përmban mbi 6000 bimë. Lulëzimi i Orkideve nuk pushon në cdo stinë të vitit. Shumë studentë, praktikantë nëpërmjet ekranit televiziv mësojnë nga përvoja e jashtëzakonshme e profesorit të luleve Louis Jacoby. Ajo është një punë gati një shekull rreth 95 vjet.
Çdo vizitor që shkon atje intrigohet nga bukuria e mahnitshme, delikate, aromatizuese, ndjellëse dhe sheh nga afër “Orchid Extravanza”!

Longwood Garden një nga kopshtet më të famshme botërore me lule

Misioni i Longwood Gardens është trashëgimia e gjallë e Pierre S.du Pont, që frymëzon njerëzit nëpërmjet dizajneve te përsosmërisë, kopshtarisë, arsimit, si dhe artit”.
Aty ka programe për arsimin dhe zhvillimin e kulturës së mëtejshme.
Kopshti “Longwood” u ideua nga Pierre Du Pont i cili ka lindur në vitin 1870 në Delware Pennsylvania. Du Pont ishte një figurë shume e rëndësishme në suksesin e kompanise “General Motors”. Kur ai doli në pension kompania “Gjeneral Motors” ishte më e madhja në botë. Ai ishte i magjepsur nga bukuritë natyrore kjo falë kulturës së familjes që kishte përvojë dhe dashuri të pakrahasueshme me kopshtarinë. Longwood e para “Conservatory” ishte ndërtuar në vitin 1914.
Me ndërtimin dhe përdorimin e dizajneve nga më artistiket ai krijoi mjedise teatrale me lule shumëngjyrëshe të cilat dukeshin sikur vallëzonin nën tingujt e muzikës elegante. Në vitin 1923 ai ndërtoi një dhomë muzike elegante me veshje me derrasë arre, ndërsa muret i lyeu me ngjyrë trëndafili ku tavani kishte lidhje të hapur me boshtin qendror të serrës kryesore.
Publiku vinte në grupe grupe të mëdha për të parë mrekullinë e Du Pont, ndërkohe aty ishte krijuar pistë vallëzimi ku petalet e luleve dhe njerezit ishin në harmoni perfekte.
Gjithmonë kopshti ka qenë në ndryshime të vazhdueshme, në ndërtime me kopshte të reja si Silver Xhennet, kopshti tropical Cascade, kopshti me harlisje mesdhetare si dhe kopshti për fëmijë. Në 20 vjet u vunë 2 milionë llamba të vogla që duken sikur ka zbritur qielli plot me yje mbi kopësht.
Gjatë Krishtlindjeve aty vezullon cdo gjë, dritat e shumëngjyrta, vizitorët e shumtë, zjarret e oxhaqeve, fëshfërima e ujit i japin dhe më magji kopshtit.
Tingujt e Grand Piano, një piano prodhuar nga kompania Steinway dhe Sons në Queens, dhe blerë nga Pierre Du Pont New York e bënin dhe më të gëzueshme pranimin e vizitorëve të luleve. Pianoja ka muzikën dhe qualitetin më të lartë të zërit.
Vetë hartuesi dhe ndërtuesi i kopshtit të luleve ka luajtur gjatë në piano i cili është shoqëruar nga kori recital.
Në vitin 2009 aty kanë ardhur pianistë të talentuar nga Instituti “Curtis” i muzikës të njohur botërisht Jazz pianist McCoy Tyner, Van Clibum pianist ndërkombëtar, Haochen Zhang fituesi i medaljes së artë, dhe pianisti rus Olga Kern.
Du Pont bleu piano dhe organo nëpërmjet një komisioni të posaçëm. Koleksioni i tij ka 10,010 që përfshihen gjithë tingujt në një orkestër duke përfshire dhe Piano Astor, një nga pianot më të vjetra në Amerikë.
Pierre Du Pont ndërtoi dhe kullën Chimes bazuar dhe frymëzuar nga një strukture kulle që kishte parë në France. Kulla ka pësuar konstruksione të herëpashershme derisa në vitin 2001 është ndërtuar një Carillon me 62 zile. Dy ekrane vidio janë siguruar jashtë kullës dhe shfaqin 8 minuta historinë e kullës dhe këmbanat tregojnë se si zilka Longwood ka luajtur meloditë. Koncertet zyrtare inaguruese bëhen në ditët përkujtimore, por aty zhvillohen koncerte në verë dhe në vjeshtë ku unaza Carillon bie mekanikisht çdo 15 minuta nga ora 9 paradite deri 6 mbasdite.
Megjithatë ferma e blerë nga Pierre Du Pont në vitin 1906 gjithmonë evolon në përshtatje me kohën. Buxheti i saj vjetor është 50 milion dollarë dhe ka një staf prej 1300 punëtorë, studentë dhe vullnetarë.
Longwood Garden është një nga vendet më të vizituara me kopshte spektakolare, me orkide, zambak uji, me ujëvara dhe burime të argjendta, me lule dhe petale aromatizuese, për ne ishte një shetitje gati qiellore.
Kur ecje midis luleve, buzëqeshje me petalet, shihje burbuqet e tyre, medoemos ndiheshe sikur ishje në një qetësi olimpike…
Duke parë “Orchid Extravanza” mendon se sa prindër, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, poetë, shenjtorë janë frymezuar prej luleve, ndër tok ka qenë dhe bamirësja e madhe e njerëzimit shqiptarja me emër, syth luleje, Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza e cila thotë: “Ne kemi nevojë të gjejmë Zotin, atë nuk mund ta gjesh në zhurma dhe nervozizëm. Zoti është miku i qetësisë. Shikoni natyrën, pemët, lulet, barin si rriten në qetësi, shikoni yjet, Hënën dhe Diellin, si lëvizin në qetësi… Ne kemi nevojë për qetësi të jemi të aftë të prekim shpirtin”.
Shumë mbresa të vecanta më la dhe pllaka e mirënjohjes vendosur në një pjesë të dukshme në mur me një vazo të madhe me lule orkide përpara, dhuruar ciftit Du Ponte nga gjithëqytetarët “Longwood” me guvernatorin e tyre.
Në këtë vizitë si në parajsë ne prekëm bukurinë hyjnore, ndjemë aromën e luleve, ecëm qetësisht pranë tyre, pamë punën e jashtëzakonshem të çiftit Ponte dhe njëkohësisht se si ruhet me aq fanatizem trashëgimia që ata i lanë njerëzimit. “Longwood Garden” është një pasuri e pallogaritshme jo me pallate, gradaçiela, avione, bomba dhe tanke lufte, por është një pasuri me lule që të magjeps bukuria e tyre, është “Orchid Extravaganza”, është medicina e shpirtit të dashuruar me lulet.

14 Shkurt, 2016
Staten Island, New York

Filed Under: Reportazh Tagged With: e të dashuruarëve, Keze Zylo, Ne diten, në Long Wood, në Pennsylvania

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT