• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË “ODË” E MADHE PËR SHQIPTARËT E MOSHUAR

January 29, 2018 by dgreca

1 Liolin

Nga Fuat Memelli/1 Pleqte

Më në fund edhe Bostoni do ketë një qendër ku të mblidhen shqiptarët e moshuar. Kjo u bë e mundur falë nismës së shqiptarit Agron Gjerasi, me profesion inxhinier mekanik. Kjo ide i kishte lindur para afro dy vjetësh. E bluante mendimi: pse shqiptarët e moshuar mos kenë një qendër ku të mblidhen, të argëtohen etj, siç e kanë mjaft komunitete të tjera? Numuri i shqiptarëve tashmë ishte shtuar dhe ata e meritonin një qendër të tillë. Vështirësitë ishin të mëdha si mungesa e përvojës në këtë fushë, gjetja e një mjedisi të përshtatshëm, sigurimi i njerëzve që do ta frekuentonin, etj.

2 valle1


Falë këmbënguljes që e karakterizon Agronin, me financim  familjar, kjo nismë u bë realitet. Ditën e shtunë datë 27 janar 2018, ajo u përurua dhe ka emrin:” Qedra  Ditore për të Moshuart “Vatra”. Ndodhet në  qytetin Braintree, afër Bostonit. Mbi 250 vetë morën pjesë në përurimin e saj. 1 bilardoNuk ishin vetëm të moshuar, por edhe  familjarë të tyre, etj, pasi kjo ishte një ditë e shënuar për gjithë kumunitetin e Massachusetts. Në fillim u këndua himni shqiptar e më pas ai amerikan. Janë dy himne që çelin çdo veprimtari të shqiptarëve në Amerikë. Pastaj, i zoti i shtëpisë, Agron Gjerasi, mbajti fjalën e rastit, ku ndër të tjera theksoi: “ Dua të shpreh mirënjohejn tonë të thellë për këtë vend të bekuar që na i bëri ëndrat realitet. Good bless Amerika!( Zoti e bekoftë Amerikën!) Jam i lumtur që ia arritëm kësaj dite kur prindërit tanë të kenë vatrën e tyre të ngrohtë 6 orë në ditë, nga e hëna deri të shtunë.1 kengetaret Të moshuarit e kualifikuar që duhet të jenë mbi 65 vjet, duhet të kenë ishurencën “MassHealth” standard ose bazik, të kenë bërë vizitë shëndetësore tre muajt e fundit te mjeku i familjes si dhe testin e tuberkulozit. Të moshuarve do t’i sigurohet transporti dhe kujdesi shëndetësor falas, mëngjesin, drekën e zëmrën me ushqim të mrekullueshëm shqiptar nga restoranti “Adria”. Do të ketë gjiithashtu lodra të ndryshme si  bilardo, bingo, ushtrime gjimnastikore e terapeutike, 5 televizorë me kanalet shqiptare të cilët u dhuruan nga kompania “TeleAlba”, do ketë asistencë mjekësore, etj”. Më pas ai përmendi njerzit dhe institucionet që e kanë ndihmuar për realizimin e kësaj ideje.

Pastaj e mer fjalën drejtoresha e programit, Mila Kobrina, me origjinë ruse.”Amerika është vend i të gjithë kombeve, prandaj edhe shqiptarët e meritonin këtë qendër. Ne do bëjmë çmos që ju të kini kushte sa më të mira e të kënaqi këtu”, theksoi ajo.

Peshkopët Ikoni dhe Ilia Ketri si dhe At Artur Liolini, bekuan qendrën dhe uruan shqiptarët e moshuar  për këtë mjedis të bukur, me sipërfaqe 900 e ca metra katrore. Duke folur në përurim, Peshkop Ilia Ketri, ndër të tjera theksoi:”Kjo është një ngjarje e shënuar për komunitetin shqiptar të Bostonit. Pas 100 e ca vjetësh, shqiptarët e moshuar të Bostonit e qyteteve të tjerë rreth tij, kanë një qendër të tyren”. Peshkop Nikoni dhe At Arturi prenë shiritin e përurimit. Plot emocion foli atë ditë edhe e moshuara, Isabela Shllaku, me origjinë nga Shkodra.”Mua sot më kanë shkuar lotë nga gëzimi për hapjen e kësaj qendre” u shpreh ajo. Pastaj këndoi një këngë shkodrae, shoqëruar me kitarë nga Agron Gjerasi.

Atmosfera mer “ngjyra” të tjera, nga recitimi i Guri Stefanit, me poezinë e Nolit për famurin. Guri i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve,  reciton plot pasion sikur të ishte një aktor. Një ”aktor” tjetër vazhdon recitimet. Frederik Gjerasi, një figurë tjetër e shquar e komunitetit shqiptar në Boston,  recitoi një poezi të Migjenit. Pastaj e marin “fjalën” dy këngëtarët e ftuar, fierakja Bruna Sota(Hoxha) si dhe kosovari Ergin Oda. Me ta bashkohen shpesh edhe pjesëmarrsit. Është një ditë gëzimi dhe tok me të moshuarit, festojnë edhe të tjerët.

Në këtë festë, pjesëmarrësit shijuan edhe ushqimet e përgatitura nga restoranti shqiptar” Adria” me pronar korçar, Bledar dhe Mikaela Hoxhalli. ”Ju bëni kërkesat  për gjellë tradicionale shqiptare dhe ne do t’ju përgjgjemi me kënqësi” tha Bledari.

