-Në Lojërt Olimpike Dimërore në Pyeongchang, në hapjen edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/
-Pas pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, presidenti kosovar ka udhëtuar për në Pyeongchang të Koresë së Jugut/
PRISHTINË, 9 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang.“Parakalim madhështor i ekipit olimpik me Flamurin e Kosovës në Pyeongchang të Koresë së Jugut, para miliona teleshikuesve nga mbarë bota. Kjo është hera e parë në historinë e shtetit tonë, që përfaqësohemi në Lojërat Olimpike Dimërore. Është dhurata më e mirë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë me medaljen e artë të Majlinda Kelmendit, dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios”, shprehet presidenti Thaçi nga Pyeongchang.Pas pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, presidenti kosovar ka udhëtuar për në Pyeongchang të Koresë së Jugut.Me ftesë të Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, presidenti Thaçi do të marrë pjesë në hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike Dimërore në Kore të Jugut”, theksonte njoftimi dërguar sot nga Presidenca.
Bëhet e ditur se, gjatë pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike, presidenti Thaçi do të vizitojë fshatin olimpik, ku është i vendosur ekipi olimpik i Kosovës, duke i dhënë mbështetje Albin Tahirit, i cili përfaqëson shtetin e Kosovës në këtë olimpiadë.“Pjesëmarrja e Albin Tahirit në Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang 2018 të Koresë së Jugut është një tjetër fitore për Kosovën në dhjetëvjetorin e pavarësisë”, është shprehur presidenti Thaçi, duke ia dorëzuar solemnisht flamurin e Kosovës, të cilin do e përfaqësojë në mesin e shumë shteteve.“Pjesëmarrja e Kosovës në Pyeongchang 2018 është një jetësim i ëndrrës së shumë gjeneratave të sportistëve tanë”, është shprehur presidenti Kosovar.Presidenti Thaçi do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse në këtë olimpiadë.Në Lojërat Olimpike në Pyeongchang të Koresë së Jugut janë duke marrë pjesë mbi 20 burrështetas, si dhe shumë liderë dhe përfaqësues shtetërorë nga mbarë bota.