PRISHTINË, 23 Qershor 2016-Gazeta DIELLI/ Përfaqësuesit e Departamentit të Energjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Matthew Thompson dhe Robert Martinez nga Laboratori Kombëtar Sandia në SHBA, kanë mbërritur në Prishtinë. Ata u pritën nga kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Beqir Mezelxhiu.Ai, duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Laboratori Sandia i ka ofruar Kosovës, njoftoi për situatën aktuale radiologjike në Kosovë me theks të veçantë në objektet të cilat shërbejnë si deponi të përkohshme për mbetjet radioaktive.
Sot, Thompson dhe Martinez të shoqëruar nga stafi i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, takojnë Drejtorin për Shërbime të Korporatës Energjetike të Kosovës, Edmond Nulleshi, dhe do të vazhdojnë me aktivitete të tjera gjatë ditës./b.j/