Nga Besi BEKTESHI /
Po mirë, a kemi qenë ne shteti ku në kapërcyell të viteve ‘90-të ishim më absurdët përsa i përket pronës së individit? A ishim momenti më i keq i pronës private, ku apartamentet ishin për shtetasit “prona të shtetit ku banonin qytetarët”? Ku toka pothuaj e gjitha ishte e shtetit? Ku kolektivi ishte gjithçka dhe individi pothuaj asgjë? Po sot, a jemi katandisur në një histeri individuale ku për hatër të veprimit personal, goditet prej më shumë se 24 vitesh ajo që në kapitalizëm konsiderohet publike? Ku një individ bën si i do qejfi me pronën jo vetëm të shtetit, por dhe individit tjetër, që dikur e ka pasur pronë të tijën? Sidomos toka? Nejse, ka shumë pyetje të tilla e për më tepër janë retorike?
Një nga shembujt që vjen nga Kina, sigurisht me një parti komuniste (pra jo pluripartitizëm) ku tregohet respekti ligjor për individin, edhe kur bëhet fjalë për ndërtime të shumta dhe masive në respekt të zhvillimit të tillë. Aty ndodhin jo thjesht pa një plan të madh si te ne, ndërtime masive për banesa, por kapaciteti i ligjit mbi pronën e individit përbën dhe shembullin se si respektohet ligji i qartë mbi pronën individuale. Në një qytet prej 2 milion banorësh si ai i Naningut është ndërtuar një rrugë e gjërë, shumë ndërtesa të mëdha ku banorët kanë shtëpitë, por në mes të rrugës vazhdon të ekzistojë një banesë e vogël, sepse pronari “nuk ka rënë dakord me pagesën për të cilën duhet të jepte leje prishjeje”! E shembuj të tillë ka shumë dhe në Pekin dhe Shangai, por dhe vende të tjera në qytetet e mëdha. Duket sikur unë jam kundër prishjeve të ndërtimeve pa leje. Jo, kurrën e kurrës, dhe jo vetëm jam dakord të prishen, por duhet të dënohen ata që i kanë toleruar të tilla monstra, por e kam fjalën se si zbatohet ligji mbi pronën nga një shtet komunist, por që pronën e respekton shumë më mirë se sa një medemek shtet kapitalist si puna e këtij tonit. Pra respekti i Kinës për pronën e individët dhe respekti ynë për pronën publike. Këtu e kam fjalën si krahasim. Ne, nuk respektojmë as pronën private dhe as atë publike.
Sa ndërtime idiote dhe pa respekt me pronën janë bërë mbi tokën e individit, por dhe shtetit, duke mos pasur lejen dhe ligjin me vete? Ka një histori të madhe dhe “Mullerin” ose mullixhiun gjerman, i cili ka detyruar Kajzerin të devijojë hekurudhën në Gjermani, sepse nuk donte të jepte mullirin e tij, qoftë dhe për të mirën e zhvillimit! Prandaj kanë dalë ligjet për të respektuar si pronën private dhe atë publike, duke vendosur rregullat e qarta se si veprohet, për të mos pasur idiotizëm urban si te ne. Kjo që ka ndodhur në Shqipëri, nga kalimi prej histerisë kolektive në komunizëm, në histerinë individuale në kapitalizëm, është e pa mëshirshme dhe më radikalja jo vetëm në Europë, por me sa duket dhe në botë. Ne kemi histerinë më idiote anti ligj dhe anti urbanizim.
Nuk është asgjë për të thënë diçka që e pranojnë të gjithë për të drejtë, dhe pastaj pothuaj të gjithë nuk e zbatojnë. Jo, nuk është asgjë, sepse është bërë një zakon i frymëzuar nga politikat e deri 23 qershorit 2013-të (e nuk e di në se akoma jemi futur në rrugë të drejtë) që individi nuk është se pengon si puna e kinezit me shtëpinë, por në këtë vend, individi jo vetëm shkatërron pronën e tjetrit me ligjin e më të fortit, por dhe shteti apo ligji nuk e dënon për këtë akt makabër mbi pronën. Te ne, individi është dhe pronë publike dhe private si …zaptues?! Akoma më tepër kur ky akt bëhet kundër pyjeve, pronës së shtetit, asaj publike në oborre shkollash dhe lulishte, në të gjithë tokën bujqësore. Sidomos kjo e fundit është një llahtarë e vërtetë, sepse mjafton të shikosh nga dritaret e aeroplanit dhe kupton se çfarë imazhi apokaliptik duket mbi tokën shqiptare! Në përballje jo me Gjermaninë dhe botën perëndimore, por dhe me Malin e Zi dhe deri tani edhe me Kosovën?! Individi me lejen e politikës në Shqipëri, jo vetëm ka dhunuar pronën e individit si shtëpi dhe prona toke, por dhe shtetin me shumicë. Ky individ me përkrahje të politikës dhe liderëve “maximus” në PD dhe nganjëherë dhe PS, në saj të bazeneve elektorale, kanë bërë “gjenocid” urban, kundër pronës private dhe asaj kolektive apo publike. Në qendrat e mëdha urbane, sigurisht i është bërë dëm i madh si individit me distancat dhe prishjet e shtëpive për të ngritur shumëkatësha pa kriter, por dhe pronës publike, që edhe në komunizëm ka qenë me e “arsyeshme” me rrugët dhe rrugicat, distancat dhe hapsirat e gjelbërta, apo dhe ato të lira për automjete. Komunizmi në Shqipëri edhe pse ndërtoi keq, nuk llogariti vend pushime për automjete, se nuk kishte (nuk lejonte) privati të tilla, kishte shumë më tepër hapsira të lira urbane për njerëzit dhe lëvizjet pikërisht urbane. Kjo rrëmujë antiligjore, antiurbane dhe anticivilizuese, ka sjellë tani përpara zgjedhjeve vendore, qytete dhe fshatra anti ligjorë, përsa i përket zhvillimit urban. Jo vetëm që janë prishur male dhe lumenj, por janë prishur të gjitha kurorat e gjelbërta që edhe komunizmi kishte ndërtuar me mundin e djersën shumë herë të pa paguar të qytetarëve?!
Sot në Kinë, vetëm një njeri i vetëm, nuk lejon asgjë të prishet për interesat e ndërtimit masiv, kurse te ne, jo vetëm që janë marrë nëpër këmbë interesat publike, duke bashkuar sipërfaqen e ndërtimit dhe atë të lejes, por dhe duke thyer me këmbë si publikun dhe privatin. E si gjithmonë ne e kemi me ligjin. Nuk e zbatojmë atë, si për publiken dhe privaten, si për shtetin dhe pronarin, të cilët “rrihen” nga grupet e të fortëve dhe të interesave politike me të fortë brenda. Kur do të jetë fundi i këtij histerizmi? Duket sikur është frenuar, por është larg së marri fund kjo histeri. Po, është akoma shumë larg.