Nga Teuta Sahatçija/*
Zonja dhe Zotëri Zylo, në emrin tim dhe të diplomatëve të Misionit të Republikës së Kosovës, ju faleminderit për bashkëorganizim të këtij eventi.
Dua të falenderoj edhe Z. Niman Blakaj me familje, Z. Rexhe dhe Shpresa Xhakli, Z. Azer Sinanaj që mundësuan këtë ngjarje me femijë.
Sot nga kjo shkolle do ta nisim Javën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës në New York. Do të jetë kjo një javë e ngjeshur, plotë me ngjarje të ndryshme kulturore, sportive e diplomatike me të cilat duam të nderojmë këtë përvjetor të
rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë kudo nëpër botë.
Nisja e këtij karavani të ngjarjeve nga shkolla dhe nxënës që mësojnë shqip nuk ishte zgjedhje e rastësishme. Pikërisht shkolla shqipe ishte në shenjestër të regjimit të Millosheviqit i cili deshti ta shuan gjuhën shqipe, ti mbyllë shkollat, ta zhbën historinë e shqiptarëve në tokën e Kosovës. Ai deshti që shqiptarët ti kthej në njerëz të pashkollë, pa respect e pa miq.
Para 19 vitesh, pas rezistences paqësore të Ibrahim Rugovës, luftës së Adem Jasharit me shokët, mbështetjen e diasporës dhe miqëve, erdhi liria e shumëpritur. Ajo u fitua me luftë, gjak e mund, me lot, vuajtje e sacrifice, me shume punë e dashuri për vendin dhe popullin.
Me 17 shkurt 2008, në një ditë acarri, Parlamenti i Kosovës e votoi Deklaratën e Pavarësisë dhe Kosova u shpallë Republike, shtet i pavarur.
Sot femijët dhe të rinjtë e Kosovës, po arrijnë suksese në nivel botëror në matematikë dhe informatikë, po i pushtojnë majet e Mount Everest e Kilimangjaros. Majlinda na solli madaljen e parë të artë nga Olimpiada. Ekipi i skiatorëve tanë dje defiloi në Olimpiadën dimrore ne Korenë e Jugut. Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi janë këngëtaret me të kërkuara në skenat botërore. Një asteroid i zbuluar në kosmos quhet Pranvera Hyseni, sipas të emrit të astronomes tone të re e cila gjendet në listen botërore të innovatorëve të rinj nën 24 vjeq.
Të dashur fëmijë, ju po rriteni në Amerikë, në një vend të lirë të njerëzve trima. Në një vend që është mike e madhe e Kosovës dhe e shqiptarëve. Ju fëmijet e sotëm, nesër do të beheni inxhinjerë, mjekë, sportistë. Do të udhëheqni biznese, dikush do të bëhet Kongresist apo Senator.
Kur ne nuk do te jemi më, nga përkushtimi juaj do të varet ndihma për fëmijët tjerë në kohra të vështira.
Kur të rriteni do të kujtoni ditën kur e festuat 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në New York dhe ju do të jeni ata që do të festoni edhe shume përvjetore të rëndësishme për shqiptarët.
Ju dëshiroj që ta duani shkollën dhe të punoni për të qenë të suksesshëm për vehten, familjen dhe për komunitetin tuaj. Dëshiroj që të përkrahni njeri tjetrin dhe ti gëzoheni suksesit të shokut e të shoqes. Ta duani dhe ta kultivoni gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë, të vizitoni trojet nga kanë ardhur familjet e juaja. Dëshiroj që me krenari ta flitni gjuhën shqipe dhe të punoni për atëdheun me shume dashuri.
Sot nga bankat e shkollës shqipe Alba Life, nga Staten Island të New Yorkut, nga Amerika mike, do ta themi së bashku:
Kosovë e dashur, urime ditëlidjen e 10-të!
*Fjalimi pershendetes i mbajtur me 10.02.2018; 11:00 ne Shkollen shqipe Alba-Life ne Staten Island ne veprimtarine e organizuar me rastin e 10 vjetorit te Pavaresise se Kosoves.