• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDITORIAL I DIELLIT:VËRTETË KEMI BAJRAM E PASHKË, POR SHQIPTARINË E KEMI BASHKË

August 3, 2013 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Titullin e këtij editoriali ia kam marrë borxh At Gjergj Fishtës. Mendoj se nuk ka shprehje më të gjetur se kjo për të shprehur realitetin e shkueshmërisë fetare mes shqipatrëve. Vetë Fishta ishte modeli praktik i asaj harmonie ndërfetare që shqiptarët e kanë fe’ e përmbi f’e. Është shumë dmoethënës akti i priftit franceskan, intelektualit erudit, politikanit kombëtar, letrarit të shkëlqyer-kandidat për çmimin Nobel, At Gjergj Fishta, kur me çlirimin e Shqipërisë nga perandoria Osmane, do të ngrinte Flamurin Kombëtar në Shkodër, dhe në bashkëveprim me myftiun e xhamisë pranë, do të lidhte me konopin ku ishin vendosur dritëza ndriçuse, këmbanoren e kishës me minaren e xhamisë, ndërkohë që në të dyja, edhe në minare, edhe në këmbanore, shpalosej Flamuri Kombëtar. Ka një shekull që ka ndodhur kjo ngjarje dhe ende përcillet ndër breza si mesazh harmonie dhe bashkëjetese ndërfetare.

Kjo harmoni ndërfetare është prezente edhe tek shqiptarët e Amerikës. Nuk është rastësi që në themel të bashkimit më solid të shqiptarëve të Amerikës, Federatës Panshqiptare, Vatra, është pikërisht lidhja e fortë ndërfetare që e bëri atë rezistente të kohës. Po ashtu nuk është rastësi fakti që shqiptarët e kuptuan se “manovrat” dhe kurthet e fqinjëve për të na përçarë me fenë, kërkonin si kundërveprim shpëtues kombëtar- bashkim, dhe vetëm bashkim Kombëtar. Dhe u bashkuan këtu në Amerikë, fillimisht duke krijuar Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare, e më pas Federatën Vatra, që i ndihu bashkimit Kombëtar. Kur Venizellosi i Greqisë shpallte botërisht se “çdo ortodoks ishte grek”, shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës firmosnin peticione se të gjithë ishin ortodoksë,veçse jo grekë, por shqiptarë (madje dhe myslimanët).

Për Federatën Vatra harmonia fetare është e shenjtë dhe e përcjellur ndër breza. Në të 101 vitetet e jetës së saj ajo është udhëhequr nga ky parim. Vatra i ka parë të tre besimet fetare të lidhura ngushtësisht me kombin dhe egzistencën e tij.Peshkop Noli ishte një lis i fortë, rreth të cilit u bashkuan shqiptarët e Amerikës, pavarësisht fesë. Vetë Kisha Ortodokse shqiptare që ai themeloi këtu, u bë një gur prove për shkueshëmrinë fetare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Ai ndërtoi marrdhënie të shkelqyera me udhëheqësit myslimanë, veçanërisht me Imam Vehbi Ismailin, me komunitetin bektashian, Baba Rexhepin dhe me udhëheqësin shpirtëror të katolikëve, Monsinjor  Zef Oroshin. Këto marrdhënie edhe në ditët e sotme, mes Vatrës dhe komuniteteve fetare, janë të shkëlqyera.

Vatra e ktheu në traditë  njëshekullore bekimin e darkës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke aplikuar  rregullin e radhës së përvitshme, herë një imam e bekonte darkën,herë një prift katolik apo prift orthodoks. Kjo rregullsi vazhdon deri në ditët e sotme.Natyrisht këto marrdhënie nuk janë formale, por reale dhe bazë për ruajtjen e traditave kombëtare këtu në mërgatë.

Shembulli më i qartë ishte ai i festimit të 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, ku i gjithë kleri ndërfetar, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora, përfshi dhe arbëreshët e Italisë, ishin të përfaqësuar në rangjet më të larta.Mënyra e përcjelljes së mesazheve, qoftë në Konferencën Shkencore”100 vite në shërbim të kombit”, qoftë edhe në darkën festive me më shumë se 1000 të ftuar, ishte emocionuese.

Faktet nuk kanë nevojë për komente, ato flasin në dritën e diellit.Ndonjë koment që përcillet në internet apo kafeneve nuk mund ta trondisë ata ç’ka paraardhësit tanë e kanë ndërtuar me mund e përkushtim.

Por jo gjithëçka shkon sot si në vaj. Tendencat e kohëve të fundit për të futur mes shqipatrëve rryma fetare agresive, ekstremiste, kërkojnë pjekuri dhe reagim kolektiv me qëllim që e keqja të mos hyjë mes nesh dhe të na përçajë. Trysnia radikale e rrymave fetare nuk përputhen me trashëgiminë tonë fetare tradicionale. Veçanërisht fondamentalizmi radikal është i rrezikshëm për kombin tonë, që nuk e ka në natyrën e tij të përqafojë rryma të tilla.

Kombi shqiptar, autokton në trojet e veta, e ka pësuar nga teoritë dhe tezat radikale fetare dhe nuk duhet të bjerë preh e tyre. Kujtesën duhet ta kemi të kthjellët: a nuk u dëbuan nga trojet autoktone myslimanët çamë në fund të Luftës së Dytë Botërore me pretekste fetare? Po rreth treqind mijë muslimanë të Kosovës, a nuk u dëbuan nga trojet e veta nga Jugosllavia duke ua mohuar autoktoninë? Po një milion shqiptarët e Kosovës në agimin e shekullit të ri, a nuk u dëbuan dhunshëm nga racistët e Beogradit?

Ne shqiptarët e sotëm duhet ta ruajmë drejtpeshimin harmonik fetar si një hajmali, ndryshe brezat që vijnë pas nesh do të na gjykojnë rëndë. Ne do të jemi përgjegjës për atë ç’ka trashëguam, nëse nuk e ruajmë.

Natyrisht ne kemi pasë edhe problemet tona në të shkuarën.Siç ka konstatuar edhe shkrimtari ynë Kombëtar, kandidat shumë herë për çmimin Nobel, Ismail Kadare-Historia e harmonisë fetare në Shqipëri nuk është një histori idilike, në thelb ajo ka qenë dhe mbetet dramatike përgjatë historisë,- nuk është fjala këtu vetëm për episode të atilla, si farsa tragjikomike e ndalimit të besimeve nga regjimi komunist, as për mallkimin që në emër të fesë iu bë alfabetit shqiptar, dhe as rebelimit proturk të Haxhi Qamilit , historia ka qenë dramatike sepse ka qenë përherë e mbarsur me rreziqe të mëdha. Edhe tani në demokraci të gjitha rreziqet e kapërcyera, janë prapë të mundshme, sepse ato janë të tilla edhe në botë.

Kombi ynë karakterizohet nga tri fe tradicione dhe secila ka vendin e vet, pa i hyrë në pjesë tjetrës. Kombi nuk mund të identifikohet as me njërën, as me tjetrën më vete, por me të tria bashkë. Kjo përbën thelbin e shkueshmërisë fetare dhe ne duhet të krenohemi me harmoninë tonë fetare. Kjo është pasuria me të cilën trokasim për të hyrë në dyert e Europës. Është fakt se kombi ynë është në Evropë dhe po shkon drejt saj me dy shtete shqiptare. Nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë se në këtë shekull, por harmoninë duhet ta ruajmë fort, si pasuri Kombëtare. Ata që veprojnë kundër nuk punojnë për Kombin.

Edhe pse në tërësi kombi ynë është i rreshtuar në krah të Amerikës dhe Europës kundër terrorizmit, fatkeqësisht trojet tona duken të ekspozuar nga rryma fetare radikale që nuk janë karaktersitike për psikologjinë shqiptare. Mjerisht po përzihen shqiptarët në emër të fesë edhe në luftra në vendet arabe, ku ka përplasje ndërfetare, siç është rasti i  Sirisë e gjetkë, ku kanë humbur edhe jetën. Kush do t’ua ndriçojë mendjet shqiptarëve se nuk duhet të përzihen në luftra fetare? Sa shpejt e harruam kurthin që na pat ngritur Millosheviçi duke trumbetuar nëpër botën perëndimore se lufta e shqiptarëve të Kosovës, nuk ishte luftë për të drejta njerëzore, por luftë fetare, luftë kundër krishtërimit Seb! Sa mirë që bota nuk e hëngri përrallën e Millosheviçit se nuk ishte fjala për Luftë fetare të myslimanizmit shqiptar kundër krishtërimit Serb, por luftë për të drejta njerëzore. Nëse shqiptarët e Kosovës do të kishin rënë në kurthin e Millosheviçit dhe makinës së tij propagandistike , tragjedia do të kishte përmasat e katastrofës njerëzore.

Për asnjë çast nuk duhet t’i harrojmë aleatët tanë që na shpëtuan nga katastrofa. Nëse ata na thonë sot se duhet të ruhemi nga radikalizmi fetar, duhet t’i bëjmë sytë katër.

Qeveritë e shteteve tona është koha që të bëjnë kujdes që ta kultivojnë më tej drejtpeshimin dhe shkueshëmrinë fetare, duke u udhëhequr nga ligjet dhe toleranca. Krahas lirisë, nuk duhet hequr dorë nga kontrolli i institucioneve fetare, nga shkollat, fondacionet, klerikët shqiptarë dhe të huaj që shërbejnë në to, financimet e brendshme dhe të jashtme.Varfëria ekonomike mund të pranojë çdo urdhërese që vjen në emër të fesë.

Në mbyllje të këtij komenti, po i rikthehem edhe një herë, vlerësimit të Kadaresë, për harmoninë fetare shqiptare:” Shqipëria e re dhe ajo e vjetër karakterizohet nga marrdhënie të mira mes besimeve. Tolerance dhe harmonia fetare është vlera më e madhe e Shqipërisë dhe kjo nuk është vetëm diçka proverbiale. Shqiptarët ditën të përballen me holokaustin. Pas Lufëts së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm, ku numri i hebrejve u rrit gati dhjetëfish. Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë tre besime e katër komunitete fetare dhe nuk shquhemi si popull i urtë, nuk i kemi njohur konfliktet fetare. Dy vëllezër, njëri katolik e tjetri musliman kanë jetuar në një pullaz.”

Kjo na bënë që të ndjehemi krenar për ç’ka kemi trashëguar, dhe të mos harrojmë se jemi vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, pavarësisht besimit.Të mos e harrojmë thëinien e at Gjergj Fishtës në krye të shkrimit,”Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”!

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Editoriali i Diellit, korrik 2013

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT