-Samit me pjesëmarrje të afër 500 përfaqësuesve të vendeve anëtare të OIF/
Erevan, 11 tetor 2015/ Sot në Erevan, Armeni, ka filluar samiti i 31-të i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF), ku në mesin e pjesëmarrëseve është edhe Republika e Kosovës.
Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, po merr pjesë në këtë samit. Është hera e parë që një zyrtar kosovar viziton këtë shtet në këtë nivel, ndërsa në fokus të delegacionit kosovar është lobimi për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).
Në samit po marrin pjesë afro 500 përfaqësues të vendeve anëtare të OIF, në mesin e të cilëve shumë liderë shtetesh dhe ministra të jashtëm, si dhe pjesëtarë të Sekretariatit të Përgjithshëm të kësaj organizate.
Zëvendësministri Selimi ka falënderuar shtetet frankofone për mbështetjen dhënë anëtarësimit të Kosovës në OIF. Selimi potencoi se Kosova, që prej se i është bashkuar kësaj organizate ka trefishuar numrin e diplomatëve frankofonë dhe ka festuar Javën e Frankofonisë.
Selimi gjithashtu ka kërkuar mbështetjen e Kosovës edhe në UNESCO sepse, sipas tij, izolimi i Kosovës nuk i kontribuon zhvillimit të arsimit, shkencës, kulturës dhe ekonomisë së Kosovës./b.j/