• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zv/Presidenti Pence: Ballkani e ka vendin në Perëndim

August 2, 2017 by dgreca

Pence: Pranimi i Malit të Zi në NATO, arritje historike/

????????????????????????????????????

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kushtojnë një rëndësi shumë të madhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke besuar se kjo pjesë e Evropës i takon Perëndimit, ka deklaruar zëvendëspresidenti, Mike Pence. Këto komente, zëvendëspresidenti amerikan i bëri në Podgoricë, ku po qëndron në një vizitë zyrtare e cila është cilësuar si historike për Malin e Zi dhe Ballkanin.Përveç takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Malit të Zi, Pence ka mbledhur në një takim edhe liderët e vendeve të Ballkanit, në kuadër të Kartës së Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tema e këtij samiti do të jetë siguria në rajon.“Kryetari i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump personalisht është treguar i përkushtuar për rajonin dhe ishte nder për mua ta vizitoj Malin e Zi”, tha Pence. Ai lavdëroi Malin e Zi për qëndrimin pro-perëndimor dhe për anëtarësimin në NATO.Karta e Adriatikut, vijoi ai, ka një rol të veçantë për Evropën dhe NATO-n.“Andaj, Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump do të vazhdojnë t’ju mbështesin”, tha Pence.Në këtë samit, me ftesë të kryeministrit të Malit të Zi po marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ai i Sllovenisë, Miroslav Cerar, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiqsi dhe përfaqësuesi këshillit ministror të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

Në takimin e Podgoricës, përveç vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut marrin pjesë edhe shtetet me statusin e vëzhguesit, si Serbia dhe Kosova.Pence tha se do të dëshironte që së shpejti edhe Kosovën ta sheh pjesë të Kartës së Atlantikut.Në Podgoricë, Pence lavdëroi liderët e Malit të Zi për qëndrim ndaj “presionit rus”.Ndërkohë, nikoqiri i këtij takimi, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se vizita e zëvendëspresidentit Mike Pence në Podgoricë paraqet një prej vizitave të nivelit më të lartë dhe më të rëndësishme që i është bërë ndonjëherë, Malit të Zi.Ai së bashku me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev e kanë siguruar numrin dy të Shteteve të Bashkuara se vendet e Ballkanit janë të përcaktuara në rrugën e tyre drejt Perëndimit dhe bashkëpunimit me NATO-n.Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë anëtare të Kartës së Adriatikut, përderisa Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit. Pas samitit, është paralajmëruar që zëvendëspresidenti Pence do t’i takojë edhe liderët e vendeve të rajonit.Karta Amerikane e Adriatikut është themeluar në vitin 2003, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe angazhimeve të vendeve të rajonit në aspiratat e tyre për t’iu bashkuar NATO-s.Zyrtari i lartë amerikan arriti në Mal të Zi, që është anëtari më i ri i NATO-s, pas vizitës në Gjeorgji, ku ai e kritikoi “okupimin” e Rusisë të territorit gjeorgjian, prej luftës së shkurtër në vitin 2008.

 

Filed Under: Featured Tagged With: e ka vendin, ne perendim, Pence: Ballkani

PËR SHQIPTARËT DIELLI LIND NË PERËNDIM

July 31, 2017 by dgreca

Me rastin e promovimit të librit të Z. Bardhyl Ukcamaj: “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor”/

Nga Frank Shkreli/

Të hënën me 31 korrik, Shtëpia botuese “Princi” dhe “Albanian Tourism Magazine” organizuan në Tiranë promovimin e librit “Shqiptarët në qytetërimin Perëndimor” me autor Bardhyl Ukcamaj, MS. Bardhyl Ukcamaj është i njohur si publicist dhe aktivist i të drejtave të njeriut, dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” për kontributin e tij në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.  Z. Ukcamaj ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, si dhe Master i Shkencave në Bridgeport University, në shtetin Connecticut, SHBA.  Ai gjithashtu ka studiuar në Cornell University, New York, SHBA.  Njoftohet nga organizuesit e promovimit se libri i Z. Ukcamaj, “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor”, botuar nga Shtëpia Botuese “Princi”, është gjithashtu në proces botimi edhe në gjuhën anglisht.  Në promovimin e moderuar nga Myftar Gjana, MS., botues i librit, Shtëpia Botuese “Princi” dhe Aferdita Elezi, botuese e “Albanian Tourism Magazine”, kishin përgatitur referate dhe diksutuan Prof. Dr. Sami Repishti, Prof. Dr. Aleksander Meksi dhe Prof. Dr. Mark Marku.

Për librin “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor” të Z. Ukcama të cilin kam pasur rastin ta kem lexuar më heret, kam privilegjin, që megjithse larg Tiranës, të ofroj disa mendime të hedhura me rastin e promovimit në Tiranë.

Një fjalë popullore thotë, “Mos të raftë me e harrue të keqen.”  Me këte vepër, Zoti Ukcamaj nuk na le ta harrojmë të keqen e kryer mbi popullin shqiptar gjatë shekullit të kaluar, sidomos kalvarin e klerit katolik.  Ai, në të njejtën kohë, në librin e tij, sjellë një pasqyrë të rëndësishme jo vetëm të historisë kishtare, por edhe të asaj kombëtare. Duke venë në dukje përkatësinë evropiane të popullit shqiptar — ai flet për një “thesar të pafund trashëgimie kombëtare”, e cila në botëkuptim dhe në paraqitje është krejtësisht evropiane. Autori shkruan për një trashëgimi mijëvjeçare, e cila u ndërpre gjatë shekujve nga pushtues të huaj që nuk ia donin të mirën kombit shqiptar.  Zoti Ukcamaj, me të drejtë thekson se kjo trashëgimi u ndërpre, në mënyrën më brutale nga diktatura mizore komuniste 50-vjecare, e cila paraqiti historinë e kombit shqiptar me syzë ideologjike, në përputhje dhe në bashkpunim të plotë me politikën e forcave më anti-shiptare dhe armiqëve më të përbetuar të kombit tonë (fillimisht me jugosllavët, pastaj me rusët e më vonë me kinezët) — në  një përpjekje për të prerë pothuaj të gjitha lidhjet e shqiptarëve me të kaluarën e tyre dhe si rrjedhim, edhe me botën perëndimore. Nuk është e nevojshme tu kujtoj se kush janë sot armiqët më të përbetuar të pavarësisë së Kosovës dhe të interesave të kombit shqiptar në Balkan. Po, janë ekzaktërisht këto shtete dhe popuj, me të cilët komunistët e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë ishin lidhur mish e shpirt, në mbrojtje të interesave të marksizëm-leninizmit, në kurriz të interesave afatgjata dhe afta shkurtëra kombëtare të shqiptarëve.

Në përpjekje për të krijuar të ashtuquajturin “njeri të ri”, sipas ideologjisë staliniste, regjimi i Enver Hoxhës, me çmendurinë e tij bëri ç’mos, që jo vetem të përpiqej t’i largonte shqiptarët nga rrënjet e kulturës së tyre perëndimore, por si asnjë vend tjetër në botë, shpalli edhe Perëndinë jashtë ligjit dhe me një krenari absurd, deklaroi Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë.  Ai donte të zhdukte traditat tona për të qenë diçka duke asgjasuar dhe duke zhdukur gjithçkafen. Ai e dinte se për të zhdukur rrënjet e qytetërimit perëndimor ndër shqiptarët, klika enveriste duhej të lëshohej si bishë e egër mbi klerin katolik, duke rrënuar ose duke këthyer faltoret në salla sporti dhe duke zhdukur shumicën e tyre fizikisht. Në të vërtetë kjo ishte edhe këshilla e komunistëve slave, të cilët e shihnin klerin katolikë si pengesën kryesore të përhapjes së influencës së tyre në Shqipëri.  Në këte mënyrë, komunistët shqiptarë shpresonin të fshinin çdo lidhje të shqiptarëve me botën perëndimore, e sidomos lidhjet e Kishes Katolike Shqiptare me Vatikanin, të cilin ata e konsideronin si “qendrën e obskurantizmit botëror”.

Dëshiroj të përmend një ilustrim nga përvoja ime personale se si regjimi komunist i Shqipërisë e konsideronte Vatikanin si barometer në luftën kundër Perëndimit dhe më në fund, kur ishte duke dhënë shpirt, donte ta përdorte atë si vegël afrimi me botën perëndimore.  Ishte marsi i vitit 1991. Unë kam pas fatin të isha pjestar i delegacionit të parë amerikan ç’prej Luftës se Dytë Botërore, që shkuam në Tiranë për të hapur ambasadën e parë amerikane, pas vendosjes së lidhjeve diplomatike midis Tiranës e Washingtonit dhe në të njëjtën kohë kishim në plan të merrnim pjesë në zgjedhjet e prillit të vitit 1991. Një ditë prej ditësh, ne ishim në aeroportin e Tiranës duke pritur Senatorin Clayborne Pell, ndërkohë më afrohet një zyrtar i lartë i qeverisë se Ramiz Alise, dhe më merr më një anë dhe më kërkon këshill dhe ndihmë se si duhej vepruar për vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Vatikanit.

Megjithse unë mbeta pak i habitur se pse zyrtari i lartë shqiptar mu drejtua pikërisht mua për këte çeshtje, unë i dhashë mendimin tim në lidhje me këte dhe i sugjerova se duke marrë parasyshë situatën e mjerë në të cilën gjendej vendi në atë kohë i thashë se ju kini më shumë nevojë për lidhje të forta me vendet perëndimore që mundësisht të ndihmojnë vendin materialisht, me investime. Vatikani, i thashë, nuk ka mundësi të tilla.   Ai m’u këthye duke me thënë, jemi të vetdijshëm se Vatikani nuk mund të na ndihmojë ekonomikisht, por vendosja e lidhjeve diplomatike me Vatikanin është simbol i bindshëm për botën perëndimore se Shqipëria nuk është më ajo që ishte, se më në fund po ndryshon. Me fjalë të tjera, ky zyrtar ishte i vetdijshëm se lufta e Shqipërisë komuniste kundër Perëndimit kishte filluar me Vatikanin dhe duhej të merrte fund me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin.

 

Me këte libër, Zoti Ukcamaj hedhë dritë mbi një histori të rëndësishme të rolit të Kishës Katolike në Shqipëri.  Në mënyrë të denjë ai paraqet një listë të kontributit të atyre që unë do t’i quaja të harruar — por ata, ndonëse të harruar, edhe të vdekur, flasin.  Megjithë se nga veprat e tyre dhe për arsye të vuajtjeve dhe mënyrës se si u vranë nga komunistët, ata gjithnjë ndriçojnë si yjë, ndërsa toka gjithnjë vajton për ta.

Eshtë e denjë që Zoti Ukcamaj ia kushton librin Françeskanit, At Zef Pllumit, i cili sipas autorit, “Ishte një legjendë sfiduese përball një klike terroriste që u mundua të zevendësonte Zotin me diktatorin e vdekshëm, ndërsa dashurinë me urrejtjen, pikërisht në zemrën gjeografike të Evropës së vjetër.”   Për hir të së vërtetes dhe të ndërgjegjes kombëtare, eshtë detyrë e të gjithëve që këta klerikë të këthehen në vendin që u takon në historinë e Shqipërisë, për veprat e tyre po se po, por edhe për sakrificat dhe vuajtjet — të cilave u janë nënshtruar në emër dhe në mbrojtje – jo vetem të fesë së tyre – por edhe në mbështetje të vlerave dhe të traditave tona të përbashkëta e shumë të çmueshme.  Siç ve në dukje edhe Zoti Ukcamaj, në të shumtën e rasteve, ata dhanë edhe jetën në mbrojtje të këtyre vlerave, nën kthetrrat e diktaturës komuniste.

Klerikët, për të cilët flet Zoti Ukcamaj, zanë një vend të pazëvendsueshëm në kulturën tonë pro-perëndimore dhe në shqiptarizëm.  Të mohohet vepra e tyre do të thotë të mohosh, në të njejtën kohë, ekzistencën, historinë dhe identitetin e kombit shqiptar. Autori, hedhë dritë mbi rolin e klerikëve katolikë në venjën e bazës dhe të konsolidimit të gjuhës shqipe, traditës dhe me në fund edhe të trashëgimisë perëndimore të shqiptarëve.  “Shqiptarët në Qytetërimin Perendimor” jep njoftime e fakte të reja e të rëndësishme për protagonistet kryesorë, d.m.th, jo vetëm për krijuesit por, në te njëjtën kohë, edhe për ruajtësit e kesajë trashëgimie në radhët e shqiptarëve në trojet e veta.

Promovimi i Zotit Ukcamaj po bëhet në një kohë kur debati në lidhje me identitetin  dhe historinë e shqiptarëve – madje përfshirë edhe vet Gjergj Kastriotin Skënderbe – se kush ishte ai dhe cila ishte familja e tij, një debat që vazhdon të jetë i nxehtë në median shqiptare sot.  Mjafton gjtihashtu të përmendim debatin, do të thosha shpesh të ashpër gjatë viteve të fundit, midis ndër më të mëdhejve të kombit, siç janë Z. Ismail Kadare e Z. Rexhep Qosja, si edhe artikuj e intervista nga njerëz kompetentë dhe jo aq kompetentë — pro dhe kundër — të botuar në Shqipëri dhe në Kosovë.  Edhe udhehqësit politikë shqiptarë të 25 viteve te fundit, janë prononcuar në favor dhe kanë mbrojtur zanafillën e qytetërimit perëndimor të shqiptarëve.   Më i sinqerti në mbrojtje të idenititetit evropian të shqiptarëve ka qenë i ndjeri President i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili e kishte kuptuar më së miri se shpëtimi i shqiptarëve vinte nga Perëndimi.

 

Për këte jam i bindur nga njohuria dhe lidhjet që kam patur me Presidentin Rugova ç’prej vizites se tij të parë në New York dhe Washington me 1989, kur për herë të parë dhe për dy tri ditë që kaloi në shtepinë time në Virxhinia kemi biseduar gjanë e gjatë për fatin e Kosovës dhe të kombit. Nga ajo vizitë dhe bisedimet e zhvilluara me ‘të në atë kohë dhe me vonë, jam bindur se Zoti Rugova, i cili atëherë nuk ishte shumë i njohur jashtë Kosovës, ishte personi që do të dinte, “T’i lidhte penjët e shkëputur të së kaluarës sonë të përvuajtur”.  Sa më shumë bisedoja me ‘të, gjatë viteve që pasuan, u binda edhe më shumë se Ibrahim Rugova ishte i vetmi udheheqës shqiptar I kohërave moderne që kuptonte sinqerisht se lidhjet me Perëndimin dhe me Papën, në ketë rast me Papa Gjon Palin e dytë, me te cilin kishte një miqësi të vecantë, do të ndihmonin dukshëm dhe në mënyrë të favorshme për ndërkombtarizimin e çështjes së Kosovës.  Nuk është për tu habitur atëherë që Presidenti Clinton, në një nga kujtimet e tija ka thënë se ishte Papa Gjon Pali i dytë ai që para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i kishte telefenuar për t’i kërkuar të bente diçka që të shpëtonte shqiptarët e Kosovës, bashkombasit e Nanë Terezës, nga barbarizmat serbe.

Është interesant dhe i mirëseardhur fakti se këtij debati mbi “Shqiptarët dhe Qytetërimin Perëndimor”, nga koha në kohë, i janë bashkuar edhe politikanë siç është ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Zoti Jakup Krasniqi me, të pakën një artikull, titulluar “Kombi Shqiptar në Evropë”.   Në atë kohë, ish-Kryeparlamentari i Kosovës ka pohuar se “Formimi i kombit shqiptar ka lindur si rezultat i depërtimit të ideve të illuminizmit evropian që në shekullin e XIX…të cilat revolucionarizuan shqiptarët me idetë e arsmit, të drejtësisë, të barazisë, të vellazërisë e të bashkimit territorial të kombit”.

Besoj që ky debat, kontribut tejet i rendësishëm i të cilit eshtë edhe botimi i autorit Ukcamaj – sidomos edhe botimi në anglisht — është i doemosdoshëm për t’i dhënë një drejtim të ardhmes tonë si komb dhe që në të njëjtën kohë të shtojmë njohuritë dhe të zbulojme të vërtetën për të kaluarën dhe historinë tonë edhe ndër të huaj. Ndaj, në këte prizëm, botimi i librit të Zotit Ukcamaj është një kontribut i çmueshem dhe i mirëseradhur në këte debat të vazhdueshëm.  Në të njëjtën kohë, për mua ka rëndësi simbolike fakti se ky libër është promovuar fillimisht me rastin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes me përmasa botërore — murgeshës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e racës iliro-shiptare — kontributet e së cilës dihen tashmë ndaj Kishës Katolike, por edhe ndaj qytetërimit perëndimor dhe lidhjes së shqiptarëve me kulturën dhe qytetërimin perëndimor.  Me plot të drejtë Zoti Ukcamaj e cilëson Nënë Terezën si gruaja më e njohur e qytetërimit të sotëshëm, e cila në të njëjtën kohë simbolizon edhe tolerancën dhe bashkjetesën fetare midis shqiptaëve. Nënë Tereza ishte, murgeshë katolike, ishte shqiptare, ishte evropiane, por kjo gjë nuk e pengoi atë aspak që ajo të punonte në mesin e indianëve me kulturë dhe fe ndryshe prej saj.  Zoti Ukcamaj e citon Nënë Terezen të ketë thenë se “Ne punojmë për të gjithë, pa dallim ….ne punojmë per të krishterë dhe jo të krishterë, për myslimanë, budistë e induistë…”.   Nëna Tereze e trojeve tona mund të ketë berë më shumë se askush tjetër që vlerat tona të shëndërrohen në vlera universale, sidomos vepra e sajë në mbrojtje të jetës së personave më të perbuzur në këte botë dhe për ushtrimin e tolerancës ndaj të gjithëve pa dallim feje, krahine, race, e tjera.  Jam i sigurt se kulturën dhe tolerancës fetare, Nëna Tereze nuk e mësoi në Indi, as në ndonjë vend tjetër, por në vatrën e familjes së sajë shqiptare.

Thelbi i librit të Zotit Ukcamaj ështe se shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor – duke mos mohuar njëkohsisht as influencat tjera – sidomos ato lindore.  Në të vërtetë, ne jemi një popull me fat, sepse si në asnjë vend tjeter të botës, do të thosha, marrëdhëniet fetare në radhët e popullit tone, kanë qenë gjithmonë dhe janë në një nivel qendrueshmërie, dhe që njihen dhe që tani admirohen nga të gjithë.  Do të ishte fat i madh po qe se toleranca fetare do të shëndërrohej në tolerancë dhe bashkjetesë politike, në radhët e udheqësve politikë në të gjitha trevat shqiptare.

Me plot të drejtë, Zoti Ukcamaj ve në dukje kontributin e jashtzakonshëm që kanë dhenë edhe vellëzerit tanë të feve të tjera, në kulturën dhe drejtimin pro-perëndimor të shqiptarëve.  S’ka asnjë dyshim se myslimanët shqiptarë janë po aq perëndimorë sa janë dhe të krishterët katolikë. Toleranca fetare midis shqiptarëve ështe meritë e të gjithëve, por në fund të fundit, shumica e popullsisë shqiptare eshtë e fesë myslimane, e për të gëzuar marrëdheniet e mira ndër-fetare që gëzojnë shqiptarët, ateherë më duket mua se shumica është tolerante ndaj pakicës dhe për këtë meriton kredi.   Ndjenjat pro-përendimore të shqiptarëve i kanë njohur dhe janë përpjekur t’i mbrojnë edhe përendimorët, sidomos amerikanët. Ish-Sekretari i shtetit James Baker, ne vitin 1991 në sheshin Skenderbej deklaroi se, “Amerika është përsëri me ju”, që në thelb to të thoshte, ju shqiptarët jeni përsëri pjesë e Përendimit.  Ky premtim, si hap i parë — është realizuar, me në fund, me antarësimin e Shqipërise në NATO dhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, me qëllim për të mbrojtur vlerat perëndimore, ndërhyrje që çoi në pavarësinë e Kosovës.

Gjatë shekullit të kaluar, dy a tri herë, Perëndimi u përpoq gjatë Luftës së Ftohtë, që Shqiperinë — si një vend komunist jo sllav — ta bënte pjesë të Perëndimit.  Siç dihet, njëherë u perpoqën me mjete lufte klandestine, d.mth në fillim teviteve 50-a, provuan ta shkëputnin Shqipërinë nga blloku sovjetik, kur anglo-amerikanët dërguan grupe për të rrëzuar regjimin anti-perëndimor të Enver Hoxhes   —  dhe më vonë në kulmin e luftës së ftohtë, me 1985, Perëndimi, nepërmjet Jozef Straussit të Gjermanise u përpoq të bindte regjimin e Ramiz Alisë që të pakën të hapte një dritare, sado të vogël ndaj Perëndimit — në shkëmbim për ndihma ekonomike dhe investime shumë të nevojshme nga Perëndimi.  Më kanë thenë njerëz që ishin në dijeni të atyre përpjekjeve në atë kohë se, fillimisht, Perëndimi nuk kishte për qëllim të rrëxonte me dhunë regjimin e atëhershëm, por synimi ishte vetem një liberalizim gradual i politikës shqiptare brenda vendit, dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, që sado pak të mund të kontribuonte në një liri më të madhe dhe të çonte në përmirësimin në përgjithësi të jetës së shqiptarëve aq të vuajtur e të shtypur nga regjimi enverist.  Fatkeqisht, të gjithë e dimë se si përfunduan këto përpjekje.

Prandaj, nuk është se Perëndimi nuk i donte shqiptarët të ishin pjesë e tij, përkundrazi, ishte Shqipëria që qeverisej nga një regjim, që jo vetëm nuk dëshironte të kishte vetë asnjë marrëdhënie me botën perëndimore, por diktatura shqiptare komuniste prishej edhe me miqët e sajë të cilët bënin hapa drejtë përmirësimit të marredhënieve të tyre me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   Gjatë historisë, por sidomos gjatë shekullit te kaluar, besoj se veçanërisht Amerika, e ka provuar se kush ishin miqët e vertetë të kombit shqiptar, dhe cilët ishin ata që nuk ia donin të mirën kombit shqiptar. Megjithë se kanë kaluar 27 vjetë nga shëmbja e komunizmit në Shqipëri, nuk është kurrë vonë për të rishikuar e bile edhe për të ri-shqyrtuar me sy kritikë të kaluarën jo të largët.  E vetmja mënyrë për të shkuar përpara, është për tu përballur me të kaluarën historike.

Siç ka shkruar edhe I ndjeri Imzot Rrok Mirdita në parathënien e librit të Zotit Ukcamaj, “Vetë Perëndimi ka kaluar nepërmjet një purifikimi të historise së vet, e sidomos ç’prej Luftës së Dytë Botërore e ka mbështetur përparimin për të zbuluar të vërteten edhe kur ajo ka qenë e hidhur.”  Jam i të njejtit mendim me Imzot Mirditën se “edhe për Shqipërinë e për shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndosh përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të kete një proces të purifikimit ose të një pastërtimi të guximshem te vetëdijes historike.”

Tashti lind pyetja, a janë shqiptarët gati, si komb, ti hedhim një veshtrim real historisë së tyre, sidomos historisë së periudhës komuniste.  Fatkeqsisht, deri më sot, shqoëria shqiptare nuk ka pasur ende një purifikim ose një de-komunist-izim të saj, gjë që do t’a çlironte atë nga e kaluara e marrur peng nga historiografia komuniste.

Më 1991, e kisha gjetur Shqipërinë në një gjendje të mjerueshme në të cilen e kishin zhytur komunistët për pothuaj 50-vjetë: të varfër materialisht dhe shiprtërisht, të shkatërruar politikisht dhe ekonomikisht, si asnjë vend tjetër që unë kisha vizituar më parë.  Në atë kohë, isha i bindur se ky popull i vuajtur aq shumë do të dijë të delte shpejt nga ai lloç dhe të ndërtonte një të ardhëme më të denjë, pro-perëndimore, për të cilën ishin përcaktuar edhe rilindasit e tij.  Fatqeksisht, sot unë jam aq i zhgënjyer sa edhe shumë të tjerë.   Një ndër këto zhgënjime është se —   është krejtsisht e pakuptueshme dhe një fakt i pa-pranueshëm i shoqërisë shqiptare, që ata, disa prej të cilëve për pothuaj 50 vjetë me radhë – me kënaqësi torturuan, rrahën, vranë e burgosen bashkombasit e tyre, vetëm e vetëm pse ata nuk pranuan një ideologji të huaj e cila ishte në kundërshtim me vlerat dhe kulturën shqiptare — tashti lejohen të mbajnë detyra shtetërore, në qeveri, në polici, gjykata e në parlamentin shqiptar.  Hakmarrja pa dyshim nxit urrejtje dhe nuk jam për hakmarrje.

Vaclav Havel ka thenë se “Kur e vërteta nuk gëzon lirinë e plotë, as liria nuk është e plotë.”  Ndërsa “Drejtësia e vonuar është demokracia e mohuar”, ka thënë Robert Kennedy.  Eventualisht, e vërteta dhe drejtësia dalin gjithmonë mbi zhurmën dhe propagandën. Vepra e mirë s’ka harresë. Libri i Zotit Ukcamaj është një kontribut i rëndësishëm që na ndihmon të mos harrojmë të vërtetën mbi fatin e këtyre klerikëve patriotë, të cilët flijuan aq shumë për ruajtjen e identitetit të kombit shqiptar dhe të qytetërimit perëndimor ndër shqiptarët.  Shpresoj që pas leximit të këtij libri të na shtohet vullneti për mbrojtjen e jetës, të nderit dhe të dinjitetit njerëzor, cilësi këto që janë baza e çdo shoqërie të përparuar, por edhe e vlerave që shqiptarët ndajnë me qytetërimin perëndimor.  Nuk na vlenë gjë të jemi pro-perëndimor ose dhe të jemi pjesë e Perëndimit, neqoftse, siç ka thënë Pater Anton Harapi, “Njiheri nuk jemi edhe Shqiptarë të njëmendët…që t’ia shtrijmë dorën shoqi shoqit, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishterë e me besën e burrave, me Besën Shqiptare, të lidhemi për t’ia mbajtë Shqiptarit të pa prekun, nji Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipëninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderben.”

E përgëzoj Zotin Ukcamaj për këte botim të jetueshëm për gjithmonë – në të cilin shkruan,  jo vetem për kontributin dhe flijimin e klerikëve katolikë dhe të tjerëve, dhënë kulturës dhe historisë së shqiptarëve, por që njherazi – krenarisht — nënvijon vlerat tona kombëtare, vlera të cilat shkelqejnë si hyje që duhet të drejtojnë të ardhmen e brezave të tashëm e të ardhëshëm, e që përsëri, sipas At Anton Harapit, “Të kemi pse të jemi e të mbahemi Shqiptarë, derisa të shënjta të ruhen besë e burrni.”

Filed Under: Opinion Tagged With: DIELLI LIND, Frank shkreli, ne perendim, per shqiptaret

45-VJETORI I INAUGURIMIT TË KISHËS SË PARË KATOLIKE SHQIPTARE NË PERËNDIM

April 9, 2015 by dgreca

NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN/
Nga Frank Shkreli*
Ishte 12 prilli i vitit 1970, dita kur u hap zyrtarisht Kisha dhe Qëndra Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht në lagjen Bronks të New Yorkut. Ishte ky një rast historik, në të cilin — ndonëse komuniteti shqiptar në New York ishte shumë i vogël në krahasim me sot –morën pjesë sipas burimeve të medias së atëhershme mbi 600-veta, përfaqsues të tre besimeve fetare dhe nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe përfaqsues të të gjitha organizatave politike dhe kombëtare të kohës. Gazeta e njohur amerikane, The New York Times, njoftonte lexuesit e saj për këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan– me një artikull të gjatë me fotografi nga Qëndra e re Katolike Shqiptare, të titulluar, “Kisha e Parë Katolike Shqiptare në Hemisferën Perëndimore” — “Për një qëndër fetare që sot është zemëra e një komuniteti ndër më të jashtzakonshmit që ka lindë në këtë qytet ndër vitet e fundit”, shkrunate gazeta New York Times prillin e vitit 1970.
Hapjen e kishës së parë katolike shqiptare në New York e përshëndeti edhe media shqiptare në mërgim, si revista Shëjzat, gazeta Shqiptari i Lirë, gazeta Dielli e të tjera. Revista Shëjzat drejtonte urimet e veta nga Europa me shprehjen se, duke u nisur thjeshtë nga “Pikpamja shqiptare dëshirojmë të theksojmë këtu vlerën e një orgnanizimi i cili në flakë e në dritë të fesë… synon të mbajë gjallë zakone e doke thjesht kombëtare, dmth të ruaj në vend të huaj pasuninë etnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon me u quajtë Shqiptarë në botë.”Duke i njohur meritat Mons Zef Oroshit për këtë realizim, Shëjzat shprehen se bashkë me qendrat simotra fetare myslimane dhe ortodokse të krijuara në Amerikë, edhe kjo qendër katolike shpresojmë se do të japi fryt për bashkarinë tonë aty të selitun, thekshet në shkrimin e revistës Shëjzat.
Ndërkaq, gazeta Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shipëria e Lirë, komentonte se,“Kjo ngjarje kaq me rëndësi për bashkësinë shqiptare në këtë vend u bë e mundur së pari nga ardhja e mijëra katolikëve shqiptarë, të cilët të detyruar të braktisnin Atdheun nga terrori i kuq dhe pas vuajtjeve të gjata në vende të huaja, më në fund, patën fatin të vendosen në Amerikë ku me punë të ndershsme siguruan për vete një mirëqenje të plotë në liri dhe në paqë.” Shqiptari i Lirë shkruante se një faktor tjetër për realizimin e këtij qëllimi ishte ardhja meshtarit të njohur Dr. Zef Oroshi i cili i përkrahur nga një grup i ngusht idealistësh energjetikë dhe mbas përpjekjeve prej shumë vitesh, më në fund ia dolën dhe ndërtuan qendrën dhe kishën e parë katolike në Perëndim.
Duke përshëndetur të pranishmit në darkën madhështore që ishte shtruar me atë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshi tha se në kohë normale kur Shqipëria do të gëzonte lirinë, inaugurimi i kësaj kishe nuk do të ishte ndonjë gjë e jashtzakonshme, do të konsiderohej vetëm si hapje e një qëndre të rëndomt, nga një grup etnik në Shtetet e Bashkuara, i cili dëshiron të ruaj trashëgiminë e tij etnike, fetare dhe shoqërore. Por kjo nuk është një kohë normale për shqiptarët, tha Mons Zef Oroshi, duke shtuar se, “Pikërisht 25 vjetë më parë në Shqipëri, klerikët janë burgosur ose ekzektuar në masë, të gjitha kishat janë shkatërruar, janë mbyllur ose janë shtetëzuar dhe ata klerikë që ende janë gjallë, detyrohen të jetojnë në kampe pune.” Si rrjedhim i kësaj situate në Shqipëri, theksoi Mons Oroshi, “Kjo qëndër dhe kishë modeste është për katolikët shqiptarë si edhe për pjesëtarët e dy feve të tjera të shqiptarëve, një simbol i lirisë fetare dhe civile. Në këtë qëndër, gërshetohen dimensionet e idelave të një kombi, nderohen të gjithë ata të cilët dhanë jetën për ideale të tilladhe njëkohsisht shprehë falënderimet më të përzemërta ndaj vendit që na ka pranuar – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë për bazë bekimet e lirisë.” Prandaj, udhëheqsi i atëhershëm i katolikëve shqiptarë në Amerikë, Dr. Zef Oroshi premtoi me rastin e inuagurimit të Qëndrës dhe Kishës së parë Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”,para 45 vjetëve në New York,se ajo qëndër do të “shërbejë për të gjithë si një simbol i lirisë së humbur në vendin tonë.”
Duhet theksuar se ishte kjo një periudhë kur lufta dhe krimet kundër Kishës Katolike në Shqipëri kishin arritur kulmin. Dhe jo vetëm mbrenda kufijve të Shqipërisë. Lufta e regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Kishës Katolike kishte arritur një absurditet pëmasash botërore. Inaugurimi i Kishës së parë katolike shqiptare në New York u realizua në një dekadë kur edhe Misioni i Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Bombeve të Bashkuara, i kryesuar në atë kohë nga Halim Budua, e kishte venë vehtes detyrën e kryezëdhënsit të urrejtjeve dhe shpifjeve ndaj Kishës Katolike, madje edhe nga podiumi OKB-ës. Ishte i vetmi delegacion që u largua nga salla e Asamablesë së OKB-ës kur për herë të parë foli para kësaj organizate një udhëheqës i Kishës Katolike, në personin e Papa Palit të VI. Prandaj është në këtë atmosferë që duhet shikuar rëndësia e inagurimit të kësaj kishe në atë kohë.
Përveç qindra pjesëmarrsve katolikë shqiptarë dhe të feve të tjera, në inaugurim morën pjesë vëllazërisht edhe udhëheqsit e komunitetit mysliman dhe ortodoks të shqiptarëve në Amerikë. Ndër të tjerë, Peshkopi Stephen Lasko dhe Imam Isa Hoxha, si dhe udhëheqsit e komunitetit të asaj kohe, Kryetari i organizatës Vatra Peter Chicos, Anthony Athanas, Abaz Kupi, Kryetari Komitetit Shqipëria e Lirë, Dr. Rexhep Krasniqi, Ago Agaj dhe udhëheqës të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.Imam Isa Hoxha , në emër të Komunitetit mysliman shqiptar në Amerikë shfaqi urimet e tija më të përzemërta për atë që ai e cilësoi si këtë “Vepër të Shënjtë që i bëtë Atdheut, një vepër kjo që i takon çdo besimtari dhe atdhetari të mirë.”
Ndërsa Kryetari Vatrës, Peter Chicos përshëndeti inaugurimin e Qëndrës dhe të Kishës Katolike Shqiptare duke shprehur kënaqësinë që po merrte pjesë në hapjen e një qendre të re shqiptare në Amerikë, për më tepër në themelimin e Qëndrës së parë të shqiptarëve katolikë në Shtetet e Bashkuara. Ai tha me atë rast se, “Ju tani kini hedhur hapin e parë si grup, por pjesmarrja duhet të jetë si individë. Këtu të gjithë ne jemi shqiptarë në Amerikë. Si të tillë, është përgjegjësia jonë të punojmë, të kujdesemi për familjet tona, të pranojmë Amerikën si vendin tonë të ri, të bëhemi shtetas, të ruajmë dhe të kujdesemi për institucionet tona dhe të jemi të ndershëm duke qenë të denjë të vetes sonë si individë.” Ish-Kryetari i Vatrës u tha të pranishmëve se,secili prej nesh dhe kudo që jemi, duhet të jemi përgjegjës që të kultivojmë kulturën tonëkëtu në Amerikë dhe të luajmë rolin tonë në historinë e Shteteve të Bashkuara.”
Një udhëheqës tjetër i komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Halim Begeja në fjalën e tij me atë rast, pasi vuri në dukje se regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte prishur kisha dhe xhamia dhe se kishte shpallur Shqipërinë si vendi i parë ateist në botë, u shpreh se, “Sot këtu si shqiptarë me në krye vëllëzrit tonë katolikë, po i dëshmojmë botës mbarë se nuk është populli shqiptar ai që ka zgjedhë rrugën e ateizmit, por është një klikë komuniste, e cila me pushkë dhe me çdo torturë çnjerëzore është vërsulur kundër popullit shqiptar, me qëllim që ta xhveshi atë nga çdo besim dhe nga çdo traditë të bukur e të ndershme.”Duke thënë se hapja e qëndrës dhe kishës së re katolike në New York, — përveç rëndësisë fetare, kishte edhe një rëndësi tepër të madhe kombëtare — Dr. Halim Begeja iu drejtua me atë rast komunitetit katolik shqiptar në Amerikë duke theksuar rolin e këtij komuniteti në historinë e kombit shqiptar: “Prandaj motra dhe vëllëzer katolikë, ju zëni vendin e shkëlqyeshëm të historisë së Shqipërisë. Ju jeni bijat dhe bijtë e atyre që janë bërë fli për Atdhe e Fe: ju jeni bijtë dhe bijat e atyre që i kanë dhënë dritë e lulëzim Shqipërisë, e ju vet sot jeni po ata bija e ata bijtë që keni sakrifikuar gjithshkafen për të ruajtur lirinë e vërtetë të popullit shqiptar.”Dr. Halim Begeja vazhdoi duke thënë se, “Përpjekjet e katolikëve shqiptarë për lulëzim dhe përparim të racës sonë janë të lashta” duke shtuar se, “Mos harroni jo vetëm ju, por të mos harrojmë të gjithnë ne se shkollat e para shqipe janë nga ana e katolikëve shqiptarë….”, theksoi ndër të tjera Dr. Halim Begeja në fjalimin e tij.
Sipas Revistës së Qëndrës Katolike Shqiptare, “Jeta Katolike”, Qershor, 1970, ku u botuan shumica e fjalimeve dhe kronika me rastin e inuagurimit, thuhet se fjalime të shkurtëra me këtë rast mbajtën edhe Hirsija e Tij Peshkop Lasko, Z. Anthony Athanas, i cili thotë revista, ç’prej fillimit kishte qenë inkurajuesi dhe bamirësi më i mirë i qëndrës katolike shqiptare. Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që cilësohet nga revista katolike shqiptare gjithashtu si përkrahës dhe ndihmës i çdo nisme të mirë. Dr. Athanas Gegaj, i cili gjithnjë sipas revistes Jeta Katolike, ka përkrah me zell në faqet e gazetës Dielli nismën për qëndrën e parë katolike shqiptare në Perëndim. Siç duket pra nga pjesëmarrsit në këtë inauagurim dhe nga deklaratat e figurave më të dalluara të komunitetit shqiptaro-amerikan nga të gjitha trojet – ndërtimi i parë i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë ishte gati si të thuash një prioritet kombëtar për komunitetin shqiptaro-amerikan pa dallim.
Ndërsa, i fundit foli aktivisti i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe anëtar i Këshillit të Kishës Zoja e Kshillit të Mirë, Zef Pashko Dedambi historikun dhe përpjekjet e komunitetit prej shumë vitesh, të cilat më në fund sollën realizimin e inuagurimit të Qendrës dhe të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë, përfundoi duke thënë se, “Nëqoftse ndonjë herë do të shkruhet historia e Shqipërisë, ose më mirë e Diasporës Shqiptare, kjo çka po inuagurojmë sonte këtu, vëllëzër e motra, do të jetë pa dyshim një kapitull me rëndësi i asaj historie. Dhe i Përndershmi At Dr. Zef Oroshi — të cilit i kërkoj ndjesë nëqoftse për hir të së vërtetës mu desht ta përmend shumë herë në këtë fjalim — do të jetë figura qëndrore e atij kapitulli, duke e shquajtur edhe si apostullin e të mërguarve shqiptarë katolikë të shekullit të 20-tët”, përfundoi ai.
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka dekoruarMons Dr. ZefOroshin (post mortum), me Urdhërin e Lartë “GjergjKastrioti – Skëndërbeu”.
Mons Zef Oroshi citohet të ketë thënë se, “Jemi një shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bëhemi dritë e madhe me shëndrit edhe vatrat tona të errësuara në Atdhe.” Kjo ishte një profeci që u realizua sepse ishte Dom Rrok Mirdita, pasardhës i Mons Zef Oroshit, i cilime tëarriturnëAmerikë, meenergjinëdhe meentuziazmin e tijsollinjëbashkpunimtëzellëshëm e tëfrutshëm. Ngaaifillim modest 45 vjetëmëparë,Dom RrokMirdita (aktualishtArkipeshkëviTiranësdheDurrësit)ikadhënënjëhovtëri jo vetëmveprimtarisësëQëndrësdheKishëssëparëKatolikenëAmerikë, veprimtariqëçoinëndërtimin e kishëssë re tani e quajtur, KishaZoja e Shkodrësdhe Qëndra Nënë Tereza. Kisha dhe QëndraKatolike Shqiptare në New York tani drejtohet nga Dom Pjetër Popaji cili me veprimtarinë e tij frymëzuese dhe të palodhur dhe duke u bazuar në binomin “Fe e Atdhe me Përparim”, trashëguar nga paraadhësit e tij – në këtë 45-vjetor të inaugurimit vazhdon të jetë qendër jo vetëm evleravefetareporedhevatër e promovimit tëpatriotizmit tëpastërshqiptar, të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare këtu në Amerikë dhe në të gjithatrojet tona shqiptare në Ballkan.
*Për hir të së vërtetës duhet shënuar se autori ka shërbyer si Sekretari Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare’’, për periudhën 1971-1974.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 45-VJETORI I INAUGURIMIT TË, Frank shkreli, KATOLIKE SHQIPTARE, KISHËS SË PARË, ne perendim

SHQIPTARET I PERKASIN PERENDIMIT E DUHET TE KENE VENDIN E TYRE TE NATYRSHEM NE PERENDIM

July 26, 2014 by dgreca

Fakti qe grupi Pro-Perendimor po behet tema e dites e tregon vete rendesine e kesaje levizje brenda mazhorances gjithsesi edhe ashtu te brishte megjithse e fryre si tullumbace.
Shqiperia per 68vjet ka udhtuar ne erresiren e lindjes megjithse me kohe Naimi i madh ka the o diell qe lind andej nga perendon per kombin shqiptar.
Disa e kane vene re por dalja e pakices bllokuese me nje grup deputetesh Pro-Peendimore eshte shume me teper se pakice bllokuese, shte vizion i ri per Shqiperine e shqiptaret. Shpreh bindjen se grupi Pro-Perendimor eshte ne unison me projektet e miqve perendimore per Shqiperine e shqiptaret.
Nese i shtojme kesaje situate shqetesimin e diplomacise amerikane per pengesat e investitorve Amerikan ne Shqiperi dhe fjalimin e hapur e pa dorashka te zv/sekretares se Shtetit Nuland atehere mendoj se panorama behet edhe me e qarte.
Madje pa frike mundem te them se panorama eshte jo vetem me e qarte por edhe mjaft shpresedhense per ndryshime pozitive ne Shqiperi.
Pushtetit komunist te Zones se Pare Operative ju hoq kopertura perendimore me largimin e deputeteve katolike.
Realisht feja nuk ka ndikuar dhe nuk ndikon ne politiken shqiptare por jam i bindur se per arsye shpirterore e historike grupi i deputeteve katolike jane me afer Perendimit e Kishes ashtu si Rama eshte afer Athines e Moskes.
Nuk mendoj dhe nuk dua te besoj se ne vendimin e ketij grupi deputetesh nuk eshte ndikuar edhe nga cermonia e hapjes se Kishes Orthodokse ne qender te Tiranes me “miqe” te ftuar Ruse, Greke e Serbe duke perjashtuar malazezet qe jane Ilire si ne , Maqedonsit e Kishen Ukrainase.
Historia na meson se rilindjen shqiptare e kane udhehequr kleriket katolik e shkruajme shqip prej te madhit Gjergj Fishta qe komunistet sllavo ortodoks i treten edhe eshtrit dhe bijte e tyre akoma nuk ja kane hequr nishanet Enverit qe i ka pas dhene vetes.
Kjo eshte po aq e vertete sa edhe kisha ortodokse Greke me sherbetoret e tyre ne Shqiperi kane qene po aq antishqiptar sa edhe pushtuesi turkq.Une mendoj se grupit Pro-Perendimor do ti bashkohen edhe te tjere properendimore mbase ne te “majte” e ne te “djathte te politikes shqiptare.
Madje do i beja thirrje grupit Pro-Perendimor po e quajme per lehtesi identifikimi qe t’ju beje thirrje inteltualve shqiptar qe e ndiejne veten afer filozofise e frymes perendimore ti bashkohen perpjekjeve te tyre per liri e demokraci
. Nuk do ishte keq qe figura te spikatura te shoqerise shqiptare t’ju behet ftese nominale.
Shqiperia dhe shqiptaret jane popull properendimore edhe pse dhunshem i kane mbajtur ne lindje qe 500 vjet kjo mendoj se eshte nje favor i kesaje levizje Pro-Perendimore do e quaja me plot goje. Emertimin grupi Pro-Perendimor duhet ta marrin nga filozofia e politikes se hapur e mbrojtjen e interesave te elektoratit respektivisht mbrojtjen e interesit shqiptar te shprehur dje nga deputeti Ndreu.
Do ju sugjeroja qe te mos lejojne ti identifikojne si grupi katolik pasi politika e mbrapshte kerkon qe t’ju izolojne pasi ka akoma shqiptare e shume interesa antishqiptare qe nuk duan ta kuptojne se te jeshe katolik apo te dishe se gjeneza jote eshte katolike eshte krenari dhe fat qe i perket civilizimit, e perparimit e duhet te kujtojme se dikur kemi qene ne krye te ketij civilizimi.
E perdorin e mundohen ta identifikojne si grup katolik megjithse jane te bindur se nuk eshte grupim me motive fetare por eshte fryma perendimore e shprehur ne menyren me te qarte e natyrshem ne unison me projektet perendimore per shqiperine e shqiptaret qe Shqiperia te kete vendin e saje natyral ne gjirin e kombeve te perendimit.
Shtatori qe po vjen do ishte mire ta gjente Shqiperine me qeveri teknike me tekniciene perendimore si respekt i shqiptarve per viziten e Papa Franceskut ne Shqiperi si viziten e pare ne Europe. Nese shton se viziten e dyte ne perendim Papa do ta zhvilloje ne Amerike atehere pergjigjsia e shqiptarve rritet ndjeshem per ta pritur Papen ashtu si shqiptarent dine te presin e respektojne nje mik te madh e te nderuar si Papa Franceskun qe vuri flamurin e shqiptarve rreth qafe faqe tere botes.
Per hir te se vertetes ne shqiptaret i kemi dhene shume qytetrimit perendimor qe me Shen Palin , te madhin Gjergj Kastriotin e nene Terezen si nenen e botes e jemi me fat qe megjithse te vegjel kemi pasur miq te medhenj qe nga Shenjti Gjon Pali II, Presidentet Bush Clinton e Obama e na pranoje ne NATO e deri te Papa Francesku qe jo pa qellim viziten e pare ne Europe po e ben ne Shqiperi.
Ne shqiptarve nuk na kerkohet qe te ndryshojme boten por thjesht te hedh tej demagogjine kriminale sllavo komuniste.Let see

July 26, 2014
Ajet Delaj
New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Ajet Delaj, E DUHET TE KENE VENDIN E TYRE TE NATYRSHEM, I PERKASIN PERENDIMIT, ne perendim, shqiptaret

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT