Nga Fadil LUSHI/
Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe jepet ky shpjegim për votën:1. E drejta e secilit për të shfaqur mendimin në kohën e zgjedhjeve ose kur vendoset një çështje bashkërisht në një organizatë politike, shtetërore a shoqërore; shprehja e mendimit a e vullnetit nga secili për të zgjedhur dikë në një organ etj. ose për të vendosur për një çështje; mendimi që shpreh dikush në raste të tilla dhe fleta a diçka tjetër që përdoret për këtë qëllim. Votë vendimore (deliberative). Votë këshillimore (konsultative). E drejta e votës. Me shumicë votash. Jap votën për dikë a për diçka e pranoj a e përkrah, e miratoj. Numëruan votat. 2. Votim. Votë e lirë (e fshehtë, e përgjithshme). Mekanizmi i votës. Vë (hedh) në votë; e tjerë.
Ky nocion që shpjegon filozofinë e votës zakonisht gjen shprehje në shoqëritë me demokraci të zhvilluar, ku secili qytetar me drejtë vote gjithmonë sundon vullnetin e tij ekskluzive sa i përket votës, pavarësisht se cilit individ a partie politike ia dedikon atë. Ajo votë gjithmonë mbetet ose konceptohet si deliberative, e pavarur, humane, emancipuese, autonome dhe, në instancë të fundit, edhe e paprekshme. Ajo në vete përfshin edhe filozofinë e mesazhit që përcjell, ajo ka për detyrë të “shpërblejë dhe të nderojë”, por në raste të veçanta, madje-madje ashtu papritur, “di dhe të të ndëshkojë pamëshirshëm edhe të të turpërojë dhe të të dëshpërojë keqas”. Shprehja e mendimit të lirë gjegjësisht e votës nuk duron arrogancë, nuk pëlqen makiavelizëm, qoftë të jetë individual a kolektiv, ajo nuk lejon që të jetë pjesë a “hisedare” e keqqeverisjes vendore a qendrore, ajo nuk lejon që të jetë pjesë e korrupsionit, premtimeve fëmijërore dhe të zbrazëta të politikanëve me moral të dyfishtë…, ajo në asnjë mënyrë nuk lejon a nuk dëshiron të skandalizohet, të kontrabandohet e të keqpërdoret. Ajo nuk lejon çfarëdo qoftë ndërhyrje të brendshme a të jashtme, ajo nuk lejon që pranë saj të ketë çfarëdo sekserësh, sejmenësh a edhe “tyxharë dhe kumarxhinj politikë provincialë, të veshur me kostum të zi dhe çorape të bardha”!?
Në kuadër të zgjedhjeve të paradokohshme vendore që u organizuan në Kosovë (që nga “mëvetësimi” i asaj vote), padyshim se u karakterizuan me një psikologji dhe filozofi të re dhe gjithsesi më të avancuar të votës deliberative, u ndërtua a edhe u hetua një mentalitet krejt tjetërfare në kontekst të humanizimit dhe emancipimit të saj, dhe njëkohësisht u ndërtuan fillet e para të rrënimit të asaj “kështjellës” së votës së vjedhur…, të blerë, të kontrabanduar duke i thënë njëherë e përgjithmonë stop nepotizmit dhe shpërdorimit të standardeve dhe kritereve të saj. Dhe kur u përjashtuan të gjitha këto abuzime, atëherë këto zgjedhje vendore fituan të drejtën që të karakterizohen si zgjedhje sa demokratike (të lira, të drejtpërdrejta dhe të fshehta) e “rebeluese”, po aq edhe ndëshkuese. Në historikun e zgjedhjeve vendore, po edhe parlamentare, të Kosovës, për herë të parë vota deliberative e qytetarit kosovar kishte guximin politik që ta ndëshkojë keq e më keq qeverisjen dhe keqmenaxhimin e institucioneve nga ana e teknokratëve, burokratëve dhe të atyre që mendojnë se institucionet politike na qenkan pronë e gjyshërve të tyre me opinga!? Pos gjithë kësaj që u tha më lart, nuk e ka vështirë sot gjithsecili të parashtrojë pyetjen, ç’imazh dhe ç’kuptim kishin zgjedhjet në fjalë, ç’porosi ata përcollën dhe kujt ia dedikuan? Tekefundit, nuk është me rëndësi se kush fitoi dhe si fitoi, kush ishte humbës dhe pse humbi, me rëndësi është fryma e re kundrejt një politikëbërjeje të moderuar, të hapur, të çiltër, parimore, të urtë, largpamëse, të drejtë, paqësore dhe të pavarur, përkundër asaj fryme politike grabitqare, politikës së grushtit të hekurt, politikës së kulaçit e kërbaçit prej lëkure…, politikës që mbijeton “herë me të mirë e me premtime të bukura, herë me kërcënime, me shtrëngim e me dhunë”… dhe herë më herë me kallashë të “ndryshkur”, të blerë dikur moti me lekët e popullit!?
Nëse vota e çdo qytetari në Kosovë dikur “frenohej” të reflektonte mungesën e ndryshimit të filozofisë së mbrapshtë, ajo këtë mot në ikje e sipër u detyrua të rebelohet për të ndëshkuar politikanët e fjetur! Kjo votë (vendore) e qytetarit kosovar, padyshim se është produkt i një mendësie të re evropiane, një votë që ka takatin të vlerësojë, po njëkohësisht edhe di të ndëshkojë “teknokracinë, burokracinë politike, agallëkun, recidivistët e rrezikshëm si dhe njerëzit që kanë rënë në rehati”! Këto zgjedhje vendore që u organizuan në Kosovë, u karakterizuan edhe me ca emra me tipare dhe veçori dalluese që kryekëput dallohen nga disa politikanë aktualë, në veçanti ata që i takojnë krahut të luftës. Ky ndëshkim më së miri u vërejt në kryeqendrën e Kosovës respektivisht në lëkurën e Isa Mustafës, i cili u mposht nga ana e Shpend Ahmetit, kandidatit që paraprakisht kishte përfunduar studimet master për politikë publike në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse pastaj gjatë viteve 2002-2004 të specializonte në fushë të zhvillimit politik dhe ekonomik. S’duhet harruar se po i njëjti i ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë dhe Administrim-Biznesit në Universitetin Amerikan në Bullgari gjatë viteve 1996-2000. (Së fundi, mund të thuash se Shpend Ahmeti nuk “është produkt autokton” i VETËVENDOSJE-s, ai vjen nga partia e dikurshme politike “FRYMA e RE” dhe, rrjedhimisht, e folmja e tij politike, kryekëput dallon nga ajo e Albin Kurtit, sidomos në aspekt të “nacionalizmit dhe filozofisë së tij izolacioniste”! (Mero Baze).
Fitorja e Shpend Ahmetit nuk ishte vetëm një ngadhënjim, ajo ishte edhe një goditje e fortë për keqqeverisjen së Isa Mustafës, si dhe një leksion për stafin e tij se si duhet bërë “detyrat (politike) shtëpiake në Prishtinë dhe gjetiu në hapësirat e vetadministrimit vendor, politik, ekonomik, social, kulturor e tjerë”!? Fitorja e LDK-së në nivel shtetëror u zbeh me humbjen e Prishtinës, një humbje që mbase kërkon a i duhet një shpjegim, po edhe një analizë më e detajuar politike. Një të tillë shpjegim kërkon edhe disfata e thellë e AAK-së, në veçanti e lidershipit të saj, Ramush Haradinajt, mungesa (e gjatë) e të cilit në skenën politike gjithsesi u vërejt “ashiqare”! Se kush duhet të largohet nga kjo parti, është një pyetje hipotetike. Një gjë është e vërtetë, në kryeminderin e kësaj partie politike nuk ka vend për dy taborë, o do shkojë Ramushi, o do ikë stafi i tij i përgjumur. Sipas logjikës formale, udhë tjetër s’ka.
Edhe ish-kryebashkiaku i Mitrovicës u mposht nga Agim Bahtiri, përndryshe biznesmen kërpudhash. Fitorja e tij është pjellë e një filozofie evropiane, po edhe e retorikës së tij…, ajo fitore ishte edhe një “sikterisje” a një shpullë imazhit të sajuar, krekosjes dhe arrogancës së padurueshme të komandantëve të dalë nga lufta.
Mimoza Kusari-Lila (e magjistruar për administrim biznesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që gjatë asaj kohe vijoi studimet në Institutin Ekonomik në Universitetin e Kolorados dhe në Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku përfundoi magjistraturën në e-biznes) kishte diç më tepër, respektivisht kjo fitore e saj tronditi themelet e kalasë së shovinizmit mashkullor në Kosovë dhe gjetiu. Për listën Srpska-Daçiq nuk do llafos gjë, sepse prej dhjetë komunave, i fitoi bindshëm nëntë.
Koalicionet mes partive politike nuk mund të thuash se ishin kryekëput parimore, ato ishin pjellë e një makiavelizmi të moderuar ballkanik dhe, t’i shtosh diç më tepër këtij fenomeni, kjo do të thotë ta “prishësh këtë muhabet paszgjedhor”. Pavarësisht nga “rezultatet” e dala të (pa)pritshme nga këto gara, mbetet të themi se këto zgjedhje vendore duhet të jenë përfundimisht një test për ato parlamentare, pa marrë parasysh se do jenë ndëshkuese ose ndryshuese…, edhe pse këto dy nocione janë me kuptime diametralisht të kundërta.