
Fragmente, Khalil Gibran*/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)
Ju flisni kur pushoni të jeni në paqe me mendimet tuaja.
Nëse e doni dikë, lëreni të shkojë, sepse nëse kthehet, do të jetë gjithmonë i juaji. Nëse jo, nuk do të ishte kurrë.
Pemët janë poezi që toka shkruan mbi qiellin;
Nga vuajtjet kanë dalë shpirtrat më të fortë; personazhet më popullorë dallohen nga plagët.
Koha ka treguar që dashuria nuk e di thellësinë e saj deri në orën e ndarjes.
Një ditë do të më pyesni se cila është më e rëndësishme? Jeta ime apo e jotja? Unë do të them e imja dhe ju do të ikni duke mos ditur se ju jeni jeta ime.
Kur jeni përsëri në trishtim në zemrën tuaj, do të shihni që në të vërtetë po qani për atë që ka qenë kënaqësia juaj.
Bukuria nuk është në fytyrë, por një dritë në zemër.
Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj, por janë fëmijët e Jetës që dëshirojnë vetë.
Kam gjetur lirinë dhe sigurinë në çmendurinë time; liria e vetmisë dhe siguria nga të kuptuarit, për ata që na kuptojnë, skllavërojnë diçka nga ne.
——
*Khalil – gjithashtu “Kahlil”, siç e përdori për të nënshkruar emrin e tij në anglisht – Gibran, (1883 – 1931) ishte shkrimtar, poet dhe piktor libanez-amerikan. Ai gjithashtu konsiderohet filozof edhe pse vetë kurrë nuk e pranoi këtë titull.
Lindur në një fshat të malor të Libanit, atëherë nën sundimin osman, në një familje të krishtere. Gibran emigroi me nënën dhe motrat e tij në Shtetet e Bashkuara në 1895. Më 1904, vizatimet e Gibranit u shfaqën për herë të parë në Boston, dhe libri i tij i parë në arabisht u botua në vitin 1905 në New York. Me ndihmën e një burse, Gibrani studioi për arte në Paris më 1908-1910. Ndërsa ishte atje, ai u përfshi në qarqe për nxitjen e kryengritjes në Perandorinë Osmane pas Revolucionit xhonturk; librat e tij u ndaluan përfundimisht nga autoritetet osmane.
Gibran vdiq në New York në moshën 48 vjeç. Shkaqet ishin cirroza e mëlçisë dhe tuberkulozi, si pasojë e alkoolit. Gibran filloi të pinte seriozisht gjatë dhe pas botimit të Profetit, vepra e tij më e njohur. Disa vjet para vdekjes, ai u mbyll në banesën e tij, larg vizitorëve dhe u dha pas pijes. Gibran shprehu dëshirën që të varrosej në Liban. Kjo dëshirë u përmbush në vitin 1932, një vit pas vdekjes.
Gibran nuk ishte aspak politikan.
“Nuk jam politikan, as nuk dëshiroj të bëhem i tillë. Më kurseni nga ngjarjet politike dhe luftrat për pushtet, pasi e gjithë toka është atdheu im dhe të gjithë njerëzit janë bashkëatdhetarët e mi”. (Gibran)