Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi./
-Stavileci e Gjiknuri nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese/
– Sipas memorandumit, rezervat specifike të secilit vend me burime primare gjeneruese të energjisë elektrike, ku Republika e Shqipërisë mbështetët në burimet energjetike hidro dhe Republika e Kosovës në burimet energjetike termo, si dhe lidhja e të dy vendeve me linjë 400 kV të interkonjeksionit Tiranë – Prishtinë, do të shfrytëzohen maksimalisht me krijimin dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët energjetik/
PRISHTINË, 3 Qershor 2016 Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/
Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri në kuadër të takimit të sotëm të dy Qeverive në Prishtinë nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi.
Ky Memorandum ka objekt bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, nëpërmjet Agjencive përgjegjëse të secilit vend, për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimin e kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta, me synim optimizimin e burimeve energjetike.
Ministri Stavileci tha se pas katër projekteve të fushës së energjisë si; autostrada energjetike Prishtinë-Tiranë, tregu i përbashkët i energjisë, bursa e energjisë dhe gazit, po paraqet edhe një pikë të re Memorandumin për hulumtimit të opsioneve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.
“Ky memorandum mes MIE dhe MZHE-së ka për qëllim thellimin edhe më konkret të bashkëpunimit ndërmjet hisedarëve kyç të sektorit të energjisë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe forcimin e kapaciteteve aktuale gjenerues, me investime të përbashkëta me synim adresimin e sigurisë së furnizimit dhe optimizimi e burimeve energjetike të dy vendeve”, tha ai.
Ndërsa, Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, tha se projekti i fundit për kapacitetet e reja gjeneruese është shumë i rëndësishëm dhe i mundshëm për shkak të burimeve të linjitit që ka Kosova, dhe interesit të partnerëve privatë të shprehura tashmë për tu bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët energjetik.
“Shqipëria dhe Kosova po aplikojnë si një vend i vetëm në Bashkimin Evropian për projektet e fushës së gazit. Janë projekte të pranuara nga BE si projekte prioritare dhe kjo do të hapë mundësinë që jo vetëm Shqipëria të kthehet në një nyje të rëndësishme energjetike por diversifikimi i Kosovës me gaz do të hapë mundësinë e krijimit të unazës energjetike. Kjo do t’i japë rajonit një siguri më të madhe energjetike dhe do të ulë varësinë nga burimet tradicionale të furnizimit”, tha Gjiknuri.
Me këtë Memorandum Bashkëpunimi palët bien dakord se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimi i kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta do të realizohet në Republikën e Kosovës.
Sipas memorandumit, rezervat specifike të secilit vend me burime primare gjeneruese të energjisë elektrike, ku Republika e Shqipërisë mbështetët në burimet energjetike hidro dhe Republika e Kosovës në burimet energjetike termo, si dhe lidhja e të dy vendeve me linjë 400 kV të interkonjeksionit Tiranë – Prishtinë, do të shfrytëzohen maksimalisht me krijimin dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët energjetik.
Palët bien dakord se shfrytëzimi i dy sistemeve komplementare të burimeve të gjenerimit në të dy vendet dhe ndërtimi i burimeve të reja gjeneruese në Republikën e Kosovës, do të optimizojnë shfrytëzimin e burimeve gjeneruese dhe do të rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike të të dy vendeve
Të dy qeveritë bien dakord që drejtpërdrejte ose nëpërmjet Agjencive të tyre zbatuese, do të bashkëpunojnë për sigurimin e fondeve financiare për realizimin e investimeve në burime të reja gjeneruese.
Palët shprehin vullnetin që të marrin masat e arsyeshme në mënyrë që të sigurojnë fondet financiare për realizimin e objektit të këtij Memorandumi nga burimet si më poshtë: nga burime të brendshme financiare, në varësi të mundësisë dhe buxhetit të secilës palë; nga burime të jashtme financiare, ku përfshihen financimet nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare apo nga iniciativa të tjera që do të identifikohen nga palët.
Iniciativat për sigurimin e financimeve nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare do të realizohen në bashkëpunim me njëra tjetrën.