SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
Foto Gazeta DIELLI- Behlul Jashari: Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova, që ishte shtëpi e shkrimtarëve dhe seli e institucioneve të Republikës së Kosovës, ku u mbajt seanca konstituive e Kuvendit kosovar në 16 korrik 1998/
Kosova para 18 viteve, Kuvend në kohë lufte/
-Raportova drejtpërdrejtë nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dhe ndërhyrja aty e forcave serbe, në 16 korrik 1998/
-Presidenti Ibrahim Rugova: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem”/
-Deputetët: “Betohem se do të angazhohem me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 16 Korrik /ATSH-Behlul Jashari/.-Kosova në kohë lufte, para 18 viteve, mbajti zgjedhje në 22 mars dhe në 16 korrik 1998 konstituoi Kuvendin që nuk kishte arritur ta konstituonte pas zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992 të Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Seanca konstituive e Kuvendit u mbajt në shtëpinë e shkrimtarëve, që u shndërrua në seli të Presidencës e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, në sallën që ishte e vogël për ngjarjen e madhe, ku ishte gritur flamuri kombëtar shqiptar dhe u intonua Himni i Flamurit.
Deputetët, të zgjedhurit e popullit që kishin ardhë edhe nga zonat e luftimeve, zgjodhën me aklamacion akademik Idriz Ajetin për kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë, ndërsa u betuan se “do të angazhohen me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Zgjedhjet ishin edhe presidenciale dhe i zgjedhuri për herë të dytë, Presidenti Ibrahim Rugova, dha poashtu betimin: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem”.
Në seancën e nisur në orën 12:30, ku u bënë nderimet më të larta për të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u miratua propozimi që Kuvendi të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në vend, e cila theksonte se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës.
“Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhej fillimisht në Deklaratë.
Theksohej se, “i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarës, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës”, po nxirrte Deklaratën.
Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohej nën shtetrrethimin ushtarako-policor që Beogradi kishte vendosur në Kosovë që u dyfishua edhe me rrethimin nga forcat serbe me armatime e makineri luftarake që mbërritën te ndërtesa, madje edhe hynë brenda dhe konfiskuan dosje e dokumete derisa raportoja drejpërdrejtë për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë -ATSH e Radio Televizionin Shqiptar – RTSH dhe me një kasetofon special të vogël e të fshehur, që ma kishte dërguar vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, bëja gjithë audioincizimin e zhvillimeve. Pjesë e zhvillimeve, derisa vazhdonte ndërhyrja e forcave serbe, ishte edhe ardhja e shpejtë brenda selisë, ku ishin Presidenti Rugova e deputetët kosovarë, e diplomatëve amerikanë – e Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, që ndodhej atë ditë në kryeqytetin kosovar dha nga Zyra Amerikane në Prishtinë, që ishte hapur nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996 dhe shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 18 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Strob Talbot.
Pas zgjedhjeve, në 29 maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Klinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Klinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 nëntor 2009, në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Klinton gjatë vizitës në Kosovë.
Kosova para 26 vitesh, në 2 Korrik 1990, miratoi në Kuvend Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e saj. Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990. Në fundshtatorin 1991 Kosova mbajti Referendumi për pavarësi, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
Kosova është e lirë 17 vite, nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 8 viteve, në 17 Shkurt 2008, është njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
DEKLARATË E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
-Le të bashkojmë në një unitet të sinqertë të gjitha forcat politike shqiptare, të gjitha potencialet fizike e mendore, morale e politike, në frontin e përbashkët të qëndresës dhe të pavarësisë sonë. Të bashkëpunojmë më tepër dhe të bashkërendojmë përpjekjet me të gjithë ata që mund dhe duhet të na ndihmojnë, me Republikën e Shqipërisë, me viset shqiptare jashtë saj dhe me diasporën/
PRISHTINË, 22 KORRIK 1998
Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli sot një Deklaratë nga mbledhja konstitutive e datës 16 korrik 1998. Në Deklaratën ë nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, akademik Idriz Ajeti, shprehen qëndrimet e organit ligjdhënës të Republikës për çështje dhe probleme të ndryshme të aktualitetit të Kosovës.
Në tekstin e deklaratës përkujtohet mes tjerash se Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës.
Më posht po e japim të plotë Deklaratën.
D E K L A R A T Ë
Nga mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës.
I dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarës, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Është dhe do të jetë:
– institucion që artikulon qartë dhe fuqishëm aspiratat dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës për liri e pavarësi;
– institucion që shpreh dhe orienton interesin dhe veprimin e popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të Kosovës për zhvillim të lirë e demokratik;
– organ i bashkimit politik të popullit të Kosovës dhe i orientimit të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës parësisht me rrugë politike e me mjete paqësore, në bazë të rezultateve të Referendumit të vitit 1991, në mbështetje të parimeve të vetvendosjes e të demokratizimit dhe të parimeve të tjera të vlefshme në raportet e sotme ndërkombëtare.
Pikërisht si shprehje e aspiratave për pavarësi dhe e vendosmërisë për realizimin e saj, si institucion dhe faktor i pavarësimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës është përfaqësues i të gjithë atyre për të cilët pavarësia dhe demokratizimi janë orientime themelore, përtej përkatësive politike e partiake dhe dallimeve të tjera eventuale.
Për t’i kryer funksionet e veta themelore në rrethanat konkrete,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
do të përpiqet të jetë:
– institucion i bashkimit politik dhe i konsenzusit thelbësor të të gjitha forcave politike në Kosovë;
– institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës;
– organ i besimit të mirë dhe i bashkëpunimit të barabartë të të gjithë popujve të Kosovës;
– organ i afirmimit të mëtejshëm ndërkombëtar të përpjekjeve tona çlirimtare në përputhje dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare;
– organ i normëzimit demokratik të marrëdhënieve dhe i garantimit të lirive dhe të të drejtave individuale e kolektive, politike e kombëtare.
Kuvendi i Republikës së Kosovës u konstituua dhe po fillon të funksionojë në rrethana tejet të rënda, komplekse dhe të rrezikshme. Sundimi serb po e shtyp Kosovën me tërë peshën, me qëllim që ta nënshtrojë popullin e saj. Kosova tashmë po hyn në një luftë, që mund të jetë shumë më e përgjakshme dhe më rrënimtare. Për Kosovën dhe të ardhmën e saj këto janë ditë vendimtare.
Humbjet e përgjithshme politike dhe ushtarake të Serbisë në Kosovë, shtimi i rrezistencës së përgjithshme të popullit të Kosovës, zgjerimi dhe fuqizimi i shpejtë i UÇK-së, dënimi ndërkombëtar i pretendimeve të Serbisë, izolimi i saj, ashtu si dhe angazhimet e shtuara ndërkombëtare, paralajmërojnë disfatë të sigurt të hegjemonizmit serbomadh. Megjithatë, deri në çlirimin përfundimtar mbetet për t’u bërë një punë e mundimshme dhe me flijime të reja. Prandaj, tash më shumë se kurrë nevojiten përkushtimi, vendosmëria dhe bashkëpunimi i të gjithëve për realizimin e pavarësisë.
Përkundër kësaj gjendjeje që po kalon Kosova, mundësitë e dialogut dhe të zgjidhjes paqësore, edhe pse tani jo të shumta, nuk janë shpenzuar tërësisht. Prandaj, pa hequr dorë nga syçeltësia dhe vetmbrojtja, të përpiqemi t’i shfrytëzojmë ato.
Për të arritur e realizimin e këtyre synimeve është e domosdoshme të jemi unikë dhe të vendosur. Le të bashkojmë në një unitet të sinqertë të gjitha forcat politike shqiptare, të gjitha potencialet fizike e mendore, morale e politike, në frontin e përbashkët të qëndresës dhe të pavarësisë sonë.
Të bashkëpunojmë më tepër dhe të bashkërendojmë përpjekjet me të gjithë ata që mund dhe duhet të na ndihmojnë, me Republikën e Shqipërisë, me viset shqiptare jashtë saj dhe me diasporën.
Të bashkëpunojmë me miqtë tanë kudo që të jenë. Me angazhimin, me pjekurinë, me përgjegjësinë dhe vendosmërinë në qëndrimet dhe në veprimet tona ta meritojmë mirëkuptimin dhe ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë dhe të mekanizmave të tjerë në të gjitha instancat e veprimit të tyre.
Konstituimi dhe funksionimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës le të jenë faktor i kapërcimit të zënkave, faktor i një bashkëpunimi të ri cilësor, i një kthese thelbësore pozitive në orientimet dhe në veprimtaritë tona, thuhet në deklratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nënshkruar nga Akademik Idriz Ajeti, kryetar.