• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Joli Agolli Paparisto, një koreografe shqiptare e suksesshme në SHBA

August 12, 2021 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj

Do të mbahet mend gjatë në kujtesën e shqiptarëve me frazën e famshme: “Joli, shoqja e kursit”, në filmin “Edhe kështu, edhe ashtu” të Bujar Kapexhiut. Vajza simpatike, çapkëne, hipur mbi motorr, vazhdon ende të mbajë edhe sot atë energjinë rinore të pashtershme. Joli Agolli Paparisto, në rolin e saj episodik, ishte vetvetja dhe shëmbëlltyra e femrës së pavarur, me karakter të fortë, e aftë për t’u mbështetur te vetja në arritjen e pikësynimeve dhe gjithë objektivave.

Joli ishte ndër të parat femra, të viteve 80’-90,’ që qarkullonte me motorr nëpër rrugët e Tiranës, duke thyer mentalitetin e kohës dhe duke i hapur rrugë lirisë dhe pavarësisë së femrës. Për ata që ende nuk e njohin, vizioni për Jolin është shumë më i gjerë, dhe nuk do të mbetet vetëm në atë rol episodik, megjithëse e evidenton në veçantinë e tij. Ajo është një artiste, koreografe, balerinë, producente, drejtuese. Në kohën kur karriera e saj si balerinë po fillonte të merrte hov në Shqipëri, Jolit iu desh të largohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Miçigan, ku jeton dhe vepron prej 24 vitesh. Ashtu si çdo shqiptar i suksesshëm, Joli Agolli Paparisto, përpos vështirësive të fillimit të emigrimit, e gjeti veten në profesionin e saj si koreografe. Dashuria për artin, të bukurën, e bëri Jolin të njohur dhe të realizuar, edhe në komunitetin shqiptar jo vetëm të Miçiganit, por edhe më gjerë. Ajo është themeluese dhe udhëheqëse e grupit të njohur artistik “Gjergj Kastrioti” në Miçigan. Nëpërmjet koncerteve folklorike, valleve, në diasporë promovohen vlerat dhe traditat tona kulturore, ruhet gjuha dhe dinjiteti i kombit tonë, si derivat i asaj që të parët kanë bërë për atdheun. Joli rrëfen sfidat e saj të emigrimit, duke dhënë një mesazh të qartë se, koka nuk duhet kthyer mbrapa, por duhet të lufosh fort derisa të gjesh veten në një vend kaq sfidues, por edhe i mundësive, si Amerika. Së fundmi, ajo moderon emisionin “Për kafe me Jolin dhe Benin” me aktorin e njohur të humorit, Arben Dervishi, ku promovohen jo vetëm shqiptarët e suksesshëm, por të gjithë ata që kanë diçka për të thënë për publikun shqiptar të diasporës dhe Shqipërisë. Joli është bashkëshortja e Gjergj Paparistos dhe nwnw e dy fwmjwve,  Giorgia dhe Mark.

-Ju jetoni prej 24 vitesh në Miçigan të Shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për t’ua sjellë në kujtesë publikut shqiptar, por për të të njohur edhe brezat më të rinj, ju do të mbaheni mend si ajo vajza simpatike, çapkëne, hipur në motor, me frazën: “Joli, shoqja e kursit”, te filmi “Edhe kështu, edhe ashtu”. Por, profesioni juaj është koreografe dhe rridhni gjithashtu nga një familje artistësh. Si e mbani mend largimin tuaj drejt SHBA-së? Sa e vështirë ka qenë për ju integrimi në shoqërinë amerikane? 

Largimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë një nga sfidat e mia më të mëdha që kam kaluar. Isha vetëm 27 vjeçe, ishte viti 1998, më duhej të bëja bashkimin familjar. Për këdo, Amerika ishte një ëndërr, por çuditërisht për mua nuk ishte një ëndërr. Unë kisha filluar një karrierë shumë të bukur në Shqipëri; isha në fillimet e mia si koreografe, balerinë, kryesisht në kërcimet moderne. Punoja për Fondacionin Soros si drejtoreshë e shkollave artistike, një program që filloi të bëhej me shumë emër në Shqipëri, që vazhdon të jetë edhe sot. Ardhja në Amerikë ishte trishtim për mua, sepse do të filloja gjithçka nga zero. Pa anglishte, pa njohje, dhe më e vështira ishte të filloje në profesionin tënd. Fillova punë në restorant, puna është nder, por pata një vuajtje shpirtërore, pasi puna e artistit është talent, nuk është një punë që ti e zgjedh. Qaja pafund, dhe më dukej sikur ishte fundi i botës. Midis profesionit dhe familjes, unë zgjodha familjen. Erdha dhe fillova një jetë të re me shumë trishtim, por fitova edhe diçka tjetër; forcën për t’ia rifillur nga e para, pasi dashuria për profesionin është shumë e fortë, dhe për këtë duhet të luftosh. Pas një viti u akomodova në profesionin tim duke dhënë mësim baleti, duke krijuar një grup të vogël valltarësh në komunitetin shqiptar, në Kishën e Shën Palit. 

