Në kuadër të muajit të letërsisë, Klubi Poetik “Tirana” organizoi një takim e bisedë me nxënësit dhe personelin e shkollës se re të Kombinatit, Tiranë, që mban emrin e shkrimtarit dhe fizikanit Betim Muço. Grupin e shoqëroi drejtori i shkollës Sazan Halilaj. Shkolla krejt e re dhe e bukur falë punës së përkushtuar të Bashkisë së Tiranës. Në sallën e bibliotekës ishin mbledhur shumë nxënës dhe mësues. Takimin e hapi mësuesja Irena Biba që uroi mirëseardhjen dhe e njohu grupin e krijuesve me programet mësimore dhe kushtet shumë të mira të krijuar për nxënësit. Poetja Iliriana Sulkuqi foli mbi mbresat e saj për personalitetin e shkrimtarit Betim Muço dhe krijimtarinë e tij të shumanshme si krijues, poet prozator dhe përkthyes por edhe si shkencëtar. Ajo solli përshëndetje nga shoqata “Bijtë e Shqipes” e cila ha hapur klasa për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Filadelfia dhe e cila ka organizuar veprimtari në kujtim të poetit Betim Muço.
Të pranishmeve u foli dhe poetja Lida Lazaj e cila shprehu kënaqësinë që ndodhej në mes të nxënësve të kësaj shkolle që mbante emrin e një shkrimtari të njohur. E morën fjalën gjithashtu Oralda Lahe, Mjeshtri i madh Ilia Terpini dhe artistja e njohur Vitore Sallaku.
Drejtori i shkollës Sazan Halilaj falënderoi krijuesit për takimin dhe premtoi se kjo shkollë do të ketë përparim të lartë dhe do ta nderojë emrin e shkrimtarit. Pastaj ai ftoi fëmijët të recitojnë poezitë që kishin përgatitur nga krijimtaria e Betim Muços. Recituan vajza dhe djem, individualisht por edhe në grup. Ata ishin pasionantë të poezisë e ndoshta prej tyre do të kemi pse jo dhe shkrimtarë të ardhshëm.
Një prej nxënësve të talentuar Aleksandro Hamza, kish përgatitur një vizatim me fytyrën e shkrimtarit Betim Muço, te cilin ja dhuroi poetes Iliriana Sulkuqi.
Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Lida Lazaj, Oralda Lahe dhe Vitore Rasha-Sallaku, dhuruan për bibliotekën e shkollës shumë libra me krijimtarinë e tyre, këto dhurime janë në vazhdën e dhurimeve të mëparshme si tek Shtëpia e Fëmijës Tiranë, fshati i fëmijëve SOS, Instituti i të Miturve Kavajë, dhurime librash për shqiptarët e Malit të Zi e tjerë. U dorëzuan dhe mbi 20 tituj librash në emër të shtëpisë botuese B&M të Miranda Golecit.
Pasi vizituan mjediset e shkollës, grupi i krijuesve u ndalua në lulishten në oborrin e pasëm të shkollës ku ishin mbjellë disa pemë, në mes tyre binte nën sy një fidan ulliri të cilin krijuesit bashkë me nxënësit e emërtuan “Ulliri i poetit”.
Ishte një takim i bukur e mbreslënës, krijuesit ju premtuan nxënësve se do të sillnin për bibliotekën e shkollës “Betim Muço” në vazhdimesi librat që ata do të botonin në të ardhmen.