
-Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka caktuar për datën 22 Mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit/

-Të dielen e 14 Shkurtit 2021 Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme/

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001/

-Legjislatura e tretë, e zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007, ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/
-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 15 Mars 2021/ Kuvendi i Kosovës me 120 deputetët e zgjedhjeve të parakohëshme të 14 Shkurtit 2021 konstituohet pas një jave – në 22 Mars 2021.
“U.d. Presidentja Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, thekson njoftimi i dërguar sot nga Presidenca e Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetari i partisë fituese – Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë zhvilluar sot takimet e para me subjekte politike për t’u konsultuar për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve.
Në Kosovë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021, sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është fituese me 438.335 vota – 50,280 përqind – 58 mandate deputetësh të Kuvendit 120 anëtarësh, e numri dy në këtë listë Vjosa Osmani është më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota. Gjatë historisë së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova.
Nga votimet në zgjedhjet e Kosovës të 14 Shkurtit 2021 janë edhe këto rezultate përfundimtare të certifikuara:
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 17,009 përqind – 148.285 vota e 19 deputetë.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,731 përqind – 110.985 vota e 15 deputetë.
E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,124% përqind – 62.111 vota e 8 deputetë.
Me vendet e garantuara me Kushtetutën e Kosovës serbët kanë 10 deputetë dhe komunitetet tjera pakicë poashtu 10 deputetë.
Nisma Soacialdemokrate me 2,523 përqind – 21.997 vota dhe parti të tjera shqiptare nuk e kanë kaluar pragun prej 5 përqind dhe nuk do jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Kosova të dielen e 14 Shkurtit 2021 votoi në zgjedhjet parlamentare – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.
Në Vitin e Ri 2021 Kosova shkoi në zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.
Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3 Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në 3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.
Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.
Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.
Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.
Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%.
Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.
Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.
Në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,851,927, pjesëmarrja në zgjedhje 48.78% – numri i pranuar i fletëvotimeve të vlefshme 877,503.
Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.
Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.