Nga Zymer Ujkan Neziri/
Projekti hulumtues shkencor nga Kosova: Eposi i Kreshnikëve-monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi ((Krajë dhe Malësi e Madhe),Maqedoni (zona Kumanovë-Kërçovë), Serbi (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), 2012-2015, është fitues i sivjetëm i Çmimit Special të Jurisë “Europa Nostra 2016”. Bartës i projektit është prof. dr.Zymer Ujkan Neziri, Instituti Albanologjik i Prishtinës. Projekti është financuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë.
Në komunikatën për shtyp të Europa Nostrës, Hagë, më 4 maj 2016, thuhet se çmimet speciale të Çmimit të Bashkimit Evropian për Trashëgimi Kulturore / Europa Nostra Awards /2016- janë bërë sot publike nga Europa Nostra dhe Komisioni Evropian. Këtë vit, juritë e çmimeve kanë dhënë çmime të veçanta për 16 të arriturat e trashëgimisë nga 11 vende. Çmimet speciale janë dhënë për kontributin e shquar në ruajtjen dhe për përmirësimin e trashëgimisë, të cilat janë vlerësuar veçanërisht nga juritë, por të cilat nuk janë përfshirë në përzgjedhjen përfundimtare që të marrin një çmim. Fushat e vlerësuara me çmime speciale janë arkeologjia,arkitektura, restaurimi, konservimi, muzeologjia, kurse trashëgimia jomateriale përmendet vetëm në një rast në Spanjë dhe projekti ynë nga Kosova.
Për projektin nga Kosova, në kategorinë hulumtim, kryetari i Jurisë, prof. Işık Aydemir,thotë: se unë do të doja të Ju falënderoj për dorëzimin e aplikimit tuaj dhe për përpjekjet tuaja të rëndësishme në favor të trashëgimisë kulturore të Evropës. Në veçanti, Juria ka njohur një dimension ndërrajonal të hulumtimit, me rëndësi në të gjithë Ballkanin. Është e rëndësishme për të mbështetur këtë lloj të trashëgimisë jomateriale, e cila ka të bëjë me identitetin rajonal dhe evropian. Juria në veçanti ka vlerësuar origjinalitetin e hulumtimit në trashëgiminë jomateriale të Ballkanit.
Bashkëpunëtorë të këtij projekti janë: prof. dr. Shaban Sinani, Qendra e Studimeve Albanologjike,Tiranë, prof. dr. Zeqirja Neziri, Universiteti i Shkupit, prof. dr. Begzad Baliu,Universiteti i Prishtinës, si dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës: dr. sc. Bashkim Lajçi, dr.sc. Albin Sadiku, dr. sc. Vlorë Fetaj-Berisha. Bashkëpunëtorë jo të rregullt të projektit janë: prof.dr. Hamit Xhaferi (Maqedonia Perëndimore), Nebih Balaj (Llap e Gallap), Fazli Hajrizi (Shalë e Bajgorës, Drenicë), Anton Prenkoçaj (Malësi e Madhe), kurse ekspertë të jashtëm janë profesor David Elmer, Universiteti i Harvardit, dhe profesor Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos, tëcilët kanë dhënë vlerësime shumë të larta për këtë projekt. Kanë bashkëpunuar edhe rreth 90 vullnetarë terreni, si dhe afër 700 studentë të Fakultetit të Edukimit, Prishtinë, në krye me prof.dr. Begzad Baliun.
Rezultatet e këtij projekti, ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji ndër ne e në Evropë, janë: 15 vëllime me këngë dhe tregime të shkruara (me mbi 5 mijë faqe) dhe 16 vëllime me anketa (afër 6 mijë faqe). Janë shënuar 440 këngë e motërzime, me 103 069 vargje, si dhe janë shkruar 69 tregime me 2 679 rreshta.
Subjekte të terrenit kanë qenë 235 këngëtarë e tregimtarë. Me kamerë janë 5 289 minuta incizim, nga Baton Z. Neziri. Rëndësia e këtij projekti, thuhet në paraqitje, është tejet e madhe për njohjen e traditave gojore të këndimit epik dhe të interpretimit, për ngritjen e vetëdijes dhe për ndryshimin e mendësisë për respektimin më të madh të trashëgimisë jomateriale, për ruajtjen e saj, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për promovimin e vlerave artistike, si dhe për ndërgjegjësimin e gjeneratave dhe rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit, për ndërtimin e ndjenjës së vendit dhe të identitetit të pronësisë, për dialogun ndërkulturor dhe promovimin e diversitetit, për respektin e kreativitetit njerëzor në nivelet ndërkombëtare për vlerat që ka eposi shqiptar për trashëgiminë kulturore jomateriale. Ky material ka rëndësi për studime shkencore poetike,dialektologjike, fonetike, sintaksore, etnomuzikologjike, etnosociale, etnopsikologjike etj.
Çmimi special i Jurisë së Europa Nostra ka rëndësi tejet të madhe, sepse Eposi i Kreshnikëve për herë të parë vlerësohet në shkallë evropiane, duke i paraprirë UNESCO-s që këtë pasuri të madhe poetike shqiptare ta rendis në vlerat e trashëgimisë botërore të njerëzimit. Përveç Kosovës, shtete fituese të çmimeve speciale janë Gjeorgjia, Turqia (2), Britania e Madhe (2),Belgjika, Letonia, Spanja (3), Republika Çeke, Italia (2), Gjermania, Rusia. Ceremonia e dorëzimit të çmimeve të trashëgimisë evropiane bëhet në mbrëmjen e 24 majit në Teatrin Zarzuela në Madrid.