-Qeveria mbushi sot dy vjet pune nga 12 dhjetori 2014, kur mori detyrën dhe mbajti mbledhjen e parë/
-Ndryshimet që ndodhën dhe “ngrirja” e pjesëmarrjes së Listës Serbe që vazhdon/
PRISHTINË, 12 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Qeveria e Kosovës e kryeministrit Isa Mustafa mbushi sot dy vjet pune nga 12 dhjetori 2014, kur mori detyrën dhe mbajti mbledhjen e parë, ndërsa gjatë kësaj kohohe ka zhvilluar 119 mbledhje të rregullta, 51 në 2016-tën, si dhe dy takime të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në 23 mars 2015 në Tiranë dhe 3 qershor 2016 në Prishtinë, që pasonin të parin-historikun në Prizren në 11 janar 2014, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.
Në Kosovë, një marrëveshje koalicioni e dy partive më të mëdha, në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë, dhe si rezultat i saj lideri i partisë së dytë sipas rezultatit zgjedhor – LDK-së, Isa Mustafa u bë kryeministër, e pas kalimit të mandatit kushtetues të Presidentes Atifete Jahjaga, lideri i partisë më të madhe fituese në zgjedhje – Hashim Thaçi u kandidua dhe zgjodh President i Kosovës ndërsa dha dorëheqje edhe nga kryetari i PDK-së, të cilën e drejtonte që nga themelimi në vitin 2000.
Pikërisht para dy viteve, me ceremoni solemne shtetërore, pritur me Gardën e FSK-së para Kryeministrisë së Kosovës, pat nisur pritja për dorëzim-pranimin e detyrës së Kryeminisrit nga Hashim Thaçi, lideri PDK-së, te partneri i koalicionit bashkëqeverisës, lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Dorëzim-pranimi i detyrës u bë brenda Kabinetit të Kryeministrit, ku mes shtrëngimeve të duarve e në një atmosferë të përzemërt bashkëpunimi e përkushtimi, Thaçi ia dorëzoi detyrën Mustafës. Më pas qeveria e Republikës së Kosovës, e kyeministrit të ri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e parë, në përbërjen ku Hashim Thaçi ishte zv/kryeministër i parë.
Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohëshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi në ditën e dorëzimit të detyrës në 12 shtator 2014 u mbushën plot katër vjet nga zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit 2010, të cilat ishin të jashtëzakonshme.
Ato zgjedhje u organizuan për pak më shumë se një muaj pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës në 2 nëntor 2010, që ishte shpërndarja e parë në historinë e parlamentarizmit kosovar, e cila u pasua me të dytën në 7 maj 2014 dhe me zgjedhjet e parakohëshme pas një muaji, në 8 qershor.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, breda dy viteve ka pasur disa ndryshime ndërkohë që kryeministri Mustafa ka deklaruar se me partnerët e koalicionit është duke u biseduar edhe për “reformatim e rekonstruim”.
Së fundit, në 27 tetor 2016, në postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Kosovës është emëruar Ramiz Kelmendi, i cili sapo kishte kaluar në LDK derisa ishte deputet një kohë pa grup parlamentar, po me mandat të fituar si kandidat i PDK.
Në 9 shtator dha dorëheqjen ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, për të shkuar në kabinetin e Presidentit të Republikës. Ministria e Integrimeve vazhdon të jetë pa ministër.
Më herët, në mbledhjen e qeverisë, në 25 gusht, kryeministri ka njoftuar lirimin nga detyra e zëvendëskryeministrit të Kujtim Shalës, me kërkesën e tij, që t’i përkushtohet tërë kohën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është ministër.
Gjatë kësaj kohe në qeverinë Mustafa ka pasur edhe disa ndryshime tjera dhe më i rëndësishmi ishte dorëheqja e zëvendëskryeministrit të parë e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, pasi në 26 shkurt 2016 u zdhodh President i Republikës në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Në qeveri, në vend të Thaçit, në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë u emërua Hajredin Kuçi, e në vend të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë u emërua Dhurata Hoxha, ndërsa ministër i Jashtëm u emërua Enver Hoxhaj.
Në qershor 2016, kryeministri Mustafa e ka liruar nga detyra ministrin e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihej edhe ai. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor aktualisht është Ferat Shala, që ishte zëvendësministër.
Ndyshimi i parë në qeverinë Mustafa u bë më pak se dy muaj pas zgjedhjes së saj në Kuvendin e Kosovës. Në 3 shkurt 2015 kryeministri i Kosovës shkarkoi ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç, pasi deklarata e tij ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira” shkaktoi shumë reagime dhe protesta, madje edhe të dhunëshme. Dalibor Jevtiç, po nga Lista Serbe, u emërua në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në 24 prill 2015, pasi serbët i dhanë fund bojkotit institucioneve kosovare që po vazhdonte në muajin e tretë si reagim kundërshtimi pas shkarkimit të ministrit Jablanoviç.
Sërish, prej mëse dy muajsh, nga 9 tetori 2016, Lista Serbe ka “ngrirë” pjesëmarrjen në qeverinë e Kosovës dhe në Kuvend, në kundërshtim të Ligjit për Trepçën, lidhur me të cilin iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila në 31 tetor shpalli vendimin se ky ligj është kushtetues.