Kështu tani e tutje të moshuarit e Bostonit dhe qyteteve të tjerë rreth tij, do të kenë një qendër të tyre, ku mendohet të shërbejë një personel prej 20 vetash, do të kenë një “odë” të bukur shqiptare, që do t’i duket si një “copëz” Shqipërie. Aty do  mblidhen, do bisedojnë me njëri-tjetrin për Shqipërinë e dashur, për të cilën i djeg malli, por edhe për atdheun e dytë, Amerikën, që i krijoi këto kushte. Këtu do të zhvillohen edhe veprimtari të tjera të shqiptarëve si festime ditlindjesh, koncerte, mbrëmje vllzimi, etj. Veprimtaria për hapjen e qendrës për të moshuarit, u fiksua në vidjo e foto, por mbi të gjitha u fiksua në memorjen e pjesëmarrësve.

Filed Under: Emigracion Tagged With: e moshuar, Fuat Memelli, Nje "ode" e madhe, per shqiptaret

PËR SHQIPTARËT DIELLI LIND NË PERËNDIM

July 31, 2017 by dgreca

Me rastin e promovimit të librit të Z. Bardhyl Ukcamaj: “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor”/

Nga Frank Shkreli/

Të hënën me 31 korrik, Shtëpia botuese “Princi” dhe “Albanian Tourism Magazine” organizuan në Tiranë promovimin e librit “Shqiptarët në qytetërimin Perëndimor” me autor Bardhyl Ukcamaj, MS. Bardhyl Ukcamaj është i njohur si publicist dhe aktivist i të drejtave të njeriut, dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” për kontributin e tij në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.  Z. Ukcamaj ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, si dhe Master i Shkencave në Bridgeport University, në shtetin Connecticut, SHBA.  Ai gjithashtu ka studiuar në Cornell University, New York, SHBA.  Njoftohet nga organizuesit e promovimit se libri i Z. Ukcamaj, “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor”, botuar nga Shtëpia Botuese “Princi”, është gjithashtu në proces botimi edhe në gjuhën anglisht.  Në promovimin e moderuar nga Myftar Gjana, MS., botues i librit, Shtëpia Botuese “Princi” dhe Aferdita Elezi, botuese e “Albanian Tourism Magazine”, kishin përgatitur referate dhe diksutuan Prof. Dr. Sami Repishti, Prof. Dr. Aleksander Meksi dhe Prof. Dr. Mark Marku.

Për librin “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor” të Z. Ukcama të cilin kam pasur rastin ta kem lexuar më heret, kam privilegjin, që megjithse larg Tiranës, të ofroj disa mendime të hedhura me rastin e promovimit në Tiranë.

Një fjalë popullore thotë, “Mos të raftë me e harrue të keqen.”  Me këte vepër, Zoti Ukcamaj nuk na le ta harrojmë të keqen e kryer mbi popullin shqiptar gjatë shekullit të kaluar, sidomos kalvarin e klerit katolik.  Ai, në të njejtën kohë, në librin e tij, sjellë një pasqyrë të rëndësishme jo vetëm të historisë kishtare, por edhe të asaj kombëtare. Duke venë në dukje përkatësinë evropiane të popullit shqiptar — ai flet për një “thesar të pafund trashëgimie kombëtare”, e cila në botëkuptim dhe në paraqitje është krejtësisht evropiane. Autori shkruan për një trashëgimi mijëvjeçare, e cila u ndërpre gjatë shekujve nga pushtues të huaj që nuk ia donin të mirën kombit shqiptar.  Zoti Ukcamaj, me të drejtë thekson se kjo trashëgimi u ndërpre, në mënyrën më brutale nga diktatura mizore komuniste 50-vjecare, e cila paraqiti historinë e kombit shqiptar me syzë ideologjike, në përputhje dhe në bashkpunim të plotë me politikën e forcave më anti-shiptare dhe armiqëve më të përbetuar të kombit tonë (fillimisht me jugosllavët, pastaj me rusët e më vonë me kinezët) — në  një përpjekje për të prerë pothuaj të gjitha lidhjet e shqiptarëve me të kaluarën e tyre dhe si rrjedhim, edhe me botën perëndimore. Nuk është e nevojshme tu kujtoj se kush janë sot armiqët më të përbetuar të pavarësisë së Kosovës dhe të interesave të kombit shqiptar në Balkan. Po, janë ekzaktërisht këto shtete dhe popuj, me të cilët komunistët e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë ishin lidhur mish e shpirt, në mbrojtje të interesave të marksizëm-leninizmit, në kurriz të interesave afatgjata dhe afta shkurtëra kombëtare të shqiptarëve.

Në përpjekje për të krijuar të ashtuquajturin “njeri të ri”, sipas ideologjisë staliniste, regjimi i Enver Hoxhës, me çmendurinë e tij bëri ç’mos, që jo vetem të përpiqej t’i largonte shqiptarët nga rrënjet e kulturës së tyre perëndimore, por si asnjë vend tjetër në botë, shpalli edhe Perëndinë jashtë ligjit dhe me një krenari absurd, deklaroi Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë.  Ai donte të zhdukte traditat tona për të qenë diçka duke asgjasuar dhe duke zhdukur gjithçkafen. Ai e dinte se për të zhdukur rrënjet e qytetërimit perëndimor ndër shqiptarët, klika enveriste duhej të lëshohej si bishë e egër mbi klerin katolik, duke rrënuar ose duke këthyer faltoret në salla sporti dhe duke zhdukur shumicën e tyre fizikisht. Në të vërtetë kjo ishte edhe këshilla e komunistëve slave, të cilët e shihnin klerin katolikë si pengesën kryesore të përhapjes së influencës së tyre në Shqipëri.  Në këte mënyrë, komunistët shqiptarë shpresonin të fshinin çdo lidhje të shqiptarëve me botën perëndimore, e sidomos lidhjet e Kishes Katolike Shqiptare me Vatikanin, të cilin ata e konsideronin si “qendrën e obskurantizmit botëror”.

Dëshiroj të përmend një ilustrim nga përvoja ime personale se si regjimi komunist i Shqipërisë e konsideronte Vatikanin si barometer në luftën kundër Perëndimit dhe më në fund, kur ishte duke dhënë shpirt, donte ta përdorte atë si vegël afrimi me botën perëndimore.  Ishte marsi i vitit 1991. Unë kam pas fatin të isha pjestar i delegacionit të parë amerikan ç’prej Luftës se Dytë Botërore, që shkuam në Tiranë për të hapur ambasadën e parë amerikane, pas vendosjes së lidhjeve diplomatike midis Tiranës e Washingtonit dhe në të njëjtën kohë kishim në plan të merrnim pjesë në zgjedhjet e prillit të vitit 1991. Një ditë prej ditësh, ne ishim në aeroportin e Tiranës duke pritur Senatorin Clayborne Pell, ndërkohë më afrohet një zyrtar i lartë i qeverisë se Ramiz Alise, dhe më merr më një anë dhe më kërkon këshill dhe ndihmë se si duhej vepruar për vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Vatikanit.

Megjithse unë mbeta pak i habitur se pse zyrtari i lartë shqiptar mu drejtua pikërisht mua për këte çeshtje, unë i dhashë mendimin tim në lidhje me këte dhe i sugjerova se duke marrë parasyshë situatën e mjerë në të cilën gjendej vendi në atë kohë i thashë se ju kini më shumë nevojë për lidhje të forta me vendet perëndimore që mundësisht të ndihmojnë vendin materialisht, me investime. Vatikani, i thashë, nuk ka mundësi të tilla.   Ai m’u këthye duke me thënë, jemi të vetdijshëm se Vatikani nuk mund të na ndihmojë ekonomikisht, por vendosja e lidhjeve diplomatike me Vatikanin është simbol i bindshëm për botën perëndimore se Shqipëria nuk është më ajo që ishte, se më në fund po ndryshon. Me fjalë të tjera, ky zyrtar ishte i vetdijshëm se lufta e Shqipërisë komuniste kundër Perëndimit kishte filluar me Vatikanin dhe duhej të merrte fund me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin.

 

Me këte libër, Zoti Ukcamaj hedhë dritë mbi një histori të rëndësishme të rolit të Kishës Katolike në Shqipëri.  Në mënyrë të denjë ai paraqet një listë të kontributit të atyre që unë do t’i quaja të harruar — por ata, ndonëse të harruar, edhe të vdekur, flasin.  Megjithë se nga veprat e tyre dhe për arsye të vuajtjeve dhe mënyrës se si u vranë nga komunistët, ata gjithnjë ndriçojnë si yjë, ndërsa toka gjithnjë vajton për ta.

Eshtë e denjë që Zoti Ukcamaj ia kushton librin Françeskanit, At Zef Pllumit, i cili sipas autorit, “Ishte një legjendë sfiduese përball një klike terroriste që u mundua të zevendësonte Zotin me diktatorin e vdekshëm, ndërsa dashurinë me urrejtjen, pikërisht në zemrën gjeografike të Evropës së vjetër.”   Për hir të së vërtetes dhe të ndërgjegjes kombëtare, eshtë detyrë e të gjithëve që këta klerikë të këthehen në vendin që u takon në historinë e Shqipërisë, për veprat e tyre po se po, por edhe për sakrificat dhe vuajtjet — të cilave u janë nënshtruar në emër dhe në mbrojtje – jo vetem të fesë së tyre – por edhe në mbështetje të vlerave dhe të traditave tona të përbashkëta e shumë të çmueshme.  Siç ve në dukje edhe Zoti Ukcamaj, në të shumtën e rasteve, ata dhanë edhe jetën në mbrojtje të këtyre vlerave, nën kthetrrat e diktaturës komuniste.

Klerikët, për të cilët flet Zoti Ukcamaj, zanë një vend të pazëvendsueshëm në kulturën tonë pro-perëndimore dhe në shqiptarizëm.  Të mohohet vepra e tyre do të thotë të mohosh, në të njejtën kohë, ekzistencën, historinë dhe identitetin e kombit shqiptar. Autori, hedhë dritë mbi rolin e klerikëve katolikë në venjën e bazës dhe të konsolidimit të gjuhës shqipe, traditës dhe me në fund edhe të trashëgimisë perëndimore të shqiptarëve.  “Shqiptarët në Qytetërimin Perendimor” jep njoftime e fakte të reja e të rëndësishme për protagonistet kryesorë, d.m.th, jo vetëm për krijuesit por, në te njëjtën kohë, edhe për ruajtësit e kesajë trashëgimie në radhët e shqiptarëve në trojet e veta.

Promovimi i Zotit Ukcamaj po bëhet në një kohë kur debati në lidhje me identitetin  dhe historinë e shqiptarëve – madje përfshirë edhe vet Gjergj Kastriotin Skënderbe – se kush ishte ai dhe cila ishte familja e tij, një debat që vazhdon të jetë i nxehtë në median shqiptare sot.  Mjafton gjtihashtu të përmendim debatin, do të thosha shpesh të ashpër gjatë viteve të fundit, midis ndër më të mëdhejve të kombit, siç janë Z. Ismail Kadare e Z. Rexhep Qosja, si edhe artikuj e intervista nga njerëz kompetentë dhe jo aq kompetentë — pro dhe kundër — të botuar në Shqipëri dhe në Kosovë.  Edhe udhehqësit politikë shqiptarë të 25 viteve te fundit, janë prononcuar në favor dhe kanë mbrojtur zanafillën e qytetërimit perëndimor të shqiptarëve.   Më i sinqerti në mbrojtje të idenititetit evropian të shqiptarëve ka qenë i ndjeri President i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili e kishte kuptuar më së miri se shpëtimi i shqiptarëve vinte nga Perëndimi.

 

Për këte jam i bindur nga njohuria dhe lidhjet që kam patur me Presidentin Rugova ç’prej vizites se tij të parë në New York dhe Washington me 1989, kur për herë të parë dhe për dy tri ditë që kaloi në shtepinë time në Virxhinia kemi biseduar gjanë e gjatë për fatin e Kosovës dhe të kombit. Nga ajo vizitë dhe bisedimet e zhvilluara me ‘të në atë kohë dhe me vonë, jam bindur se Zoti Rugova, i cili atëherë nuk ishte shumë i njohur jashtë Kosovës, ishte personi që do të dinte, “T’i lidhte penjët e shkëputur të së kaluarës sonë të përvuajtur”.  Sa më shumë bisedoja me ‘të, gjatë viteve që pasuan, u binda edhe më shumë se Ibrahim Rugova ishte i vetmi udheheqës shqiptar I kohërave moderne që kuptonte sinqerisht se lidhjet me Perëndimin dhe me Papën, në ketë rast me Papa Gjon Palin e dytë, me te cilin kishte një miqësi të vecantë, do të ndihmonin dukshëm dhe në mënyrë të favorshme për ndërkombtarizimin e çështjes së Kosovës.  Nuk është për tu habitur atëherë që Presidenti Clinton, në një nga kujtimet e tija ka thënë se ishte Papa Gjon Pali i dytë ai që para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i kishte telefenuar për t’i kërkuar të bente diçka që të shpëtonte shqiptarët e Kosovës, bashkombasit e Nanë Terezës, nga barbarizmat serbe.

Është interesant dhe i mirëseardhur fakti se këtij debati mbi “Shqiptarët dhe Qytetërimin Perëndimor”, nga koha në kohë, i janë bashkuar edhe politikanë siç është ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Zoti Jakup Krasniqi me, të pakën një artikull, titulluar “Kombi Shqiptar në Evropë”.   Në atë kohë, ish-Kryeparlamentari i Kosovës ka pohuar se “Formimi i kombit shqiptar ka lindur si rezultat i depërtimit të ideve të illuminizmit evropian që në shekullin e XIX…të cilat revolucionarizuan shqiptarët me idetë e arsmit, të drejtësisë, të barazisë, të vellazërisë e të bashkimit territorial të kombit”.

Besoj që ky debat, kontribut tejet i rendësishëm i të cilit eshtë edhe botimi i autorit Ukcamaj – sidomos edhe botimi në anglisht — është i doemosdoshëm për t’i dhënë një drejtim të ardhmes tonë si komb dhe që në të njëjtën kohë të shtojmë njohuritë dhe të zbulojme të vërtetën për të kaluarën dhe historinë tonë edhe ndër të huaj. Ndaj, në këte prizëm, botimi i librit të Zotit Ukcamaj është një kontribut i çmueshem dhe i mirëseradhur në këte debat të vazhdueshëm.  Në të njëjtën kohë, për mua ka rëndësi simbolike fakti se ky libër është promovuar fillimisht me rastin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes me përmasa botërore — murgeshës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e racës iliro-shiptare — kontributet e së cilës dihen tashmë ndaj Kishës Katolike, por edhe ndaj qytetërimit perëndimor dhe lidhjes së shqiptarëve me kulturën dhe qytetërimin perëndimor.  Me plot të drejtë Zoti Ukcamaj e cilëson Nënë Terezën si gruaja më e njohur e qytetërimit të sotëshëm, e cila në të njëjtën kohë simbolizon edhe tolerancën dhe bashkjetesën fetare midis shqiptaëve. Nënë Tereza ishte, murgeshë katolike, ishte shqiptare, ishte evropiane, por kjo gjë nuk e pengoi atë aspak që ajo të punonte në mesin e indianëve me kulturë dhe fe ndryshe prej saj.  Zoti Ukcamaj e citon Nënë Terezen të ketë thenë se “Ne punojmë për të gjithë, pa dallim ….ne punojmë per të krishterë dhe jo të krishterë, për myslimanë, budistë e induistë…”.   Nëna Tereze e trojeve tona mund të ketë berë më shumë se askush tjetër që vlerat tona të shëndërrohen në vlera universale, sidomos vepra e sajë në mbrojtje të jetës së personave më të perbuzur në këte botë dhe për ushtrimin e tolerancës ndaj të gjithëve pa dallim feje, krahine, race, e tjera.  Jam i sigurt se kulturën dhe tolerancës fetare, Nëna Tereze nuk e mësoi në Indi, as në ndonjë vend tjetër, por në vatrën e familjes së sajë shqiptare.

Thelbi i librit të Zotit Ukcamaj ështe se shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor – duke mos mohuar njëkohsisht as influencat tjera – sidomos ato lindore.  Në të vërtetë, ne jemi një popull me fat, sepse si në asnjë vend tjeter të botës, do të thosha, marrëdhëniet fetare në radhët e popullit tone, kanë qenë gjithmonë dhe janë në një nivel qendrueshmërie, dhe që njihen dhe që tani admirohen nga të gjithë.  Do të ishte fat i madh po qe se toleranca fetare do të shëndërrohej në tolerancë dhe bashkjetesë politike, në radhët e udheqësve politikë në të gjitha trevat shqiptare.

Me plot të drejtë, Zoti Ukcamaj ve në dukje kontributin e jashtzakonshëm që kanë dhenë edhe vellëzerit tanë të feve të tjera, në kulturën dhe drejtimin pro-perëndimor të shqiptarëve.  S’ka asnjë dyshim se myslimanët shqiptarë janë po aq perëndimorë sa janë dhe të krishterët katolikë. Toleranca fetare midis shqiptarëve ështe meritë e të gjithëve, por në fund të fundit, shumica e popullsisë shqiptare eshtë e fesë myslimane, e për të gëzuar marrëdheniet e mira ndër-fetare që gëzojnë shqiptarët, ateherë më duket mua se shumica është tolerante ndaj pakicës dhe për këtë meriton kredi.   Ndjenjat pro-përendimore të shqiptarëve i kanë njohur dhe janë përpjekur t’i mbrojnë edhe përendimorët, sidomos amerikanët. Ish-Sekretari i shtetit James Baker, ne vitin 1991 në sheshin Skenderbej deklaroi se, “Amerika është përsëri me ju”, që në thelb to të thoshte, ju shqiptarët jeni përsëri pjesë e Përendimit.  Ky premtim, si hap i parë — është realizuar, me në fund, me antarësimin e Shqipërise në NATO dhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, me qëllim për të mbrojtur vlerat perëndimore, ndërhyrje që çoi në pavarësinë e Kosovës.

Gjatë shekullit të kaluar, dy a tri herë, Perëndimi u përpoq gjatë Luftës së Ftohtë, që Shqiperinë — si një vend komunist jo sllav — ta bënte pjesë të Perëndimit.  Siç dihet, njëherë u perpoqën me mjete lufte klandestine, d.mth në fillim teviteve 50-a, provuan ta shkëputnin Shqipërinë nga blloku sovjetik, kur anglo-amerikanët dërguan grupe për të rrëzuar regjimin anti-perëndimor të Enver Hoxhes   —  dhe më vonë në kulmin e luftës së ftohtë, me 1985, Perëndimi, nepërmjet Jozef Straussit të Gjermanise u përpoq të bindte regjimin e Ramiz Alisë që të pakën të hapte një dritare, sado të vogël ndaj Perëndimit — në shkëmbim për ndihma ekonomike dhe investime shumë të nevojshme nga Perëndimi.  Më kanë thenë njerëz që ishin në dijeni të atyre përpjekjeve në atë kohë se, fillimisht, Perëndimi nuk kishte për qëllim të rrëxonte me dhunë regjimin e atëhershëm, por synimi ishte vetem një liberalizim gradual i politikës shqiptare brenda vendit, dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, që sado pak të mund të kontribuonte në një liri më të madhe dhe të çonte në përmirësimin në përgjithësi të jetës së shqiptarëve aq të vuajtur e të shtypur nga regjimi enverist.  Fatkeqisht, të gjithë e dimë se si përfunduan këto përpjekje.

Prandaj, nuk është se Perëndimi nuk i donte shqiptarët të ishin pjesë e tij, përkundrazi, ishte Shqipëria që qeverisej nga një regjim, që jo vetëm nuk dëshironte të kishte vetë asnjë marrëdhënie me botën perëndimore, por diktatura shqiptare komuniste prishej edhe me miqët e sajë të cilët bënin hapa drejtë përmirësimit të marredhënieve të tyre me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   Gjatë historisë, por sidomos gjatë shekullit te kaluar, besoj se veçanërisht Amerika, e ka provuar se kush ishin miqët e vertetë të kombit shqiptar, dhe cilët ishin ata që nuk ia donin të mirën kombit shqiptar. Megjithë se kanë kaluar 27 vjetë nga shëmbja e komunizmit në Shqipëri, nuk është kurrë vonë për të rishikuar e bile edhe për të ri-shqyrtuar me sy kritikë të kaluarën jo të largët.  E vetmja mënyrë për të shkuar përpara, është për tu përballur me të kaluarën historike.

Siç ka shkruar edhe I ndjeri Imzot Rrok Mirdita në parathënien e librit të Zotit Ukcamaj, “Vetë Perëndimi ka kaluar nepërmjet një purifikimi të historise së vet, e sidomos ç’prej Luftës së Dytë Botërore e ka mbështetur përparimin për të zbuluar të vërteten edhe kur ajo ka qenë e hidhur.”  Jam i të njejtit mendim me Imzot Mirditën se “edhe për Shqipërinë e për shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndosh përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të kete një proces të purifikimit ose të një pastërtimi të guximshem te vetëdijes historike.”

Tashti lind pyetja, a janë shqiptarët gati, si komb, ti hedhim një veshtrim real historisë së tyre, sidomos historisë së periudhës komuniste.  Fatkeqsisht, deri më sot, shqoëria shqiptare nuk ka pasur ende një purifikim ose një de-komunist-izim të saj, gjë që do t’a çlironte atë nga e kaluara e marrur peng nga historiografia komuniste.

Më 1991, e kisha gjetur Shqipërinë në një gjendje të mjerueshme në të cilen e kishin zhytur komunistët për pothuaj 50-vjetë: të varfër materialisht dhe shiprtërisht, të shkatërruar politikisht dhe ekonomikisht, si asnjë vend tjetër që unë kisha vizituar më parë.  Në atë kohë, isha i bindur se ky popull i vuajtur aq shumë do të dijë të delte shpejt nga ai lloç dhe të ndërtonte një të ardhëme më të denjë, pro-perëndimore, për të cilën ishin përcaktuar edhe rilindasit e tij.  Fatqeksisht, sot unë jam aq i zhgënjyer sa edhe shumë të tjerë.   Një ndër këto zhgënjime është se —   është krejtsisht e pakuptueshme dhe një fakt i pa-pranueshëm i shoqërisë shqiptare, që ata, disa prej të cilëve për pothuaj 50 vjetë me radhë – me kënaqësi torturuan, rrahën, vranë e burgosen bashkombasit e tyre, vetëm e vetëm pse ata nuk pranuan një ideologji të huaj e cila ishte në kundërshtim me vlerat dhe kulturën shqiptare — tashti lejohen të mbajnë detyra shtetërore, në qeveri, në polici, gjykata e në parlamentin shqiptar.  Hakmarrja pa dyshim nxit urrejtje dhe nuk jam për hakmarrje.

Vaclav Havel ka thenë se “Kur e vërteta nuk gëzon lirinë e plotë, as liria nuk është e plotë.”  Ndërsa “Drejtësia e vonuar është demokracia e mohuar”, ka thënë Robert Kennedy.  Eventualisht, e vërteta dhe drejtësia dalin gjithmonë mbi zhurmën dhe propagandën. Vepra e mirë s’ka harresë. Libri i Zotit Ukcamaj është një kontribut i rëndësishëm që na ndihmon të mos harrojmë të vërtetën mbi fatin e këtyre klerikëve patriotë, të cilët flijuan aq shumë për ruajtjen e identitetit të kombit shqiptar dhe të qytetërimit perëndimor ndër shqiptarët.  Shpresoj që pas leximit të këtij libri të na shtohet vullneti për mbrojtjen e jetës, të nderit dhe të dinjitetit njerëzor, cilësi këto që janë baza e çdo shoqërie të përparuar, por edhe e vlerave që shqiptarët ndajnë me qytetërimin perëndimor.  Nuk na vlenë gjë të jemi pro-perëndimor ose dhe të jemi pjesë e Perëndimit, neqoftse, siç ka thënë Pater Anton Harapi, “Njiheri nuk jemi edhe Shqiptarë të njëmendët…që t’ia shtrijmë dorën shoqi shoqit, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishterë e me besën e burrave, me Besën Shqiptare, të lidhemi për t’ia mbajtë Shqiptarit të pa prekun, nji Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipëninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderben.”

E përgëzoj Zotin Ukcamaj për këte botim të jetueshëm për gjithmonë – në të cilin shkruan,  jo vetem për kontributin dhe flijimin e klerikëve katolikë dhe të tjerëve, dhënë kulturës dhe historisë së shqiptarëve, por që njherazi – krenarisht — nënvijon vlerat tona kombëtare, vlera të cilat shkelqejnë si hyje që duhet të drejtojnë të ardhmen e brezave të tashëm e të ardhëshëm, e që përsëri, sipas At Anton Harapit, “Të kemi pse të jemi e të mbahemi Shqiptarë, derisa të shënjta të ruhen besë e burrni.”

Filed Under: Opinion Tagged With: DIELLI LIND, Frank shkreli, ne perendim, per shqiptaret

KAMZA, NJË SHEMBULL AMERIKAN PËR SHQIPTARËT

June 23, 2017 by dgreca

KAMZA
 Nga Ramiz LUSHAJ/
           Kamza, kjo bashki e madhe e Qarkut të Tiranës, nga ma të mëdhatë në Shqipëri, për nga mënyrat, ritmet e hapësirat e ndërtimit e të zhvillimit të gjithanshëm dhe në rritje, më përngjason me një “Shembull Amerikan” i dallueshëm në dy shtetet e në treva etnike panshqiptare. Përndryshe: si të thuash, Kamza, është një “qytet amerikan” i vogël, si ato qytetet e reja amerikane, të shpirtit praktik amerikan, të kohënave amerikane. Në Kamëz pothuaj gjithçka është në një ndryshim të madh, po merr lartësime të reja, po sjell e përcjell integrime kulturore ndërkrahinore e ndërqytetëse, qytetërim shqiptar dhe euro-atlantik. 
Njerëzit e Kamzës, të ardhur ma së shumti nga Veriu i Shqipërisë, janë sakrificë e sfidë, janë sipërmarrës individual dhe familjarë të pazakonshëm. Pikërisht në atë thjeshtësinë e tyne ka madhështime reale. Këtë e ndjen realisht vetëm kur je pak ditë pranë tyne, kur e mëson historinë e vjetër e të re të Kamzës. Duket kjo: në ndërtimin e shtëpive të tyre private deri dhe vila të bukura e kulla të larta, për të cilat vet e bajnë projektin, vet i hapin themelet, vet ua lartojnë katet. Me duart e mendjet e tyre, me dijet e kursimet e tyre. Si në qytetet e reja në Amerikë.  Një shembullim amerikan i Kamzës. Natyrisht ka edhe ndërtime pa leje, pasi shteti ynë, jo vetëm në Kamëz, nuk iu paraprini në kohën e duhur me plan urban rregullues. Kamza ka dhe diçka ma tepër e ma keq: iu banë shpesh herë pengesa me gjoks e stërkambça politik. Ndaj, ende edhe në ditë të sodit, ndeshet filozofia njerëzore e ish-kryeministrit demokrat Berisha për legalizim e pastaj urbanizim me filozofinë e sotme dëmtuese ndaj njerëzve nga kryeministri socialist në ikje, Rama, për të krye urbanizim e pastaj legalizim. Qendra e Kamzës, si kino-teatri i madh, bashkia, komisariti i policisë nr. 5, godina ku tani është përkohor Shtabi Elektoral i PD për Fushatën e 25 qershorit 2017, etj. janë godina të qelqta, të cilat të ngjasojnë sikur të ishe në ndonjë qytet amerikan. Kamza ia ka mbrri një rekordi të ri: të jetë e pesta bashki në Shqipëri për nga numri i banesave.
Kamza trupohet likpërmjet nga një rrugë (ndër)kombëtare, si në disa qytete amerikane. Aty qarkullojnë vargavijë mijëra makina e autobuza. Drejt “Udhës së Kombit” deri në Kukës e Kosovë. Drejt Shkodrës e Malësisë së Madhe në Mal të Zi (Ulqin, Podgoricë, Tivar, Plavë-Guci). Drejt Dibrës dhe rrjedhës së Drinit e Vardarit deri në Shkup (Maqedoni). Nga qendra e Kamzës drejt Tiranës janë autobuzat e shpeshtë urban ndërqytetës të kompanisë “Shpresa-Al”. Edhe brenda Bashkisë të madhe të Kamzës kam pá të lëvizin autobuza të vegjël të linjave të brendshme, tashma në rrugë të asfaltuara. E, për ma tepër e ma mirë, po punohet që qyteti i Kamzës përgjatë rrugës ndërkombëtare e në tanësi të qendrave të banuara të saj të jetë e planimetruar në të ardhmen e afërt e të largët si një kuti shahu me rrugët e saj. Kamza, gjithkund, në hapësirat e saj administrative, ka plot gjallëri në udhët e veta, ndër njerëzit e saj, nga lëvizjet e njerëzve të saj. Ndaj, edhe për këto, urbanizime në ardhmëri, popullsi në rritje, me gjallërinë e njerëzve e të makinave, them se Kamza më përngjan sikur të ishte një qytet amerikan. Kamza – si bashki e madhe (sëbashku me Paskuqanin, etj.) po shkon në rreth 200 mijë banorë, tue shenue një rekord të ri: e gjashta bashki në Shqipëri për nga popullsia e saj.
Kamza, jo vetëm përngjan me shembëllim amerikan në historinë e saj të re, por bashkia e drejtuesit e saj, njerëzit e saj, duan të jenë edhe vet një shembull i lidhjeve të shumanshme me Amerikën, i mirënjohjeve ndaj Amerikës– aleati ynë strategjik e miku i madh i Shqiptarëve. Vet Kamza, për nga madhësia gjeofizike-administrative e saj, është pak ma i vogël se Manhatani i hartës amerikane të Nju Jorkut dhe një nga kryeqendrat e botës së sotme globale. Qyshce shekullin e kaluar, në vitet 1922-1933, ishte në Kodër Kamëz një shkollë amerikane-shqiptare: Instituti i njohur “Kyrias” (i Kristo Dako, Sevasti Qiriazi-Dako, Parashqevi Qiriazi) po ka sot, në shekullin tonë të ri dhe një shkollë 9-vjeçare “Hillary Clinton”. Kaherit, në Kamëz, në Valiasin e minatorëve e të demokracisë, është një rrugë me emrin e “Woodrou Wilson”– presidentit të 28-të të SHBA (1913-1921)– mik e mbrojtës i madh i Shqipërisë. Në Bashkinë e Kamzës  gjendet një tjetër rrugë me emrin e mikut të madh të shqiptarëve, Xhorxh W. Bush, që dha kontribute për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. E majta shqiptare, e frymëzuar në ide e veprimtarim nga lidershipi i PS e kryeministri socialist në ikje- Edi Rama, dhe disa rryma antishqiptarie, e sulmuan Kamzën e drejtues të saj jo vetëm mediatikisht kur Kamza– e para dhe e vetmja- ia dhanë titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Kamzës Presidentit të 45-të të Amerikës, presidentit të sotëm, Donald Trump, si dhe një bulevard në qytetin e ri të Kamzës e pagëzuan me emrin “Donald Trump”.
Kamza ka gjithato shembullime amerikane. Po, në këtë Elektoriadë të Qershorit 2017, edhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryesuesi i Listës së PD për Kamëz e Paskuqan, juristi, veprimtari shoqëror e politik, biznesmeni dinjitar Flamur Lutfi Hoxha është senator i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, një anglo-sakson me shpirt e ndër brezni, që në vjeshtën e vonë, nëntor 2017, do të jenë me  diplomatë e akademikë të kësaj qendre në një vizitë në Amerikë, në takime e biseda me senatorë e kongresmenë amerikanë, etj. Në këto zgjedhje, më 25 qershor 2017, deputeti i ri Flamur Lutfi Hoxha do të shënojnë fitoren ma të madhe ndër demokratët e Listës së PD, pasi Bashkia e Kamzës ka 93 mijë votues, nga të cilët mbi 60 mijë janë në Kamëz e mbi 32 mijë në Paskuqan, të cilët në historinë e re të Demokracisë kanë votuar masivisht e maksimalisht për Partinë Demokratike. Kjo fitore e thellë për PD vjen dhe nga fakti se kryeministri socialist Edi Rama në katër vite të drejtimit të tij politik e ekzekutiv, nga 123 projekte të paraqitura nga Bashkia Kamëz nuk e ka miratue asnja prej tyne për ndërtimin e zhvillimin e Kamzës së re, e cila tashma mbahet ma së forti me fondet e saj lokale, pa fonde e investime nga Qeveria e Tiranës, ndonëse ndodhet pak kilometra larg selisë së saj. Përkundrazi, Qeveria sociliste e Ramës ka përdorë mijëra masa të dhunës policiore, gjoba e padi ligjore ekstreme deri në arrestime e burgosje ndaj njerëzve të Kamzës, ka krye heqje masive nga lista e ndihmës ekonomike për njerëzit në nevojë, ka praktikuar pengesa të gjithfarëshme për legalizimet, etj. Tashti, Kamza, nga një qendër fshatare, nga një ndërmarrje bujqësore nga një qendër e madhe e prodhimeve bujqësore e blegtorale për kryeqytetin e Tiranës,  është një nga bashkitë ma të mëdha të Shqipërisë. Kamza është e re, ka moshën tre dekadore të Demokracisë, ka frymë nga vlerat e larta të Demokracisë, ka shpirtin praktik amerikan në ndryshimet e zhvillimet e saj, ka dashurinë e madhe për Amerikën, për “planetin” Amerikë, për këtë Tempull të Demokracisë. Kamza, në ecjen, ndryshimet e zhvillimet e saj përditnore e në shumanshmëri është një shembull amerikan në tokën shqiptare, për shqiptarët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kamza, NJË SHEMBULL AMERIKAN, per shqiptaret, Ramiz Lushaj

“Mega Party”, Koncert per shqiptaret ne Arizona

April 21, 2017 by dgreca

NGA LULZIM MULLIQI/
Mergata shqiptare ne shtetin e Arizones( SHBA),qe nga vitet e para te vendosjes dhe konsolidimit te saj,kishte per qellim edhe aktivizimin e bashkekombaseve nga trevat e ndryshme shqiptare,lidhshmerine e ngushte te tyre dhe bashkerenditjen e veprimtarive kulturore dhe kombetare,te cilat ishin ne  funksion te ruajtjes se traditave tona kombetare.Nen organizimin e Shoqatave dhe produksioneve te ndryshme muzikore,sic ishin nismat e instrumentistit te mirenjohur shqiptaro- amerikan,Murat Rama dhe Albo Party’s Arizona, ne shtetin e Arizones,jane organizuar nje varg i koncerteve muzikore me pjesemarrjen e nje numri te madh te artisteve te estrades muzikore shqiptare nga te gjitha trevat shqiptare ne festat tona shteterore dhe kombetare qe kane lene gjithmone ,mbresa te pashlyera tek bashkeatdhetaret tane ne kete shtet te larget te Amerikes.Ndonese bashkeatdhetaret tane kane ndjekur koncertet kryesisht ne prag te festave tona shteterore dhe kombetare,sic ishin ato te Pavaresise se Shqiperise dhe shtetit te Kosovës,tashme koncertet muzikore po mbahen ne cdo kohe.Te koncentruar kryesisht ne kohe festash,por tani shfaqja e koncerteve te ndryshme muzikore ne shtetin e Arizones nuk po mungon as pjesën tjeter te vitit.Madje,mund te thuhet se kete vit shfaqja e koncerteve te ndryshme muzikore me artiste te ndryshem eshte bere  kryefjala e ngjarjeve kulturore ne Komunitetin shqiptar te Arizones.Pothuajse shume bashkeatdhetare tane e kane mirepritur begatimin e jetes kulturore ne Komunitetin tone.Keshtu dite me pare instrumentisti dhe artisti i mirenjohur muzikor i Komunitetit tone, Murat Rama,mori iniciativen e organizimit te nje koncerti me kengetarin e mirenjohur nga Shqiperia,Gena,i cili per te gjithe adhuruesit dhe fansat e kenges se tij do te shfaq nje koncert muzikore te emertuar” Mega party”.Ky koncert muzikor do te shfaqen me daten 7 maj,2017,diten e shtune ne Qendren kulturore ” La Princessa” ne adresen: Bethany Home,RD. ne kryeqytetin e shtetit te Arizones ne Feniks.Hyrja do te jete 40dollare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: "Mega Party", koncert, Lulzim Mulliqi, Ne Arizona, per shqiptaret

Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët

December 9, 2016 by dgreca

Diplomaticus/ Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët. Problemi, jo vetëm te maqedonasit./1-arsim-sinani

Mendimi politik Maqedonas e shikon si pengesë gjuhën shqipe. Ka një problem për ta njohur gjuhën shqipe. Gruevski e humbi shansin e mirë për të korrigjuar veten duke qenë se njihet si një ultranacionalist. Duhet ta kishte pranuar gjuhën shqipe, ashtu siç ka pranuar të qeverisë me Ali Ahmetin deri tani deklaron analisti shqiptar nga Maqedonia Arsim Sinani gjatë një interviste për emisionin Diplomaticus. Sipas Sinanit, problemi nuk qëndron vetëm te Maqedonasit, por edhe te Shqiptarët.  “Establishmenti politik shqiptar nuk ka qene i interesuar për ta zgjidhur të gjithë problemin e gjuhës shqipe. Problemi i shqiptarëve është se akomodohen lehtë në pushtet dhe i harrojnë premtimet elektorale. Uroj që të mos e harrojnë këtë premtim elektoral sepse është një nismë e mirë që Maqedonia të ndryshojë”. Sipas Sinanit të gjitha partite shqiptare, si ajo BDI që është në pushtet, apo edhe ajo që rri në hije në pushtet siç është PDSH nuk kanë qenë të interesuar. “Opozita shqiptare e ka hapur këtë si problematikë, por Zaevi kapi një moment të mirë. Kapi një moment të një krize, që përmes shqiptarëve ai të vijë në pushtet. Unë e përgezoj nëse ai do të arrijë që gjuhën shqipe ta bëjë gjuhë zyrtare ndërsa mendoj se Gruevski humbi një shans të madh që të bëjë diçka për shqiptarët. Ne mendojmë se Gruevski nuk ka bërë gjë për shqiptarët. Ai ka qenë pengesë për zhvillimin e Shqiptarëve dhe pengesë edhe për partitë me të cilat ka bashkëpunuar. Megjithatë nuk mundet një Maqedoni e cila pretendon që të jetë Europiane të mos ua njohë gjuhën një populli që shkon deri në 40 përqind. Mendoj se politikanet shqiptarë do të duhet të jenë të vëmendshëm dhe një nga kushtet që duhet t’ia vendosin maqedonasve në qeverisjen e ardhshme është që padiskutim gjuha shqipe në të gjitha nivelet të bëhet gjuhë zyrtare.

Sipas analistit Sinani deklarata e liderit të opozites maqedonase për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë vendin është  interesante deri në momentin që nuk do të behet si Gruevski nëse vjen në pushtet. “Pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik shqiptar në Maqedoni do të dalë më i fortë nga këto zgjedhje. Ne kemi nevojë për një opozitë shqiptare  të konsoliduar në Maqedoni. Deri më sot PDSH nuk e ka luajtur rolin e opozitës dhe kjo ka qenë pengesë. Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve do të kemi një konsolidim të votës së pakënaqur shqiptare” deklaroi analisti Arsim Sinani për gazetarin Erion Kaçorri në News 24.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arsim Sinani, e humbi shansin, Gruevski, per shqiptaret, për të bërë diçka

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT