-Në Kosovë zhvillohet ceremonia e ndërrimit të komandës në KFOR, Gjeneral Majori Salvatore Cuoci komandant i ri/
-Në pranverën e vitit të luftës e lirisë 1999 në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Aktualisht KFOR-in e përbëjnë rreth 4.600 trupa nga 31 shtete/
-KFOR ka forcuar paqen në Kosovë dhe tërë rajonin. Presidenti Thaçi dekoron komandatin e deritashëm të KFOR-it, Gjeneral Majorin Giovanni Fungo, me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI. Në 12 Qershorin historik 1999 me kolonën e forcave të para të NATO-s hyri në Kosovë/
PRISHTINË, 15 Nëntor 2017/ Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR prej sot do ketë komandant të ri Gjeneral Majorin Salvatore Cuoci. Ai mori detyrën nga Gjeneral Majori Giovanni Fungo në ceremoninë e ndërrimit të komandës sot në mesditë në kampin e KFOR-it “Film City”, në Prishtinë, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, Admirali James G. Foggo III.Në ceremoni morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli e përfaqësues të tjerë institucionalë kosovarë.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçika falënderuar gjeneralmajorin, Giovanni Fungo për punën e tij për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë, derisa i ka uruar sukses komandantit të ri të KFOR-it, Salvatore Cuoci.Sipas tij, koha kur ka shërbyer si komandant i KFOR-it, gjenerali Fungo ka qenë kohë e zhvillimeve të rëndësishme në Kosovë.Presidenti ka thënë se në këtë kohë, Kosova ka mbajtur dy palë zgjedhje të suksesshme dhe ka vazhduar procesin e integrimit të plotë të pjesës veriore të Kosovës në shtetin e Kosovës.“Këto dy procese i kemi përmbyllur me sukses, por gjatë realizimit të tyre jemi përballur me sfida të mëdha që kanë kërcënuar edhe sigurinë në Kosovë. Angazhimi i KFOR-it, me vendosmëri por edhe me kujdes, ka kontribuar në evitimin e çfarë incidenti apo dhune”, ka shtuar Presidenti.
Ai është shprehur mirënjohës për tërë forcën e KFOR-it, të gjithë ushtarëve që kanë shërbyer dhe shërbejnë në të. Presidenti ka thënë se KFOR-i vazhdon të gëzojë besimin më të lartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.“Siç e kam thënë edhe vitin e kaluar, KFOR-i në Kosovë jo vetëm ruan paqen por edhe e ndërton paqen. E duke e forcuar paqen në vendin tonë, ndërton paqe në tërë rajonin e Ballkanit”, ka theksuar ai.Presidenti ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun me Serbinë dhe kërkojmë një marrëveshje të re që do të shtrojë rrugën për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.Ai ka folur edhe për FSK-në, Presidenti ka theksuar se duke iu falënderuar bashkëpunimit me KFOR-in dhe NATO-n në përgjithësi, FSK-ja sot është një forcë profesionale, multietnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.Këtë të hënë mora pjesë në ceremoninë e gradimit të pesë nënoficerëve të ri të FSK-së, që të gjithë nga komunitetet jo-shumicë. Është ky edhe një hap tjetër drejtë përmbushjes së aspiratës sonë për një forcë profesionale. FSK tani është e gatshme për kompetenca të reja dhe për mision të ri”, ka shtuar ai.Presidenti në fund ka dekoruar gjeneralin Fungo me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.Gjenerali Fungo në ceremoninë e ndërrimit të komandës ka falënderuar përkushtimin e trupave të KFOR-it të treguar gjatë mandatit të tij, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë, përfshirë edhe institucionet e Kosovës, duke u shprehur se moto e tij gjatë kësaj kohe ka qenë besimi dhe përkushtimi.Komandanti i deritashëm i KFORI-it, Fungo ka thënë se u dëshiron qytetarëve të Kosovës “të gjitha të mirat në të ardhmen e ndritur e cila ju pret, e të cilën ju e meritoni plotësisht”.Pas ceremonisë së ndërrimit të komandës, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli dhe komandanti i ri i KFOR-it prononcohen për media.Komandanti i derisotëm i KFOR-it, Gjenera Majori Giovanni Fungo, i cili ka marrë detyrën në 1 shtator 2016 nga Gjeneral Majori Guglielmo Luigi Miglietta, në takimet e lamtumirës me krerët e inistitucioneve të Kosovës ka vlerësuar se gjatë këtij viti është krijuar një ambient edhe më i qetë për të gjithë.Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s, komandanti i parë i KFOR-it ishte gjenerali britanik, Michael Jackson. Lufta e para me shumë se 18 viteve në Kosovë përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e hyri në fuqi në 11 qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.Aktualisht KFOR-in e përbëjnë rreth 4.600 trupa nga 31 shtete.
Në Kosovë para më shumë se 18 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë. Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën…Raportoja për Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) dhe Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), i akreditur te NATO-KFOR edhe për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja.
“Kosova ishte shembulli më i mirë i reagimit të NATO-s ndaj sfidës më të madhe të sigurisë në atë kohë në Evropë”, u vlerësua në konferencën rajonale “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, të zhvilluar gjatë dy ditëve të kaluara në Prishtinë, ku ishin krerët e Presidencës, Kuvendit e Qeverisë kosovare, përfaqësues të lartë të NATO-s, mes të cilëve Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem, si dhe ekspertë rajonalë e ndërkombëtarë.Komunikata e dërguar nga KFOR me rastin e ndërrimit të komandës vitin e kaluar theksonte se, Forca e Kosovës, siç është përcaktuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, do të vazhdojë që në mënyrë të paanshme të përparojë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe të ruajë lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën, duke siguruar stabilitet dhe ofruar siguri për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë.