NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN/
Nga Frank Shkreli*
Ishte 12 prilli i vitit 1970, dita kur u hap zyrtarisht Kisha dhe Qëndra Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht në lagjen Bronks të New Yorkut. Ishte ky një rast historik, në të cilin — ndonëse komuniteti shqiptar në New York ishte shumë i vogël në krahasim me sot –morën pjesë sipas burimeve të medias së atëhershme mbi 600-veta, përfaqsues të tre besimeve fetare dhe nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe përfaqsues të të gjitha organizatave politike dhe kombëtare të kohës. Gazeta e njohur amerikane, The New York Times, njoftonte lexuesit e saj për këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan– me një artikull të gjatë me fotografi nga Qëndra e re Katolike Shqiptare, të titulluar, “Kisha e Parë Katolike Shqiptare në Hemisferën Perëndimore” — “Për një qëndër fetare që sot është zemëra e një komuniteti ndër më të jashtzakonshmit që ka lindë në këtë qytet ndër vitet e fundit”, shkrunate gazeta New York Times prillin e vitit 1970.
Hapjen e kishës së parë katolike shqiptare në New York e përshëndeti edhe media shqiptare në mërgim, si revista Shëjzat, gazeta Shqiptari i Lirë, gazeta Dielli e të tjera. Revista Shëjzat drejtonte urimet e veta nga Europa me shprehjen se, duke u nisur thjeshtë nga “Pikpamja shqiptare dëshirojmë të theksojmë këtu vlerën e një orgnanizimi i cili në flakë e në dritë të fesë… synon të mbajë gjallë zakone e doke thjesht kombëtare, dmth të ruaj në vend të huaj pasuninë etnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon me u quajtë Shqiptarë në botë.”Duke i njohur meritat Mons Zef Oroshit për këtë realizim, Shëjzat shprehen se bashkë me qendrat simotra fetare myslimane dhe ortodokse të krijuara në Amerikë, edhe kjo qendër katolike shpresojmë se do të japi fryt për bashkarinë tonë aty të selitun, thekshet në shkrimin e revistës Shëjzat.
Ndërkaq, gazeta Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shipëria e Lirë, komentonte se,“Kjo ngjarje kaq me rëndësi për bashkësinë shqiptare në këtë vend u bë e mundur së pari nga ardhja e mijëra katolikëve shqiptarë, të cilët të detyruar të braktisnin Atdheun nga terrori i kuq dhe pas vuajtjeve të gjata në vende të huaja, më në fund, patën fatin të vendosen në Amerikë ku me punë të ndershsme siguruan për vete një mirëqenje të plotë në liri dhe në paqë.” Shqiptari i Lirë shkruante se një faktor tjetër për realizimin e këtij qëllimi ishte ardhja meshtarit të njohur Dr. Zef Oroshi i cili i përkrahur nga një grup i ngusht idealistësh energjetikë dhe mbas përpjekjeve prej shumë vitesh, më në fund ia dolën dhe ndërtuan qendrën dhe kishën e parë katolike në Perëndim.
Duke përshëndetur të pranishmit në darkën madhështore që ishte shtruar me atë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshi tha se në kohë normale kur Shqipëria do të gëzonte lirinë, inaugurimi i kësaj kishe nuk do të ishte ndonjë gjë e jashtzakonshme, do të konsiderohej vetëm si hapje e një qëndre të rëndomt, nga një grup etnik në Shtetet e Bashkuara, i cili dëshiron të ruaj trashëgiminë e tij etnike, fetare dhe shoqërore. Por kjo nuk është një kohë normale për shqiptarët, tha Mons Zef Oroshi, duke shtuar se, “Pikërisht 25 vjetë më parë në Shqipëri, klerikët janë burgosur ose ekzektuar në masë, të gjitha kishat janë shkatërruar, janë mbyllur ose janë shtetëzuar dhe ata klerikë që ende janë gjallë, detyrohen të jetojnë në kampe pune.” Si rrjedhim i kësaj situate në Shqipëri, theksoi Mons Oroshi, “Kjo qëndër dhe kishë modeste është për katolikët shqiptarë si edhe për pjesëtarët e dy feve të tjera të shqiptarëve, një simbol i lirisë fetare dhe civile. Në këtë qëndër, gërshetohen dimensionet e idelave të një kombi, nderohen të gjithë ata të cilët dhanë jetën për ideale të tilladhe njëkohsisht shprehë falënderimet më të përzemërta ndaj vendit që na ka pranuar – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë për bazë bekimet e lirisë.” Prandaj, udhëheqsi i atëhershëm i katolikëve shqiptarë në Amerikë, Dr. Zef Oroshi premtoi me rastin e inuagurimit të Qëndrës dhe Kishës së parë Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”,para 45 vjetëve në New York,se ajo qëndër do të “shërbejë për të gjithë si një simbol i lirisë së humbur në vendin tonë.”
Duhet theksuar se ishte kjo një periudhë kur lufta dhe krimet kundër Kishës Katolike në Shqipëri kishin arritur kulmin. Dhe jo vetëm mbrenda kufijve të Shqipërisë. Lufta e regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Kishës Katolike kishte arritur një absurditet pëmasash botërore. Inaugurimi i Kishës së parë katolike shqiptare në New York u realizua në një dekadë kur edhe Misioni i Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Bombeve të Bashkuara, i kryesuar në atë kohë nga Halim Budua, e kishte venë vehtes detyrën e kryezëdhënsit të urrejtjeve dhe shpifjeve ndaj Kishës Katolike, madje edhe nga podiumi OKB-ës. Ishte i vetmi delegacion që u largua nga salla e Asamablesë së OKB-ës kur për herë të parë foli para kësaj organizate një udhëheqës i Kishës Katolike, në personin e Papa Palit të VI. Prandaj është në këtë atmosferë që duhet shikuar rëndësia e inagurimit të kësaj kishe në atë kohë.
Përveç qindra pjesëmarrsve katolikë shqiptarë dhe të feve të tjera, në inaugurim morën pjesë vëllazërisht edhe udhëheqsit e komunitetit mysliman dhe ortodoks të shqiptarëve në Amerikë. Ndër të tjerë, Peshkopi Stephen Lasko dhe Imam Isa Hoxha, si dhe udhëheqsit e komunitetit të asaj kohe, Kryetari i organizatës Vatra Peter Chicos, Anthony Athanas, Abaz Kupi, Kryetari Komitetit Shqipëria e Lirë, Dr. Rexhep Krasniqi, Ago Agaj dhe udhëheqës të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.Imam Isa Hoxha , në emër të Komunitetit mysliman shqiptar në Amerikë shfaqi urimet e tija më të përzemërta për atë që ai e cilësoi si këtë “Vepër të Shënjtë që i bëtë Atdheut, një vepër kjo që i takon çdo besimtari dhe atdhetari të mirë.”
Ndërsa Kryetari Vatrës, Peter Chicos përshëndeti inaugurimin e Qëndrës dhe të Kishës Katolike Shqiptare duke shprehur kënaqësinë që po merrte pjesë në hapjen e një qendre të re shqiptare në Amerikë, për më tepër në themelimin e Qëndrës së parë të shqiptarëve katolikë në Shtetet e Bashkuara. Ai tha me atë rast se, “Ju tani kini hedhur hapin e parë si grup, por pjesmarrja duhet të jetë si individë. Këtu të gjithë ne jemi shqiptarë në Amerikë. Si të tillë, është përgjegjësia jonë të punojmë, të kujdesemi për familjet tona, të pranojmë Amerikën si vendin tonë të ri, të bëhemi shtetas, të ruajmë dhe të kujdesemi për institucionet tona dhe të jemi të ndershëm duke qenë të denjë të vetes sonë si individë.” Ish-Kryetari i Vatrës u tha të pranishmëve se,secili prej nesh dhe kudo që jemi, duhet të jemi përgjegjës që të kultivojmë kulturën tonëkëtu në Amerikë dhe të luajmë rolin tonë në historinë e Shteteve të Bashkuara.”
Një udhëheqës tjetër i komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Halim Begeja në fjalën e tij me atë rast, pasi vuri në dukje se regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte prishur kisha dhe xhamia dhe se kishte shpallur Shqipërinë si vendi i parë ateist në botë, u shpreh se, “Sot këtu si shqiptarë me në krye vëllëzrit tonë katolikë, po i dëshmojmë botës mbarë se nuk është populli shqiptar ai që ka zgjedhë rrugën e ateizmit, por është një klikë komuniste, e cila me pushkë dhe me çdo torturë çnjerëzore është vërsulur kundër popullit shqiptar, me qëllim që ta xhveshi atë nga çdo besim dhe nga çdo traditë të bukur e të ndershme.”Duke thënë se hapja e qëndrës dhe kishës së re katolike në New York, — përveç rëndësisë fetare, kishte edhe një rëndësi tepër të madhe kombëtare — Dr. Halim Begeja iu drejtua me atë rast komunitetit katolik shqiptar në Amerikë duke theksuar rolin e këtij komuniteti në historinë e kombit shqiptar: “Prandaj motra dhe vëllëzer katolikë, ju zëni vendin e shkëlqyeshëm të historisë së Shqipërisë. Ju jeni bijat dhe bijtë e atyre që janë bërë fli për Atdhe e Fe: ju jeni bijtë dhe bijat e atyre që i kanë dhënë dritë e lulëzim Shqipërisë, e ju vet sot jeni po ata bija e ata bijtë që keni sakrifikuar gjithshkafen për të ruajtur lirinë e vërtetë të popullit shqiptar.”Dr. Halim Begeja vazhdoi duke thënë se, “Përpjekjet e katolikëve shqiptarë për lulëzim dhe përparim të racës sonë janë të lashta” duke shtuar se, “Mos harroni jo vetëm ju, por të mos harrojmë të gjithnë ne se shkollat e para shqipe janë nga ana e katolikëve shqiptarë….”, theksoi ndër të tjera Dr. Halim Begeja në fjalimin e tij.
Sipas Revistës së Qëndrës Katolike Shqiptare, “Jeta Katolike”, Qershor, 1970, ku u botuan shumica e fjalimeve dhe kronika me rastin e inuagurimit, thuhet se fjalime të shkurtëra me këtë rast mbajtën edhe Hirsija e Tij Peshkop Lasko, Z. Anthony Athanas, i cili thotë revista, ç’prej fillimit kishte qenë inkurajuesi dhe bamirësi më i mirë i qëndrës katolike shqiptare. Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që cilësohet nga revista katolike shqiptare gjithashtu si përkrahës dhe ndihmës i çdo nisme të mirë. Dr. Athanas Gegaj, i cili gjithnjë sipas revistes Jeta Katolike, ka përkrah me zell në faqet e gazetës Dielli nismën për qëndrën e parë katolike shqiptare në Perëndim. Siç duket pra nga pjesëmarrsit në këtë inauagurim dhe nga deklaratat e figurave më të dalluara të komunitetit shqiptaro-amerikan nga të gjitha trojet – ndërtimi i parë i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë ishte gati si të thuash një prioritet kombëtar për komunitetin shqiptaro-amerikan pa dallim.
Ndërsa, i fundit foli aktivisti i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe anëtar i Këshillit të Kishës Zoja e Kshillit të Mirë, Zef Pashko Dedambi historikun dhe përpjekjet e komunitetit prej shumë vitesh, të cilat më në fund sollën realizimin e inuagurimit të Qendrës dhe të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë, përfundoi duke thënë se, “Nëqoftse ndonjë herë do të shkruhet historia e Shqipërisë, ose më mirë e Diasporës Shqiptare, kjo çka po inuagurojmë sonte këtu, vëllëzër e motra, do të jetë pa dyshim një kapitull me rëndësi i asaj historie. Dhe i Përndershmi At Dr. Zef Oroshi — të cilit i kërkoj ndjesë nëqoftse për hir të së vërtetës mu desht ta përmend shumë herë në këtë fjalim — do të jetë figura qëndrore e atij kapitulli, duke e shquajtur edhe si apostullin e të mërguarve shqiptarë katolikë të shekullit të 20-tët”, përfundoi ai.
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka dekoruarMons Dr. ZefOroshin (post mortum), me Urdhërin e Lartë “GjergjKastrioti – Skëndërbeu”.
Mons Zef Oroshi citohet të ketë thënë se, “Jemi një shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bëhemi dritë e madhe me shëndrit edhe vatrat tona të errësuara në Atdhe.” Kjo ishte një profeci që u realizua sepse ishte Dom Rrok Mirdita, pasardhës i Mons Zef Oroshit, i cilime tëarriturnëAmerikë, meenergjinëdhe meentuziazmin e tijsollinjëbashkpunimtëzellëshëm e tëfrutshëm. Ngaaifillim modest 45 vjetëmëparë,Dom RrokMirdita (aktualishtArkipeshkëviTiranësdheDurrësit)ikadhënënjëhovtëri jo vetëmveprimtarisësëQëndrësdheKishëssëparëKatolikenëAmerikë, veprimtariqëçoinëndërtimin e kishëssë re tani e quajtur, KishaZoja e Shkodrësdhe Qëndra Nënë Tereza. Kisha dhe QëndraKatolike Shqiptare në New York tani drejtohet nga Dom Pjetër Popaji cili me veprimtarinë e tij frymëzuese dhe të palodhur dhe duke u bazuar në binomin “Fe e Atdhe me Përparim”, trashëguar nga paraadhësit e tij – në këtë 45-vjetor të inaugurimit vazhdon të jetë qendër jo vetëm evleravefetareporedhevatër e promovimit tëpatriotizmit tëpastërshqiptar, të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare këtu në Amerikë dhe në të gjithatrojet tona shqiptare në Ballkan.
*Për hir të së vërtetës duhet shënuar se autori ka shërbyer si Sekretari Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare’’, për periudhën 1971-1974.