-Deklaratë nga ambasada Franceze, Gjermane, Italiane, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Vetëm qytetarët e Kosovës kanë fuqinë dhe përgjegjësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre/

-Mesazhi nga Bashkimi Evropian: E drejta e Kosovës për të zgjedhur udhëheqësit e saj, pa frikë apo ndërhyrje, është një parim i shenjtë/

-Para zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë deri tash u akredituan 4.887 vëzhgues. Akreditimi vazhdon…/

Ne Foto: Korrespondenti i Gazetes Dielli Behlul Jashari eshte akredituar per te ndjeke zgjdhjet ne Kosove/
-SPECIALE nga Behlul Jashari – korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, i akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit-/

PRISHTINË, 6 Qershor 2017/ Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, është vëzhgues-reporter i akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.
Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 4.887 vëzhgues, që përfaqësojnë subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, organizata dhe institucione ndërkombëtare, organizata joqeveritare vendore, etj.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi grupin e katërt të vëzhguesve, i cili përfshinë 1. 437 vëzhgues. Ndërkohë, akreditimi vazhdon…
Kryesuar nga kryetarja Valdete Daka, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutoi edhe për masat që duhet të ndërmerren në drejtim të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së vullnetit të votuesve, gjatë numërimit të votave të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë.
Anëtarët e KQZ-së diskutuan disa prej masave që mund të ndërmerren në këtë drejtim, siç mund të jenë: një qarkore informuese për këshillat e vendvotimeve për masat ndëshkuese të parapara në Kodin Penal në rast të mosnumërimit të saktë të votave të kandidatëve dhe subjekteve politike dhe mundësia që të stimulohen me pagesë shtesë të gjithë këshillat e vendvotimeve që përmbyllin suksesshëm dhe pa vërejtje procesin e numërimit. Po ashtu, si masë shtesë u propozua edhe nënshkrimi i një Kodi Etik nga ana e Këshillave të Vendvotimit si një formë zotimi se do të përmbushin me përgjegjësi detyrat e tyre.
Anëtarët e KQZ-së u dakorduan që gjatë ditës së sotme Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të paraqesë para KQZ-së një dokument/analizë për koston buxhetore dhe mundësinë e përmbushjes sa më efikase të kësaj ideje.
Ndërkohë, ambasada Franceze, Gjermane, Italiane, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan se, ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi marrë një numër të konsiderueshëm të raportimeve shqetësuese lidhur me përpjekjet për të pasur ndikim përmes frikësimeve dhe kërcënimeve mbi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.
“Në veçanti, duket se egziston një gadishmëri për të frikësuar dhe detyruar pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës që të votojnë në mënyrë të caktuar. Veprimet e tilla janë krejtësisht të papranueshme. Ftojmë të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të tilla ti ndërpresin ato dhe i bëjmë thirrje autoriteteve dhe policisë së Kosovës që t’i hetojnë këto raste në plotni”, thekson deklarata e dërguar.
Më tej shtohet se, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të drejtën që pa kërcënime, ndikime dhe frikë të votojnë ashtu siç ua merr mendja. “Këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët e Kosovës t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm qytetarët e Kosovës kanë këtë fuqi dhe përgjegjësi. Si pjesë e komunitetit ndërkombëtar, ne do të punojmë me këdo që përzgjedhni ju”, përfundon deklaratë nga ambasada Franceze, Gjermane, Italiane, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa, shefat e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, EULEX-it dhe misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë e mirëpresin deklaratën e lëshuar dje nga Shefi i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Alojz Peterle.
Përveç kësaj, shefat e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, të EULEX-it dhe misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, shprehin shqetësimin rreth incidenteve të raportuara të kërcënimit dhe presionit, siç janë ato të dëshmuara gjatë ditëve të fundit në pjesën veriore dhe pjesë tjera të Kosovës.
“Ne përsërisim nevojën që të gjithë aktorët politikë të përmbahen nga praktikat që janë në kundërshtim me parimet demokratike dhe në mënyrë të përpiktë ta respektojnë ligjin”, thekson deklarata e sapodërguar.
Për ne, vijon deklarata, e drejta e Kosovës për të zgjedhur udhëheqësit e saj, pa frikë apo ndërhyrje, është një parim i shenjtë. “Çdo gjë më pak se kjo nuk paraqet demokracinë që njerëzit në Kosovë e presin dhe e meritojnë”, përfundon deklarata e përbashkët.
Shefi i Misionit nga BE të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, Alojz Peterle, në deklaratën e djeshme theksonte se, votuesit e Kosovës meritojnë më mirë. “Është obligim i akterëve politikë të Kosovës të demonstrojnë se janë të gatshëm të përmbushin standardet demokratike evropiane. Kjo është çështje e përgjegjësisë kolektive. Udhëheqësit e partive politike të Kosovës duhet t’i përgjigjen kësaj sfide”, shprehej ai.
Në 19 maj 2017 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi me Zyrën e BE-së në Prishtinë, për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.
Me këtë rast, u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës-Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me të gjitha votat pro, ka miratuar Memorandumin e Mirëkuptimit, sipas të cilit do jenë 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian që do të përcjellin procesin zgjedhor në Kosovë.
Në Kosovë, në 31 maj, që në minutën e parë të pas mesnatës, nisi zyrtarisht fushata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, e cila do zhvillohet gjatë 10 ditëve, deri në 9 qershor, duke pasuar parafushatën që filloi shumë më herët.
Për 120 mandate deputetësh në Kuvendin e Kosovës,100 për shqiptarët e 20 për komunitetet pakicë, prej tyre 10 për serbët, garojnë 26 subjekte: 5 koalicione, 19 parti dhe 2 iniciativa qytetare, të renditura me short në fletëvotime nga numri 11 deri në 36.
Nën numrin 12 është koalicioni i 13 partive shqiptare: Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës për Kosovën (Nisma), Partiisë së Drejtësisë (PD), Lëvizjes për Bashkim (LB), Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës ( PSHDK), Partisë Konservatore të Kosovës (PK), Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK), Republikanëve të Kosovës(REK), Partiisë së Ballit (PB); Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe Ballit Kombëtar të Kosovës (BKK).
Në bllokun tjetër të partive shqiptare nën numrin 16 është koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR), ku në listë përfshihen edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa të Lëvizjes për Drejtësi.
E vetme nga partitë shqiptare do garojë Lëvizja Vetëvendosje (VV) nën numrin 35, e cila për herë të parë garoi në zgjedhjet e kaluara dhe kishte 16 mandate deputetësh. Nga subjektet shqiptare është edhe Fjala, nën numrin 29 dhe garon për herë të pare dhe e vetme.
Në KQZ, Zyrën për Regjistrim të Partive dhe Certifikim, brenda afatit kanë deklaruar koalicionin dy subjekte serbe –Partia e Serbëve Kosovarë (Partija Kosovskih Srba-PKS) dhe Iniciativa Qetetare Aktive (Aktivna Građanska Inicijativa-AGI).
Nga komunitetet tjera pakicë, njëri koalicion i ka katër e tjetri dy subjekte politike.
Subjektet tjera të pakicave kosovare garojnë
të vetme.
Kosova mban zgjedhje të parakohshme parlamentare pas mocionit të mosbesimit – rrëzimit të qeverisë me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 maj 2017.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 do jenë të gjashtat në liri, të tretat në pavarësi, ndërsa zhvillohen tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
6 June 2017
Statement by the Embassies of France, Germany, Italy, the United Kingdom, and the United States
Over the past few days, including today, we have received a number of deeply concerning reports of efforts to influence the results of the election in Kosovo through threats and intimidation. In particular, there appears to be an attempt to intimidate and coerce members of the Kosovo-Serb community to vote in a particular way. Such actions are completely unacceptable. We call upon all those engaged to desist, and urge the Kosovo authorities and police to investigate fully.
All Kosovo citizens must be able to cast their votes according to their conscience and free from intimidation, interference, and fear. These elections are an opportunity for the citizens of Kosovo to choose their own representatives. Only the citizens of Kosovo have this power, and this responsibility. As members of the international community, we will work with whomever you elect.
Statement by the Heads of EU Office in Kosovo/EUSR, EULEX and EU Missions in Kosovo
The Heads of the EU Office in Kosovo/EU Special Representative, the EULEX and the EU Missions in Kosovo welcome the statement issued yesterday by the Chief Observer of the EU Election Observation Mission, Mr Alojz Peterle.
In addition, the Heads of the EU Office in Kosovo/EU Special Representative, the EULEX and the EU Missions in Kosovo express concern over reported incidents of intimidation and pressure, such as those witnessed over the past days in the north and elsewhere in Kosovo. We reiterate the need for all political actors to refrain from practices that run contrary to democratic principles and strictly abide by the law.
For us, Kosovo’s right to choose its own leaders, without fear or interference, is a sacred principle. Anything less than that is not the democracy that people in Kosovo expect and deserve.