-Pasioni për koreografinë nuk ju rreshti as jashtë kufijve të Shqipërisë. Ju jeni drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti” në Miçigan, ku u mësoni brezave të rinj kulturën dhe traditat tona shqiptare nëpërmjet valleve. Është një përpjekje për t’u lavdëruar, pasi mban gjallë dhe promovon vlerat dhe traditat kulturore shqiptare te brezat e rinj, që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Si lindi kjo nismë dhe sa e vështirë ka qenë për ta konkretizuar?

Angazhimi në komunitetin shqiptar, që fatmirësisht në Miçigan ishte goxha i formuar, por edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në rritje, për mua ishte një plus. Dëshira dhe pasioni që kishin fëmijët e emigrantëve, kryesisht të malësorëve që vinin nga Mali i Zi, për të mbajtur gjallë kulturën përkoi shumë me dëshirën për të mbajtur vallen popullore shqiptare. Asokohe pata një propozim nga Juljan Marku së bashku me priftin e asaj kohe të Kishës së Shën Palit dhe, gjithashtu një mik i imi, rapsodi Frank Gjoka. Ky ishte bashkëpunimi im me Kishën e Shën Palit. Ishte me sakrifica pasi isha një njeri i panjohur që po futesha në komunitet. Njeriu duhet ta provojë veten më përpara që të marrë suksesin. Dëshira dhe pasioni i prindërve dhe fëmijëve, për të mbajtur gjallë kulturën dhe traditat e vendit, e bëri shumë të lehtë këtë punë. Puna në Kishën e Shën Palit, krijimi i shkollës së valles dhe ansamblit “Gjergj Kastrioti” është sot krenari personale e imja dhe një krenari e gjithë komunitetit shqiptar këtu. Këta fëmijë i janë dedikuar shkollës që fillon nga shtatori deri në qershor, i janë dedikuar performancave në komunitet, performancave që bëhen në të gjithë trevat e Shqipërisë, ku ka festivale folklorike, gjithashtu në botën amerikane, të cilët kanë një interes të madh për të parë kulturat e vendeve të ndryshme. 

-Ju jeni edhe producente e disa eventeve artistike dhe gjithashtu zhvilloni një emision me aktorin e humorit, Arben Dervishi. Çfarë mund të na thoni më tepër lidhur me këto aktivitete artistike?

Të qënit producente e disa aktiviteteve dhe shou-ve, dhe prodhimit më të fundit në diasporë “Për kafe me Benin dhe Jolin”, është një iniciativë e bukur që ka nisur për disa arsye. Arsyeja kryesore i mbetet gjithmonë dëshirës për të bërë art. Arsyeja tjetër është se komuniteti shqiptar është rritur shumë. Duke parë shqiptarët e suksesshëm që kanë kontribuar aq shumë në vendin tonë, nga qytetet në të cilat ato vinin, sot i gjen këtu në Amerikë të realizuar, disa të tjerë akoma nuk janë realizuar për arsye personale, unë mendova që si komunitet i bashkuar t’i evidentojmë këta njerëz. “Kafe me Benin dhe Jolin” është një krijimtari që ka ardhur si pasojë e ekzistencës së dy artistëve, unë dhe Ben Dervishi dhe, duke vënë re se Shqipëria kishte filluar të flistë për diasporën, mendova: kush më shumë se sa ne i njeh shqiptarët e Amerikës, kush më mirë sesa ne njeh veten?! I thashë Dervishit se ka ardhur koha që ne të evidentojmë veten, të evidentojmë këdo që ekziston këtu dhe gjithë shqiptarët të shohin se çfarë ndodh në këtë komunitet kaq të madh që kemi ne në Miçigan. 

-A organizohen në Miçigan spektakle të shpeshta me këngë e valle shqiptare? Sa të ndërgjegjësuar janë shqiptarët e Miçiganit për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare?

Miçigani është i shqur për aktivitete artistike. Zhvillohen koncerte madhështore dhe të mirëfillta, pasi vinë artistë nga Shqipëria, përmes një programi “Shqipëria etnike”, të cilët sjellin shqiptarë nga çdo trevë. Njerëzit vinë dhe shijojnë muzikën dhe artin e bukur, dhe njohin nga afër ata këngëtarë që kanë kaq shumë emër në Shqipëri, të cilët neve na duken aq larg; ata vinë performojnë për ne dhe ne shijojmë muzikën e tyre. Janë edhe artistët lokalë të cilët janë të angazhuar në aktivitete, në koncerte, në festa familjare. Miçigani është i mbushur me festa, dhe ne disa herë në vit të paktën do të mblidhemi dhe do të kënaqemi të kërcejmë dhe këndojmë atë muzikë aq të bukur, që na kënaq shpirtin! Festivali shqiptaro-amerikan që zhvillohet çdo verë në qendrën e Detroit, është një festival që i kalon përmasat e një koncerti të zakonshëm, pret dhe përcjell artistë dhe grupe vallesh folklorike në të gjitha shtetet e Amerikës dhe jashtë. 

-Sa e vështirë ka qenë për ju të ushtroni profesionin tuaj në SHBA, krahasuar me Shqipërinë? 

Nuk ka qenë e lehtë për mua për ta ushtruar si profesion. Koreografia në vetvete kërkon një punë maksimale që duhet të krijosh, dhe krijimtaria është diçka që ti nuk e kurdis, por ti duhet të ndjesh për ta bërë. Mua më ka ndihmuar bota e madhe e shqiptarëve, dëshira dhe pasionet e tyre. Sot e kam më të lehtë! Sot mund ta them me plot gojën që profesioni i koreografes është një profesion që më jep lehtësira. Është një kombinim që më është dashur të bëj mes mamasë dhe gruas së karrierës. Besoj se i kam arritur të dyja dhe besoj se i kam bërë mirë. Kur njeriu vë dëshirën, pasionin dhe gjithçka që ka brenda vetes dhe kur është i rrethar me njerëz që të besojnë, atëherë vëshitrësinë e profesionit  e bën të realizueshëm dhe të mundur.

-Jo vetëm këngët dhe vallet janë pjesë e folklorit tonë të pasur kulturor, por edhe gjuha. A bëhen përpjekje për ruajtjen e gjuhës shqipe të brezat e rinj?

Ruajtja e gjuhës shqipe është një faktor tjetër, është një cilësi tjetër që vlen për t’u përmendur. Në komunitetin tonë ka disa shkolla shqipe. Do të veçoja shkollën shqipe në Kishën e Shën Palit, shkollën shqipe në qendrën e Ballkanit, shkollën shqipe në xhami, ku fëmijët e shqiptarëe shkojnë dhe mësojnë gjuhën shqipe. Shqiptarët e duan gjuhën dhe aq më tepër kur janë larg Shqipërisë. Duke ruajtur gjuhën dhe zakonet, artin dhe kulturën kemi ruajtur kombin, atë komb që shumë njerëz kanë sakrifikuar për ta mbajur atje ku është.

-Pas kaq vitesh në emigrim, çfarë ka ndryshuar për mirë apo për keq në Shqipëri?

Shqipëria ndryshon me hapa galopante, është një vend ku ti gjen gjithçka; indivdi është aq shumë ambicioz, përqafon çdo gjë të bukur dhe të re. Për mua, Shqipëria është e mrekullueshme, është një vend ku ti merr më të mirat si nga ana e turizmt, ushqimit, modës, muzikës. Ne, Shqipërinë e duam shumë dhe çdo gjë që ëshë aty është e bukur në syrin tonë dhe në shpirtin tonë.

-A keni një mesazh për ata që shkelin për herë në Amerikë, si të realizohen profesionalisht?

Amerika është e madhe, Amerika është e vështirë, Amerika është një sfidë e jashtëzakonshme! Por nëse vjen këtu, duhet ta dashurosh me ndryshimet e veta, me diferencat e veta dhe me vështirësitë e veta. Vetëm duke e dashuruar, do të kuptosh të mirat që ky vend ka, pasi është vendi i mundësive. Është një vend ku realizohen ëndrrat, vetëm të kesh dëshirën, të punosh fort dhe të mos ankohesh. Mos ta kthesh kokën mbrapa dhe të mendosh se kush ke qenë, por mbaje kokën përpara dhe krijo atë njeriun e ri! Dashurinë për Shqipërinë mos ta harrosh, ta trashëgosh në breza dhe do të ndihesh një shqiptaro-amerikan i plotësuar. 

Filed Under: Featured Tagged With: Eneida Jacaj, Joli Agolli Paparisto, Koreografia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT